Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ankoruar nga vlera që s’njohin kohë

Të ankoruar nga vlera që s’njohin kohë

Të ankoruar nga vlera që s’njohin kohë

ÇDO shoqëri njerëzore ka njëfarë kodi moral. A s’jeni dakord se cilësi të tilla, si ndershmëria, mirësia, dhembshuria dhe altruizmi, vlerësohen në mbarë tokën dhe bëjnë për vete shumicën prej nesh?

Vlerat e kujt?

Në shekullin e parë të erës sonë, një njeri shumë i arsimuar me emrin Saul jetoi mes tri kulturave të fuqishme që kishin kodet e tyre morale: kultura judaike, greke dhe ajo romake. Përveç normave të ndërlikuara dhe ligjeve që ishin të detyrueshme në ato kultura, Sauli kuptoi se njerëzit në përgjithësi udhëhiqen nga një ndjenjë e brendshme morale. Kjo është ndërgjegjja. Pasi Sauli u bë apostulli i krishterë Pavël, shkroi: «Sa herë që njerëzit e kombeve, që nuk kanë ligj, bëjnë nga natyra [«instinktivisht», ECM] gjërat e ligjit, këta njerëz, edhe pse nuk kanë ligj, janë ligj për vetveten. Këta tregojnë se thelbin e ligjit e kanë të shkruar në zemër, ndërkohë që ndërgjegjja e tyre, që jep dëshmi bashkë me ta dhe në mendimet e tyre, i akuzon ose i shfajëson.»​—Romakëve 2:14, 15.

Por, a mjafton të udhëhiqemi nga ‘instinkti’ kur përpiqemi të vendosim ç’është e drejtë dhe e gabuar? Siç mund ta keni vënë re, historia njerëzore është e stërmbushur me dështime të individëve dhe grupeve. Kjo i ka bindur shumë veta se na duhet drejtimi i një burimi më të lartë për të përcaktuar vlerat më të mira sipas të cilave të jetojmë. Shumë individë e pranojnë se Ai që e ka bërë njerëzimin, është më i afti për të përcaktuar këto norma të pandryshueshme. Në librin e tij Vetvetja e pazbuluar (anglisht), dr. Karl Jungu komentoi: «Individi që nuk është i ankoruar te Perëndia, nuk u bën dot ballë me forcat e veta joshjeve fizike e morale të botës.»

Ky përfundim është në përputhje me atë që shkroi një profet i lashtë: «Nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Krijuesi thotë se është ai «që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh».​—Isaia 48:17, Diodati i Ri.

Një burim i sigurt vlerash të besueshme

Fjalët që u përmendën më sipër gjenden në një burim vlerash morale që është më i shpërndari: Shkrimet e Shenjta. Miliona veta anembanë botës, madje edhe njerëz që s’janë të krishterë ose fetarë, u janë drejtuar Shkrimeve për të pasur kuptueshmëri e mençuri. Poeti gjerman Johan Volfgang fon Gëte shkroi: «Unë për vete e kam dashur dhe e kam respektuar [Biblën], sepse pothuajse gjithë zhvillimin tim kulturor e moral ia detyroj asaj.» Thuhet se udhëheqësi hinduist Mohandas Gandi ka thënë: «Mos ngurroni të pini nga burimet që ju janë dhënë në Predikimin në Mal [pjesë e mësimeve të Jezu Krishtit që gjenden në Bibël]. . . . Sepse mësimet që gjejmë në atë Predikim i drejtohen gjithsecilit prej nesh.»

Apostulli Pavël, të cilin e përmendëm pak më parë, e theksoi rolin e rëndësishëm që luajnë Shkrimet e Shenjta për të siguruar vlera të qëndrueshme: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar.» (2 Timoteut 3:16) A është vërtet kështu?

Pse të mos e vërtetoni vetë? Shqyrtoni parimet që renditen në faqen tjetër. Shikoni vlerat pozitive që nxitin. Meditoni se ç’fuqi kanë idetë e përfshira në këto mësime për t’ju përmirësuar jetën dhe marrëdhëniet me të tjerët.

A do të nxirrni dobi?

Parimet e renditura janë thjesht një shembull i këshillave praktike që gjenden në Shkrimet e Shenjta. Veç këtyre, Fjala e Perëndisë përmban edhe paralajmërime të shumta lidhur me mendimet, fjalët dhe veprimet e dëmshme, të cilat mund të kenë ndikim negativ në jetën tonë.​—Proverbat 6:16-19.

Po, mësimet e Biblës i japin shoqërisë njerëzore atë që në përgjithësi i mungon kaq shumë—këshilla praktike që njerëzit të zhvillojnë normat më të mira morale. Ata që i pranojnë dhe i zbatojnë ato mësime, përjetojnë një shndërrim domethënës. Mënyra e tyre e të menduarit ndryshon për mirë. (Efesianëve 4:23, 24) Motivet e tyre përmirësohen. Shumë veta, pasi kanë mësuar vlerat e Perëndisë që shprehen në Bibël, janë nxitur të çrrënjosin nga zemra racizmin, paragjykimet dhe urrejtjen. (Hebrenjve 4:12) Shkrimet e Shenjta dhe vlerat që nxitin ato i kanë shtyrë njerëzit të heqin dorë nga çdo lloj dhune e vesi dhe të bëhen njerëz më të mirë.

Po, vlerat e Biblës kanë ndihmuar miliona veta që të çrrënjosin zakone të ngulitura thellë dhe praktika si ato që kanë rrënuar jetën e të tjerëve. (1 Korintasve 6:9-11) Mësimet e Biblës i kanë shndërruar këta individë, dhe jo thjesht zakonet e tyre, por zemrën, shpresën dhe familjen e tyre. Pavarësisht se sa shumë keqësohet bota, anembanë globit ka njerëz që vazhdojnë të ndryshojnë për mirë. Kjo gjë s’ka për të mbaruar kurrë. «Bari thahet, lulja vyshket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë.»​—Isaia 40:8.

Por, a do të përfitoni ju vetë nga «fjala e Perëndisë tonë»? Me kënaqësi, Dëshmitarët e Jehovait do t’ju tregojnë si të përvetësoni vlerat e Biblës për të mirën tuaj. Duke jetuar në përputhje me këto norma, do të fitoni miratimin e Perëndisë tani e do të keni një jetë të gjatë, të udhëhequr nga parime hyjnore të pandryshueshme.

[Kutia dhe figurat në faqet 6, 7]

PARIME QË S’NJOHIN KOHË

Rregulla e artë. «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëheni edhe ju për ta. Kjo është, në të vërtetë, domethënia e Ligjit dhe e fjalëve të profetëve.»​—Mateu 7:12.

Duaje të afërmin tënd. «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mateu 22:39) «Dashuria nuk i bën keq të afërmit; prandaj dashuria është përmbushja e ligjit.»​—Romakëve 13:10.

Respektoji dhe nderoji të tjerët. «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.»​—Romakëve 12:10.

Ndiq paqen. «Ruani paqen me njëri-tjetrin.» (Marku 9:50) «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.» (Romakëve 12:18) «Le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes.»​—Romakëve 14:19.

Fali të tjerët. «Na i fal mëkatet, sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh.» (Mateu 6:12) «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht.»​—Efesianëve 4:32.

Ji besnik dhe i besueshëm. «Ji besnik ndaj gruas sate dhe jepja dashurinë tënde vetëm asaj. . . . Ji i lumtur me gruan tënde dhe gjej gëzim me vajzën me të cilën u martove . . . Magjepsja e saj le të të bëjë të lumtur; ajo të rrethoftë me dashurinë e saj. . . . Pse duhet t’ia japësh dashurinë tënde një gruaje tjetër? Pse duhet të pëlqesh më shumë magjepsjen e gruas së një tjetri?» (Proverbat 5:15-20, Today’s English Version) «Kush është i besueshëm në gjëra të vogla, është i besueshëm edhe në të mëdha dhe kush është i padrejtë në gjëra të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdha.» (Luka 16:10) «Nga kujdestarët kërkohet që secili të gjendet i besueshëm.»​—1 Korintasve 4:2.

Ji i ndershëm. «A mund të jem moralisht i pastër me peshore hileqare e me një torbë me gurë peshe të rremë?» (Mikea 6:11) «Jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër, pasi duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.

Thuaj të vërtetën dhe ji i drejtë. «Urreni të keqen, doni të mirën dhe le të mbizotërojë drejtësia te porta.» (Amosi 5:15) «I thoni të vërtetën njëri-tjetrit. Në portat tuaja gjykoni në përputhje me të vërtetën dhe me paqe.» (Zakaria 8:16) «Tani që keni flakur tej gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.»​—Efesianëve 4:25.

Ji i papërtuar, punëtor. «A ke parë një njeri të zotin në punën e tij? Ai do të zërë vend para mbretërve.» (Proverbat 22:29) «Jini të papërtuar në punët tuaja.» (Romakëve 12:11) «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.»​—Kolosianëve 3:23.

Ji i butë, i dhembshur, mirëdashës. «Vishuni me dhembshuri të butë, me mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi.»​—Kolosianëve 3:12.

Munde të keqen me të mirën. «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:44) «Mos e lejo të keqen të të mundë, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.»​—Romakëve 12:21.

Jepi Perëndisë më të mirën tënde. «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi.»​—Mateu 22:37, 38.

[Figurat]

Kur jetojmë sipas vlerave të Biblës, kemi një martesë të suksesshme, lidhje familjare të lumtura dhe miqësi të kënaqshme