Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cila është zgjidhja për intolerancën etnike?

Cila është zgjidhja për intolerancën etnike?

Cila është zgjidhja për intolerancën etnike?

NË Spanjë një arbitër ndërpret një ndeshje futbolli. Përse? Sepse janë kaq të shumtë tifozët që hedhin fjalë fyese për një lojtar nga Kameruni, sa ky paralajmëron se do të largohet nga fusha. Në Rusi janë bërë të zakonshme sulmet e dhunshme kundër afrikanëve, aziatikëve dhe amerikano-latinëve. Gjatë vitit 2004, sulmet raciste në këtë vend u rritën 55 për qind dhe në vitin 2005 arritën deri në 394 incidente. Në Britani, një e treta e aziatikëve dhe e zezakëve që morën pjesë në një anketë, mendonin se e kishin humbur punën për shkak të diskriminimit racor. Këta shembuj tregojnë se ekziston një prirje mbarëbotërore.

Intoleranca etnike shfaqet me gjëra të vogla e të mëdha: që nga komentet fyese ose të pamenduara e deri te politikat e një vendi me orvatjet për ta shfarosur fare një grup etnik. * Cili është shkaku themelor i kësaj intolerance? Ç’të bëjmë ne për të mos e treguar atë? A është e arsyeshme të shpresojmë që një ditë, të gjitha familjet këtu në tokë do të jetojnë së bashku në paqe? Bibla përmban informacione interesante për këto çështje.

Shtypje e urrejtje

«Zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij»,—thotë Bibla. (Zanafilla 8:21) Kështu, disa gjejnë kënaqësi duke shtypur të tjerët. Më tej, Bibla thotë: «Pashë lotët e të shtypurve, por që s’kishin asnjë ngushëllues. Fuqia ishte në anën e shtypësve të tyre, kështu që s’kishte kush t’i ngushëllonte.»​—Eklisiastiu 4:1.

Bibla tregon edhe se urrejtja etnike ka filluar shumë herët. Për shembull, në shekullin e 18-të para erës sonë, një faraon egjiptian e ftoi hebreun Jakob dhe familjen e tij të madhe që të vendosej me banim në Egjipt. Por më vonë, një faraon tjetër u ndie i kërcënuar nga ky grup i madh emigrantësh. Kështu, «ai i thoshte popullit të vet: ‘Populli i Izraelit është më i madh dhe më i fuqishëm se ne. Oburra! Le të tregohemi mendjehollë e të mos i lëmë të shumohen.’ . . . Prandaj, vunë mbi ta krerë, që t’i vinin në punë të detyruar dhe t’i shtypnin ndërsa bartnin barrët e tyre». (Dalja 1:9-11) Madje egjiptianët urdhëruan që të vriteshin të gjithë foshnjat meshkuj që lindnin nga populli i Jakobit.​—Dalja 1:15, 16.

Cili është shkaku themelor?

Fetë e botës rrallëherë kanë bërë diçka për t’iu kundërvënë intolerancës etnike. Po, disa individë i janë kundërvënë me heroizëm shtypjes, por feja në tërësi shumë shpesh ka mbajtur anën e shtypësve. Kështu ishte në Shtetet e Bashkuara, ku shtypja e popullsisë zezake mbështetej me anë të ligjit e të linçimit (vrasje pa gjyq) dhe ku, deri në vitin 1967, kishte ligje që ndalonin martesat e përziera. Ishte kështu edhe në Afrikën e Jugut, në kohën e apartejdit, kur një minoritet mbronte pozitën e vet sunduese me ligje që përfshinin ndalimin e martesave të përziera. Në secilin rast, disa pjesëtarë të grupit etnik që nxiste intolerancën ishin njerëz shumë fetarë.

Gjithsesi, Bibla zbulon se ka një arsye më të thellë pse ekziston intoleranca etnike. Ajo shpjegon përse disa grupe etnike shtypin të tjerat. Thotë: «Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. Nëse ndokush thotë: ‘Unë e dua Perëndinë’, mirëpo urren vëllanë e tij, ai është gënjeshtar. Sepse ai që nuk do vëllanë e tij, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.» (1 Gjonit 4:8, 20) Ky pohim tregon shkakun themelor të intolerancës etnike. Njerëzit, qofshin fetarë ose jo, janë intolerantë sepse nuk e njohin dhe nuk e duan Perëndinë.

Njohuria e Perëndisë është baza për harmoninë etnike

Përse njohuria për Perëndinë dhe dashuria për të sjell harmoni etnike? Çfarë njohurie ka në Fjalën e Perëndisë që i frenon njerëzit për të mos dëmtuar të tjerët që duken të ndryshëm nga ata? Bibla zbulon se Jehovai është Ati i të gjithë njerëzve. Ajo thotë: «Në të vërtetë për ne ka një Perëndi të vetëm, Ati, nga i cili janë të gjitha gjërat.» (1 Korintasve 8:6) Pastaj thotë: «Nga një njeri i vetëm ai bëri të gjitha kombet.» (Veprat 17:26) Kështu, të gjithë njerëzit faktikisht janë vëllezër.

Të gjitha grupet etnike mund të jenë krenare që Perëndia u ka dhënë jetën, ama që të gjitha kanë në prejardhjen e tyre diçka për të cilën duhet t’u vijë keq. Një shkrimtar i Biblës, Pavli, u shpreh: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm.» Kështu, «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23; 5:12) Jehovai është një Perëndi të cilit i pëlqen larmia; në fakt s’ka dy krijesa që të jenë krejtësisht njësoj. E megjithatë s’i ka dhënë asnjë grupi etnik bazën për t’u ndier më lart se grupet e tjera. Ndjenja e përhapur që kanë njerëzit se grupi i tyre etnik është më i mirë se grupet e tjera, bie në kundërshtim me faktet që gjejmë në Shkrime. Pra është e qartë se njohuria që marrim nga Perëndia nxit harmoninë etnike.

Interesi i Perëndisë për të gjitha kombet

Disa kanë pasur dyshimin mos vetë Perëndia i ka nxitur paragjykimet etnike, duke i favorizuar izraelitët e duke i mësuar të qëndronin të ndarë veç nga kombet e tjera. (Dalja 34:12) Për njëfarë kohe, Perëndia e zgjodhi kombin e Izraelit si pronën e tij të veçantë për shkak të besimit të jashtëzakonshëm që kishte treguar Abrahami, paraardhësi i Izraelit. Vetë Perëndia e drejtonte Izraelin e lashtë, zgjidhte mbretërit e tij dhe u jepte ligje. Gjatë kohës që Izraeli e pranonte këtë masë, popujt e tjerë mund të shihnin rezultatet që vinin kur sundonte Perëndia, ndryshe nga rezultatet e sundimit të njerëzve në kombe të tjera. Gjithashtu, në atë kohë Jehovai i mësoi Izraelit se duhej një flijim që njerëzit të rifitonin një marrëdhënie të mirë me Të. Pra, veprimet e Jehovait me Izraelin ishin në dobi të të gjitha kombeve. Kjo përputhej me fjalët që i kishte thënë ai Abrahamit: «Me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës, falë faktit që ti e dëgjove zërin tim.»​—Zanafilla 22:18.

Veç kësaj, judenjtë patën privilegjin të merrnin thëniet e shenjta të Perëndisë dhe të ishin kombi në të cilin lindi Mesia. Por edhe kjo do të ishte në dobi të të gjitha kombeve. Në Shkrimet Hebraike që iu dhanë judenjve, ka një përshkrim inkurajues për kohën kur të gjitha grupet etnike do të merrnin bekime të mëdha: «Shumë kombe do të shkojnë e do të thonë: ‘Ejani, le të ngjitemi në malin e Jehovait dhe në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit. Ai do të na mësojë udhët e tij’ . . . Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njërit-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë. Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.»​—Mikea 4:2-4.

Edhe pse vetë Jezu Krishti u predikoi judenjve, ai tha edhe këto fjalë: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:14) Nuk do të lihej asnjë komb pa e dëgjuar lajmin e mirë. Pra, Jehovai la shembullin e përsosur duke vepruar me paanshmëri me të gjitha grupet etnike. «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»​—Veprat 10:34, 35.

Edhe ligjet që Perëndia i dha kombit të lashtë të Izraelit zbulojnë se ai interesohet për të gjitha kombet. Për shembull, Ligji nuk kërkonte vetëm që izraelitët t’i toleronin johebrenjtë që banonin në vend. Shikoni çfarë u thuhej: «Ai që banon si i ardhur mes jush, duhet të jetë njësoj si vendësit. Duajeni si veten, sepse edhe ju ishin të huaj në Egjipt.» (Levitiku 19:34) Shumë ligje të Perëndisë u mësonin izraelitëve të tregoheshin të mirë me të ardhurit. Kështu, kur Boazi, një paraardhës i Jezuit, pa një grua të huaj nevojtare që po mblidhte kallinj, veproi në përputhje me atë që kishte mësuar nga Perëndia dhe u sigurua që korrësit e tij të linin mjaft kallinj gruri për atë grua.​—Rutha 2:1, 10, 16.

Jezui u mëson njerëzve mirëdashjen

Jezui ua zbuloi njerëzve njohurinë e Perëndisë më shumë se kushdo tjetër. Ai u tregoi ithtarëve të vet se si të tregohen mirëdashës me njerëzit që janë të ndryshëm nga ata. Një herë, nisi një bisedë me një grua samaritane. Samaritanët ishin një grup etnik që shumë judenj e përbuznin, prandaj gruaja u habit. Gjatë kësaj bisede, me dashamirësi Jezui e ndihmoi gruan që të kuptonte si mund të merrte jetën e përhershme.​—Gjoni 4:7-14.

Jezui na mësoi si duhet t’i trajtojmë njerëzit e grupeve të tjera etnike, edhe kur dha ilustrimin për samaritanin e mirë. Ky samaritan gjeti rrugës një jude që ishte plagosur rëndë, pasi e kishin sulmuar kusarët. Fare lehtë samaritani mund të kishte arsyetuar: ‘E pse duhet ta ndihmoj një jude? Judenjtë e përbuzin popullin tim.’ Por samaritani që përmendi Jezui kishte një pikëpamje tjetër për të huajt. Ndonëse pranë të plagosurit kishin kaluar edhe udhëtarë të tjerë, samaritani e ndihmoi shumë, «i shtyrë nga mëshira». Këtë ilustrim Jezui e përfundoi duke thënë se, kushdo që dëshiron miratimin e Perëndisë, duhet të veprojë po njësoj.​—Luka 10:30-37.

Apostulli Pavël i mësoi ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë, të ndryshojnë personalitetin e tyre dhe të imitojnë mënyrën si i trajton Perëndia njerëzit. Ai shkroi: «Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishni personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi. Këtu nuk ka as grek, as jude, as rrethprerje, as parrethprerje, as të huaj, as skithas. . . . Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»​—Kolosianëve 3:9-14.

A i ndryshon njerëzit njohuria e Perëndisë?

A ndihmon vërtet njohuria për Perëndinë Jehova që njerëzit të ndryshojnë mënyrën si sillen me ata të grupeve të tjera etnike? Shikoni përvojën e një emigranteje aziatike në Kanada, e cila u zhgënjye kur hasi diskriminim në atë vend. Pastaj takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe nisi të studionte Biblën me ta. Më vonë, kjo grua shkroi një letër mirënjohjeje, ku thoshte: ‘Ju njerëzit e bardhë ishit shumë të mirë e të dashur. Kur pashë që ishit ndryshe nga njerëzit e tjerë të bardhë, nisa të pyetja veten pse. U mendova e u mendova dhe pastaj dola në përfundimin se kjo ndodhte ngaqë ishit Dëshmitarët e Perëndisë. Duhet të ketë diçka në Bibël që ju bën të ndryshëm. Pashë në mbledhjet tuaja grupe me njerëz nga të gjitha ngjyrat: të bardhë, të zinj, mulatë e të verdhë, por që zemrën e kishin transparente, sepse ishin vëllezër e motra. Tani e di kush i bëri të tillë. Është Perëndia juaj.’

Fjala e Perëndisë parathotë se do të vijë një kohë kur «toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait». (Isaia 11:9) Edhe tani, në përmbushje të profecisë së Biblës, në adhurimin e vërtetë po bashkohet një shumicë e madhe me miliona njerëz «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbulesa 7:9) Ata mezi presin kohën kur urrejtja do të zëvendësohet nga dashuria, në një shoqëri mbarëbotërore që së shpejti do të përmbushë qëllimin që i shprehu Jehovai Abrahamit: «Do të bekohen të gjitha kombet e tokës.»​—Veprat 3:25.

[Shënimi]

^ par. 3 Fjala «etnik» tregon diçka që lidhet me një popull a me një komb të caktuar dhe me gjuhën e kulturën e tij materiale e shpirtërore.

[Figura në faqet 4, 5]

Ligji i Perëndisë u mësonte izraelitëve t’i donin banorët e ardhur

[Figura në faqen 5]

Ç’mësojmë nga ilustrimi për samaritanin e mirë?

[Figurat në faqen 6]

Perëndia nuk i ka dhënë asnjë grupi etnik arsye për t’u ndier më lart se grupet e tjera