Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla e parë në portugalisht​—Një histori ngulmimi

Bibla e parë në portugalisht​—Një histori ngulmimi

Bibla e parë në portugalisht​—Një histori ngulmimi

«KUSH ngulmon do të fitojë.» Kjo moto gjendet në faqen e botuesit, në një pamflet fetar të shekullit të 17-të, shkruar nga Zhoao Ferrejra de Almeida. Vështirë se mund të ketë përshkrim më të saktë për dikë që ia kushtoi gjithë jetën përkthimit dhe botimit të Biblës në portugalisht.

Almeida lindi në vitin 1628, në Torre-de-Tavares, një fshat në veri të Portugalisë. Mbeti jetim që fëmijë dhe u rrit në Lisbonë, në kryeqytetin portugez, nga një xhaxha që ishte anëtar i një urdhri fetar. Sipas të thënave, teksa përgatitej për t’u bërë prift, Almeida mori një arsimim të shkëlqyer që e ndihmoi të zhvillonte që i ri një aftësi të jashtëzakonshme për gjuhët e huaja.

Megjithatë, Almeida s’do të kishte pasur mundësi t’i përdorte dhuntitë e tij për të përkthyer Biblën, po të kishte qëndruar në Portugali. Falë Reformës, Evropa Veriore dhe Qendrore ishte mbushur me Bibla në gjuhët vendëse, ndërsa Portugalia vazhdonte e patundur nën ndikimin e Inkuizicionit katolik. Një njeri përfundonte para gjyqit të inkuizicionit edhe vetëm po të kishte një Bibël në gjuhën e tij. *

Ndoshta i nxitur nga dëshira për t’u larguar prej kësaj atmosfere mbytëse, Almeida shkoi në Holandë kur ishte ende adoleshent. Pak kohë më pas, kur ishte vetëm 14 vjeç, nisi një udhëtim për në Azi, përmes Batavisë (tani Xhakarta), Indonezi, e cila në atë kohë ishte qendra administrative e Kompanisë Holandeze të Indisë Lindore në Azinë Juglindore.

Përkthyes në moshën e adoleshencës

Në pjesën e fundit të udhëtimit për në Azi, Almeida pati një pikë kthese në jetën e tij. Ndërkohë që ishte në anije duke lundruar mes Batavisë dhe Malakës, në Malajzinë Perëndimore, i ra në dorë një pamflet protestant në gjuhën spanjolle, me titull Ndryshimet në krishterim. Përveç sulmeve kundër doktrinave të rreme fetare, një thënie që përmbante pamfleti i bëri përshtypje në veçanti të riut Almeida: «Përdorimi i një gjuhe të panjohur në kishë, edhe pse për lavdinë e Perëndisë, nuk i sjell asnjë dobi dëgjuesit që s’e kupton.»​—1 Korintasve 14:9.

Për Almeidën, përfundimi ishte i qartë: çelësi për të demaskuar gabimet fetare ishte që Bibla të bëhej e kuptueshme për të gjithë. Sapo mbërriti në Malakë, ai u kthye në fenë e Reformuar Holandeze dhe nisi menjëherë të përkthente pjesë të Ungjijve nga spanjishtja në portugalisht, duke i shpërndarë tek «ata që tregonin dëshirë të vërtetë për të njohur të vërtetën». *

Dy vjet më pas, Almeida ishte gati për një sipërmarrje edhe më ambicioze: përkthimin e krejt Shkrimeve të Krishtere Greke nga Vulgata latine. Këtë e përfundoi brenda më pak se një viti, një arritje e jashtëzakonshme për një 16-vjeçar! Me guxim, ai i dërgoi një kopje të përkthimit guvernatorit të përgjithshëm holandez në Batavi, me qëllim që ta botonte. Me sa duket, Kisha e Reformuar në Batavi e dërgoi dorëshkrimin e tij në Amsterdam, por pastori i moshuar, të cilit i ishte besuar botimi, vdiq dhe puna e Almeidës u zhduk.

Kur i kërkuan të bënte një kopje tjetër të përkthimit për besimtarët e Kishës së Reformuar në Cejlon (tani Sri-Lankë) në vitin 1651, Almeida zbuloi se origjinali ishte zhdukur nga arkivat e kishës. Pa u stepur, ai arriti në njëfarë mënyre të gjente një kopje (ndoshta një nga bocat e para), dhe një vit më pas përfundoi një version të rishikuar të Ungjijve dhe të librit të Veprave. Këshilli * në Batavi e shpërbleu me 30 gulden. Një nga kolegët e Almeidës shkroi se kjo ishte «një shumë qesharake për punën e jashtëzakonshme që kishte bërë».

Pavarësisht nga kjo mungesë mirënjohjeje, Almeida ngulmoi duke paraqitur një rishikim të të gjithë Besëlidhjes së Re në vitin 1654. Edhe një herë u fol për mundësinë e botimit të tij, por s’u bë asgjë konkrete, përveç përgatitjes së disa kopjeve të shkruara me dorë që t’i përdornin disa kisha.

I dënuar nga Inkuizicioni

Dhjetëvjeçarin tjetër Almeida ishte i zënë në veprën pastorale dhe misionare për Kishën e Reformuar. U emërua si pastor në vitin 1656 dhe shërbeu së pari në Cejlon, ku shpëtoi për një qime nga një elefant që desh e shkeli, e më vonë në Indi, si një nga misionarët e parë protestantë që shkonin në atë vend.

Almeida ishte kthyer në fenë protestante dhe ishte në shërbim të një vendi të huaj. Prandaj, shumë njerëz që takonte në komunitetet që flitnin portugalisht e konsideronin apostat dhe tradhtar. Edhe fakti që e dënonte hapur korruptimin moral të klerit dhe demaskonte doktrinat e kishës, solli si pasojë përplasje të shpeshta me misionarët katolikë. Këto konflikte arritën kulmin në vitin 1661 kur një gjykatë e inkuizicionit në Goa, Indi, e dënoi Almeidën me vdekje si heretik. Në mungesë të tij, i dogjën shëmbëllesën në formë dordoleci. Ndoshta i alarmuar nga stili luftarak i Almeidës, jo shumë kohë më pas, guvernatori i përgjithshëm holandez e thirri përsëri në Batavi.

Almeida ishte misionar i zellshëm, por nuk e harroi kurrë nevojën për një Bibël në portugalisht. Përkundrazi, pasojat e injorancës biblike, shumë të dukshme si te kleri, edhe te besimtarët e thjeshtë, vetëm sa e bënë më të vendosur që të vazhdonte veprën e tij. Në parathënien e një fletushke fetare e vitit 1668, Almeida u njoftoi lexuesve të tij: «Shpresoj që . . . së shpejti t’ju nderoj me Biblën e plotë në gjuhën tuaj, dhurata më e madhe dhe thesari më i çmuar që ju ka dhënë ndonjëherë dikush.»

Almeida kundër komitetit të rishikimeve

Në vitin 1676, Almeida i paraqiti për rishikim këshillit të kishës në Batavi një kopje përfundimtare të Besëlidhjes së Re. Që në fillim, marrëdhëniet përkthyes-rishikues ishin të tendosura. Biografi J. L. Svelenkrebel shpjegon se kolegët holandezë të Almeidës mund ta kenë pasur të vështirë t’i kuptonin disa ngjyrime kuptimore dhe stilistike. Kishte polemika edhe për gjuhën e përdorur. A duhej që në Bibël të përdorej gjuha e folur nga populli apo një portugalishte më e stërholluar që shumë veta do ta kishin të vështirë ta kuptonin? Dhe si gjë e fundit, zelli i Almeidës për të përfunduar veprën ishte një burim i vazhdueshëm fërkimesh.

Puna ecte me hapa shumë të ngadaltë, ndoshta për shkak të mosmarrëveshjeve ose të mungesës së interesit nga rishikuesit. Katër vjet më vonë, ata ende po debatonin për kapitujt e parë të librit të Lukës. I mërzitur nga kjo vonesë, Almeida dërgoi në Holandë një kopje të dorëshkrimit për ta shtypur, pa dijeninë e rishikuesve.

Pavarësisht nga përpjekjet e këshillit për të ndalur botimin, Besëlidhja e Re e Almeidës hyri për shtyp në Amsterdam në vitin 1681, dhe kopjet e para mbërritën në Batavi një vit më pas. Përfytyroni zhgënjimin e Almeidës kur pa se përkthimit të tij i ishin bërë ndryshime nga ana e rishikuesve në Holandë! Ngaqë ata s’dinin mirë portugalisht, Almeida vuri re se kishin futur «përkthime jo të natyrshme dhe kontradiktore që e errësonin domethënien e Frymës së Shenjtë».

As qeveria holandeze nuk ishte e kënaqur, prandaj nxori urdhër që të shkatërroheshin të gjitha kopjet e botimit. Gjithsesi, Almeida i bindi autoritetet të linin disa kopje, me kusht që gabimet më të mëdha t’i korrigjonte me dorë. Këto kopje do të përdoreshin derisa të përgatitej një rishikim tjetër.

Rishikuesit në Batavi u mblodhën përsëri për të vazhduar punën me Shkrimet e Krishtere Greke dhe nisën të përgatitnin librat e Shkrimeve Hebraike dora-dorës që Almeida i përfundonte. Nga frika se mos padurimi i përkthyesit do ta bënte të humbte kontrollin, këshilli vendosi t’i mbante fletët e kopjes përfundimtare në arkivin e kishës. S’ka nevojë ta themi që Almeida e kundërshtoi vendimin e tyre.

Por tashmë dhjetëra vitet e punës së palodhur dhe vështirësitë e jetës në një klimë tropikale kishin bërë të tyren. Në vitin 1689, për shkak të shëndetit të keqësuar, Almeida dha dorëheqjen nga aktivitetet e kishës për t’iu kushtuar tërësisht përkthimit të Shkrimeve Hebraike. Mjerisht, vdiq në vitin 1691, ndërsa po punonte për kapitullin e fundit të librit të Ezekielit.

Botimi i dytë i Besëlidhjes së Re, që përfundoi pak kohë pas vdekjes së tij, hyri për shtyp në vitin 1693. Përsëri, duket se veprën e tij e prishën disi rishikuesit e paaftë. Në librin e tij A Biblia em Portugal (Bibla në Portugali), G. L. Santos-Ferrejra thotë: «Rishikuesit . . . i bënë ndryshime rrënjësore punës së shkëlqyer të Almeidës, duke përçudnuar e duke prishur edhe atë bukuri të origjinalit që u kishte shpëtuar atyre që kishin bërë rishikimin e botimit të parë.»

Përfundon Bibla në portugalisht

Me vdekjen e Almeidës, forca shtytëse për rishikimin dhe botimin e Biblës portugeze në Batavi u venit. Ishte Shoqëria për Nxitjen e Njohurisë së Krishterë, me bazë në Londër, që financoi botimin e tretë të Besëlidhjes së Re të Almeidës në vitin 1711, me kërkesë të misionarëve danezë që shërbenin në Trankebar, në Indinë Jugore.

Kjo shoqëri vendosi të ngrinte një shtypshkronjë në Trankebar. Por, rrugës për në Indi, anijen që transportonte materialet për shtypjen dhe një seri Biblash në portugalisht, e morën piratët francezë të cilët, përfundimisht, e braktisën në portin e Rio-de-Zhanejros, Brazil. Santos-Ferrejra shkruan: «Për ndonjë arsye të pashpjegueshme dhe në rrethana të cilat shumë i konsideronin të mrekullueshme, kutitë me materialet për shtypje ishin të paprekura, në fund të hambarit, dhe e vazhduan udhëtimin e tyre deri në Trankebar me të njëjtën anije.» Misionarët danezë e rishikuan me kujdes dhe botuan versionin e Almeidës të librave të tjerë të Biblës. Vëllimi përfundimtar i Biblës portugeze doli në vitin 1751, pothuajse 110 vjet pasi Almeida kishte nisur karrierën e tij si përkthyes i Biblës.

Një trashëgimi me vlerë

Që i ri, Almeida e kuptoi se duhej një Bibël në portugalisht me qëllim që njerëzit e thjeshtë të kuptonin të vërtetën në gjuhën e tyre. Ai e ndoqi me vendosmëri atë synim gjatë gjithë jetës së tij, pavarësisht nga kundërshtimi i Kishës Katolike, nga indiferenca e kolegëve të tij, nga problemet në dukje të pafundme me rishikimin dhe nga shëndeti i tij që sa vinte e keqësohej. Por ngulmimi i tij u shpërblye.

Shumë nga komunitetet portugeze ku predikoi Almeida janë zvogëluar e janë zhdukur, por Bibla e tij ka mbijetuar. Gjatë shekullit të 19-të, Shoqëria Biblike për në Angli dhe Jashtë, si dhe Shoqëria Biblike Amerikane shpërndanë mijëra kopje të versionit të Almeidës në Portugali e në qytetet bregdetare të Brazilit. Si rezultat, Biblat që janë nxjerrë nga teksti i tij origjinal janë edhe sot e kësaj dite ndër më të njohurat e më të shpërndarat në vendet ku flitet portugalisht.

Pa dyshim, shumë veta duhet t’i jenë mirënjohës përkthyesve të hershëm të Biblës, siç ishte edhe Almeida. Por duhet t’i jemi edhe më shumë mirënjohës Jehovait, Perëndisë komunikues, «vullneti i të cilit është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:3, 4) Mbi të gjitha, është Ai që e ka ruajtur Fjalën e tij dhe na e ka vënë në dispozicion që të nxjerrim dobi. Le ta vlerësojmë gjithnjë dhe ta studiojmë me zell «thesarin më të çmuar» që na ka dhënë Ati ynë qiellor!

[Shënimet]

^ par. 4 Në gjysmën e dytë të shekullit të 16-të, Kisha Katolike nxori në qarkullim Treguesin e librave të ndaluar, duke vendosur kështu kufizime të rrepta lidhur me përdorimin e Biblave në gjuhët vendëse. Sipas The New Encyclopædia Britannica, ky veprim «arriti më së miri ta ndalte për 200 vjet punën e përkthimit mes katolikëve».

^ par. 8 Botimet më të hershme të Biblës së Almeidës i referohen atij si Padre (Atë) Almeida, duke i shtyrë disa të besojnë se shërbente si prift katolik. Por botuesit holandezë të Biblës së Almeidës e përdorën gabimisht këtë term, duke menduar se ishte titulli që përdorej nga një pastor ose një klerik protestant.

^ par. 10 Trupi drejtues i Kishës së Reformuar.

[Kutia dhe figura në faqen 21]

EMRI I PERËNDISË

Një shembull mbresëlënës i integritetit të Almeidës si përkthyes, është mënyra se si e përdori emrin e Perëndisë për të përkthyer Tetragramin hebraik.

[Burimi]

Cortesia da Biblioteca da Igreja de Santa Catarina (Igreja dos Paulistas)

[Harta në faqen 18]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

OQEANI ATLANTIK

PORTUGALI

Lisbonë

Torre-de-Tavares

[Figura në faqen 18]

Batavia gjatë shekullit të 17-të

[Burimi]

Nga Oud en Nieuw Oost-Indiën, Franciscus Valentijn, 1724

[Figura në faqet 18, 19]

Faqja e botuesit në botimin e parë të Besëlidhjes së Re në portugalisht, e cila doli në vitin 1681

[Burimi]

Me mirësjellje nga Biblioteca Nacional, Portugal