Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A na vëren Perëndia?

A na vëren Perëndia?

A na vëren Perëndia?

A E KA Jehovai, Krijuesi i Madh, aftësinë për të parë? Natyrisht që po! Bibla arsyeton thjesht: «Ai që bëri syrin, vallë nuk mund të shikojë?» (Psalmi 94:9) Shikimi i njeriut as nuk krahasohet me shikimin e Jehovait. Ai nuk sheh vetëm pamjen e jashtme, por edhe «shqyrton zemrat» e «vlerëson zemrat». (Proverbat 17:3; 21:2) Po, ai ka aftësinë të vlerësojë mendimet, motivet dhe dëshirat tona më të thella.

Jehovai i di vështirësitë që mund të hasim në jetë dhe u përgjigjet lutjeve tona. Psalmisti shkroi: «Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë. Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:15, 18) Sa na ngushëllon fakti që Jehovai i kupton rrethanat tona dhe u përgjigjet përgjërimeve që i bëjmë nga zemra!

Perëndia Jehova i di edhe gjërat që bëhen në errësirë e në fshehtësi. Po, «të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari». (Hebrenjve 4:13) Pra, të mira a të këqija qofshin veprimet tona, Perëndia i vëren që të gjitha. (Proverbat 15:3) Për shembull, te Zanafilla 6:8, 9 thuhet se «Noeja gjeti hir në sytë e Jehovait» dhe se «eci me Perëndinë e vërtetë». Noeja fitoi miratimin dhe bekimin e Jehovait sepse bindej gjithnjë dhe mbështeste normat e drejta të Perëndisë. (Zanafilla 6:22) Ndryshe nga ai, njerëzit e tjerë në ditët e Noesë ishin të dhunshëm e të degjeneruar. Perëndia nuk i mbylli sytë para kësaj situate. Ai «pa që e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën». Në fund, Jehovai shkatërroi të ligjtë, por mbajti gjallë Noenë dhe familjen e tij.​—Zanafilla 6:5; 7:23.

A do të të shohë edhe ty me sy të mirë Jehovai? E vërteta është se «sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij». (2 Kronikave 16:9) Së shpejti, ai do t’i heqë përsëri nga toka gjithë të ligjtë dhe do të çlirojë ata që janë me zemër të butë.​—Psalmi 37:10, 11.