Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A kishte këmbë gjarpri që i foli Evës?

Te Zanafilla 3:14 lexojmë që Perëndia Jehova i foli gjarprit që kishte mashtruar Evën në kopshtin e Edenit. Perëndia tha: «Meqë ke bërë këtë gjë, ti je i mallkuar ndër të gjitha kafshët e buta dhe ndër të gjitha bishat e fushës. Do të ecësh me bark dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.» Bibla nuk e thotë në mënyrë specifike se kafsha që u përdor për të tunduar Evën më parë kishte këmbë, por pastaj iu hoqën. Edhe pse disa mund të mendojnë kështu nga fjalët e Zanafillës 3:14, jo medoemos duhet të nxjerrim përfundimin se para këtij mallkimi gjarpërinjtë kishin këmbë. Përse jo?

Kryesisht sepse Jehovai, në të vërtetë, po gjykonte Satanain, krijesën e padukshme që kishte manipuluar atë kafshë të ulët. Bibla e përshkruan Satanain si «ati i gënjeshtrës» dhe ‘gjarpri i hershëm’. Të dyja këto shprehje me sa duket i referohen faktit që Satanai përdori një kafshë të mirëfilltë, një gjarpër, duke i vënë në gojë fjalët që e nxitën Evën të shkelte urdhrin e Perëndisë.​—Gjoni 8:44; Zbulesa 20:2.

Gjarpërinjtë i krijoi Perëndia dhe, me sa duket, Adami ua kishte vënë emrin atyre para se Satanai ta përdorte gjarprin për të mashtruar Evën. Kështu, kafsha që s’arsyetonte e që foli me Evën, nuk kishte asnjë faj. As që e kuptonte se Satanai po e manipulonte dhe nuk mund ta kuptonte gjykimin që dha Perëndia për individët e pabindur.

Po atëherë, pse Perëndia foli për poshtërimin fizik të gjarprit? Veprimet e gjarprit në mjedisin e vet natyror, duke u zvarritur mbi bark e duke nxjerrë gjuhën si për të lëpirë dheun, simbolizonin më së miri gjendjen e poshtëruar të Satanait. Më parë ai kishte pasur një pozitë të lartë si një nga engjëjt e Perëndisë, por tashmë ishte degdisur në gjendjen e ulët që Bibla e quan Tartar.​—2 Pjetrit 2:4.

Për më tepër, ashtu si një gjarpër i mirëfilltë mund të plagoste një njeri në thembër, Satanai, në gjendjen e tij të poshtëruar, ‘do të plagoste në thembër’ ‘farën’ e Perëndisë. (Zanafilla 3:15) Siç u bë e qartë, pjesa kryesore e asaj fare ishte Jezu Krishti, i cili vuajti përkohësisht në duart e shërbëtorëve të Satanait. Por, në kohën e duhur, Krishti dhe shokët e tij të mirosur të krishterë të ringjallur do t’ia shtypin e do t’ia dërrmojnë një herë e mirë kokën simbolike gjarprit. (Romakëve 16:20) Kështu, mallkimi që Perëndia i drejtoi gjarprit të mirëfilltë paraqiste më së miri poshtërimin dhe shkatërrimin përfundimtar të ‘gjarprit të hershëm’ e të padukshëm, Satana Djallit.