Të shtyrë nga rrymat në një det me vlera të paqëndrueshme
Të shtyrë nga rrymat në një det me vlera të paqëndrueshme
SIPAS një gojëdhëne popullore, ai ecte në mes të ditës me një fener në dorë, duke kërkuar me vendosmëri, por më kot, një njeri të virtytshëm. E quanin Diogjen dhe ishte një filozof që jetoi një Athinë, në shekullin e katërt p.e.s.
S’e përcaktojmë dot nëse kjo gojëdhënë është e vërtetë apo jo. Por gjithsesi, po të ishte gjallë sot Diogjeni, do t’i falej po të kishte edhe më tepër punë për të gjetur njerëz të moralshëm. Shumë veta nuk e pranojnë mendimin se njerëzit duhet të përshtaten me një standard moral të përcaktuar. Shpesh mjetet e informacionit na servirin skandale: në jetën private, në qeveri, në profesione të ndryshme, në sport, në botën e biznesit dhe në fusha të tjera. Shumë vlera që brezat e kaluar i çmonin, sot nuk respektohen më. Norma që dikur ishin të pranuara, tani vihen në diskutim dhe shpesh braktisen. Disa vlera të tjera admirohen në teori, por jo në praktikë.
«Ka ikur koha kur të gjithë njerëzit kishin norma të përbashkëta morale»,—thotë sociologu i fesë Alan Ulf. Ai ka thënë edhe këtë: «Kurrë më parë në histori nuk ka ekzistuar kjo ndjenjë se njerëzit nuk mund të mbështeten te traditat dhe institucionet që t’u japin një drejtim moral.» Lidhur me 100 vitet e fundit, Los Angeles Times përdori thënien e filozofit Xhonatan Glover, se dobësimi i fesë dhe i ligjeve që përcaktojnë moralin në përgjithësi, luajti një rol kryesor në plandosjen e gjithë botës në dhunë.
Por, ky pështjellim për vlerat që njerëzit pranojnë në përgjithësi, nuk i ka stepur disa që të kërkojnë një kod vlerash morale. Disa vjet më parë, Federiko Majori, ish-drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s, tha se «më shumë se kurrë, etika është në qendër të vëmendjes botërore». Megjithatë, fakti që bota nuk përvetëson dot vlera të shëndetshme, nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë ose që janë përtej mundësive të njerëzve.
Mirëpo, a mund të jenë dakord të gjithë njerëzit se cilat norma duhen pranuar? Duket qartë se përgjigjja është jo. Por, nëse s’ka norma të së drejtës e të së gabuarës për të cilat të jenë dakord të gjithë, si mund ta përcaktojë njeriu nëse disa vlera janë të drejta? Ky relativizëm moral është në modë sot. Gjithsesi, siç mund të shihni, ky qëndrim nuk e ka përmirësuar moralin e shoqërisë.
Historiani britanik Pol Xhonson është i mendimit se kjo filozofi e relativizmit ka ndihmuar «për të minuar . . . ndjenjën tejet të zhvilluar të përgjegjësisë individuale dhe të detyrimit njerëzor ndaj një kodi moral të vendosur dhe të vlerësuar objektivisht» që dukej se mbizotëronte në fillim të shekullit të 20-të.
Atëherë, a mund të gjendet ‘një kod moral i vlerësuar objektivisht’ dhe a mund të jetohet sipas «ligjeve të përgjithshme morale»? A ka ndonjë autoritet që mund të sigurojë vlera të pandryshueshme e të përhershme që të na e bëjnë më të qëndrueshme jetën dhe të na japin shpresë për të ardhmen? Artikulli vijues do të shqyrtojë këto pyetje.