Barzilai—Një njeri që i njihte kufizimet e veta
Barzilai—Një njeri që i njihte kufizimet e veta
‘PSE të të bëhem barrë?’ 80-vjeçari që i tha këto fjalë mbretit David të Izraelit, ishte Barzilai. Bibla thotë se ai ishte «njeri shumë i madh», pa dyshim për shkak të pasurisë që kishte. (2 Samuelit 19:32, 35) Barzilai jetonte në Galaad, një rajon malor që ndodhej në lindje të lumit Jordan.—2 Samuelit 17:27; 19:31.
Cilat ishin rrethanat kur Barzilai i tha këto fjalë Davidit? Përse foli ashtu ky burrë i moshuar?
Rebelim ndaj mbretit
Davidi ishte në rrezik. I biri, Absalomi, kishte uzurpuar fronin pasi ‘u kishte vjedhur zemrat njerëzve të Izraelit’. Ishte e qartë se Absalomi nuk do të linte gjallë asnjë që i qëndronte besnik babait të tij. Prandaj, Davidi dhe shërbëtorët e vet ikën nga Jerusalemi. (2 Samuelit 15:6, 13, 14) Kur Davidi mbërriti në Mahanaim, që ndodhet në lindje të Jordanit, Barzilai e ndihmoi.
Me bujari, Barzilai dhe dy burra të tjerë e furnizuan Davidin me shumë gjëra. Këta tre nënshtetas besnikë treguan se e kuptonin situatën e vështirë të Davidit, kur thanë për të e për njerëzit e tij: «Populli në shkretëtirë është i uritur, i lodhur e i etur.» Barzilai, Shobi dhe Makiri bënë gjithçka mundën për t’i plotësuar ato nevoja, duke i dhënë Davidit 2 Samuelit 17:27-29.
dhe njerëzve të tij shtretër, grurë, elb, miell, drithë të pjekur, bathë, thjerrëza, mjaltë, gjalpë, dhen e gjëra të tjera.—Ishte punë me rrezik të ndihmoje Davidin. Me siguri Absalomi nuk do të linte pa ndëshkuar asnjë që përkrahte mbretin legjitim. Prandaj Barzilai po tregonte guxim duke i qëndruar besnik Davidit.
Situata përmbyset
Jo shumë kohë më pas, forcat rebele të Absalomit u ndeshën me njerëzit e Davidit. U bë një betejë në pyllin e Efraimit, që ndoshta ndodhej në afërsi të Mahanaimit. Ushtria e Absalomit u mund dhe «atë ditë masakra qe e madhe». Absalomi u orvat të arratisej, por shumë shpejt e vranë.—2 Samuelit 18:7-15.
Davidi ishte përsëri mbret i Izraelit dhe s’kishte më kundërshtar. Njerëzit e tij nuk kishin pse të jetonin më si të arratisur. Për më tepër, besnikëria që kishin treguar, bëri që Davidi t’i trajtonte me respekt e mirënjohje.
Kur Davidi po bëhej gati të kthehej në Jerusalem, «galaditi Barzilai zbriti nga Rogelimi për të shkuar në Jordan bashkë me mbretin, që ta përcillte atë deri në Jordan». Atëherë, Davidi e ftoi Barzilain e moshuar: «Hajde matanë me mua dhe unë do të të siguroj ushqim pranë meje në Jerusalem.»—2 Samuelit 19:15, 31, 33.
Pa dyshim, Davidi e kishte vlerësuar jashtë mase ndihmën e Barzilait. Me sa duket, mbreti nuk donte thjesht t’i kthente favorin, duke i siguruar gjërat e nevojshme materiale, pasi Barzilai i pasur nuk kishte nevojë për atë lloj ndihme. Ndoshta Davidi e donte në oborrin mbretëror për shkak të cilësive të admirueshme që kishte ky i moshuar. Do të kishte qenë një nder për Barzilain të kishte atje një vend të përhershëm, pasi kështu do të gëzonte privilegjet e miqësisë me mbretin.
Modest dhe realist
Ja si iu përgjigj Barzilai ftesës së mbretit David: «Po edhe sa ditë jetë kam unë, që të ngjitem me mbretin në Jerusalem? Sot jam tetëdhjetë vjeç. A mund ta dalloj unë të mirën nga e keqja? A mund ta shijojë shërbëtori yt atë që ha dhe pi? A mund ta dëgjoj ende zërin e këngëtarëve e të këngëtareve?» (2 Samuelit 19:34, 35) Kështu, me respekt, Barzilai e refuzoi ftesën dhe këtë privilegj të shkëlqyer. Po përse?
Një arsye për këtë vendim të Barzilait mund të ketë qenë mosha e tij e shkuar dhe kufizimet që i sillte ajo. Ndoshta Barzilai e ndiente se nuk do të jetonte edhe shumë gjatë. (Psalmi 90:10) Kishte bërë ç’të mundte për të mbështetur Davidin, por i njihte edhe kufizimet që i sillte mosha e shkuar. Barzilai nuk lejoi që ta verbonte dëshira për prestigj dhe famë, aq sa të mos peshonte në mënyrë realiste aftësitë e veta. Ndryshe nga Absalomi ambicioz, Barzilai u tregua i mençur dhe modest.—Proverbat 11:2.
Një arsye tjetër për këtë vendim të Barzilait mund të ketë qenë dëshira që me kufizimet e tij të mos bëhej pengesë në asnjë mënyrë për veprimtarinë e mbretit të caktuar nga Perëndia. Barzilai pyeti: «Pse, pra, t’i bëhet ende barrë shërbëtori yt zotërisë tim, mbretit?» (2 Samuelit 19:35) Edhe pse vazhdonte ta mbështeste Davidin, Barzilai me sa duket mendonte se dikush më i ri se ai mund t’i kryente më me efektshmëri caktimet. Ndoshta duke treguar të birin, Barzilai tha: «Ja ku është shërbëtori yt, Kimhami. Le të kalojë ai me zotërinë tim, mbretin, dhe bëj me të si të të duket më mirë.» Davidi nuk u fye, por e pranoi këtë sugjerim. Në fakt, para se të kalonte Jordanin, Davidi «e puthi dhe e bekoi» Barzilain.—2 Samuelit 19:37-39.
Nevoja për drejtpeshim
Tregimi për Barzilain nxjerr në pah nevojën për drejtpeshim. Nga njëra anë, nuk duhet ta refuzojmë një privilegj shërbimi ose të mos punojmë për ta arritur, ngaqë duam një jetë të rehatshme ose nuk ndihemi të aftë për të mbajtur përgjegjësi. Perëndia mund t’i kompensojë mangësitë tona, nëse mbështetemi tek ai për të marrë forcë e mençuri.—Filipianëve 4:13; Jakovi 4:17; 1 Pjetrit 4:11.
Nga ana tjetër, duhet të pranojmë kufizimet tona. Për shembull, ndoshta një i krishterë tashmë është shumë i zënë me veprimtaritë frymore. Ai e kupton se, po të pranojë privilegje të tjera, do të rrezikojë të lërë pas dore përgjegjësi të tilla biblike, si plotësimi i nevojave frymore e materiale të familjes. Në një situatë të tillë, a nuk do të ishte shenjë modestie dhe arsyetueshmërie nga ana e tij të refuzonte privilegje të tjera për momentin?—Filipianëve 4:5; 1 Timoteut 5:8.
Barzilai na siguron një shembull të mirë për të cilin duhet të meditojmë. Ai ishte besnik, guximtar, bujar dhe modest. Mbi të gjitha, Barzilai ishte i vendosur të vinte interesat e Perëndisë para interesave të tij.—Mateu 6:33.
[Harta në faqen 15]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Barzilai 80-vjeçar bëri një udhëtim të lodhshëm për të ndihmuar Davidin
GALAAD
Rogelim
Sukot
Mahanaim
Lumi Jordan
Gilgal
Jeriko
Jerusalem
EFRAIM
[Figura në faqen 13]
Pse e refuzoi Barzilai ftesën e Davidit?