Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A kemi një shpirt të pavdekshëm?

A kemi një shpirt të pavdekshëm?

A kemi një shpirt të pavdekshëm?

A jemi ne njerëzit thjesht prej mishi e gjaku? Apo jemi më tepër sesa një grumbull elementesh kimike të cilat përbëjnë trupin tonë? A është e vërtetë që sot jemi e nesër s’jemi? Apo ndonjë pjesë e jona e padukshme vazhdon të jetojë pas vdekjes?

EDHE pse fetë kanë krijuar një larmi marramendëse besimesh për botën e përtejme, shumica prej tyre janë në një mendje për një ide themelore, pra që diçka brenda njeriut është e pavdekshme dhe vazhdon të jetojë pas vdekjes së tij. Shumë njerëz besojnë se kjo «diçka» është shpirti. Ju çfarë besoni? A jemi ne edhe mish, edhe shpirt? Çfarë është shpirti? A kanë njerëzit një shpirt të pavdekshëm? Është vërtet jetësore të dimë të vërtetën për veten tonë.

«Njeriu u bë një shpirt i gjallë»

A është «shpirti» ndonjë pjesë e njeriut që ndahet nga trupi pas vdekjes dhe vazhdon të jetojë? Sipas Fjalorit biblik me ilustrime të Holmanit (anglisht), «shpesh [njerëzit] e barazojnë shpirtin me njeriun në tërësi». Për shembull, te Zanafilla 2:7 thuhet: «Perëndia Jehova formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» Njeriu i parë, Adami, ishte një shpirt.

Kjo kuptueshmëri, pra që fjala «shpirt» nënkupton gjithë njeriun, mbështetet edhe nga shkrime të tjera. Për shembull, Bibla thotë se shpirti punon. (Levitiku 23:30) Për shpirtin thuhet se është i lodhur, i acaruar, i pagjumë, i frikësuar dhe i dëshpëruar. (Gjykatësit 16:16; Jobi 19:2; Psalmi 119:28; Veprat 2:43; 1 Selanikasve 5:14) Duke iu referuar shpirtit si vetë njeriut, te Romakëve 13:1 thuhet: «Çdo shpirt të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.» Dhe te 1 Pjetrit 3:20 lexojmë: «Në ditët e Noesë, . . . pak njerëz, domethënë tetë shpirt, shpëtuan nëpërmjet ujit.» Në këto shkrime nuk ka asgjë që të tregojë se shpirti është diçka jomateriale që jeton pas vdekjes së njeriut.

Po kafshët dhe bimët, a janë shpirtra? Shikoni si e përshkruan Bibla krijimin e kafshëve. «Le të gëlojnë ujërat nga një mori me shpirtra të gjallë»,​—urdhëroi Perëndia. Ditën tjetër krijuese, Perëndia tha: «Le të dalin nga toka shpirtra të gjallë, sipas llojeve të tyre: kafshë të buta, kafshë të tjera që lëvizin dhe kafshët e egra të tokës, sipas llojit të vet.» (Zanafilla 1:20, 24) Pra, të gjitha krijesat e gjalla, njerëz ose kafshë, janë shpirtra. Për bimët, në Bibël nuk thuhet se janë shpirtra.

Fjala «shpirt» përdoret edhe në një kuptim tjetër. Te Jobi 33:22 lexojmë: «Shpirti i tij i afrohet gropës, dhe jeta e tij u afrohet atyre që sjellin vdekjen.» Këtu termat «shpirt» dhe «jetë» përdoren paralelisht; njëri plotëson kuptimin e tjetrit. Pra «shpirti» mund t’i referohet edhe jetës që zotëron dikush si shpirt i gjallë ose njeri. Kështu, në Shkrime flitet për armiqtë e Moisiut, që donin t’i merrnin jetën, si «gjithë njerëzit që kërkonin shpirtin» e tij. (Dalja 4:19) Dhe për Jezu Krishtin, Bibla thotë: «Biri i njeriut . . . erdhi që . . . të japë shpirtin [jetën] e vet si shpërblesë për shumë njerëz.»​—Mateu 20:28.

Përkufizimi i Biblës për fjalën «shpirt» është i thjeshtë dhe i harmonishëm. Fjala i referohet një njeriu a një kafshe ose jetës që ka një krijesë si shpirt i gjallë. Siç do të shohim, kjo kuptueshmëri është në përputhje me atë që thotë Bibla se ndodh me shpirtin kur një njeri vdes.

«Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë»

Bibla thotë: «Ai shpirt që mëkaton, do të vdesë.» (Ezekieli 18:4) I dëshpëruar, profeti Elija «kërkoi që shpirti i tij të vdiste». (1 Mbretërve 19:4, shënimi) Po ashtu, Jonai kërkoi «që shpirti i tij të vdiste». (Jonai 4:8, shënimi) Po, shpirti vdes kur vdes njeriu dhe nuk është i pavdekshëm. Meqë njeriu është një shpirt, kur themi që dikush vdiq është sikur të themi që shpirti i tij vdiq.

Po ato shkrime të Biblës ku thuhet se shpirti del ose kthehet? Për atë që i ndodhi Rakelës kur po lindte fëmijën, Bibla thotë: «Ndërsa po jepte shpirt (sepse vdiq), ajo ia vuri emrin Ben-Oni, por i ati e quajti Beniamin.» (Zanafilla 35:18) Kurse për ringjalljen e djalit të një vejushe, te 1 Mbretërve 17:22 thuhet: «Jehovai e dëgjoi zërin e Elijas, kështu që fëmija u kthye në jetë [«shpirti i fëmijës u kthye tek ai», Diodati i Ri] dhe u ringjall.» A tregojnë këto vargje se shpirti është një pjesë e padukshme dhe e patrajtë, që mund të largohet nga trupi ose të kthehet në trup?

Të kujtojmë që njëri kuptim i fjalës «shpirt» është «jetë». Kështu, Rakela po jepte shpirt në kuptimin që jeta e saj po mbaronte. Në fakt, disa Bibla e përkthejnë shprehjen «po jepte shpirt» me shprehjet «jeta e saj po shuhej» (Knox) dhe «ajo dha frymën e fundit» (Jerusalem Bible). Njësoj është edhe në rastin e djalit të vejushës, atij iu rikthye jeta.​—1 Mbretërve 17:23.

Natyra e njeriut

Në mënyrë të qartë, Bibla e tregon çfarë është njeriu. Ai nuk ka një shpirt, por është një shpirt. Duke ditur çfarë është njeriu, pra natyrën e tij, çfarëdo shprese për të vdekurit në lidhje me një jetë të ardhme varet nga ringjallja. Bibla premton: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre do të dëgjojnë zërin e [Jezuit] dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi.» (Gjoni 5:28, 29) Baza për të pasur një shpresë të vërtetë për të vdekurit është ky premtim i sigurt i ringjalljes, dhe jo mësimi i shpirtit të pavdekshëm.

Sa jetësore është të marrim njohuri të saktë për ringjalljen dhe se çfarë do të thotë ajo për njerëzimin! Është thelbësore edhe të njohim Perëndinë dhe Krishtin, sepse në lutje Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj do t’ju ndihmojnë me kënaqësi që të studioni Biblën, me qëllim që të shtoni njohurinë tuaj për Perëndinë, për Birin e tij dhe për premtimet e Tij. Ju ftojmë të flitni me Dëshmitarët ose t’u shkruani botuesve të kësaj reviste.

[Figurat në faqen 4]

Që të gjithë janë shpirtra

[Burimi]

Dhia: CNPC​—Centro Nacional de Pesquisa de Caprinos (Sobral, CE, Brasil)