Fuqia e gjuhës
Fuqia e gjuhës
GJUHA e xhirafës mund të jetë deri 45 centimetra e gjatë dhe është mjaft e zhdërvjellët dhe e fuqishme sa të këputë gjethet nga degët e pemëve. Gjuha e balenës së kaltër peshon sa një elefant. Përfytyroni sa forcë duhet vetëm për ta lëvizur!
Në krahasim me to, gjuha e njeriut është shumë më e vogël, peshon më pak dhe ka më pak forcë. E megjithatë, është shumë më e fuqishme. «Vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës»,—thotë Bibla për këtë gjymtyrë të vogël të trupit të njeriut. (Proverbat 18:21) Vërtet, sa herë kemi dëgjuar që fuqia vdekjeprurëse e gjuhës njerëzore është përdorur për të shpikur gënjeshtra e dëshmi të rreme, që kanë sjellë rrënimin, e madje edhe vdekjen e viktimave të pafajshme?
Në të njëjtën mënyrë, miqësi të vjetra janë prishur nga komentet lënduese. Ndjenjat janë shtypur me fjalë të ashpra. «Deri kur do të ma acaroni shpirtin dhe do të më dërrmoni me fjalë?»—klithi Jobi, për të cilin kishin folur kaq keq. (Jobi 19:2) Dishepulli Jakov bëri një përshkrim të gjallë të fuqisë shkatërrimtare të gjuhës së pafre: «Gjuha është një gjymtyrë e vogël, e megjithatë mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël mjafton për t’i vënë flakën një pylli të madh! E pra, edhe gjuha është një zjarr.»—Jakovi 3:5, 6.
Nga ana tjetër, fuqia e gjuhës mund të jetë edhe jetëdhënëse. Fjalët e ndjera dhe ngushëlluese kanë shpëtuar disa njerëz nga depresioni e nga vetëvrasja. Këshillat e besueshme, kur janë ndjekur, kanë shpëtuar shumë të droguar dhe kriminelë nga një vdekje e parakohshme. Po, fryti i gjuhës së të drejtit është «pemë jete», dhe «një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollët e arta në gdhendje argjendi».—Proverbat 15:4; 25:11.
Gjithsesi, mënyra më e mirë për të përdorur gjuhën është duke lëvduar Perëndinë Jehova, duke shpallur lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe duke u mësuar të tjerëve të vërtetat e çmuara të Biblës. Pse? Sepse Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3; Mateu 24:14; 28:19, 20.