«Shko lahu në pellgun e Siloamit»
«Shko lahu në pellgun e Siloamit»
PASI Jezui mjekoi një të verbër me argjilë të butë, i tha: «Shko lahu në pellgun e Siloamit.» Burri veproi kështu dhe «kur u kthye, shikonte». (Gjoni 9:6, 7) Ku gjendej pellgu i Siloamit? Një zbulim arkeologjik i kohëve të fundit hedh dritë të re mbi vendndodhjen e tij.
Shumë turistë kanë vizituar një vend në Jerusalem të njohur si pellgu i Siloamit, duke menduar se është vërtet pellgu që përmendet te Gjoni 9:7. Vendi ndodhet në fund të tunelit të Hezekisë, një tunel ujor 530 metra i gjatë, i ndërtuar në shekullin e tetë p.e.s. Por, faktikisht, ky pellg është ndërtuar në shekullin e katërt të e.s. E ndërtuan «të krishterët» bizantinë, të cilët gabimisht mendonin se pellgu i përmendur në Ungjillin sipas Gjonit do të kishte qenë në fund të këtij tuneli.
Mirëpo, në vitin 2004, arkeologët gjetën një vend për të cilin nxorën përfundimin se ishte pellgu i Siloamit që ekzistonte në kohën kur ishte Jezui në tokë. Ky vend është rreth njëqind metra në juglindje të vendit që gabimisht mendohej se ishte pellgu i Siloamit. Si e zbuluan? Autoritetet e qytetit duhej të meremetonin një tubacion të ujërave të zeza në atë zonë, prandaj dërguan punëtorë me pajisje të rënda. Një arkeolog që po punonte aty pranë, po shihte punën e gërmimit kur vuri re dy shkallë. Puna u ndal dhe Komisioni Izraelit i Objekteve të Lashtësisë dha miratimin që në atë zonë të bëheshin
gërmime arkeologjike. Tashmë është nxjerrë në dritë njëra anë e pellgut, me gjatësi rreth 70 metra, si dhe dy cepa.Disa monedha që u gjetën gjatë gërmimeve, datojnë në vitin e dytë, të tretë e të katërt të kryengritjes judaike kundër Romës. Kjo kryengritje ndodhi mes viteve 66 dhe 70 të e.s. Monedhat dëshmojnë se pellgu ishte përdorur deri në vitin 70 të e.s., kur Jerusalemin e shkatërruan romakët. Revista Biblical Archaeology Review nxjerr si përfundim: «Pra, pellgu ishte përdorur deri në fund të kryengritjes dhe më pas ishte braktisur. Kjo zonë, që është zona më e ulët e Jerusalemit, mbeti e pabanuar deri në periudhën bizantine. Çdo vit, shirat e dimrit zbrisnin poshtë luginës dhe depozitonin nga një shtresë balte në pellg. Gjithashtu, pas shkatërrimit të qytetit nga romakët, pellgu nuk pastrohej më. Gjatë shekujve u grumbullua një shtresë e trashë balte dhe dalëngadalë pellgu u zhduk. Në disa vende, arkeologët e gjetën pusin të varrosur nën 3 metra baltë.»
Pse u intereson studentëve të sinqertë të Biblës vendndodhja e pellgut të Siloamit? Sepse kjo i ndihmon të kuptojnë më mirë gjeografinë e Jerusalemit të shekullit të parë, e cila përmendet shpesh në tregimet e Ungjijve që flasin për jetën dhe shërbimin e Jezuit.
[Figura në faqen 7]
Pellgu i Siloamit, i zbuluar së fundi
[Burimi]
© 2003 BiblePlaces.com