Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A je «i pasur në sytë e Perëndisë»?

A je «i pasur në sytë e Perëndisë»?

A je «i pasur në sytë e Perëndisë»?

«Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.»​—LUKA 12:21.

1, 2. (a) Për çfarë kanë qenë të gatshëm të bëjnë sakrifica të mëdha njerëzit? (b) Çfarë sfide dhe rreziku hasin të krishterët?

KËRKIMI I THESAREVE nuk është thjesht një lojë fëmijësh. Është edhe një ngjarje reale që përsëritet në shumë epoka dhe shoqëri. Në shekullin e 19-të, për shembull, ethet e arit në Australi, në Afrikën e Jugut, në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara, tërhoqën njerëz nga vende të largëta, të cilët ishin gati të linin shtëpinë dhe familjen në kërkim të pasurisë në vende të huaja e ndonjëherë jomikpritëse. Po, shumë njerëz janë gati të rrezikojnë e të bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme për të fituar pasuritë që u dëshiron zemra.

2 Edhe pse shumë njerëz sot nuk janë në kërkim të ndonjë thesari të mirëfilltë, gjithsesi u duhet të punojnë shumë për të siguruar jetesën. Në sistemin e tanishëm, kjo mund të jetë e vështirë, e lodhshme dhe sfilitëse. Fare lehtë mund të merakosemi kaq shumë për ushqimin, rrobat dhe shtëpinë, sa të lëmë pas dore ose edhe të harrojmë gjërat më të rëndësishme. (Romakëve 14:17) Jezui tregoi një ilustrim që e përshkroi me saktësi këtë prirje njerëzore. Ky ilustrim gjendet te Luka 12:16-21.

3. Tregoni shkurtimisht ilustrimin e Jezuit që gjendet te Luka 12:16-21.

3 Jezui e tregoi këtë ilustrim në të njëjtin rast kur paralajmëroi se duhet të ruhemi nga lakmia, për të cilën folëm disi me hollësi në artikullin e mëparshëm. Pasi paralajmëroi për lakminë, ai foli për një njeri të pasur që nuk ishte i kënaqur me depot e mbushura me të mira që tashmë kishte, por donte t’i shembte e të ndërtonte depo më të mëdha, që të grumbullonte më shumë gjëra të mira. Pikërisht kur po mendonte se ishte gati të çlodhej e të bënte një jetë të mirë, Perëndia i tha se jeta e tij do të mbaronte dhe të gjitha të mirat që kishte grumbulluar, do t’i kalonin dikujt tjetër. Pastaj Jezui shtoi këto fjalë përmbyllëse: «Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.» (Luka 12:21) Ç’mësim mund të nxjerrim nga ky ilustrim? Si ta zbatojmë në jetën tonë atë mësim?

Një njeri në dilemë

4. Ç’lloj njeriu paraqitet në ilustrimin e Jezuit?

4 Ilustrimi që tha Jezui është mjaft i njohur në shumë vende. Shohim se ai e nisi tregimin thjesht me këto fjalë: «Toka e një njeriu të pasur dha prodhime të mbara.» Jezui nuk tha se ai njeri e kishte fituar pasurinë me rrugë të paligjshme ose me mashtrime. Me fjalë të tjera, nuk e paraqiti si njeri të keq. Madje, nga ajo që tha Jezui, është e arsyeshme të mendojmë se njeriu i paraqitur në ilustrim kishte punuar fort. Të paktën mund të kuptohet se ishte njeri që mendonte dhe kursente për të ardhmen, ndoshta duke pasur parasysh mirëqenien e familjes së vet. Kështu, nga pikëpamja njerëzore, ai mund të konsiderohet një njeri punëtor që i merrte seriozisht detyrimet e tij.

5. Ç’problem has njeriu në ilustrimin e Jezuit?

5 Sidoqoftë, Jezui e quajti një njeri të pasur, domethënë dikush që tashmë zotëronte me bollëk gjëra materiale. Por, sipas përshkrimit, ai njeri i pasur kishte një problem. Toka e tij prodhoi shumë më tepër nga sa priste, shumë më tepër nga ç’i duhej ose nga sa mund të mbante. Ç’duhej të kishte bërë?

6. Me cilat vendime përballen shumë shërbëtorë të Perëndisë sot?

6 Shumë shërbëtorë të Jehovait sot hasin situata të ngjashme me atë të këtij njeriu të pasur. Të krishterët e vërtetë përpiqen të jenë punëtorë të ndershëm, të palodhur e të përgjegjshëm. (Kolosianëve 3:22, 23) Pavarësisht nëse janë të punësuar ose pronarë të një biznesi, ata shpesh kanë sukses e madje shkëlqejnë në punën e tyre. Kur pastaj u ofrohen ngritje në përgjegjësi ose mundësi të reja biznesi, gjenden përballë një vendimi. A duhet të ngjiten një shkallë më lart ose të bëjnë më shumë para? Po kështu, shumë të rinj Dëshmitarë dalin shkëlqyeshëm në mësime. Prandaj mund t’u ofrohen çmime ose bursa studimi për të vazhduar arsimin e lartë në shkolla me emër. A duhet thjesht të ndjekin rrugën që ndjek zakonisht shumica e njerëzve dhe të pranojnë atë që u ofrohet?

7. Si e zgjidhi problemin njeriu në ilustrimin e Jezuit?

7 Por le të kthehemi te ilustrimi i Jezuit. Ç’bëri njeriu i pasur kur toka e tij prodhoi aq shumë, sa s’kishte ku t’i shtinte të korrat? Vendosi të shembte depot që kishte dhe të ndërtonte disa më të mëdha, për të futur gjithë grurin dhe të mirat që kishte. Me sa duket, ky plan i dha një ndjenjë kaq të madhe sigurie e kënaqësie, saqë mendoi me vete: «Do t’i them shpirtit: ‘Shpirt, ti ke mbledhur shumë të mira që do të të mjaftojnë për shumë vjet. Prandaj rehatohu, ha, pi dhe gëzohu.’»​—Luka 12:19.

Pse u quajt «i paarsyeshëm»?

8. Cilin element jetësor nuk kishte përfshirë në planin e tij njeriu në ilustrimin e Jezuit?

8 Por, siç tregoi Jezui, ndjenja e sigurisë që i dha atij njeriu të pasur plani që bëri, ishte e rreme. Sado praktik të dukej, ai plan nuk përfshinte një element jetësor: vullnetin e Perëndisë. Ai njeri po mendonte vetëm për veten, si të rehatohej, të hante, të pinte e të gëzonte. Mendonte se, ngaqë kishte «shumë të mira», do të kishte rrjedhimisht edhe «shumë vjet». Por, mjerisht, gjërat nuk shkuan ashtu për të. Tamam siç kishte thënë pak më parë Jezui, «edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron». (Luka 12:15) Po atë natë, gjithçka për të cilën kishte punuar ai njeri mori fund papritur, sepse Perëndia i tha: «Njeri i paarsyeshëm, sonte do të kërkojnë shpirtin tënd. Të kujt do të jenë, atëherë, gjërat që grumbullove?»​—Luka 12:20.

9. Pse u quajt i paarsyeshëm njeriu në ilustrim?

9 Këtu jemi në pikën kyçe të ilustrimit të Jezuit. Perëndia e quajti të paarsyeshëm atë njeri të pasur. Një fjalor (Exegetical Dictionary of the New Testament) shpjegon se trajtat e fjalës greke të përdorur këtu, «nënkuptojnë gjithnjë një mungesë kuptueshmërie». Fjalori shpjegon se në këtë ilustrim, Perëndia paraqitet duke përdorur këtë fjalë për të nxjerrë në shesh «sa të pakuptimta ishin planet e atij të pasuri për të ardhmen». Fjala nuk i referohet një njeriu që s’është i zgjuar, por «një njeriu që nuk do ta pranojë se varet nga Perëndia». Përshkrimi që i bëri Jezui atij njeriu të pasur na sjell ndër mend atë që ai u tha më vonë të krishterëve në kongregacionin e shekullit të parë në Laodice, në Azinë e Vogël: «Ti thua: ‘Jam i pasur, kam bërë pasuri e s’kam nevojë për asgjë.’ Por nuk e di që je i mjerë, i ngratë, i varfër, i verbër e lakuriq.»​—Zbulesa 3:17.

10. Pse pasja e ‘shumë të mirave’ nuk është garanci se do të jetojmë «shumë vjet»?

10 Mësimi që nxjerrim nga ky ilustrim duhet të ndikojë thellë te ne. A mund të ndodhë që të jemi si njeriu në ilustrim, pra të punojmë shumë fort për t’u siguruar që të kemi «shumë të mira», e megjithatë të mos bëjmë ç’është e nevojshme për të shpresuar se do të jetojmë «shumë vjet»? (Gjoni 3:16; 17:3) Bibla thotë se «gjërat me vlerë nuk kanë asnjë dobi ditën e furisë» dhe «kush beson në pasuritë e tij, do të bjerë». (Proverbat 11:4, 28) Prandaj, Jezui e mbaroi ilustrimin me këtë paralajmërim të fundit: «Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.»​—Luka 12:21.

11. Pse është e kotë të varësh shpresat dhe sigurinë te zotërimet materiale?

11 Kur tha ‘kështu ndodh’, Jezui po theksonte se ajo që i ndodhi të pasurit në ilustrim do t’u ndodhë edhe atyre që e bazojnë jetën e tyre, domethënë shpresën dhe sigurinë, vetëm te zotërimet materiale. Gabimi nuk qëndron te ‘grumbullimi i thesareve për vete’, por te fakti që dikush «nuk është i pasur në sytë e Perëndisë». Dishepulli Jakov dha një paralajmërim të ngjashëm, kur shkroi: «Ejani tani, ju që thoni: ‘Sot ose nesër do të marrim udhën për në këtë qytet. Do të kalojmë atje një vit, do të merremi me tregti e do të nxjerrim fitime’, ndërkohë që nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj.» Atëherë, çfarë duhej të bënin? «Përkundrazi, duhet të thoni: ‘Në dashtë Jehovai, do të jetojmë e do të bëjmë këtë ose atë.’» (Jakovi 4:13-15) Sado i pasur të jetë një njeri e sado zotërime të ketë, që të gjitha do të jenë të padobishme nëse nuk është i pasur në sytë e Perëndisë. Po çfarë do të thotë të jesh i pasur në sytë e Perëndisë?

Të jemi të pasur në sytë e Perëndisë

12. Çfarë do të na bëjë të pasur në sytë e Perëndisë?

12 Në këtë pohim të Jezuit, të jesh i pasur në sytë e Perëndisë vihet në kontrast me grumbullimin e thesareve materiale për vete ose me pasurimin. Kështu, Jezui po thoshte se gjëja më e rëndësishme për ne nuk duhet të jetë grumbullimi i pasurisë ose si të gëzojmë atë që mund të kemi. Përkundrazi, ato që kemi duhet t’i përdorim në mënyrë të tillë që të pasurojmë ose të forcojmë marrëdhënien tonë me Jehovain. Kjo, me siguri, do të na bëjë të pasur në sytë e Perëndisë. Përse? Sepse na hap derën për të pasur shumë bekime prej tij. Bibla na thotë: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.»​—Proverbat 10:22.

13. Si «të bën të pasur» bekimi i Jehovait?

13 Kur e bekon popullin e tij, Jehovai gjithnjë u jep më të mirën. (Jakovi 1:17) Për shembull, vendi që u dha izraelitëve për të banuar ishte ‘një vend ku rridhte qumësht e mjaltë’. Edhe pse ky përshkrim ishte bërë edhe për vendin e Egjiptit, ai vend që u dha Jehovai izraelitëve ndryshonte të paktën në një drejtim të rëndësishëm. Siç i tha Moisiu Izraelit, ishte «një vend për të cilin kujdeset Jehovai, Perëndia yt». Me fjalë të tjera, do të kishin begati sepse për ta do të kujdesej Jehovai. Për aq kohë sa i qëndruan besnikë Jehovait, izraelitët u bekuan jashtë mase prej tij dhe patën një jetë shumë më të mirë se kombet përreth tyre. Po, bekimi i Jehovait «të bën të pasur»!​—Numrat 16:13; Ligji i përtërirë 4:5-8; 11:8-15.

14. Çfarë provojnë ata që janë të pasur në sytë e Perëndisë?

14 Vini re shprehjen «i pasur në sytë e Perëndisë». Ata që janë të pasur nga ana materiale, zakonisht merakosen se si do të duken në sytë e të tjerëve. Shpesh kjo pasqyrohet në mënyrën si jetojnë. Duan t’u bëjnë përshtypje të tjerëve me atë që Bibla e quan «kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale». (1 Gjonit 2:16) Ndryshe nga ata, kush është i pasur në sytë e Perëndisë ka me shumicë miratimin, favorin dhe dashamirësinë e tij të pamerituar, si dhe një marrëdhënie të ngushtë e të përzemërt me të. Kjo gjendje e vyer, patjetër që i jep një ndjenjë mirëqenieje dhe sigurie, shumë më tepër nga ç’mund të japë pasuria. (Isaia 40:11) Por, mbetet pyetja: Çfarë duhet të bëjmë që të jemi të pasur në sytë e Perëndisë?

Si të jemi të pasur në sytë e Perëndisë?

15. Ç’duhet të bëjmë që të jemi të pasur në sytë e Perëndisë?

15 Në ilustrimin e Jezuit, njeriu i pasur planifikoi dhe punoi pa u lodhur vetëm për t’u pasuruar edhe më tepër, dhe u quajt i paarsyeshëm. Prandaj, që të jemi të pasur në sytë e Perëndisë, ne duhet të punojmë pa u lodhur dhe të marrim pjesë plotësisht në veprimtari që janë vërtet të rëndësishme dhe që kanë vlerë në sytë e Perëndisë. Ndër to është ajo që urdhëroi Jezui: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mateu 28:19) Përdorimi i kohës, energjive dhe talenteve jo për të përmirësuar jetën personale, por për të predikuar Mbretërinë dhe për të bërë dishepuj, mund të krahasohet me një investim. Ata që kanë vepruar kështu, kanë pasur shumë përfitime në kuptimin frymor, siç e tregojnë përvojat vijuese.​—Proverbat 19:17.

16, 17. Ç’përvojë mund të tregoni për të theksuar se cila mënyrë jetese të bën të pasur në sytë e Perëndisë?

16 Të shqyrtojmë rastin e një të krishteri në një vend të Lindjes. Ai punonte si teknik kompjuterësh dhe paguhej mirë. Por puna i zinte pothuajse të gjithë kohën dhe i shkaktonte një ndjenjë boshllëku frymor. Së fundi, në vend që të bënte karrierë, ai e la atë punë dhe nisi të bënte akullore e ta shiste në rrugë me qëllim që të kishte më shumë kohë për t’u kujdesur për nevojat dhe përgjegjësitë e tij frymore. Ish-kolegët e tallnin, por cili ishte përfundimi? «Në fakt, nga ana financiare isha më mirë se kur punoja me kompjuterët,—tha ai.—Ajo punë më bëri më të lumtur, sepse nuk e kisha më stresin dhe shqetësimin e punës së mëparshme. Por, më e rëndësishmja, tani ndihem më afër Jehovait.» Falë këtij ndryshimi, ky i krishterë filloi shërbimin e plotkohor dhe tani shërben në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në vendin e tij. Bekimi i Jehovait vërtet «të bën të pasur».

17 Një shembull tjetër është ai i një gruaje që u rrit në një familje ku arsimimi vlerësohej shumë. Ajo ndoqi disa universitete në Francë, Meksikë e Zvicër dhe kishte përpara një karrierë premtuese. «Suksesi më buzëqeshte, prestigji dhe nderi më shoqëronin,—tha ajo,—por përbrenda ndihesha bosh, kisha një pakënaqësi të thellë.» Pastaj mësoi për Jehovain. Ajo tha: «Ndërsa përparoja frymësisht, dëshira për t’i pëlqyer Jehovait dhe për t’i kthyer sadopak nga ajo që më kishte dhënë, më ndihmoi ta shihja qartë rrugën që duhej të merrja: të shërbeja në kohë të plotë.» Dha dorëheqjen nga puna dhe shumë shpejt u pagëzua. Tashmë janë 20 vjet që shërben e lumtur në kohë të plotë. «Disa mendojnë se e kam çuar dëm talentin tim,—tregon ajo,—por, gjithsesi, e pranojnë se jam e lumtur dhe admirojnë parimet sipas të cilave jetoj. Çdo ditë i lutem Jehovait të më ndihmojë të jem e përulur, që të kem gjithnjë miratimin e tij.»

18. Si mund të jemi të pasur në sytë e Perëndisë, ashtu si Pavli?

18 Sauli, i cili u bë apostulli Pavël, kishte përpara një karrierë premtuese. Megjithatë, më vonë shkroi: «Çdo gjë e kam braktisur me dëshirë për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim.» (Filipianëve 3:7, 8) Për Pavlin, pasuria që fitoi me anë të Krishtit ishte shumë më e madhe se çdo gjë që mund të ofronte bota. Po kështu, duke hequr dorë nga ambiciet egoiste e duke bërë një jetë me përkushtim hyjnor, edhe ne mund të bëjmë një jetë të pasur në sytë e Perëndisë. Fjala e Perëndisë na siguron: «Fryti i përulësisë dhe frika nga Jehovai është pasuri, lavdi dhe jetë.»​—Proverbat 22:4.

A mund të shpjegoni?

• Ç’problem kishte njeriu i pasur në ilustrimin e Jezuit?

• Pse u quajt i paarsyeshëm njeriu në ilustrim?

• Çfarë do të thotë të jesh i pasur në sytë e Perëndisë?

• Si mund të bëhemi të pasur në sytë e Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Pse u quajt i paarsyeshëm njeriu i pasur?

[Figura në faqen 27]

Si mund të kthehen në sprovë mundësitë për të bërë përpara?

[Figura në faqet 28, 29]

«Bekimi i Jehovait të bën të pasur»