Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po imiton Jehovain duke u interesuar për të tjerët?

A po imiton Jehovain duke u interesuar për të tjerët?

A po imiton Jehovain duke u interesuar për të tjerët?

«HIDHNI gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë], sepse ai interesohet për ju.» (1 Pjetrit 5:7) Çfarë ftese e përzemërt! Perëndia Jehova interesohet personalisht për popullin e tij. Ndihemi të sigurt në krahët e tij.

Edhe ne duhet të përpiqemi të kemi e të shfaqim një interesim të tillë të dashur për të tjerët. Si të papërsosur, duhet të mbajmë parasysh disa gracka kur interesohemi për të tjerët. Para se të renditim disa prej tyre, le të shohim disa mënyra se si interesohet e kujdeset Jehovai për popullin e tij.

Duke përdorur shembullin e bariut, psalmisti David përshkroi kujdesin që tregon Perëndia: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë. Ai më çon të shtrihem në livadhe plot bar, më çon të prehem në vende të ujitura mirë, dhe ma freskon shpirtin. . . . Edhe sikur të eci nëpër luginën e territ, nuk do të kem frikë nga asgjë e keqe, sepse ti je me mua.»​—Psalmi 23:1-4.

Davidi kishte qenë vetë bari, prandaj e dinte ç’do të thoshte të kujdeseshe për një kope. Bariu i mbron delet nga grabitqarët, si luanët, ujqit dhe arinjtë. Kujdeset që kopeja të mos shpërndahet, kërkon delet e humbura, i mban në gji qengjat e lodhur dhe kujdeset për delet e sëmura e të dëmtuara. Ditë për ditë e çon kopenë të pijë ujë. Kjo nuk do të thotë se bariu kontrollon çdo lëvizje të deleve. Delet janë të lira, e megjithatë të mbrojtura.

Pikërisht kështu kujdeset Jehovai për popullin e tij. Apostulli Pjetër shpjegoi: «Fuqia e Perëndisë po ju ruan.» Këtu, shprehja «po ju ruan», fjalë për fjalë do të thotë «po qëndron vigjilent mbi ju». (1 Pjetrit 1:5, shënimi, BR me referime, anglisht) Nga interesi i sinqertë, Jehovai qëndron gjithnjë vigjilent mbi ne, gati për të na ndihmuar sa herë që i kërkojmë ndihmë. Por Jehovai na krijoi me vullnet të lirë, prandaj nuk ndërhyn në të gjitha veprimet dhe vendimet tona. Si ta imitojmë Jehovain në këtë drejtim?

Imitoje Perëndinë duke u kujdesur për fëmijët e tu

«Fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai.» Prandaj, prindërit duhet t’i mbrojnë fëmijët, të interesohen e të kujdesen për ta. (Psalmi 127:3) Kjo mund të kërkojë që t’i nxitin fëmijët të shprehen, e pastaj t’i marrin parasysh mendimet dhe ndjenjat e tyre në mënyrën si i trajtojnë. Nëse prindërit përpiqen të kontrollojnë çdo lëvizje të fëmijëve, pa ua vënë veshin fare dëshirave të tyre, do të ishin si një bari që përpiqet t’i kontrollojë delet e tij duke i lidhur me litarë. Asnjë bari nuk do të kujdesej kështu për kopenë e tij dhe as Jehovai nuk na kullot në këtë mënyrë.

Marikoja * pranon: «Për vite me radhë, mjaftohesha duke u thënë fëmijëve: ‘Bëje këtë’ dhe ‘Mos e bëj atë’. Mendoja se ky ishte detyrimi im si prind. Nuk i lavdëroja dhe as kisha një komunikim të vërtetë me ta.» Edhe pse vajza e Marikosë fliste për orë të tëra në telefon me shoqet e saj, me të ëmën biseda nuk zgjaste shumë. Marikoja vazhdon: «Pastaj e kuptova pse ndodhte kjo. Kur fliste me shoqet, ime bijë përdorte shprehje empatie, si ‘ashtu është’ ose ‘po, edhe unë’. Nisa të përdorja shprehje të ngjashme për ta nxitur vajzën që të m’i shprehte ndjenjat dhe s’kaloi shumë e bisedat tona nisën të zgjateshin e të bëheshin më të këndshme.» Kjo përvojë thekson rëndësinë e komunikimit të mirë, i cili zakonisht është i dyanshëm, jo vetëm monolog.

Prindërit duhet t’i nxitin fëmijët të shprehen, por edhe fëmijët duhet të kuptojnë pse kujdesi prindëror është një mbrojtje për ta. Bibla i këshillon fëmijët që t’u binden prindërve dhe pastaj thotë arsyen: «Që të të vejë mbarë dhe të jetosh gjatë në tokë.» (Efesianëve 6:1, 3) Fëmijët që janë vërtet të bindur për dobitë e nënshtrimit, e kanë më të lehtë t’i dëgjojnë prindërit.

Duke u kujdesur për kopenë e Jehovait

Kujdesi i dashur i Jehovait duket qartë në kongregacionin e krishterë. Si Kreu i kongregacionit, Jezu Krishti i drejton pleqtë që të kujdesen për kopenë e tij. (Gjoni 21:15-17) Fjala greke për «mbikëqyrës» lidhet me një folje që ka kuptimin «shoh me kujdes». Duke theksuar si duhet bërë kjo, Pjetri i udhëzon pleqtë: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo me detyrim, por vullnetarisht, as për fitim të pandershëm, por me gatishmëri, as duke u sjellë si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë.»​—1 Pjetrit 5:2, 3.

Po, puna e pleqve është e ngjashme me atë të barinjve. Pleqtë e krishterë duhet të kujdesen për të sëmurët frymësisht dhe t’i ndreqin ata, në mënyrë që të pasqyrojnë normat e drejta në jetë. Pleqtë janë përgjegjës për organizimin e veprimtarive të kongregacionit, për programimin e mbledhjeve dhe për të mbajtur rregullin në kongregacion.​—1 Korintasve 14:33.

Por fjalët e mësipërme të Pjetrit na e drejtojnë vëmendjen te një rrezik—te rreziku se mos pleqtë ‘sillen si zotër’ me kongregacionin. Një tregues se ndoshta një plak po shkon në këtë drejtim është kur ai nxjerr rregulla të panevojshme. Nga ndjenja e fortë e detyrimit për të mbrojtur kopenë, plaku mund t’i kalojë caqet. Në një kongregacion në Lindje, pleqtë kishin nxjerrë rregulla se si duheshin përshëndetur të tjerët në Sallën e Mbretërisë, si për shembull kush duhej të fliste i pari, duke menduar se ndjekja e këtyre rregullave do ta shtonte paqen në kongregacion. Edhe pse motivet ishin pa dyshim të mira, a po imitonin ata pleq kujdesin e Jehovait për popullin e tij? Vlen të shqyrtojmë qëndrimin mendor të apostullit Pavël, që u pasqyrua në këto fjalë të tij: «Jo se ne jemi zotërinj mbi besimin tuaj, por se jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj, sepse me anë të besimit tuaj po qëndroni në këmbë.» (2 Korintasve 1:24) Jehovai ka besim te populli i tij.

Përveç faktit që nuk vendosin rregulla pa pasur ndonjë bazë biblike, pleqtë e kujdesshëm e tregojnë interesin e tyre të sinqertë duke mos zbuluar informacione konfidenciale. Ata mbajnë parasysh paralajmërimin hyjnor: «Mos e zbulo bisedën që një tjetër e ka bërë me ty në mirëbesim.»​—Proverbat 25:9.

Apostulli Pavël e krahasoi kongregacionin e të krishterëve të mirosur me trupin njerëzor: «Perëndia e formoi trupin, . . . në mënyrë që në trup të mos ketë ndarje, por që gjymtyrët e tij të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën.» (1 Korintasve 12:12, 24-26) Shprehja greke e përkthyer «të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën», fjalë për fjalë do të thotë ‘duhet të jenë në ankth për njëra-tjetrën’. Pjesëtarët e kongregacionit të krishterë duhet të interesohen shumë për njëri-tjetrin.​—Filipianëve 2:4.

Si e tregojnë të krishterët e vërtetë se janë ‘në ankth për njëri-tjetrin’? Mund ta shfaqin interesin për pjesëtarët e tjerë të kongregacionit duke u lutur për ta dhe duke u dhënë ndihmë praktike nevojtarëve. Kjo i ndihmon të tjerët që të nxjerrin cilësitë e tyre më të mira. Ja si e ndihmoi ky interesim i dashur Tadatakën. Kur u pagëzua në moshën 17-vjeçare, në familjen e tij vetëm ai i shërbente Jehovait. Ja ç’tregon: «Një familje në kongregacion më ftonte shpesh për të ngrënë me ta e në grumbullimet që bënin. Rrugës për në shkollë, kaloja nga shtëpia e tyre pothuajse çdo mëngjes që të shqyrtonim bashkë shkrimin e ditës. Më jepnin këshilla si të përballoja problemet në shkollë dhe luteshim bashkë lidhur me ato probleme. Nga kjo familje, mësova frymën e dhënies.» Tani Tadataka po e vë në praktikë atë që ka mësuar, duke shërbyer në një nga zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait.

Apostulli Pavël paralajmëroi për një grackë të zakonshme kur tregojmë interes për të tjerët. Ai përmendi disa gra që kishin nisur ‘të merreshin me thashetheme, futnin hundët në punët e të tjerëve dhe flisnin për gjëra që nuk duhet’. (1 Timoteut 5:13) Edhe pse është mirë të interesohemi për të tjerët, duhet të bëjmë kujdes që të mos shkojmë deri aty sa të futim hundët në punët e tyre. Interesi i tepërt për të tjerët mund të shfaqet ‘duke folur për gjëra që nuk duhet’, si për shembull duke bërë komente gjykuese.

Nuk duhet të harrojmë se të krishterët mund të vendosin ndryshe nga njëri-tjetri për çështjet personale, për gjërat që zgjedhin të hanë dhe për llojin e shëndetshëm të çlodhjes që mund të zgjedhin. Brenda parametrave të treguara nga parimet biblike, secili është i lirë të vendosë se ç’do të bëjë. Pavli i këshilloi të krishterët romakë: «Të mos e gjykojmë më njëri-tjetrin. . . . Le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë njëri-tjetrin.» (Romakëve 14:13, 19) Interesi i sinqertë që kemi për njëri-tjetrin në kongregacion duhet shfaqur, jo duke futur hundët në punët e tyre, por duke qenë gati për të ndihmuar. Kur kujdesemi kështu për njëri-tjetrin, kemi një bollëk dashurie dhe uniteti në familje e në kongregacion.

[Shënimi]

^ par. 9 Disa emra janë ndryshuar.

[Figura në faqen 19]

Nxiti fëmijët të shprehen, duke i lavdëruar e duke treguar empati