Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besimi i një nëne triumfon mbi tragjedinë

Besimi i një nëne triumfon mbi tragjedinë

Besimi i një nëne triumfon mbi tragjedinë

«Në qoftë se po lexoni këtë letër, do të thotë se nuk e kam kaluar me sukses operacionin dhe nuk jam më me ju.»

KËTO ishin fjalët e para të një letre që shkroi Karmeni, një nënë e krishterë, për tri vajzat e saj me moshë 25, 19 dhe 16 vjeçe. Në fakt, operacioni nuk shkoi mirë dhe, mjerisht, Karmeni vdiq.

Të lësh pas tri vajza në këto rrethana të trishtueshme, të copëton zemrën. Megjithatë, besimi i fortë i kësaj nëne te Jehovai dhe te premtimet e tij, triumfoi mbi këtë tragjedi, sepse i dha paqen e brendshme që dallohet qartë në letrën e saj prekëse. Ja se çfarë u thoshte të bijave.

«Para së gjithash, dua t’ju them se ju dua me gjithë zemrën time. . . . Jeni vajzat më të mira që mund të ketë një nënë dhe jam shumë krenare për ju.

Do të doja të jetoja bashkë me ju derisa të vinte bota e re e premtuar nga Perëndia . . . , por meqë kjo s’është e mundur, i kam kërkuar që t’ju ndihmojë të jeni besnike, siç keni qenë deri tani. Kemi kaluar shumë sprova së bashku dhe Jehovai kurrë nuk na ka braktisur. . . . Prandaj, vazhdoni të keni besim tek udhëheqja që ai siguron nëpërmjet organizatës së tij e të mbështetni kongregacionin dhe pleqtë. Predikoni sa më shpesh të mundeni dhe duajini të gjithë vëllezërit e motrat.

Ndarja jonë do të jetë veç e përkohshme. . . . Ju kërkoj falje për të gjitha gabimet që kam bërë dhe për të gjitha rastet kur nuk ju kam kuptuar ose nuk jua kam thënë sa shumë ju dua. . . . E di që secila nga ju ka nevojat e veta. Jehovai e di këtë më mirë se ju, dhe do t’ju sigurojë gjithçka që ju nevojitet e do t’ju shpërblejë për gjithçka që keni përballuar.

Mos e harroni kurrë synimin tuaj: jetën në botën e re. Vazhdoni të përpiqeni që ta arrini. Jehovai ju bekoftë e ju forcoftë që të qëndroni besnike deri në fund. . . . Mos u trishtoni për mua, vajzat e mia të shtrenjta. Ju dua shumë!»

Tragjedia mund t’i bjerë papritur kujtdo. «Të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara»,—shkroi Solomoni, një mbret i lashtë. (Eklisiastiu 9:11) Por ata që kanë besim të fortë te Perëndia, mund të kenë të njëjtën siguri si apostulli Pavël, i cili tha: «Jam i bindur që as vdekja, as jeta . . . as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»​—Romakëve 8:38, 39; Hebrenjve 6:10.