Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vit në «vendin e mirë»

Një vit në «vendin e mirë»

Një vit në «vendin e mirë»

NË VITIN 1908 u bë një zbulim shumë interesant në vendin arkeologjik ku ndodhej qyteti biblik i Gezerit, drejt rrafshinës bregdetare në perëndim të Jerusalemit. Ishte një pllakë e vogël argjile, që besohet se i përket shekullit të dhjetë p.e.s. Në të ishte mbishkruar në hebraishten e lashtë çka mendohet se është versioni i thjeshtuar i një viti ose cikli bujqësor, me punët e ndryshme që bëheshin. Kjo pllakë është bërë e njohur si kalendari i Gezerit.

Në pllakë gjendet një nënshkrim: Abijah. Ndonëse jo të gjithë arkeologët janë dakord, shumica mendojnë se është detyra e shtëpisë së një djaloshi, e shkruar në formë poezie. * A keni dëshirë ta shihni kalimin e stinëve me sytë e një djaloshi që jetonte në atë kohë? Ndoshta kjo do t’ju ndihmojë të rikujtoni disa ngjarje biblike.

Dy muaj mbledhjeje

Ai që shkroi këtë kalendar të lashtë, e nisi tregimin me mbledhjen e përgjithshme të të korrave. Edhe pse në këtë kalendar u rendit e para, është e kuptueshme përse izraelitët e konsideronin këtë mbledhje si kulmin ose përfundimin e pjesës më të madhe të vitit bujqësor. Muaji ethanim (më vonë i quajtur tishër) përkon me muajt shtator-tetor në kalendarin e sotëm. Pasi kishte mbaruar pjesa kryesore e korrjeve, kjo ishte një periudhë e veçantë festive ku Abijahu i ri do të ketë marrë pjesë. Përfytyroni kënaqësinë e tij tek ndihmonte të atin që të bënte kasollen e cila do t’u shërbente si shtëpi për një javë, ndërsa e falënderonin me gëzim Jehovain për prodhimin e arave!—Ligji i përtërirë 16:13-15.

Rreth kësaj kohe, ullinjtë ishin pothuajse gati që familja e Abijahut t’i vilte duke shkundur degët e pemëve, një punë që mund të ketë qenë tepër e vështirë për t’u bërë nga Abijahu i ri, por e kënaqshme për t’u parë. (Ligji i përtërirë 24:20) Pastaj i mblidhnin ullinjtë që kishin rënë dhe i çonin në mullirin më të afërt prej guri, për të bërë vaj. Ose familja mund ta nxirrte vajin me një metodë edhe më të thjeshtë: i vinin në ujë ullinjtë e rrahur ose të çarë dhe mblidhnin vajin që pluskonte në sipërfaqe. Sidoqoftë, ky lëng i çmuar nuk përdorej vetëm për ushqim. Përdorej edhe për llambat me vaj dhe për të mjekuar plagët, si në rastin e Abijahut të ri që mund të vritej duke luajtur.

Dy muaj mbjellje

Kur nisnin shirat e parë, Abijahu me siguri kënaqej duke ndier freskimin në lëkurë. Ka të ngjarë që i ati t’i kishte thënë sa i rëndësishëm është shiu për tokën. (Ligji i përtërirë 11:14) Dheu, i përcëlluar nga dielli për muaj të tërë, zbutej dhe bëhej gati për t’u lëruar. Në kohët e lashta, bujku e drejtonte me mjeshtëri plugun e drunjtë, që ndoshta kishte majë hekuri dhe tërhiqej nga një kafshë. Synimi ishte të hapeshin brazda të drejta në tokë. Toka bujqësore ishte e çmuar, prandaj bujqit izraelitë përdornin edhe arat e vogla, edhe ato nëpër shpate malesh. Por atje ndoshta u duhej të përdornin shata.

Pasi dheu i butë plugohej, mund të mbillej me grurë dhe elb. Është interesante se pika tjetër në kalendarin e Gezerit thotë se kjo mbjellje bëhej për dy muaj. Ndoshta mbjellësi e mbante grurin në një nga palat e rrobave të tij dhe e përhapte farën me një lëvizje të gjerë të krahut.

Dy muaj mbjelljeje të vonë

‘Vendi i mirë’ nuk reshtte kurrë së prodhuari ushqim. (Ligji i përtërirë 3:25) Gjatë muajit dhjetor, reshjet arrinin maksimumin e tyre dhe toka gjelbërohej. Ishte koha për mbjelljen e vonë të bishtajave, si bizelet e qiqrat, dhe të perimeve të tjera. (Amosi 7:1, 2) Në pllakën e tij, Abijahu e quante këtë kohë «kullota e pranverës» ose, sipas një përkthimi tjetër, «mbjellja e vonë», një periudhë me ushqime të shijshme të gatuara me perime nga kjo periudhë e vitit.

Ndërsa stina disi e ftohtë niste të ngrohej, pema e bajames, që është lajmëtare e pranverës, çelte lule të bardha e rozë. Kjo mund të fillonte që me shenjat e para të ngrohjes, madje që në janar.​—Jeremia 1:11, 12.

Një muaj për të prerë lirin

Më tej Abijahu përmendte lirin. Kjo mund t’ju sjellë ndër mend një episod që ngjau shekuj para kohës së Abijahut, në anën lindore të kodrave të Judës. Në qytetin e Jerikosë, Rahaba fshehu dy zbulues «nën kërcejtë e lirit që kishte shtruar . . . radhë-radhë» në tarracë, për t’u tharë. (Josiu 2:6) Liri luante rol të rëndësishëm në jetën e izraelitëve. Për të marrë fijet e lirit, bima në fillim duhej të lihej të kalbej. Kjo ndodhte dalëngadalë, me ndihmën e vesës, ose më shpejt nëse liri vihej në një pellg ose rrjedhë uji. Pasi ndaheshin, fijet përdoreshin për të prodhuar pëlhurën prej liri, me të cilën pastaj bëheshin vela, tenda dhe rroba. Liri përdorej edhe si fitil për llambat me vaj.

Disa e kundërshtojnë mendimin që liri rritej në zonën e Gezerit, ku nuk kishte shumë ujë. Të tjerë mendojnë se liri rritej vetëm në pjesën e dytë të vitit. Ja pse disa mendojnë se në kalendarin e Gezerit, fjala «li» ishte sinonim për «barin» që përdorej për tagji.

Një muaj për korrjen e elbit

Çdo vit, afër ekuinoksit të pranverës, Abijahu vërente kallinjtë e gjelbër të elbit, korrjen e të cilit e përmend më tej në kalendarin e tij. Muaji përkatës në hebraisht quhet abib, që do të thotë «kallinj të gjelbër» dhe ndoshta i referohet fazës kur kallinjtë ishin të pjekur, po ende të butë. Jehovai urdhëroi: «Mbaj muajin e abibit dhe kremtoji pashkën Jehovait.» (Ligji i përtërirë 16:1) Abibi (që më vonë u quajt nisan) përkon sot me muajt mars-prill. Koha e pjekjes së elbit mund të ketë luajtur një rol për përcaktimin e fillimit të këtij muaji. Edhe sot e kësaj dite, judenjtë karaitë e vëzhgojnë pjekjen e elbit, për të përcaktuar vitin e ri të tyre. Sidoqoftë, duajt e korrjes së parë të elbit duheshin tundur para Jehovait më 16 abib.​—Levitiku 23:10, 11.

Elbi zinte një vend shumë të rëndësishëm në jetën e përditshme të shumicës së izraelitëve. Meqë ishte më i lirë se gruri, shpesh elbi parapëlqehej për të bërë bukë, sidomos nga të varfrit.​—Ezekieli 4:12.

Një muaj për korrje dhe për matje

Mendoni përsëri për kohën e Abijahut dhe përfytyroni atë mëngjes herët kur ai ka vënë re se retë e shiut po shpërndaheshin. S’do të kishte më shi për njëfarë kohe. Tani bimët e vendit të mirë vareshin nga vesa për ujitje. (Zanafilla 27:28; Zakaria 8:12) Bujqit izraelitë e dinin se shumë lloje drithërash që korreshin gjatë muajve më me diell të vitit, vareshin nga një ekuilibër i brishtë erërash deri në kohën e festës së Ditës së Pesëdhjetë. Era e ftohtë dhe e lagësht që vinte nga veriu mund t’u bënte mirë drithërave që po rriteshin, por dëmtonte pemët frutore pasi çelnin lule. Era e nxehtë dhe e thatë nga jugu i ndihmonte lulet të çelnin dhe të pjalmoheshin.​—Proverbat 25:23; Kënga e Solomonit 4:16.

Që në fillim Jehovai, Pronari i elementeve të natyrës, vuri në lëvizje një sistem ekologjik të ekuilibruar në mënyrë të përkryer. Në ditët e Abijahut, Izraeli ishte vërtet «një vend me grurë, elb, hardhi, fiq dhe shegë; . . . një vend ku ka mjaltë dhe ullinj plot vaj». (Ligji i përtërirë 8:8) Gjyshi i vet mund t’i ketë treguar Abijahut për periudhën e jashtëzakonshme të bollëkut që kishin pasur gjatë mbretërimit të Solomonit të mençur, një provë e qartë e bekimit të Jehovait.​—1 Mbretërve 4:20.

Pasi përmendte korrjen, kalendari kishte një fjalë që disa e marrin si «matje». Mund t’i referohej matjes së të korrave për t’i dhënë pjesët pronarëve të arës dhe punëtorëve të tij, ose edhe për t’i dhënë si taksë. Kurse studiues të tjerë e kuptojnë këtë fjalë hebraike si «festim» dhe shohin në të një aluzion për festën e javëve, e cila ishte në muajin sivan (maj-qershor).​—Dalja 34:22.

Dy muaj për këputjen e gjetheve

Më tej Abijahu shkruante për dy muaj kur bujqit merreshin me vreshtat. Mos ndoshta ka ndihmuar edhe ai për të këputur gjethet e shumta nga hardhitë, që dielli të depërtonte e të piqte rrushin? (Isaia 18:5) Pastaj vinte koha e vjeljes së rrushit, një periudhë entuziaste për një fëmijë në atë kohë. Sa të shijshme ishin bistakët e parë të rrushit të bërë! Ndoshta Abijahu kishte dëgjuar për 12 zbuluesit që Moisiu i kishte dërguar në Tokën e Premtuar. Ata shkuan në ditët kur ishin bërë frutat e para të rrushit, për të parë sa i mirë ishte vendi. Në atë rast, një bistak rrushi ishte aq i madh, sa duheshin dy burra për ta mbajtur!​—Numrat 13:20, 23.

Një muaj për frutat e verës

Gjëja e fundit që përmend Abijahu në kalendar janë frutat e verës. Në Lindjen e Mesme, në kohët e lashta, vera ishte pjesa e vitit bujqësor kur ata përqendroheshin te frutat. Pas kohës së Abijahut, Jehovai përdori shprehjen «një shportë me fruta vere» për të ilustruar se ‘popullit të tij, Izraelit, i kishte ardhur fundi’, duke përdorur një lojë fjalësh në hebraisht mes «fruta vere» dhe «fund». (Amosi 8:2) Kjo duhej t’i kishte sjellë ndër mend Izraelit jobesnik se i kishte ardhur fundi dhe se ishte koha kur Jehovai do t’i gjykonte. Ndër frutat e verës të cilave po u referohej Abijahu, do të kenë qenë me siguri edhe fiqtë. Me fiqtë verorë mund të bëheshin bukëfiqe, duke i shtypur, ose mund të përdoreshin si melhem për çibanët.​—2 Mbretërve 20:7.

Si ndikon te ju kalendari i Gezerit?

Me siguri Abijahu i ri ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me jetën bujqësore të vendit. Në ato ditë, bujqësia ishte shumë e përhapur ndër izraelitët. Edhe nëse nuk jeni të përfshirë drejtpërdrejt në jetën bujqësore, referimet që gjeni te kjo pllakë nga Gezeri mund t’ju ndihmojnë për t’jua bërë leximin e Biblës të gjallë, më të kuptueshëm e më domethënës.

[Shënimi]

^ par. 3 Jo të gjithë janë dakord se ka ngjashmëri mes listës së kalendarit të Gezerit dhe muajve që përdoren në përgjithësi në Bibël. Për më tepër, disa punë bujqësie mund të bëheshin në periudha paksa të ndryshme në zona të ndryshme të Tokës së Premtuar.

[Kutia dhe figura në faqen 11]

NJË VERSION I MUNDSHËM I KALENDARIT TË GEZERIT:

«Muajt e vjeljes së rrushit dhe të ullirit;

muajt e mbjelljes

muajt e kullotave pranverore;

muaji i nxjerrjes së lirit;

muaji i korrjes së elbit;

muaji i korrjes së grurit dhe i matjes;

muajt e krasitjeve;

muaji i frutave të verës.»

[firmosur:] Abijahu *

[Shënimi]

^ par. 41 Bazuar në Textbook of Syrian Semitic Inscriptions, Vëllimi 1, nga John C. L. Gibson, 1971.

[Burimi]

Muzeu Arkeologjik i Stambollit

[Tabela dhe figurat në faqen 9]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

NISAN (ABIB)

MARS​—PRILL

IJAR (ZIV)

PRILL​—MAJ

SIVAN

MAJ​—QERSHOR

TAMUZ

QERSHOR​—KORRIK

AB

KORRIK​—GUSHT

ELUL

GUSHT​—SHTATOR

TISHËR (ETHANIM)

SHTATOR​—TETOR

HESHVAN (BUL)

TETOR​—NËNTOR

HISLEV

NËNTOR​—DHJETOR

TEBETH

DHJETOR​—JANAR

SHEBAT

JANAR​—SHKURT

ADAR

SHKURT​—MARS

VEADAR

MARS

[Burimi]

Bujku: Garo Nalbandian

[Figura në faqen 8]

Gërmime në Gezer

[Burimi]

© 2003 BiblePlaces.com

[Figurat në faqen 10]

Pemë bajameje

[Figura në faqen 10]

Bimë liri

[Burimi]

Dr. David Darom

[Figura në faqen 10]

Elbi

[Burimi]

Ministria e Bujqësisë e SHBA-së