Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Kush i korrte duajt e parë të elbit që silleshin në shenjtërore, meqë zyrtarisht korrja fillonte kur të gjithë meshkujt izraelitë po ndiqnin festën e kuleçve të ndormë?

Ligji i Moisiut i urdhëronte izraelitët: «Çdo mashkull i yti duhet të paraqitet para Jehovait, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë, tri herë në vit: në festën e kuleçve të ndormë, në festën e javëve e në festën e kasolleve.» (Ligji i përtërirë 16:16) Që nga koha e mbretit Solomon e më tej, vendi që kishte zgjedhur Perëndia ishte tempulli në Jerusalem.

E para nga këto festa mbahej në fillim të pranverës. Kjo ishte festa e kuleçve të ndormë, që niste ditën vijuese pas 14 nisanit kur mbahej Pashka dhe zgjaste shtatë ditë, deri më 21 nisan. Dita e dytë të festës, më 16 nisan, ishte fillimi i korrjes së parë të vitit, sipas kalendarit të shenjtë. Atë ditë, kryeprifti duhej të merrte «një nga duajt e korrjes së parë» të elbit dhe ta tundte «para Jehovait» në shenjtërore. (Levitiku 23:5-12) Kush i korrte këta duaj elbi, duke qenë se të gjithë meshkujve u kërkohej të ishin të pranishëm në festën e kuleçve të ndormë?

Urdhri për t’i paraqitur Jehovait duajt e parë të korrjes gjatë festës së kuleçve të ndormë, iu dha gjithë kombit. Nuk i kërkohej çdo individi që të niste të korrte dhe t’i sillte vetë duajt e parë në shenjtërore. Jo, kombi ishte urdhëruar ta bënte këtë me anë të një përfaqësuesi. Prandaj, duajt e elbit për festën e kuleçve të ndormë mund t’i korrte një delegacion i dërguar në një arë me elb aty afër. Duke komentuar për këtë, Encyclopaedia Judaica thotë: «Nëse elbi ishte pjekur, merrej nga arat pranë Jerusalemit; përndryshe mund të merrej kudo në Izrael. E korrnin tre burra, secili me draprin dhe koshin e vet.» Pastaj, një nga duajt e elbit i sillej kryepriftit, që ia paraqiste Jehovait.

Kërkesa për të paraqitur duajt e parë të korrjes u jepte izraelitëve një mundësi të shkëlqyer për t’i shprehur mirënjohjen Perëndisë që kishte bekuar tokën dhe të korrat. (Ligji i përtërirë 8:6-10) Por, përveç kësaj, ajo paraqitje ceremoniale ishte «një hije e gjërave të mira» që do të vinin. (Hebrenjve 10:1) Është domethënëse që Jezu Krishti u ringjall më 16 nisan të vitit 33 të e.s., ditën kur i paraqiteshin Jehovait duajt e parë të korrjes. Apostulli Pavël shkroi për Jezuin: «Krishti është ngritur nga të vdekurit, si fryti i parë i atyre që kanë rënë në gjumin e vdekjes. . . . Por secili sipas radhës: Krishti fryti i parë, pastaj, gjatë pranisë së Krishtit, ata që i përkasin atij.» (1 Korintasve 15:20-23) Duajt e parë të korrjes që kryeprifti i tundte para Jehovait paraqitnin Jezu Krishtin e ringjallur: të parin që u ringjall në jetën e përhershme. Kështu Jezui hapi rrugën që i gjithë njerëzimi të çlirohet nga mëkati e nga vdekja.

[Burimi i figurës në faqen 26]

© 2003 BiblePlaces.com