«Mençuria është mbrojtje»
«Mençuria është mbrojtje»
«OH, SA më mirë është të fitosh mençuri se ar! Është më mirë të zgjedhësh kuptueshmëri se argjend»,—thuhet te Proverbat 16:16. Pse ka kaq shumë vlerë mençuria? Sepse «mençuria është mbrojtje njëlloj siç është edhe paraja, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë». (Eklisiastiu 7:12) Si i ruan gjallë mençuria ata që e zotërojnë?
Të fitojmë mençurinë e Perëndisë, domethënë të marrim njohuri të saktë nga Fjala e Perëndisë, Bibla, dhe të veprojmë në përputhje me të, na ndihmon të ecim në rrugën që Jehovai e miraton. (Proverbat 2:10-12) Solomoni, mbret i Izraelit të lashtë, thotë: «Rruga e të drejtëve është të largohen nga e keqja. Kush e mbron udhën e tij, ruan shpirtin e vet.» (Proverbat 16:17) Po, mençuria i çliron nga udhët e këqija dhe i ruan gjallë ata që e zotërojnë. Thëniet e përmbledhura e të mençura të Proverbave 16:16-33 tregojnë efektin pozitiv që mund të ketë mençuria hyjnore në prirjen tonë të përgjithshme, në të folurit dhe në veprimet tona. *
‘Kini frymë të përulur’
Ja ç’thotë mençuria e personifikuar: «Lartësimin e vetes, krenarinë . . . i kam urryer.» (Proverbat 8:13) Krenaria dhe mençuria janë në dy skaje të kundërta. Ne duhet të veprojmë me mençuri e të ruhemi që të mos zhvillojmë tiparet e njeriut fodull ose arrogant. Duhet të jemi vigjilentë sidomos nëse kemi pasur sukses në ndonjë fushë të jetës ose na është besuar një përgjegjësi në kongregacionin e krishterë.
«Krenaria vjen para rrëzimit,—paralajmëron Proverbat 16:18,—dhe fryma e fodullëkut para pengimit.» Të mendojmë për rrëzimin më të madh që ka ndodhur në univers, domethënë rënien e një biri të përsosur frymor të Perëndisë, që pastaj u bë Satana Djall. (Zanafilla 3:1-5; Zbulesa 12:9) A nuk shfaqi ai një frymë fodulle para rrëzimit të tij? Bibla lë të kuptohet kjo, kur thotë se një njeri i sapokthyer në besim nuk duhet caktuar në detyrë mbikëqyrjeje në kongregacionin e krishterë, «se mos krekoset dhe bie në gjykimin e dhënë për Djallin». (1 Timoteut 3:1, 2, 6) Sa e rëndësishme është të ruhemi që të mos u ushqejmë krenarinë të tjerëve dhe as të mos e lejojmë të zhvillohet te ne!
«Më mirë të kesh frymë të përulur bashkë me zemërbutët, se të ndash plaçkën me ata që lartësojnë veten»,—thotë Proverbat 16:19. Kjo është një këshillë e mirë, dhe këtë e kuptojmë nga rasti i Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë. Me krenari ai ngriti në rrafshinën e Durës një shëmbëlltyrë të stërmadhe, që ka të ngjarë të paraqiste atë vetë. Ndoshta statuja ishte vendosur në një piedestal shumë të lartë, e kështu arrinte lartësinë 27 metra. (Danieli 3:1) Ky monument gjigant do të ishte një simbol mbresëlënës i perandorisë së Nabukodonosorit. Ndoshta njerëzve u lënë mbresa gjëra të tilla të larta e të stërmëdha—si ajo statujë ose si obeliskët, kullat dhe grataçelat,—por Perëndisë nuk i bëjnë përshtypje. Psalmisti këndoi: «Ti, o Jehova, je i lartë, e megjithatë i drejton sytë mbi të përulurit, kurse fodullët i njeh nga lart.» (Psalmi 138:6) Në fakt, «ajo që është e lartë për njerëzit, është e neveritshme në sytë e Perëndisë». (Luka 16:15) Për ne është më mirë ‘të na drejtojnë gjërat e thjeshta’, sesa ‘ta kemi mendjen te gjërat e mëdha’.—Romakëve 12:16.
Flitni me «gjykim të thellë» dhe «forcë bindëse»
Si ndikon në të folurit tonë mençuria që fitojmë? Mbreti i mençur na thotë: «Kush tregon gjykim të thellë në një çështje, do të gjejë mirë, dhe i lumtur është kush ka besim te Jehovai. Kush ka një zemër të mençur, do të quhet njeri me kuptueshmëri, dhe njeriu gojëmbël ka më shumë forcë bindëse. Gjykimi i thellë është burim jete për ata që e zotërojnë, dhe disiplina e të marrëve është marrëzi. Zemra e njeriut të mençur e bën gojën e tij të tregojë gjykim të thellë dhe u shton forcë bindëse buzëve të tij.»—Proverbat 16:20-23.
Mençuria na ndihmon të flasim me gjykim të thellë e me forcë bindëse. Përse? Sepse një njeri që ka zemër të mençur, përpiqet «të gjejë mirë» dhe «ka besim te Jehovai». Kur përpiqemi të gjejmë cilësitë e mira te të tjerët, ka më shumë mundësi të flasim mirë për ta. Të folurit tonë nuk do të jetë i ashpër ose polemizues, por i ëmbël dhe bindës. Gjykimi i thellë lidhur me rrethanat e të tjerëve na ndihmon të kuptojmë sa të rënda janë hallet e tyre dhe si po i përballojnë ato.
Është jetësore që të folurit tonë të ndikohet nga mençuria edhe në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve. Kur u mësojmë të tjerëve Fjalën e Perëndisë, nuk kemi si synim thjesht t’u përcjellim informacione biblike. Synimi ynë është t’u prekim zemrën njerëzve. Kjo kërkon që të flasim me forcë bindëse. Apostulli Pavël e nxiti Timoteun, shokun e tij, që të vazhdonte në gjërat për të cilat ‘ishte bindur t’i besonte’.—2 Timoteut 3:14, 15.
Jakovi 1:19) Duke e nxitur dëgjuesin tonë të shprehet dhe duke e dëgjuar me shumë vëmendje atë që thotë, mund të kuptojmë çfarë ka në zemër.
Sipas fjalorit të U. E. Vajnit (An Expository Dictionary of New Testament Words) fjala greke e përkthyer «bind» ka kuptimin «ia kthej mendjen duke përdorur arsyen ose arsyetimet morale». Që të paraqitim argumente bindëse të cilat e bëjnë dëgjuesin tonë të kthejë mendje, na duhet gjykim i thellë rreth mënyrës si mendon ai, rreth interesave, rrethanave dhe formimit të tij. Si ta fitojmë këtë gjykim të thellë? Dishepulli Jakov përgjigjet: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur.» (Apostulli Pavël kishte një aftësi të jashtëzakonshme për të bindur të tjerët. (Veprat 18:4) Madje edhe Dhimitri, një argjendar që ishte kundërshtar i tij, pranoi: «Ky Pavli ia mbushi mendjen një turme mjaft të madhe njerëzish, jo vetëm në Efes, por pothuaj në gjithë krahinën e Azisë, dhe ua ktheu mendjen.» (Veprat 19:26) A i mori meritat për vete Pavli për suksesin që kishte në veprën e predikimit? Aspak. Ai e konsideronte predikimin që bënte si «një demonstrim fryme dhe fuqie» të Perëndisë. (1 Korintasve 2:4, 5) Edhe ne kemi ndihmën e frymës së shenjtë të Jehovait. Ngaqë kemi besim te Jehovai, jemi të sigurt se do të na ndihmojë tek përpiqemi të flasim me gjykim të thellë e me forcë bindëse në shërbim.
Ja pse «kush ka një zemër të mençur» quhet njeri «me kuptueshmëri» ose «i matur»! (Proverbat 16:21, Diodati i Ri) Po, gjykimi i thellë është «burim jete» për ata që e kanë. Po të marrët? Ata «e përbuzin mençurinë dhe disiplinën». (Proverbat 1:7) Çfarë pasojash kanë ngaqë hedhin poshtë disiplinën e Jehovait? Siç u përmend edhe më lart, Solomoni thotë: «Disiplina e të marrëve është marrëzi.» (Proverbat 16:22) Kështu ata marrin disiplinë të mëtejshme, shpesh në formën e qortimit të rëndë. Të marrët mund t’i shkaktojnë vetes edhe vështirësi, turpërim, sëmundje, e ndoshta edhe një vdekje të parakohshme.
Duke treguar edhe më tej ndikimin e mirë që ka mençuria në të folurit tonë, mbreti i Izraelit thotë: «Fjalët e këndshme janë hoje mjalti, të ëmbla për shpirtin dhe shërim për kockat.» (Proverbat 16:24) Ashtu si mjalti që është i ëmbël dhe i siguron menjëherë lëndë ushqyese të uriturit, fjalët e këndshme janë inkurajuese dhe ndërtuese. Mjalti ka edhe veti kuruese e shëndetësore dhe i bën mirë njeriut. Po kështu janë edhe fjalët e këndshme; ato shërojnë frymësisht.—Proverbat 24:13, 14.
Ruhuni nga ‘udha që duket e drejtë’
Solomoni thotë: «Ka një udhë që njeriut i duket e drejtë, por vdekja është fundi i saj.» (Proverbat 16:25) Ky është një paralajmërim për sa u përket arsyetimeve të gabuara dhe ndjekjes së një rruge që është në kundërshtim me ligjin e Perëndisë. Ndoshta një udhë mund të duket e drejtë nga pikëpamja njerëzore, por në të vërtetë mund të jetë kundër parimeve të drejta të Fjalës së Perëndisë. Për më tepër, Satanai mund ta përkrahë këtë mashtrim, me qëllim që një njeri të nxitet t’i hyjë një rruge që beson se është e drejtë, kurse në fakt të çon në vdekje.
S’ka mbrojtje më të mirë ndaj vetëmashtrimit, sesa një zemër e mençur dhe e matur, si edhe një ndërgjegje e ndriçuar nga njohuria e Fjalës së Perëndisë. Kur duhen marrë vendime në jetë—në çështjet e moralit, të adhurimit a të diçkaje tjetër—mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga vetëmashtrimi është të udhëhiqemi nga normat e Perëndisë për të mirën dhe të keqen.
«Uria e bën punëtorin të punojë»
«Shpirti i punëtorit të palodhur është munduar për të,—vazhdon mbreti i mençur,—sepse goja e tij e ka shtyrë fort.» (Proverbat 16:26) Solomoni po thotë se dëshira e punëtorit për ushqim ‘mundohet për të’, sepse ‘e shtyn’ ose e motivon uria. Në përkthimin Simon Filipaj lexojmë: «Uria e bën punëtorin të punojë: është goja e tij që e shtyn.» Një dëshirë normale, siç është uria, mund të na motivojë që të jemi të frytshëm. Kjo lloj dëshire është e dobishme. Po sikur një dëshirë normale të bëhet kaq e fortë, sa të kthehet në lakmi? Pasojat janë të ngjashme me atë që ndodh kur një zjarr i vogël që ndizet për të gatuar, kthehet në një zjarr të madh që përpin gjithë pyllin. Lakmia është një dëshirë që del jashtë kontrollit dhe është shkatërrimtare. Duke kuptuar rrezikun, njeriu që është i mençur i mban nën kontroll edhe dëshirat e tij normale.
Mos ‘shkoni në udhën që nuk është e mirë’
Fjalët që nxjerrim nga goja mund të jenë po aq shkatërrimtare sa një zjarr i madh. Duke përshkruar pasojat rrënuese që vijnë kur kërkojmë të metat e të tjerëve dhe i trumbetojmë ato, Solomoni thotë: «Njeriu i pavlerë nxjerr atë që është e keqe, dhe në buzët e tij ka një zjarr që zhurit. Njeriu i intrigave ngjall grindje, dhe shpifësi ndan shokët e ngushtë.»—Proverbat 16:27, 28.
Njeriu që përpiqet t’i nxijë emrin e mirë një tjetri, është «i pavlerë». Ne duhet të përpiqemi të gjejmë të mirat te të tjerët dhe të themi gjëra që i bëjnë të respektuar në sytë e të gjithëve. Po për t’i dëgjuar, a duhet t’i dëgjojmë ata që përhapin thashetheme? Fjalët e tyre mund të krijojnë fare lehtë dyshime të pabaza, duke ndarë miqtë dhe duke krijuar përçarje në kongregacion. Mençuria do të na shtyjë që as të mos i dëgjojmë ato thashetheme.
Duke paralajmëruar për një forcë joshëse që mund ta bëjë dikë të ndjekë një rrugë të gabuar, Solomoni thotë: «Njeriu i dhunshëm do ta joshë të afërmin e tij dhe ka për ta bërë të shkojë në një udhë që s’është e mirë. Ai shkel syrin për të thurur intriga. Duke shtrënguar buzët e çon deri në fund të keqen.»—A mund t’i joshë dhuna edhe adhuruesit e vërtetë? Sot shumë njerëz janë joshur «për të thurur intriga». Ata nxitin ose kryejnë akte dhune. Ndoshta s’e kemi të vështirë të qëndrojmë larg ndaj pjesëmarrjes së tillë të drejtpërdrejtë në dhunë. Po nëse kjo joshje bëhet me metoda më tinëzare? A nuk janë joshur miliona njerëz që të kënaqen me zbavitje ose sporte që lartësojnë dhunën? Paralajmërimi i Biblës është i qartë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20) Sa shumë na mbron mençuria hyjnore!
Ç’mund të themi për njeriun që e ka kaluar gjithë jetën duke fituar mençuri e kuptueshmëri, dhe ‘nuk ka shkuar në udhën që s’është e mirë’? Një jetë e kaluar në udhën e drejtësisë është e bukur në sytë e Perëndisë dhe meriton respekt. «Flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë»,—thuhet te Proverbat 16:31.
Nga ana tjetër, zemërimi i pafre s’ka asgjë të bukur. Kaini, djali i parëlindur i Adamit dhe Evës, «u nxeh» me vëllanë e vet, Abelin, ‘e sulmoi dhe e vrau’. (Zanafilla 4:1, 2, 5, 8) Edhe pse ndonjëherë mund të ndihemi me të drejtë të zemëruar, duhet të ruhemi që të mos e lejojmë zemërimin të na dalë jashtë kontrollit. Proverbat 16:32 thotë qartë: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm, dhe kush e kontrollon frymën e tij, është më mirë se ai që merr një qytet.» Zemërimi i pafre nuk tregon as forcë, as virtyt. Është një dobësi që e bën dikë «të shkojë në një udhë që s’është e mirë».
Kur ‘çdo vendim është nga Jehovai’
Mbreti i Izraelit thotë: «Shorti hidhet në prehër, por çdo vendim me anë të tij është nga Jehovai.» (Proverbat 16:33) Në Izraelin e lashtë, nganjëherë Jehovai përdorte shortin për të bërë të ditur vullnetin e tij. Ky short hidhej me guralecë ose me pllaka të vogla druri a guri. Së pari, i bëhej thirrje Jehovait që të vendoste për një çështje. Pastaj hidheshin guralecët ose pllakat e vogla në palat e një veshjeje dhe nxirreshin prapë. Rezultati pranohej si të vinte nga Perëndia.
Jehovai nuk përdor më shortin për të informuar popullin e tij se ç’ka në mendje. Ai e ka zbuluar vullnetin e vet në Fjalën e tij, në Bibël. Njohuria e saktë për atë që thuhet në Bibël është thelbësore për të fituar mençurinë hyjnore. Prandaj nuk duhet të lëmë që të kalojë as edhe një ditë pa lexuar nga Shkrimet e frymëzuara.—Psalmi 1:1, 2; Mateu 4:4.
[Shënimi]
^ par. 3 Për trajtimin e Proverbave 16:1-15, shih faqet 17-20 të Kullës së Rojës, 15 maj 2007.
[Figura në faqen 8]
Pse mençuria është shumë më mirë se ari?
[Figura në faqen 9]
Si mund të flasësh me forcë bindëse kur je në shërbim?
[Figura në faqen 10]
«Njeriu i pavlerë nxjerr atë që është e keqe»
[Figura në faqen 11]
Zemërimi i pafre e bën dikë «të shkojë në një udhë që s’është e mirë»
[Figura në faqen 12]
Dhuna ka fuqinë të të bëjë për vete