Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dy «mrekulli» në një kongres në Gjeorgji

Dy «mrekulli» në një kongres në Gjeorgji

Dy «mrekulli» në një kongres në Gjeorgji

NË VITIN 2006, në Gjeorgji, ndodhi një ngjarje e paharrueshme që u karakterizua nga dy «mrekulli». Për tri ditë, nga datat 7 deri 9 korrik, u mbajt në gjashtë qytete anembanë vendit, Kongresi Krahinor «Çlirimi është afër!». Ishte një banket frymor, të cilin e gëzuan më shumë se 17.000 të pranishëm.

Në janar të vitit 2006 kishin nisur përpjekjet për të gjetur një vend të përshtatshëm për mijëra veta, në qytetin kryesor ku ishte planifikuar kongresi, në Tbilis, që është edhe kryeqyteti i Gjeorgjisë. Vendet e tjera të kongresit do të lidheshin me linjë telefonike.

Këto vitet e fundit, në Gjeorgji ka pasur një rritje graduale të lirisë së adhurimit. Kështu, edhe pse në të kaluarën kishin hasur kundërshtime nga shumë anë, Dëshmitarët vazhduan përpara, të bindur se do të gjenin një vend në kryeqytet për të mbajtur kongresin. Nga natyra, populli gjeorgjian është shumë i përzemërt dhe mikpritës. Por, disa zyrtarë kanë paragjykime të thella fetare. A do t’i mposhtnin ata ndjenjat e tyre dhe t’i lejonin Dëshmitarët që të merrnin me qira një ndërtesë?

Vëllezërit e Komitetit të Kongresit panë stadiume të ndryshme dhe pallate sporti të mëdha. Administratorët u premtonin se mund t’i përdornin ndërtesat, por kur vëllezërit u kërkonin një datë specifike për ta marrë me qira, ata nuk pranonin. Prandaj, vëllezërit e komitetit u habitën kur administrata e Filarmonisë së Tbilisit pranoi t’ua jepte me qira ndërtesën Dëshmitarëve të Jehovait. Salla e koncerteve ndodhet në qendër të qytetit, ku zhvillohen shumë nga ngjarjet më prestigjoze.

Duke marrë zemër nga suksesi i përpjekjeve të tyre, komiteti nisi të organizonte kongresin e Tbilisit dhe kongreset në qytete të ndryshme anembanë vendit, si në Tsnori, Kutaisi, Zugdidi, Kaspi dhe Gori. U punua shumë për t’i lidhur vendet e këtyre kongreseve me linjë telefonike, në mënyrë që programi të zhvillohej njëkohësisht. Çdo gjë ishte gati. Pastaj, papritur, vetëm një javë para se të fillonte kongresi, administrata e Filarmonisë së Tbilisit e anuloi kontratën pa dhënë asnjë shpjegim për këtë.

«Mrekullia» e parë

Ç’mund të bënin vëllezërit me kaq pak kohë që kishte mbetur? E vetmja zgjidhje ishte Marneuli, një qytezë bujqësore 40 kilometra larg Tbilisit. Ishin mbajtur shumë kongrese atje, në pronën e një familjeje Dëshmitarësh të Jehovait. Më parë vendi kishte qenë një kopsht i madh. Për dhjetë vitet e kaluara, ka qenë i vetmi vend që kongregacionet në Tbilis mund të përdornin për kongreset. Por, nga ana tjetër, pikërisht në Marneuli Dëshmitarët e Jehovait janë sulmuar egërsisht nga turma njerëzish.

Një nga këto incidente kishte ndodhur më 16 shtator 2000. Policia e qytetit të Marneulit ngriti postblloqe për t’i penguar Dëshmitarët që të shkonin në vendin e kongresit. Pastaj erdhën disa autobusë plot me rrugaçë të udhëhequr nga Vasili Mkalavishvili, një prift ortodoks i zhveshur nga rroba priftërore. Ata i ndalën makinat dhe autobusët e nisur për në kongresin në Marneuli, nxorën me dhunë disa delegatë nga automjetet dhe i rrahën pa mëshirë, kurse pasagjerëve të tjerë u grabitën gjithë ç’kishin, përfshirë edhe Biblën e literaturën biblike.

Edhe vendin e kongresit në Marneuli e sulmoi një turmë me rreth 60 veta. Në atë rast u plagosën rreth 40 Dëshmitarë. Një vëllai i ngulën thikën në kraharor. Disa nga sulmuesit mbanin në duar armë gjahu me tyta të shkurtuara, me të cilat qëllonin në ajër si të tërbuar. Njëri prej tyre ia drejtoi armën pronares së vendit të kongresit dhe i kërkoi para e bizhuteri. Turma i grabiti asaj shtëpinë, që ndodhej në njërin cep të vendit dhe i vodhi gjithë gjërat me vlerë. Pasi thyen gjithë xhamat e dritareve të shtëpisë, dogjën literaturën biblike dhe stolat që ishin bërë posaçërisht për kongresin. U shkatërrua një ton e gjysmë literaturë. Policia që ndodhej atje, në vend që ta ndalte këtë krim, mori pjesë në dhunën kundër Dëshmitarëve. *

Komiteti i Kongresit duhej të mendonte jo vetëm për rrezikun e dhunës, por edhe se si t’i vendosnin 5.000 veta në një zonë që normalisht mban rreth 2.500 veta. Si të zgjidhej ky problem brenda një kohe kaq të shkurtër? U duk si një mrekulli kur pronarët e dy pronave ngjitur me vendin e kongresit, propozuan të lëshonin me qira kopshtet e tyre.

T’i ktheje ato kopshte në një vend të përshtatshëm për kongresin ishte një sfidë e madhe. Moti ua vështirësoi shumë gjërat vëllezërve, sepse ra shi gjithë javën para kongresit. Kopshtet e fqinjëve ishin mbjellë me patate, të cilat duheshin shkulur. Së pari, vullnetarët u mblodhën nën shiun që binte me gjyma, për të nxjerrë patatet nga toka. Pastaj hoqën gardhet dhe ngritën struktura për t’i siguruar auditorit mbrojtje nga dielli e nga shiu. Duheshin bërë stola druri të tjerë dhe duhej instaluar edhe atje impianti akustik. Vullnetarët punuan natë e ditë, disa pa vënë gjumë në sy, me sharra, çekiçë dhe trapano.

Të gjithë pyesnin: «Po sikur shiu të vazhdojë edhe gjatë kongresit? A do të zhyten në baltë delegatët?» U ble kashtë për ta shtruar mbi tokën e lagur, por, më në fund, doli dielli! Të tria ditët e kongresit, shndriti një diell i ngrohtë e i bukur.

Kur delegatët mbërritën, pamja që panë ishte e mrekullueshme. Panorama e qetë e fshatit dukej si një pamje paraprake e botës së re. Delegatët ishin ulur rehat dhe përreth kishin pemë fiku e pemë të tjera frutore, si dhe fusha me misër e domate. Pjesën e prapme të podiumit e zbukuronin hardhi me rrush. Nganjëherë, gjatë programit, të pranishmit dëgjonin gjelat që këndonin dhe pulat që kakarisnin ndërsa u mblidhnin vezët. Kishte edhe zhurma të tjera tipike të fshatit, por për të pranishmit, ato ishin thjesht një serenatë e lezetshme. Dëgjuesit nuk u shpërqendruan, madje as i vunë re ato zhurma, sepse e kishin mendjen te programi i shkëlqyer, i bazuar në Bibël. Gjithsesi, këto nuk ishin të vetmet çaste të paharrueshme të këtij kongresi.

«Mrekullia» e dytë

Ditën e premte, në fund të sesionit të paradites, delegatët u habitën jashtë mase kur Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, njoftoi se doli botimi i plotë në gjuhën gjeorgjiane Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. * Të mrekulluar nga kjo, shumë vetave iu mbushën sytë me lot. Një familje tha tërë entuziazëm: «Nuk reshtim dot së shprehuri mirënjohjen tonë për këtë mrekulli nga Jehovai. Një punë kaq kolosale për një kohë kaq të shkurtër!»

Një motër nga qyteti i Talenjikës, e cila e kishte dëgjuar programin me telefon, u përgjigj: «Nuk e shpreh dot me fjalë gëzimin që ndjeva kur morëm Biblën e plotë. Dua t’ju falënderoj për këtë kongres të mrekullueshëm treditor. Ishte vërtet një ngjarje historike.» Në një kongregacion që ndodhet në Gjeorgjinë Perëndimore në kufi me Detin e Zi, një familje tha: «Deri tani, në familje kishim vetëm një Bibël, por tani që të katër kemi nga një kopje të Përkthimit Bota e Re. Kështu secili prej nesh mund ta studiojë vetë Biblën.»

Por, prapa skene jo gjithçka kishte shkuar vaj. Për shembull, edhe pse botimi i plotë Përkthimi Bota e Re ishte shtypur e ishte dërguar në Gjeorgji tamam në kohë për kongresin, nëpunësit e doganës nuk donin ta lejonin këtë dërgesë që të kalonte kufirin. Vëllezërit apeluan në zyrën e avokatit të popullit. Ky avokat arriti të siguronte zhdoganimin e Biblave në çastin e duhur për kongresin krahinor. Madje, dërgoi asistentin e tij në kongresin e Marneulit për të marrë disa kopje të Biblës së re për zyrën e tyre.

Përshëndetje e përzemërt në stilin gjeorgjian

Kongresi krahinor i Marneulit ishte i paharrueshëm për Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji edhe për një arsye tjetër. Aty ishte i pranishëm edhe një anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Të gjithë të pranishmit ishin kaq të drithëruar nga kjo, sa donin ta përshëndetnin personalisht në stilin e tyre të përzemërt tradicional. Vëlla Xheksonit iu desh të rrinte në këmbë për orë të tëra e të përshëndeste vëllezërit e motrat para, gjatë dhe pas kongresit, por ai e bëri këtë me kënaqësi.

Në vitin 1903, në përfundim të një kongresi, një vëlla kishte thënë: «Nuk do t’i këmbeja as me një mijë dollarë ato që kam përfituar nga ky kongres, edhe pse s’jam veçse një njeri i varfër.» Më shumë se një shekull më vonë, pikërisht këto do të ishin ndjenjat e Dëshmitarëve që ndoqën kongreset e paharrueshme në verën e vitit 2006, në Gjeorgji.

[Shënimet]

^ par. 10 Për hollësi të mëtejshme lidhur me përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjeorgji, shih Zgjohuni!, 22 janar 2002, faqet 18-24.

^ par. 16 Shkrimet e Krishtere Greke, Përkthimi Bota e Re, në gjuhën gjeorgjiane kishte dalë në vitin 2004.

[Kutia në faqen 19]

«I vogli» është rritur

Në Gjeorgji janë plotësuar fjalët e Isaisë 60:22: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm. Unë, Jehovai, do ta përshpejtoj këtë gjë në kohën e vet.» Në më pak se 20 vjet, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë në Gjeorgji është rritur nga më pak se 100 në rreth 16.000. Këta shërbëtorë të zellshëm të Fjalës së Perëndisë po drejtojnë rreth 8.000 studime biblike çdo javë, një potencial i mrekullueshëm për rritje të mëtejshme në Gjeorgji.

[Diagrami dhe hartat në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

FEDERATA RUSE

GJEORGJI

⇨ Zugdidi

⇨ Kutaisi

Marneuli ⇨ Gori

⇨ Kaspi

⇨ Tsnori

TBILIS

TURQI

ARMENI

AZERBAJXHAN

[Burimi]

Globi: Bazuar në NASA/​Visible Earth imagery

[Figura në faqen 16]

Statujë në Tbilis

[Figurat në faqen 17]

Pesë vende të tjera ishin lidhur me linjë telefonike me kongresin në Marneuli

[Figurat në faqen 18]

Delegatët u habitën dhe u kënaqën pa masë kur doli si botim i plotë në gjuhën gjeorgjiane «Përkthimi Bota e Re»