Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Arsimimi biblik kalit besimin

Arsimimi biblik kalit besimin

Arsimimi biblik kalit besimin

«NUK mund të përshkruhet ç’privilegj i madh ka qenë për ne që këto pesë muaj i kaluam duke u përqendruar në mendimet e Krijuesit tonë e duke mësuar t’i shohim gjërat si i sheh ai!» Këto ishin fjalët e përfaqësuesit të klasës së 122-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit ditën e diplomimit. 56 pjesëtarët e kësaj klase, të cilët shumë shpejt do të nisnin shërbimin misionar në 26 vendet ku ishin caktuar, do ta kujtojnë gjatë 10 marsin e vitit 2007.

Pasi i uroi një mirëseardhje të ngrohtë auditorit me 6.205 të pranishëm, Teodor Xharazi, anëtar i Trupit Udhëheqës, tha: «Jemi të sigurt se pjesëmarrja në këtë program diplomimi do t’ju forcojë frymësisht e do t’jua kalitë besimin.» Gjatë programit ai prezantoi katër oratorë që do t’u jepnin studentëve fjalë inkurajimi të bazuara në Bibël e pikërisht në kohën e duhur, si edhe këshilla për t’i ndihmuar t’ia dilnin mbanë në caktimin e tyre misionar.

Inkurajohen të kalitin besimin e të tjerëve

Lion Uivëri, anëtar i Komitetit të Degës në Shtetet e Bashkuara, mbajti temën me titull «Vazhdoni të bëni atë që është e shkëlqyer». Ai u kujtoi studentëve se secili prej tyre kishte shërbyer mesatarisht 13 vjet në kohë të plotë, duke i dhënë shtysë arsimimit biblik që kalit besimin. Ai tha: «Kjo që keni bërë është një vepër e shkëlqyer, sepse do të thotë t’u shpëtosh jetën njerëzve, dhe më e rëndësishmja, është një vepër e shkëlqyer, sepse lartëson Jehovain, Atin tonë qiellor.» Pastaj, vëlla Uivëri i inkurajoi studentët të vazhdonin ‘të mbillnin për frymën’ e të mos ‘dorëzoheshin duke bërë atë që është e shkëlqyer’.​—Galatasve 6:8, 9.

Dejvid Splejni, anëtar i Trupit Udhëheqës, zhvilloi temën «Bëni çmos ta nisni me këmbë të mbarë», gjatë së cilës ai dha disa përkujtues praktikë. Vëlla Splejni i inkurajoi misionarët e rinj ta nisnin mbarë e t’u hynin në zemër vëllezërve në caktimet e tyre duke vepruar si më poshtë: «Jini pozitivë. Mos nxirrni përfundime të nxituara. Jini miqësorë. Mos jini kritikues. Jini të përulur dhe respektojini vëllezërit vendës.» Pastaj shtoi: «Kur të zbritni nga avioni e të vini këmbë në tokë, niseni me këmbë të mbarë, dhe Jehovai i bekoftë këmbët tuaja të zbukuruara me ‘lajmin e mirë për diçka më të mirë’, që u çoni njerëzve.»​—Isaia 52:7.

«Një trashëgimi më se e sigurt» ishte tema që trajtoi Lorenc Boueni, instruktor i Galaadit. Vëlla Boueni u kujtoi studentëve se themelet e Shkollës së Galaadit gjatë Luftës II Botërore u hodhën duke u bazuar në sigurinë e plotë se Fjala profetike e Jehovait do të përmbushej. (Hebrenjve 11:1; Zbulesa 17:8) Që nga ajo kohë, Galaadi u ka dhënë mundësi studentëve të kalitin besimin. Besimi i fortë i nxit të diplomuarit të shkojnë e të shpallin me zell të vërtetën.

Mark Numari, një tjetër instruktor i Galaadit, trajtoi temën që ngjalli shumë kureshtje «Ju më kujtoni dikë». Ai e përqendroi vëmendjen te shembulli i profetit Elise që tregoi besim dhe guxim në caktimin e tij. Duke i bazuar komentet e tij te 1 Mbretërve 19:21, vëlla Numari tha: «Eliseu ishte i gatshëm të bënte rregullime në jetë, të linte pas interesat personale dhe të shpallte qëllimin e Jehovait.» Ai i lavdëroi të diplomuarit se kishin treguar të njëjtën frymë dhe i inkurajoi të vazhdonin ta bënin këtë gjë edhe në caktimet e tyre të reja.

Falë besimit kemi lirshmëri në të folur

Gjatë kohës së shkollës misionarët e ardhshëm kalitën besimin, e ndërkohë i shfrytëzuan fundjavët për të predikuar lajmin e mirë. Kjo i bekoi me përvoja shumë të bukura, që i treguan dhe i demonstruan gjatë një pjese të programit që e drejtoi Uollas Livërënsi, një tjetër instruktor i Galaadit. Tema që trajtoi ai, «Ne tregojmë besim, prandaj flasim», u kujtoi të pranishmëve fjalët e apostullit Pavël te 2 Korintasve 4:13.

Pas kësaj pjese, Daniel Barnzi dhe Çarlz Udi, pjesëtarë të familjes Bethel, intervistuan disa vëllezër që shërbejnë ose kishin shërbyer si misionarë. Ata e vunë theksin te kujdesi dhe bekimi i Jehovait për ata që i shërbejnë me besnikëri. (Proverbat 10:22; 1 Pjetrit 5:7) Një nga misionarët tha: «Unë dhe gruaja e kemi përjetuar kujdesin e Jehovait nëpërmjet arsimimit që morëm në Galaad. Ai na e kaliti besimin. Besimi është i rëndësishëm, sepse të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, përfshi misionarët, do të përballen me sprova, probleme e shqetësime.»

Vazhdoni të çoni përpara arsimimin biblik që kalit besimin

Ishte me vend që në përfundim të programit të diplomimit, Samuel Hërdi, anëtar i Trupit Udhëheqës, të fliste para auditorit për temën «Vazhdoni të kalitni besimin e vëllezërve». Cili ishte qëllimi i arsimimit që morën studentët? «Qëllimi ishte t’ju mësonte si të përdorni gjuhën për të lëvduar Jehovain, t’u mësoni të vërtetat e tij njerëzve në territorin e ri ku jeni caktuar dhe të kalitni besimin e vëllezërve»,—tha vëlla Herdi. Megjithatë, ai u kujtoi studentëve se gjuha mund të çojë përpara edhe gjëra që rrënojnë. (Proverbat 18:21; Jakovi 3:8-10) Ai i inkurajoi studentët të imitonin shembullin e Jezuit në mënyrën si e përdorin gjuhën. Në një rast, pasi dëgjuan Jezuin, dishepujt thanë: «A nuk na digjej zemra kur . . . na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!» (Luka 24:32) Vëlla Herdi tha: «Nëse fjalët që do të nxirrni nga goja janë ndërtuese, ato do t’u prekin zemrën vëllezërve dhe motrave në caktimin tuaj.»

Pastaj të diplomuarit morën diplomat dhe në fund njëri prej tyre lexoi në emër të klasës një letër në shenjë mirënjohjeje. Në të thuhej: «Ndihemi shumë përgjegjës që atë që kemi mësuar ta përdorim për të përmbushur me besnikëri caktimin tonë si misionarë. Gati të shkojmë në çdo cep të tokës, lutemi që falë përpjekjeve tona të ushtojë një britmë e madhe lëvdimi për Mësuesin tonë të Madh, Perëndinë Jehova.» Auditori iu përgjigj këtyre fjalëve me një duartrokitje të ndjerë. Vërtet, programi i diplomimit kishte kalitur besimin e të gjithë të pranishmëve.

[Diçitura në faqen 17]

«Nëse fjalët që do të nxirrni nga goja janë ndërtuese, ato do t’u prekin zemrën vëllezërve dhe motrave në caktimin tuaj»

[Kutia në faqen 15]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 9

Numri i vendeve ku u caktuan: 26

Numri i studentëve: 56

Mosha mesatare: 33,4

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 16,8

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 13

[Figura në faqen 16]

Diplomimi i klasës së 122-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1)  Howitt, R.; Smith, P.; Martinez, A.; Pozzobon, S.; Kitamura, Y.; Laud, C. (2) Fiedler, I.; Beasley, K.; Matkovich, C.; Bell, D.; Lippincott, W. (3) Sites, W.; Andersen, A.; Toevs, L.; Fusano, G.; Rodríguez, C.; Yoo, J. (4) Sobomehin, M.; Thomas, L.; Gasson, S.; Dauba, V.; Bertaud, A.; Winn, C.; Dobrowolski, M. (5) Yoo, J.; Dauba, J.; Mixer, H.; Newton, M.; Rodríguez, F.; Mixer, N. (6) Laud, M.; Lippincott, K.; Martinez, R.; Haub, A.; Schamp, R.; Pozzobon, L.; Toevs, S. (7) Howitt, S.; Kitamura, U.; Newton, D.; Haub, J.; Sites, J.; Thomas, D. (8) Sobomehin, L.; Matkovich, J.; Fusano, B.; Winn, J.; Schamp, J.; Andersen, D.; Dobrowolski, J. (9) Fiedler, P.; Bell, E.; Beasley, B.; Smith, B.; Bertaud, P.; Gasson, M.