Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të moshuarit janë një bekim për të rinjtë

Të moshuarit janë një bekim për të rinjtë

Të moshuarit janë një bekim për të rinjtë

«Deri në pleqëri, kur të jem flokëzbardhur, o Perëndi, mos më lër, derisa t’i tregoj brezit tjetër për krahun tënd, të gjithë atyre që do të vijnë, për fuqinë tënde.»​—PSALMI 71:18.

1, 2. Çfarë duhet të kuptojnë shërbëtorët e moshuar të Perëndisë dhe çfarë do të shqyrtojmë tani?

NJË plak kongregacioni në Afrikën Perëndimore shkoi të vizitonte një vëlla të moshuar të mirosur dhe e pyeti: «Si po ia kalon?» Vëllai iu përgjigj: «Mund të vrapoj, të hidhem përpjetë, të kërcej,—e ndërkohë përpiqej të bënte lëvizjet që përmendte.—Por, nuk fluturoj dot.» Ishte e qartë ç’donte të thoshte. ‘Atë që mund ta bëj, e bëj me kënaqësi, por atë që s’mundem, s’e bëj.’ Plaku i kongregacionit që bëri atë vizitë, tani është vetë në të 80-at dhe e kujton me mall atë vëlla për ndjenjën e humorit dhe për besnikërinë që kishte.

2 Cilësitë e perëndishme që shfaq një i moshuar mund të lënë mbresa të thella te të tjerët. Natyrisht, vetëm mosha nuk e sjell vetvetiu mençurinë dhe cilësitë e krishtere. (Eklisiastiu 4:13) Bibla thotë: «Flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë.» (Proverbat 16:31) Nëse jeni të moshuar, a e kuptoni se si mund të ndikojnë për mirë te të tjerët fjalët dhe veprimet tuaja? Shikoni disa shembuj biblikë që tregojnë se si të moshuarit kanë qenë një bekim i vërtetë për më të rinjtë.

Një besim që sjell shumë dobi

3. Si ka ndikuar besnikëria e Noesë te të gjithë ata që jetojnë tani?

3 Besimi dhe palëkundshmëria e Noesë sollën dobi që ndihen edhe sot e kësaj dite. Kur ndërtoi arkën, mblodhi kafshët dhe u predikoi fqinjëve, Noeja ishte afërsisht 600 vjeç. (Zanafilla 7:6; 2 Pjetrit 2:5) Falë frikës së tij nga Perëndia, Noeja bashkë me familjen shpëtoi nga Përmbytja e madhe dhe u bë paraardhësi i të gjithë njerëzve që jetojnë sot në tokë. Vërtet që Noeja jetoi në një kohë kur njerëzit në përgjithësi jetonin më gjatë, por ai vazhdoi besnik edhe në moshë të shkuar fare, e kjo solli bekime domethënëse. Si?

4. Si u ka sjellë dobi palëkundshmëria e Noesë shërbëtorëve të Perëndisë sot?

4 Kur Nimrodi nisi projektin e kullës së Babelit, që ishte një rebelim ndaj urdhrit të Jehovait «mbushni tokën», Noeja ishte afërsisht 800 vjeç. (Zanafilla 9:1; 11:1-9) Por ai s’mori pjesë në rebelimin e Nimrodit. Kështu, ka të ngjarë që Noesë të mos i jetë ndryshuar gjuha, kur Perëndia ua ngatërroi gjuhën rebelëve. Besimi dhe palëkundshmëria që tregoi Noeja, jo vetëm kur ishte i moshuar, por gjithë jetën e tij të gjatë, ia vlejnë vërtet të imitohen nga shërbëtorët e Perëndisë të të gjitha moshave.​—Hebrenjve 11:7

Ndikimi te familja

5, 6. (a) Çfarë i tha Jehovai të bënte Abrahamit kur ishte 75 vjeç? (b) Si iu përgjigj Abrahami urdhrit të Perëndisë?

5 Ndikimi që kanë të moshuarit te besimi i familjarëve të tyre mund të shihet në jetën e patriarkëve që jetuan pas Noesë. Abrahami ishte rreth 75 vjeç kur Perëndia i tha: «Largohu nga vendi yt, nga farefisi yt dhe nga shtëpia e atit tënd dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë do të bëj nga ti një komb të madh, do të të bekoj.»​—Zanafilla 12:1, 2.

6 Mendoni sikur t’ju thoshin juve të iknit nga shtëpia juaj, nga miqtë, nga atdheu dhe nga siguria që ju jep farefisi, e të shkonit në një vend që nuk e njihni. Abrahamit iu tha të bënte pikërisht këtë. Ai «iku, ashtu siç i kishte thënë Jehovai», dhe pjesën tjetër të jetës e kaloi në tenda si i huaj dhe si banor i përkohshëm në vendin e Kanaanit. (Zanafilla 12:4; Hebrenjve 11:8, 9) Ndonëse Jehovai i kishte thënë se do të bëhej ‘një komb i madh’, Abrahami vdiq shumë kohë para se paraardhësit e tij të bëheshin të shumtë. E shoqja, Sara, i lindi vetëm një bir, Isakun, dhe atë vetëm pasi Abrahami kishte qenë në vendin e premtuar për 25 vjet. (Zanafilla 21:2, 5) E megjithatë, Abrahami nuk u lodh e nuk u kthye në qytetin nga kishte ardhur. Sa shembull i mirë besimi dhe qëndrueshmërie!

7. Si ndikoi qëndrueshmëria e Abrahamit tek i biri, Isaku, e me çfarë rezultati për njerëzimin?

7 Qëndrueshmëria e Abrahamit ndikoi fuqishëm tek i biri, Isaku, i cili e kaloi të gjithë jetën e tij—180 vjet,—si banor i ardhur në vendin e Kanaanit. Qëndrueshmëria e Isakut bazohej te besimi në premtimin e Perëndisë, një besim të cilin ia ngulitën prindërit e tij të moshuar e më vonë ia përforcoi vetë fjala që i tha Jehovai. (Zanafilla 26:2-5) Palëkundshmëria e Isakut luajti rol kryesor në përmbushjen e premtimit të Jehovait se nga familja e Abrahamit do të vinte një ‘farë’ për bekimin e gjithë njerëzimit. Qindra vjet më vonë, Jezu Krishti, pjesa kryesore e asaj ‘fare’, hapi rrugën për të gjithë ata që tregojnë besim tek ai, që të pajtohen me Perëndinë dhe të kenë jetën e përhershme.​—Galatasve 3:16; Gjoni 3:16.

8. Si tregoi besim të fortë Jakobi dhe me çfarë rezultati?

8 Isaku, nga ana e tij, ndihmoi të birin, Jakobin, që të kishte besim të fortë, i cili e mbajti të palëkundur edhe në moshë të shkuar. Jakobi ishte 97 vjeç kur u kacafyt me një engjëll gjithë natën, për të marrë bekimin. (Zanafilla 32:24-28) Para se të vdiste në moshën 147-vjeçare, Jakobi mblodhi forcat sa për të bekuar secilin nga 12 djemtë e tij. (Zanafilla 47:28) Fjalët profetike që tha ai, të cilat i gjejmë të shkruara te Zanafilla 49:1-28, dolën të vërteta dhe ende po përmbushen.

9. Ç’mund të themi për ndikimin që kanë te familja e tyre të moshuarit e pjekur frymësisht?

9 Është e qartë se shërbëtorët besnikë të moshuar të Perëndisë mund të ndikojnë për mirë te familjarët e tyre. Udhëzimet biblike, kur mbështeten nga zëri i përvojës dhe nga shembulli i qëndrueshmërisë, mund të ndikojnë shumë për të përcaktuar nëse një i ri do të rritet me besim të fortë. (Proverbat 22:6) Të moshuarit nuk duhet ta nënvlerësojnë kurrë ndikimin e dobishëm e të fuqishëm që mund të kenë në familjen e tyre.

Ndikimi te bashkadhuruesit

10. Cilin «urdhër për eshtrat e tij» dha Jozefi dhe si ndikoi ky urdhër?

10 Të moshuarit mund të ndikojnë për mirë edhe te bashkëbesimtarët. Në moshë të shkuar, Jozefi, i biri i Jakobit, bëri një akt të thjeshtë besimi që ndikoi thellësisht te miliona adhurues të vërtetë që jetuan pas tij. Ai ishte 110 vjeç kur «dha urdhër për eshtrat e tij», domethënë që kur të iknin nga Egjipti, izraelitët t’i merrnin me vete eshtrat e tij. (Hebrenjve 11:22; Zanafilla 50:25) Ky urdhër ishte një rreze shprese më shumë për Izraelin, gjatë viteve të gjata të skllavërisë së rëndë pas vdekjes së Jozefit, dhe u jepte siguri se çlirimi do të vinte.

11. Ç’ndikim duhet të ketë pasur Moisiu i moshuar te Josiu?

11 Moisiu ishte një ndër ata që morën forcë nga kjo shprehje e besimit të Jozefit. Kur ishte 80 vjeç, Moisiu pati privilegjin t’i merrte me vete e t’i nxirrte eshtrat e Jozefit nga Egjipti. (Dalja 13:19) Rreth asaj kohe, ai u njoh me Josiun, i cili ishte shumë më i ri në moshë. Për 40 vitet që pasuan, Josiu ishte shërbëtori i Moisiut. (Numrat 11:28) Ai e shoqëroi Moisiun në malin Sinai dhe e priti atje në mal derisa Moisiu zbriti me pllakat e Dëshmisë. (Dalja 24:12-18; 32:15-17) Ç’burim mençurie e këshillash të matura duhet të ketë qenë Moisiu i moshuar për Josiun!

12. Si ndikoi për mirë Josiu te kombi i Izraelit, për aq kohë sa jetoi?

12 Nga ana e tij, Josiu i dha zemër kombit të Izraelit për sa kohë që ishte gjallë. Te Gjykatësit 2:7 lexojmë: «Populli i shërbeu Jehovait gjatë gjithë jetës së Josiut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Josiut e që i kishin parë tërë gjërat madhështore që bëri Jehovai për Izraelin.» Por, pas vdekjes së Josiut dhe të pleqve të tjerë, nisi një periudhë 300-vjeçare lëkundjeje mes adhurimit të vërtetë dhe atij të rremë. Kjo vazhdoi deri në ditët e profetit Samuel.

Samueli ‘vuri në veprim drejtësinë’

13. Çfarë bëri Samueli ‘për të vënë në vend drejtësinë’?

13 Bibla nuk thotë sa vjeç ishte Samueli kur vdiq, por ngjarjet në librin e parë të Samuelit kapin rreth 102 vjet dhe Samueli përjetoi shumicën prej tyre. Te Hebrenjve 11:32, 33, lexojmë se gjykatësit dhe profetët e drejtë «vunë në veprim drejtësinë». Po, Samueli ndikoi te disa bashkëkohës të tij që të shmangnin keqbërjen ose të hiqnin dorë prej saj. (1 Samuelit 7:2-4) Si e bëri këtë? Ai vetë i qëndroi besnik Jehovait gjatë gjithë jetës. (1 Samuelit 12:2-5) Nuk kishte frikë t’i jepte këshilla të forta qoftë edhe mbretit. (1 Samuelit 15:16-29) Veç kësaj, edhe kur ishte «plakur e zbardhur», Samueli ishte shembullor lidhur me lutjet për të tjerët. Ai tha: «Nuk më ka shkuar kurrë ndër mend të mëkatoj kundër Jehovait e të mos lutem më për» izraelitët e tjerë.​—1 Samuelit 12:2, 23.

14, 15. Si mund ta imitojnë Samuelin të moshuarit sot, për sa u përket lutjeve?

14 E gjithë kjo thekson një mënyrë thelbësore se si mund të ndikojnë për mirë të moshuarit te shërbëtorët e tjerë të Jehovait. Pavarësisht nga kufizimet që sjell shëndeti ose rrethana të tjera, ata që janë në moshë të shkuar mund të luten për të tjerët. Ju të moshuar, a e kuptoni sa shumë dobi i sjellin kongregacionit lutjet tuaja? Falë besimit në gjakun e derdhur të Krishtit, ju keni një qëndrim të miratuar para Jehovait dhe falë qëndrueshmërisë që keni treguar ndër vite, besimi juaj ka fituar një ‘cilësi të sprovuar’. (Jakovi 1:3; 1 Pjetrit 1:7) Kurrë mos harroni se «përgjërimi i të drejtit vepron me shumë forcë»!​—Jakovi 5:16.

15 Lutjet tuaja në mbështetje të veprës së Mbretërisë së Jehovait, janë të domosdoshme. Disa nga vëllezërit tanë janë në burg për shkak të asnjanësisë të krishterë. Të tjerë kanë qenë viktima të katastrofave natyrore, të luftërave dhe të konflikteve civile. Disa të tjerë, edhe në kongregacionet tona, po përballen me tundime ose me kundërshtime. (Mateu 10:35, 36) Po ashtu, ata që marrin drejtimin në veprën e predikimit dhe në mbikëqyrjen e kongregacioneve, kanë nevojë që ju të luteni vazhdimisht për ta. (Efesianëve 6:18, 19; Kolosianëve 4:2, 3) Sa mirë që ju i përmendni bashkëbesimtarët në lutjet tuaja, siç bënte Epafrai!​—Kolosianëve 4:12.

Mësojnë brezin e ri

16, 17. Çfarë ishte parathënë te Psalmi 71:18 dhe si është plotësuar?

16 Shoqërimi me pjesëtarët besnikë të ‘kopesë së vogël’, që kanë thirrjen qiellore, ka qenë një stërvitje thelbësore për pjesëtarët e ‘deleve të tjera’, të cilët kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Kjo ishte parathënë te Psalmi 71:18, ku lexojmë: «Deri në pleqëri, kur të jem flokëzbardhur, o Perëndi, mos më lër, derisa t’i tregoj brezit tjetër për krahun tënd, të gjithë atyre që do të vijnë për fuqinë tënde.» Të mirosurit me frymën e shenjtë janë treguar të gatshëm që t’i stërvitin shokët e tyre nga delet e tjera për përgjegjësi të mëtejshme, para se të largohen prej tyre për t’u lartësuar bashkë me Jezu Krishtin.

17 Në parim, fjalët e Psalmit 71:18 për të mësuar ‘ata që do të vijnë’, mund të zbatohen edhe për delet e tjera, që kanë mësuar nga të mirosurit e Perëndisë. Jehovai u ka besuar atyre që kanë më shumë kohë në adhurimin e vërtetë privilegjin që t’u dëshmojnë për të njerëzve që po e përqafojnë tani këtë adhurim. (Joeli 1:2, 3) Delet e tjera ndihen të bekuara për atë që kanë mësuar nga të mirosurit dhe ndihen të nxitura t’ua japin arsimin biblik që kanë marrë edhe të tjerëve që dëshirojnë t’i shërbejnë Jehovait.​—Zbulesa 7:9, 10.

18, 19. (a) Çfarë informacionesh të çmuara mund të përcjellin shumë shërbëtorë të moshuar të Jehovait? (b) Për çfarë duhet të jenë të sigurt të krishterët e moshuar?

18 Shërbëtorët e moshuar të Jehovait, qofshin të mirosur, qofshin nga delet e tjera, janë një hallkë e gjallë lidhëse për ngjarje të rëndësishme historike të së kaluarës. Disa që jetojnë ende sot, ishin të pranishëm kur u shfaq për herë të parë «Foto-Drama e Krijimit». Disa i kanë njohur personalisht vëllezërit përgjegjës që u burgosën në vitin 1918. Të tjerë kanë marrë pjesë në transmetimet e stacionit radiofonik të Watchtowerit, që quhej WBBR. Shumë prej tyre mund të tregojnë për kohën kur rastet gjyqësore që kishin lidhje me lirinë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait u çuan në gjykatat më të larta. Të tjerë akoma qëndruan të patundur në anën e adhurimit të vërtetë gjatë regjimeve diktatoriale. Po, të moshuarit mund të tregojnë si është zbuluar dora-dorës kuptueshmëria për të vërtetën. Bibla na nxit të nxjerrim dobi nga ky thesar përvoje.​—Ligji i përtërirë 32:7.

19 Të krishterët e moshuar nxiten që të jenë shembuj të mirë për më të rinjtë. (Titit 2:2-4) Ndoshta tani ju nuk e shihni se si ndikon te të tjerët qëndrueshmëria juaj, lutjet dhe këshillat tuaja. Noeja, Abrahami, Jozefi, Moisiu dhe të tjerë as që kishin mundësi ta dinin sa do të ndikonte besnikëria e tyre te brezat që do të vinin. E megjithatë, trashëgimia që na kanë lënë, falë besimit dhe integritetit të tyre, ndikoi jashtë mase; e po njësoj është edhe me ju.

20. Ç’bekime i presin ata që e mbajnë të palëkundur deri në fund shpresën e tyre?

20 Ç’kënaqësi do të jetë të provoni «jetën e vërtetë», qoftë duke mbijetuar gjatë ‘shtrëngimit të madh’, qoftë duke u kthyer prapë në jetë me anë të ringjalljes! (Mateu 24:21; 1 Timoteut 6:19) Përfytyroni si do të jetë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, kur Jehovai do të kthejë mbrapsht pasojat e plakjes. Në vend që të provojmë rënien e vazhdueshme të trupave tanë, çdo ditë kur të zgjohemi do të shohim përmirësime të vazhdueshme fizike: më shumë energji, shikim dhe dëgjim më të mprehtë, pamje fizike më të bukur! (Jobi 33:25; Isaia 35:5, 6) Ata që do të kenë privilegjin të jetojnë në botën e re të Perëndisë, do të jenë gjithnjë të rinj në krahasim me përjetësinë që duhet ende të jetojnë. (Isaia 65:22) Prandaj, të gjithë ne le ta mbajmë të palëkundur shpresën tonë deri në fund dhe të vazhdojmë t’i shërbejmë me gjithë shpirt Jehovait! Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i plotësojë të gjitha ato që ka premtuar dhe se do të bëjë shumë më tepër nga gjërat që mund të shpresojmë ne.​—Psalmi 37:4; 145:16.

Si do të përgjigjeshit?

• Si i solli bekime gjithë njerëzimit palëkundshmëria e Noesë së moshuar?

• Si ndikoi besimi i patriarkëve te pasardhësit e tyre?

• Si u dhanë forcë bashkadhuruesve të tyre Jozefi, Moisiu, Josiu dhe Samueli, edhe në moshë të shkuar?

• Ç’trashëgimi mund t’u kalojnë të tjerëve të moshuarit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Qëndrueshmëria e Abrahamit ndikoi fuqishëm tek Isaku

[Figura në faqen 28]

Këshillat e pjekura të Moisiut i dhanë zemër Josiut

[Figura në faqen 29]

Lutjet tuaja për të tjerët janë me shumë vlerë

[Figura në faqen 30]

Të rinjtë nxjerrin dobi duke dëgjuar të moshuarit besnikë