Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sauli takon miqtë e vjetër dhe armiqtë e dikurshëm

Sauli takon miqtë e vjetër dhe armiqtë e dikurshëm

Sauli takon miqtë e vjetër dhe armiqtë e dikurshëm

SAULI, i cili më vonë u njoh si apostulli Pavël, me siguri duhet të jetë ndier paksa në ankth kur u kthye për herë të parë në Jerusalem pasi ishte bërë i krishterë. * Ishte larguar nga ai qytet tre vjet më parë, duke i kërcënuar dishepujt e Jezuit e duke bërë çmos që t’i vriste. Me vete kishte pasur një mandat-arresti për cilindo të krishterë që do të gjente në Damask.​—Veprat 9:1, 2; Galatasve 1:18.

Pasi u bë vetë i krishterë, Sauli e shpalli me trimëri besimin e tij te Mesia i ringjallur. Si pasojë, judenjtë në Damask donin ta vritnin. (Veprat 9:19-25) A mund të priste tani një mirëseardhje të përzemërt në Jerusalem nga miqtë e tij të mëparshëm judenj?! Gjithsesi, për Saulin kishte më shumë rëndësi të takonte ithtarët e Krishtit në Jerusalem. Por kjo nuk do të ishte e lehtë.

«Me të mbërritur në Jerusalem, ai bëri përpjekje të bashkohej me dishepujt, por ata të gjithë kishin frikë prej tij, se nuk e besonin që ishte dishepull.» (Veprat 9:26) Një gjë e tillë është e kuptueshme. Herën e fundit që e kishin parë, ai ishte ende një përndjekës i pamëshirshëm. Tani pohonte se ishte bërë i krishterë, por kjo mund t’u dukej si një intrigë për të depërtuar në kongregacion. Prandaj, të krishterët në Jerusalem donin ta mbanin larg.

Por njëri prej tyre e ndihmoi Saulin. Bibla thotë se Barnaba e çoi ish-përndjekësin «tek apostujt»—me sa duket te Pjetri (Kefa) dhe Jakovi, vëllai i Zotërisë—duke u treguar se Sauli ishte bërë i krishterë dhe kishte predikuar në Damask. (Veprat 9:27; Galatasve 1:18, 19) Nuk na thuhet se si arriti t’i besonte Barnaba Saulit. Mos ndoshta ata njiheshin, dhe kjo e kishte shtyrë Barnabën ta vinte në provë Saulin e pastaj të vërtetonte sinqeritetin e tij? A kishte lidhje Barnaba me të krishterët në Damask dhe prandaj e kishte marrë vesh kthimin e Saulit? Sido që të ishte, Barnaba i davariti dyshimet rreth Saulit. Rrjedhimisht, Sauli qëndroi 15 ditë me apostullin Pjetër.

Pesëmbëdhjetë ditë me Pjetrin

Sauli e kishte marrë detyrën e tij drejtpërdrejt nga Jezui dhe s’kishte nevojë që ta autorizonte ndonjë njeri, siç ua theksoi edhe galatasve. (Galatasve 1:11, 12) Por, pa dyshim, ai e kuptonte sa e rëndësishme ishte të informohej mirë për shërbimin e Jezuit. Duke qëndruar me Pjetrin, do të kishte mundësi të shumta për të mësuar. (Luka 24:12; 1 Korintasve 15:3-8) Me siguri që Sauli kishte shumë pyetje për t’i bërë Pjetrit e Jakovit, por edhe këta kishin pyetje për Saulin, lidhur me vegimin që pati dhe me detyrën që iu dha.

Si shpëtoi nga miqtë e dikurshëm?

Stefani është quajtur martiri i parë i krishterë. Njerëzit me të cilët Stefani kishte debatuar më parë, ishin «nga Sinagoga e Libertëve, ca të tjerë nga kirenasit, aleksandrinët dhe disa nga Kilikia e Azia». Tani Sauli po «diskutonte edhe me judenjtë që flitnin greqisht», ose ndryshe helenistët, duke dëshmuar me guxim. E si reaguan ata? U orvatën ta vritnin.​—Veprat 6:9; 9:28, 29.

Ishte më se e natyrshme që Sauli donte t’u shpjegonte miqve të dikurshëm ndryshimin rrënjësor të jetës së tij dhe të përpiqej t’u jepte njohuri për Mesinë. Por, këta helenistë judenj iu përgjigjën me armiqësi atij që tashmë e shihnin si tradhtar.

A e kuptoi Sauli në ç’rrezik të madh gjendej? Lexojmë se ndërsa lutej në tempull, ai pa në një vegim Jezuin, i cili i tha: «Nxito e ik shpejt nga Jerusalemi, se ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua.» Sauli u përgjigj: «Zotëri, ata e dinë mirë se nga njëra sinagogë në tjetrën unë i burgosja e i rrihja ata që besonin te ti. Madje kur po derdhej gjaku i Stefanit, dëshmitarit tënd, unë vetë isha atje, miratoja ata që e vritnin.»​—Veprat 22:17-20.

Nga përgjigjja e Saulit, disa mendojnë se ai e kuptonte rrezikun. Të tjerë mendojnë se ai po thoshte: ‘Unë isha përndjekës si ata, dhe ata e dinë këtë. Natyrisht që duhet ta marrin seriozisht kthimin tim në besim. Ndoshta do të arrij t’i ndihmoj të kuptojnë të vërtetën.’ Por Jezui e dinte se ata judenj nuk do ta dëgjonin dëshminë e një «apostati». Prandaj i tha Saulit: «Shko, sepse do të të dërgoj në kombe të largëta.»​—Veprat 22:21, 22.

Kur të krishterët e tjerë e panë rrezikun që i kanosej Saulit, e çuan me nxitim në qytetin-port të Cezaresë dhe e nisën në udhëtimin prej 500 kilometrash deri në Tars, në vendlindjen e tij. (Veprat 9:30) Do të kalonin mjaft vite para se Sauli të kthehej prapë në Jerusalem.

Ajo nisje nxitimthi mund të ketë qenë një mbrojtje për kongregacionin e krishterë. Prania e ish-përndjekësit ishte si një minë me sahat. Pasi iku Sauli, «kongregacioni në mbarë Judenë, Galilenë dhe Samarinë hyri vërtet në një periudhë paqeje dhe ndërtohej. Ngaqë ecte në frikën e Jehovait dhe sipas ngushëllimit që jepte fryma e shenjtë, shumohej».​—Veprat 9:31.

Mësime për maturinë

Ashtu si në shekullin e parë, edhe sot mund të lindin situata në të cilat është mirë të bëhet kujdes e të tregohet maturi. Normalisht s’ka pse të jemi tepër dyshues për të panjohurit. Por, disa herë, njerëz të paskrupuj janë përpjekur të shfrytëzojnë popullin e Jehovait, qoftë për përfitim personal, qoftë me synimin për të dëmtuar kongregacionin. Prandaj përdorim aftësinë dalluese që të mos biem pre e mashtrimeve të njerëzve hileqarë.​—Proverbat 3:27; 2 Timoteut 3:13.

Reagimi i Saulit lidhur me predikimin në Jerusalem ilustron një mënyrë tjetër se si mund të tregojnë maturi të krishterët. Predikimi në disa lagje ose te disa individë, përfshirë miq të dikurshëm, mund të jetë i rrezikshëm fizikisht, frymësisht ose edhe moralisht. Duhen marrë masa paraprake, si për shembull duke zgjedhur mirë kohën dhe vendin.​—Proverbat 22:3; Mateu 10:16.

Mund të jemi të sigurt se lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë do të predikohet para se të vijë fundi i këtij sistemi të lig. Sa shembull të shkëlqyer la në këtë drejtim Sauli, pasi u «fliste me guxim në emër të Zotërisë» edhe miqve të vjetër e armiqve të dikurshëm!​—Veprat 9:28.

[Shënimi]

^ par. 2 Sot Sauli njihet më shumë si apostulli Pavël. Por, në shumicën e vargjeve biblike të përdorura në këtë artikull, ai quhet me emrin e tij jude, Saul.—Veprat 13:9.

[Figura në faqen 16]

Kur mbërriti në Jerusalem, Sauli u predikoi me guxim judenjve që flitnin greqisht