Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai e vlerëson bindjen tonë

Jehovai e vlerëson bindjen tonë

Jehovai e vlerëson bindjen tonë

«Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën.»​—PROVERBAT 27:11.

1. Cila frymë mbizotëron në shoqërinë e sotme?

NË GJITHË botën sot mbizotëron fryma e pavarësisë dhe e mosbindjes. Arsyen e shpjegoi apostulli Pavël në letrën drejtuar të krishterëve efesianë: «[Ju] ecnit dikur në të njëjtën udhë që ecën edhe sistemi i kësaj bote, duke vepruar në përputhje me sundimtarin e autoritetit të ajrit, frymës që tani vepron në bijtë e mosbindjes.» (Efesianëve 2:1, 2) Po, mund të themi që Satana Djalli, ‘sundimtari i autoritetit të ajrit’, e ka infektuar të gjithë botën me frymën e mosbindjes. E bënte këtë në shekullin e parë, por po vepron edhe më me forcë që kur u dëbua nga qielli, rreth kohës së Luftës I Botërore.​—Zbulesa 12:9.

2, 3. Ç’arsye kemi për t’iu bindur Jehovait?

2 Por, si të krishterë, ne e dimë se Perëndia Jehova meriton t’i bindemi nga zemra, sepse është Krijuesi ynë, Ai që na mban në jetë, Sovrani ynë i dashur dhe Shpëtimtari ynë. (Psalmi 148:5, 6; Veprat 4:24; Kolosianëve 1:13; Zbulesa 4:11) Izraelitët e kohës së Moisiut e dinin se Jehovai ishte Jetëdhënësi dhe Shpëtimtari i tyre. Prandaj Moisiu u tha: «Veproni me kujdes si ju urdhëron Jehovai, Perëndia juaj.» (Ligji i përtërirë 5:32) Po, Jehovai e meritonte që ata t’i bindeshin. E megjithatë, shumë shpejt ata u bënë të pabindur ndaj Sovranit të tyre.

3 Sa e rëndësishme është bindja jonë ndaj Krijuesit të universit? Një herë, Perëndia e nxiti profetin Samuel t’i thoshte mbretit Saul: «Të bindesh është më mirë se flijimi.» (1 Samuelit 15:22, 23) Përse?

Pse bindja «është më mirë se flijimi»?

4. Në ç’kuptim mund t’i japim diçka Jehovait?

4 Duke qenë Krijuesi, Jehovai tashmë i zotëron të gjitha gjërat materiale që kemi ne. Atëherë, a ka ndonjë gjë që mund t’i japim? Po, mund t’i japim diçka shumë të çmuar. Çfarë? Përgjigjen e gjejmë në këtë këshillë: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» (Proverbat 27:11) Mund t’i japim Perëndisë bindjen tonë. Ndonëse rrethanat dhe formimet tona janë të ndryshme, duke iu bindur Perëndisë mund t’i përgjigjemi shpifjes së Satana Djallit se njerëzit nuk i qëndrojnë besnikë Perëndisë përballë sprovave. Sa privilegj i madh është ky!

5. Si ndikon te Krijuesi mosbindja jonë? Ilustrojeni.

5 Perëndisë i interesojnë vendimet që marrim. Kur nuk bindemi, ai preket. Si preket? Atij i dhemb kur dikush merr një rrugë të tillë të pamend. (Psalmi 78:40, 41) Si do të ndihej një mjek i dhembshur, sikur pacienti i tij me diabet të mos i përmbahej dietës ushqimore që i ishte dhënë për të mirën e tij dhe të hante gjërat që i bëjnë dëm?! Mund të jemi të sigurt se Jehovai ndien dhembje kur njerëzit nuk i binden, sepse i di pasojat e shpërfilljes së udhëzimeve që na ka dhënë për jetën.

6. Ç’do të na ndihmojë t’i bindemi Perëndisë?

6 Çfarë do ta ndihmojë secilin prej nesh që të jetë i bindur? Është me vend që t’i kërkojmë Perëndisë «një zemër të bindur», siç bëri mbreti Solomon. Ai kërkoi një zemër të tillë, me qëllim që ‘të dallonte të mirën nga e keqja’ për ta gjykuar drejt popullin izraelit. (1 Mbretërve 3:9) Edhe ne kemi nevojë për «një zemër të bindur» që të dallojmë të mirën nga e keqja në një botë ku fryma e mosbindjes ka depërtuar ngado. Perëndia na ka dhënë Fjalën e tij, botimet ndihmëse për studimin e Biblës, mbledhjet e krishtere dhe pleq kongregacioni që kujdesen për ne, me qëllim që të zhvillojmë «një zemër të bindur». A po i përdorim mirë këto masa të dashura?

7. Përse Jehovai thekson më shumë bindjen se flijimet?

7 Në këtë drejtim duhet të sjellim ndër mend se, në të kaluarën, Jehovai i zbuloi popullit të tij të lashtë se bindja ishte edhe më e rëndësishme se flijimet në kafshë. (Proverbat 21:3, 27; Hozea 6:6; Mateu 12:7) Po pse ishte kështu, kur vetë Jehovai e kishte urdhëruar popullin e tij që të paraqiste këto flijime? Na duhet të pyesim: Ç’motiv po e shtyn një njeri që të paraqitë flijimin? A po e bën këtë për të kënaqur Perëndinë? Apo thjesht po ndjek një rit? Nëse një adhurues dëshiron vërtet të kënaqë Perëndinë, do të bëjë kujdes që t’i bindet të gjitha urdhrave të Perëndisë. Perëndia s’ka nevojë për flijime në kafshë, kurse bindja jonë është diçka me vlerë që mund t’i japim.

Një shembull paralajmërues

8. Pse Perëndia e hodhi poshtë Saulin si mbret?

8 Tregimi biblik për mbretin Saul nxjerr në pah se bindja është me rëndësi jetësore. Në fillim, Sauli ishte një mbret i përulur e modest, ‘i dukej vetja i vogël’. Por, më vonë, vendimet e tij nisën të ndikoheshin nga krenaria dhe arsyetimet e rreme. (1 Samuelit 10:21, 22; 15:17) Në një rast, Sauli duhej të dilte përballë filistinëve në betejë. Samueli i kishte thënë mbretit të priste derisa të vinte ai për t’i paraqitur flijime Jehovait e për të dhënë udhëzime të mëtejshme. Mirëpo Samueli nuk erdhi atëherë kur pritej dhe populli nisi të shpërndahej. Duke parë këtë, Sauli «paraqiti flijimin e djegur». Kjo gjë s’i pëlqeu Jehovait. Kur erdhi Samueli, mbreti e justifikoi mosbindjen e tij duke thënë se, ngaqë ai po vonohej, «u detyrua» të paraqiste flijimin e djegur për të kërkuar pëlqimin e Jehovait. Për mbretin Saul, paraqitja e atij flijimi ishte më e rëndësishme sesa t’i bindej udhëzimit që kishte marrë për të pritur Samuelin që të paraqiste atë flijim. Samueli i tha: «Ke vepruar pa mend. Ti nuk e ke zbatuar urdhërimin që të dha Jehovai, Perëndia yt.» Mosbindja ndaj Jehovait bëri që Sauli ta humbiste mbretërinë e tij.​—1 Samuelit 10:8; 13:5-13.

9. Si tregoi Sauli se e kishte bërë rrugë mosbindjen ndaj Perëndisë?

9 A mësoi mbreti nga kjo përvojë? Jo! Më vonë, Jehovai e urdhëroi Saulin ta shfaroste kombin e Amalekut, i cili më parë e kishte sulmuar Izraelin pa shkak. Nuk duhej të kursente as kafshët e tyre shtëpiake. Deri diku ai u bind, sepse «e goditi Amalekun që nga Havilahu e deri në Shur». Kur shkoi Samueli ta takonte, mbreti ishte shumë i kënaqur për fitoren dhe tha: «Qofsh i bekuar nga Jehovai! E çova në vend fjalën e Jehovait.» Por, në kundërshtim me udhëzimet e qarta që kishte marrë, Sauli dhe populli kishin mbajtur gjallë mbretin Agag dhe ‘pjesën më të mirë të dhenve dhe të gjedhëve, kafshët e majme, deshtë dhe gjithçka që ishte e mirë’. Mbreti Saul e justifikoi sjelljen e tij të pabindur duke thënë: «Popullit iu dhimbs pjesa më e mirë e dhenve dhe e gjedhëve dhe e lanë gjallë që t’ia flijonin Jehovait, Perëndisë tënd.»​—1 Samuelit 15:1-15.

10. Ç’mësim nuk kishte nxjerrë Sauli?

10 Atëherë Samueli i tha Saulit: «A kënaqet Jehovai me blatimet e djegura dhe flijimet, aq sa kur i bindesh zërit të Jehovait? Të bindesh është më mirë se flijimi dhe të kushtosh vëmendje është më mirë se dhjami i deshve.» (1 Samuelit 15:22) Jehovai kishte vendosur që ato kafshë të shfaroseshin, prandaj nuk ishin të pranueshme për t’u paraqitur si flijime.

Të jemi të bindur në gjithçka

11, 12. (a) Si i konsideron Jehovai përpjekjet për t’i pëlqyer me adhurimin tonë? (b) Si mund ta mashtrojë veten një njeri duke menduar se po bën vullnetin e Perëndisë, ndërkohë që në të vërtetë tregohet i pabindur?

11 Sa kënaqet Jehovai kur sheh që shërbëtorët e tij besnikë qëndrojnë të palëkundur, pavarësisht nga përndjekja; predikojnë për Mbretërinë, pavarësisht nga qëndrimi indiferent i shumicës; si dhe ndjekin mbledhjet e krishtere, ndonëse ndihen nën presionin për të siguruar jetesën! Bindja në këto fusha të rëndësishme të jetës sonë frymore, ia gëzon zemrën atij! Jehovai i çmon përpjekjet tona për ta adhuruar, kur i bëjmë të shtyrë nga dashuria. Njerëzit mund të mos e vënë re punën tonë të palodhur, por Perëndia e sheh atë që i japim me gjithë zemër dhe e mban mend.​—Mateu 6:4.

12 Por, që t’i pëlqejmë plotësisht Perëndisë, duhet të jemi të bindur në çdo aspekt të jetës sonë. Kurrë s’duhet të mashtrojmë veten e të mendojmë se mund t’i shpërfillim disa kërkesa të Perëndisë, nëse po përmbushim disa aspekte të tjera të adhurimit në jetën tonë. Për shembull, dikush mund të mashtrojë veten duke menduar se, po të përmbushë në mënyrë formale disa aspekte të adhurimit, mund të shpëtojë pa u ndëshkuar, nëse kryen imoralitet ose ndonjë keqbërje tjetër të rëndë. Sa gabim do të ishte kjo!​—Galatasve 6:7, 8.

13. Si mund të na vihet në provë bindja ndaj Jehovait, kur jemi vetëm?

13 Rrjedhimisht, duhet të pyesim veten: ‘A po i bindem Jehovait në jetën time të përditshme, edhe në gjërat që duket sikur më përkasin vetëm mua?’ Jezui tha: «Kush është i besueshëm në gjëra të vogla, është i besueshëm edhe në të mëdha dhe kush është i padrejtë në gjëra të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdha.» (Luka 16:10) A po ‘ecim me një zemër me integritet’ edhe ‘në shtëpinë tonë’, ku të tjerët nuk na shohin? (Psalmi 101:2) Po, integriteti mund të na vihet në provë kur jemi në shtëpi. Në shumë vende ku familjet kanë edhe kompjuter në shtëpi, mjafton vetëm të shtypësh nja dy butona dhe para syve të shfaqen pamje të ndyra. Disa vjet më parë, pamje të tilla një njeri mund t’i shihte vetëm po të shkonte në vendet ku kishte zbavitje imorale. A do të bindemi e t’ua vëmë veshin fjalëve të Jezuit: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» Po, a do të jemi të vendosur që as të mos i shohim pamjet imorale? (Mateu 5:28; Jobi 31:1, 9, 10; Psalmi 119:37; Proverbat 6:24, 25; Efesianëve 5:3-5) Po në lidhje me programet televizive me përmbajtje të dhunshme? A jemi të një mendjeje me Perëndinë tonë, shpirti i së cilit ‘e urren atë që do dhunën’? (Psalmi 11:5) Ose ç’të themi për pirjen me tepri të alkoolit kur jemi vetëm? Bibla jo vetëm që dënon dehjen, por edhe i paralajmëron të krishterët që të mos jepen pas «verës së shumtë».​—Titit 2:3; Luka 21:34, 35; 1 Timoteut 3:3.

14. Cilat janë disa mënyra se si bëhet e qartë bindja jonë ndaj Perëndisë në administrimin e parave?

14 Një fushë tjetër ku duhet të jemi vigjilentë, ka të bëjë me administrimin e parave. Për shembull, a do të përfshiheshim në ndonjë përpjekje për t’u pasuruar shpejt, por që është gati-gati një mashtrim? A tundohemi të përdorim metoda të paligjshme për të shmangur pagimin e taksave? Apo i bindemi me ndërgjegje urdhrit «jepuni të gjithëve atë që u takon: taksën atij që kërkon taksën»?​—Romakëve 13:7.

Bindje që buron nga dashuria

15. Pse u bindeni urdhrave të Jehovait?

15 Bindja ndaj udhëzimeve të Perëndisë sjell bekime. Për shembull, duke mos pirë duhan, duke bërë një jetë të moralshme e duke respektuar shenjtërinë e gjakut, mund të shmangim disa sëmundje. Veç kësaj, duke jetuar në përputhje me të vërtetën biblike në aspekte të tjera të jetës, nxjerrim dobi nga ana ekonomike, shoqërore ose familjare. (Isaia 48:17) Të gjitha këto dobi konkrete mund të shihen me të drejtë si bekime që dëshmojnë se sa praktike janë ligjet e Perëndisë. Gjithsesi, arsyeja kryesore pse i bindemi Jehovait është sepse e duam. Nuk i shërbejmë Perëndisë për arsye egoiste. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) Perëndia na dha lirinë të zgjedhim t’i bindemi kujt të duam dhe ne zgjedhim t’i bindemi atij, sepse duam ta kënaqim dhe sepse përpiqemi të bëjmë ç’është e drejtë.​—Romakëve 6:16, 17; 1 Gjonit 5:3.

16, 17. (a) Si iu bind Jezui Perëndisë nga dashuria që ndiente në zemër për të? (b) Si ta imitojmë Jezuin?

16 Jezui la shembullin e përsosur duke iu bindur Jehovait nga dashuria që ndiente në zemër për Të. (Gjoni 8:28, 29) Kur ishte në tokë, Jezui «mësoi bindjen nga ato që vuajti». (Hebrenjve 5:8, 9) Si e bëri këtë? «E përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture.» (Filipianëve 2:7, 8) Ndonëse Jezui kishte qenë i bindur edhe më përpara kur ishte në qiell, bindja e tij u sprovua më tej këtu në tokë. Mund të jemi të sigurt se Jezui është më se i kualifikuar në çdo aspekt për të shërbyer si Kryeprift për vëllezërit e tij frymorë, si edhe për të gjithë të tjerët që besojnë.​—Hebrenjve 4:15; 1 Gjonit 2:1, 2.

17 Po ne? Mund ta imitojmë Jezuin duke e bërë bindjen ndaj vullnetit të Perëndisë gjënë kryesore në jetën tonë. (1 Pjetrit 2:21) Gjejmë kënaqësi personalisht kur dashuria për Perëndinë Jehova na motivon të bëjmë çfarë urdhëron ai, megjithëse jemi nën presion ose të tunduar për të vepruar ndryshe. (Romakëve 7:18-20) Këtu përfshihet që të jemi të gatshëm t’u bindemi udhëzimeve që na japin ata që marrin drejtimin në adhurimin e vërtetë, pavarësisht se janë të papërsosur. (Hebrenjve 13:17) Jehovai e çmon bindjen ndaj urdhërimeve të tij në jetën tonë private.

18, 19. Çfarë sjell si rezultat bindja jonë me gjithë zemër ndaj Perëndisë?

18 Sot, bindja ndaj Jehovait mund të përfshijë të durojmë përndjekjen, me qëllim që të mbajmë integritetin. (Veprat 5:29) Gjithashtu, bindja ndaj urdhrit të Jehovait për të predikuar e për t’i mësuar të tjerët, kërkon që të qëndrojmë të patundur deri në fund të këtij sistemi. (Mateu 24:13, 14; 28:19, 20) Na duhet qëndrueshmëri që të vazhdojmë të mblidhemi bashkë me vëllezërit, megjithëse mund të ndiejmë peshën e presioneve të botës. Perëndia ynë i dashur është plotësisht në dijeni të përpjekjeve tona për të qenë të bindur në këto aspekte. Por, që të jemi plotësisht të bindur, duhet të luftojmë kundër natyrës sonë mëkatare dhe të largohemi nga e keqja, ndërkohë që zhvillojmë çmueshmëri për të mirën.​—Romakëve 12:9.

19 Kur i shërbejmë Jehovait nga dashuria dhe me zemër mirënjohëse, ai «bëhet [për ne] shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Sakrificat e përshtatshme duhen dhe janë të admirueshme, por ajo që i pëlqen më shumë Jehovait është bindja jonë e plotë, e motivuar nga dashuria.​—Proverbat 3:1, 2.

Si do të përgjigjeni?

• Pse mund të themi se kemi diçka për t’i dhënë Jehovait?

• Ç’gabime bëri Sauli?

• Si mund ta tregoni se besoni që bindja është më mirë se flijimet?

• Çfarë ju shtyn t’i bindeni Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Si ndihet një mjek i dhembshur kur një pacient i shpërfill udhëzimet e tij?

[Figura në faqen 28]

Pse mbreti Saul i shkaktoi pakënaqësi Jehovait?

[Figurat në faqen 30]

A po u bindesh urdhrave të Perëndisë edhe kur je vetëm në shtëpi?