Të vendosur për të kryer shërbimin tonë
Jetëshkrim
Të vendosur për të kryer shërbimin tonë
Treguar nga Lina Dejvisoni
«Po më erren sytë. S’shoh asgjë»,—tha piloti ynë me zë të mekur. Disa çaste më vonë, duart iu lëshuan nga komanda e aeroplanit të vogël në të cilin ishim dhe u plandos pa ndjenja në sedilje. Im shoq nuk ia thoshte fare nga pilotimi i aeroplanit, por i dëshpëruar u përpoq ta shkundte pilotin. Para se t’ju tregoj si shpëtuam për një qime, më lejoni t’ju shpjegoj si ndodhi që ishim në atë aeroplan duke fluturuar mbi Papua Guinenë e Re, një nga skajet më të largëta të tokës.
KAM lindur në Australi, në vitin 1929, dhe jam rritur në Sidnei, që është kryeqyteti i Uellsit të Ri Jugor. Im atë, që quhej Bill Muskati, ishte komunist, por, çuditërisht, besonte te Perëndia. Madje, në vitin 1938, pranoi të firmoste një peticion kombëtar ku kërkohej që t’i jepej leje Xhozef F. Radhërfordit, nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait, të mbante një fjalim në sallën e bashkisë së Sidneit.
«Me siguri do të ketë diçka të mirë për të thënë»,—na tha babai në atë kohë. Tetë vjet më vonë, mësuam cilat kishin qenë pikat kryesore të atij mesazhi. Babai ftoi në shtëpi për të diskutuar rreth Biblës Norman Belotin, një Dëshmitar të Jehovait që ishte pionier. E gjithë familja jonë e pranoi shpejt të vërtetën biblike dhe u bë shumë aktive në shërbimin e krishterë.
Nga mesi i viteve 40, e lashë shkollën që t’i dilja krah mamasë, e cila vuante nga një sëmundje kronike. Për të fituar ca para, punoja edhe si rrobaqepëse. Të shtunave në mbrëmje, bashkë me motrën, Rozën, dilnim me një grup pionierësh në shërbimin rrugor, jashtë sallës së bashkisë së Sidneit. Në vitin 1952, vëllai im i madh, Xhoni, u diplomua në shkollën misionare të Galaadit, në Shtetet e Bashkuara, dhe u caktua në Pakistan. Edhe mua më pëlqente shumë shërbimi dhe doja të ndiqja shembullin e tij. Kështu, një vit më vonë, u bëra pioniere e rregullt.
Martesa dhe vepra misionare
Jo shumë kohë më pas u takova me Xhon Dejvisonin, i cili punonte në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Australi. Më la mbresa të thella përulësia e tij, vendosmëria e heshtur dhe forca e karakterit. E kishin burgosur tri herë gjatë Luftës II Botërore, sepse mbante asnjanësinë e krishterë. Së bashku vendosëm ta bënim shërbimin e krishterë qendrën e jetës sonë.
U martuam në qershor të vitit 1955. Blemë një autobus me synimin për ta kthyer në shtëpi-rimorkio. Donim ta përdornim si bazë për të predikuar në zonat e thella të Australisë. Një vit më pas, u bë një thirrje për Dëshmitarë që të shkonin në Guinenë e Re, në pjesën verilindore të një ishulli të madh që ndodhet në veri të Australisë. * Në atë pjesë të botës ende nuk ishte predikuar mesazhi i Mbretërisë. Dolëm menjëherë vullnetarë.
Në atë kohë, e vetmja mënyrë për të hyrë në Guinenë e Re ishte duke lidhur një kontratë pune në kohë të plotë, kështu që Xhoni nisi të kërkonte punë. Shpejt arriti të nënshkruante një kontratë me një stabiliment sharre në Britaninë e Re, një ishull shumë më i vogël që është pjesë e Guinesë së Re. Disa javë më vonë, u nisëm për në caktimin tonë të ri dhe mbërritëm në Rabaul të Britanisë së Re në korrik të 1956-s. Atje pritëm gjashtë ditë për një varkë që do të na çonte në Uotërfoll-Bej.
Shërbimi në Uotërfoll-Bej
Pas disa ditësh lundrimi të vështirë, mbërritëm në Uotërfoll-Bej, një gji i madh rreth 240 kilometra në jug të Rabaulit. Në një shesh të pastruar nga xhungla ndodhej një stabiliment i madh sharre. Atë mbrëmje, kur të gjithë punëtorët u ulën përqark tryezës për të ngrënë, administratori tha: «Meqë ra fjala, zonja dhe zoti Dejvison, është si praktikë në këtë firmë që të gjithë punonjësit të thonë se cilës fe i përkasin.»
Ishim më se të sigurt që s’kishte një praktikë të tillë, por meqë nuk kishim pranuar të pinim duhan, me sa duket ata dyshonin. Sidoqoftë, Xhoni u përgjigj: «Jemi Dëshmitarë të Jehovait.» Me të thënë këtë, ra një heshtje e rëndë. Ata burra ishin veteranë të Luftës II Botërore dhe kishin paragjykime ndaj Dëshmitarëve për shkak të qëndrimit asnjanës gjatë luftës. Që prej asaj nate, ata u përpoqën me çdo mënyrë të na i vështirësonin gjërat.
Së pari, administratori nuk na dha as frigorifer, as sobë, edhe pse na takonin sipas kontratës. Ç’kishim ushqim që duhej ruajtur në frigorifer u prish, dhe u detyruam të gatuanim në një sobë shkatarraqe që e gjetëm në xhungël. Pastaj, iu ndalua fshatarëve vendës të na shitnin prodhime të freskëta, kështu që hanim ato perime që arrinim të gjenim. Na quajtën edhe spiunë e na vëzhgonin me kujdes për të parë nëse po i mësonim ndokujt Biblën. Pastaj më zuri malarja.
Gjithsesi, ishim të vendosur të kryenim shërbimin tonë. Prandaj u kërkuam dy të rinjve vendës që punonin me ne dhe flitnin anglisht, të na mësonin gjuhën kombëtare pixhine të Melanezisë. Ne u mësonim Biblën. Gjatë fundjavëve, shkonim larg nëpër ekspedita «turistike». Gjatë rrugës, u predikonim me maturi fshatarëve që gjenim dhe studentët tanë të Biblës bënin rolin e përkthyesve. Kapërcenim lumenj me rryma të forta dhe krokodilë gjigantë, të cilët ngroheshin në diell, në brigjet e lumit. Përveç një rasti kur shpëtuam për një fije, rrallë na trazonin ata grabitqarë të frikshëm.
Sajojmë mjete ndihmëse për të mësuar të tjerët
Ndërsa zgjeronim shërbimin, vendosëm të shtypnim fleta me mesazhe të thjeshta biblike e t’ua shpërndanim të interesuarve. Studentët e Biblës që kishim te stabilimenti i sharrave na ndihmuan të përkthenim të parat. Kaluam shumë net duke shkruar me makinë shkrimi qindra fletushka, të cilat ua shpërndanim fshatarëve dhe ekuipazheve të anijeve që kalonin.
Në vitin 1957, na bëri një vizitë inkurajuese Xhon Katforthi, një mbikëqyrës udhëtues me përvojë. * Ai na sugjeroi të përdornim figurat si mjet i efektshëm për t’u mësuar të vërtetat biblike njerëzve që nuk dinin të lexonin. Ai dhe im shoq sajuan një seri vizatimesh të thjeshta për të shpjeguar mësimet elementare biblike. Më vonë, kaluam kushedi sa orë duke i kopjuar në fletore shkolle këto fjalime me figura. Çdo studenti të Biblës i jepnim një kopje, të cilën e përdorte për t’u predikuar të tjerëve. Më pas kjo metodë mësimi u përdor në gjithë vendin.
Pasi kishim kaluar dy vjet e gjysmë në Uotërfoll-Bej, na mbaroi kontrata e punës dhe na u dha leja për të qëndruar në vend. Kështu, pranuam ftesën për të shërbyer si pionierë specialë.
Kthimi në Rabaul
Ndërsa lundronim në veri drejt Rabaulit, anija ndaloi për të kaluar natën në një plantacion me arra kokosi dhe kakao në Uajd-Bej. Pronarët,
një çift i moshuar që donte të transferohej në Australi, i ofruan Xhonit administrimin e plantacionit. Oferta ishte shumë tunduese, por e diskutuam atë natë çështjen dhe ramë dakord se nuk kishim ardhur në Guinenë e Re për t’u pasuruar. Ishim të vendosur të kryenim shërbimin tonë si pionierë. Kështu, ditën tjetër ia njoftuam çiftit vendimin tonë dhe hipëm përsëri në anije.Pasi mbërritëm në Rabaul, u bashkuam me një grup të vogël Dëshmitarësh nga vende të tjera, që ishin transferuar në atë zonë. Vendësit treguan shumë interes për mesazhin e Mbretërisë dhe nisëm shumë studime biblike. Mbledhjet e krishtere i mbanim në një sallë që e kishim marrë me qira dhe të pranishëm ishin deri në 150 veta. Shumë prej tyre e pranuan të vërtetën dhe ndihmuan për të përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në pjesë të tjera të vendit.—Mateu 24:14.
Vizitonim edhe Vunabalin, një fshat rreth 50 kilometra larg Rabaulit, ku një grup njerëzish kishin shumë interes për të vërtetën biblike. Shpejt ata tërhoqën vëmendjen e një katoliku vendës me shumë pushtet. I shoqëruar nga një grup shokësh të kishës së tij, ai na prishi studimin biblik për atë javë dhe na dëboi nga fshati. Kur morëm vesh se do të kishte trazira të tjera javën vijuese, i kërkuam policisë të na shoqëronte.
Atë ditë, për kilometra të tëra anës rrugës ishin rreshtuar katolikë që bërtisnin. Shumë ishin gati të na gjuanin me gurë. Ndërkohë, një prift kishte mbledhur qindra banorë të fisit në fshat. Policia na siguroi se kishim të drejtën tonë të mbanim mbledhjen, prandaj hapi një shteg përmes turmës. Por, sapo nisëm mbledhjen, prifti e nxiti turmën të bënte si e çmendur. Policia nuk arrinte ta mbante nën kontroll tërë atë turmë, prandaj shefi i policisë na nxiti të iknim dhe na çoi menjëherë te makina jonë.
Turma na rrethoi duke na sharë, duke na pështyrë e duke tundur grushtet, kurse prifti rrinte aty duarkryq, duke buzëqeshur. Pasi ikëm prej andej, shefi i policisë tha se ishte situata më e vështirë që kishte parë ndonjëherë. Edhe pse shumica e njerëzve në Vunabal u trembën nga dhuna e turmës, një student i Biblës me guxim mbajti anën e së vërtetës së Mbretërisë. Që nga ajo kohë, qindra të tjerë në gjithë Britaninë e Re kanë pranuar të vërtetën.
Hapet vepra në Guinenë e Re
Në nëntor të vitit 1960, na caktuan në Madang, një qytet i madh në bregun verior të Guinesë së Re, që është ishulli kryesor. Këtu, mua dhe Xhonin na mbytën me oferta pune në kohë të plotë. Një firmë donte që unë të administroja dyqanin e tyre të veshjeve. Një tjetër donte që të përshtatja rroba për klientët. Disa gra që ishin në mërgim, donin madje që të më hapnin një dyqan ku të merresha me stilime veshjesh. Duke mbajtur në mend synimet tona, i refuzuam me mirësjellje këto oferta, si dhe të tjera që na bënë.—2 Timoteut 2:4.
Territori në Madang ishte i frytshëm dhe shpejt u formua një kongregacion i begatë. Udhëtonim në këmbë e me motor deri në fshatrat aty afër, për të predikuar disa ditë me radhë. Flinim nëpër kasolle të braktisura gjatë rrugës, mbi shtresa bari që prisnim nga pylli. Bagazhet tona të thjeshta përfshinin ushqim të konservuar, biskota dhe një rrjetë mushkonjash.
Në një nga këto udhëtime, vizituam një grup të interesuarish në Talidig, një fshat rreth
50 kilometra në veri të Madangut. Ndërsa grupi përparonte në të vërtetën, drejtori i shkollës vendëse i ndaloi të studionin Biblën në vende publike. Më pas, ai e nxiti policinë që t’ua shkatërronte shtëpitë dhe i dëboi në pyll. Por kryetari i një fshati fqinj e lejoi grupin të banonte në tokën e tij. Me kalimin e kohës, ky kryetar dashamirës pranoi të vërtetën biblike dhe në atë zonë u ndërtua një Sallë Mbretërie moderne.Përkthimi dhe vepra udhëtuese
Vetëm dy vjet pas mbërritjes në Britaninë e Re më 1956, na ftuan të dyve të përkthenim disa botime biblike në gjuhën pixhine të Melanezisë. Kjo vepër vazhdoi gjatë viteve. Pastaj, në vitin 1970, na ftuan në zyrën e degës në Port-Moresbi, kryeqyteti i Papua Guinesë së Re, që të shërbenim në kohë të plotë si përkthyes. Jepnim edhe mësime gjuhe.
Në vitin 1975 u kthyem në Britaninë e Re për të shërbyer në veprën udhëtuese. Për 13 vjet udhëtuam me aeroplan, me varkë me rrema, me makinë ose në këmbë, pothuajse në çdo pjesë të vendit. Patëm shumë raste kur shpëtuam për një fije, si incidenti që përshkrova në fillim të këtij artikulli. Në atë rast, tek po i afroheshim aeroportit të Kandrianit në Britaninë e Re, piloti ynë pati një kolaps për shkak të një gastriti të rëndë. Pasi u vu në punë autopiloti i aeroplanit, nisëm të fluturonim rrotull mbi xhungël, të pafuqishëm, ndërsa Xhoni përpiqej i dëshpëruar të sillte në vete pilotin që ishte pa ndjenja. Më në fund, ai erdhi në vete dhe iu qartësua shikimi aq sa për ta ulur aeroplanin me vështirësi. Pastaj i humbi ndjenjat përsëri.
Hapet një derë tjetër aktiviteti
Në vitin 1988 na caktuan përsëri në Port-Moresbi që të kujdeseshim për nevojat gjithnjë në rritje të përkthimit në degë. Rreth 50 prej nesh jetonim dhe punonim si një familje në degë, ku stërvitnim edhe përkthyesit e rinj. Që të gjithë banonim në apartamente modeste që kishin vetëm një dhomë. Unë dhe Xhoni vendosëm ta linim fare hapur derën, që t’i nxitnim pjesëtarët e tjerë të familjes dhe vizitorët të ndalonin për të na takuar e për t’u njohur. Kështu u afruam shumë me familjen Bethel, dhe kjo na dha mundësi t’i jepnim njëri-tjetrit shumë dashuri e mbështetje.
Pastaj, në vitin 1993, Xhoni pësoi infarkt në zemër dhe vdiq. M’u duk sikur një pjesë e imja vdiq bashkë me të. Kishim 38 vjet martesë dhe gjithë atë kohë e kishim kaluar bashkë në shërbim. Megjithatë, isha e vendosur të vazhdoja, me forcën e Jehovait. (2 Korintasve 4:7) Dera e dhomës sime mbeti e hapur dhe të rinjtë vazhduan të më bënin vizita. Kjo shoqëri e shëndetshme më ndihmoi të mbaja një pikëpamje pozitive.
Në vitin 2003, për shkak të shëndetit të dobët, më caktuan në zyrën e degës në Sidnei, Australi. Sot, në moshën 77-vjeçare, vazhdoj të shërbej në kohë të plotë në repartin e përkthimit dhe mundohem të dal sa më shumë në veprën e predikimit. Miqtë, fëmijët dhe nipat e mbesat që kam fituar në të vërtetën më sjellin gjithnjë gëzim.
Dera e dhomës sime në Bethel vazhdon të jetë e hapur dhe në shumicën e ditëve kam vizitorë. Madje, kur e kam derën mbyllur, shpesh vëllezërit trokasin për të pyetur mos ka ndonjë problem. Derisa të kem frymë, do të mbetem e vendosur të kryej shërbimin tim dhe t’i shërbej Perëndisë tim, Jehovait.—2 Timoteut 4:5.
[Shënimet]
^ par. 10 Në atë kohë, ana lindore e ishullit ishte ndarë në dy pjesë: Papua, që ndodhej në jug, dhe Guineja e Re, që ndodhej në veri. Sot, pjesa perëndimore e këtij ishulli i përket Indonezisë, kurse pjesa lindore quhet Papua Guineja e Re.
^ par. 19 Shih Kullën e Rojës, 1 qershor 1958, faqet 333-336, anglisht, për jetëshkrimin e Xhon Katforthit.
[Hartat në faqen 18]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
GUINEJA E RE
AUSTRALI
Sidnei
INDONEZI
PAPUA GUINEJA E RE
Talidig
Madang
PORT-MORESBI
BRITANIA E RE
Rabaul
Vunabal
Uajd-Bej
Uoterfoll-Bej
[Burimi]
Harta dhe globi: bazuar në pamje nga NASA/Visible Earth
[Figura në faqen 17]
Me Xhonin në një kongres në Lae, Guineja e Re, 1973
[Figura në faqen 20]
Në degën e Papua Guinesë së Re, 2002