Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A garanton Proverbat 22:6 se fëmijët e krishterë, po të stërviten siç duhet, nuk do të largohen nga udha e Jehovait?
Në këtë varg lexojmë: «Stërvite djalin në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.» Ashtu si drejtimi dhe përforcimi i një filizi ndikon në formën që do të marrë pema kur të rritet, stërvitja e duhur i bën fëmijët më të prirur që të vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait kur të rriten. Çdo prind e di mirë se kjo stërvitje kërkon shumë kohë dhe përpjekje. Për t’i bërë fëmijët e tyre dishepuj të krishterë, prindërit duhet që me kujdes t’i mësojnë, t’i këshillojnë, t’i inkurajojnë e t’i disiplinojnë, si edhe të lënë vetë një shembull të mirë. Këtë duhet ta bëjnë vazhdimisht e me dashuri, për shumë vjet.
Por, a do të thotë kjo që, nëse një fëmijë largohet e nuk i shërben më Jehovait, e ka fajin stërvitja që i kanë dhënë prindërit? Në disa raste, prindërit mund të kenë pasur mangësi në përpjekjet për t’i rritur fëmijët në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait. (Efesianëve 6:4) Nga ana tjetër, proverbi që po shqyrtojmë nuk është një garanci se stërvitja e mirë do të sjellë si rezultat fëmijë që i qëndrojnë besnikë Perëndisë. Prindërit nuk i modelojnë dot fëmijët si të dëshirojnë. Ashtu si të rriturit, edhe fëmijët kanë vullnet të lirë dhe së fundi duhet ta zgjedhin vetë udhën që do të ndjekin në jetë. (Ligji i përtërirë 30:15, 16, 19) Me gjithë përpjekjet e mëdha të prindërve, disa fëmijë bëhen jobesnikë, ashtu si edhe vetë Solomoni, i cili shkroi vargun që po shqyrtojmë. Edhe Jehovait i dolën jobesnikë disa bij.
Kështu, shkrimi nuk do të thotë që në çdo rast një fëmijë «nuk do të largohet prej saj», por që, duke folur në përgjithësi, rezultati do të ishte i tillë. Sa shumë zemër u jep kjo prindërve! Ata marrin zemër duke ditur se përpjekjet e shumta që bëjnë për t’i stërvitur fëmijët në udhën e Jehovait, do të japin rezultate të mira. Meqë roli i prindërve është i rëndësishëm dhe ka shumë ndikim, ata nxiten që ta marrin seriozisht rolin e tyre.—Ligji i përtërirë 6:6, 7.
Edhe kur fëmijët largohen e nuk i shërbejnë më Jehovait, prindërit që kanë qenë të kujdesshëm për t’i stërvitur, mund të mbajnë shpresa se ata do të vijnë në vete. E vërteta biblike është e fuqishme dhe stërvitja e marrë nga prindërit nuk harrohet lehtë.—Psalmi 19:7.