Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Ezekielit​—II

Pika kryesore nga libri i Ezekielit​—II

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Ezekielit​—II

ËSHTË dhjetori i vitit 609 p.e.s. Mbreti i Babilonisë ka nisur rrethimin e fundit të Jerusalemit. Deri në këtë moment, mesazhi i Ezekielit për të mërguarit në Babiloni ka qenë i përqendruar në një temë: në rënien dhe shkatërrimin e qytetit të tyre të dashur, Jerusalemit. Kurse tani, tema e profecive të Ezekielit ndryshon dhe përqendrohet në fundin e zymtë të kombeve pagane, të cilat do të gëzonin kur të shihnin gjëmën e popullit të Perëndisë. Kur Jerusalemi bie 18 muaj më vonë, mesazhi i Ezekielit ndryshon përsëri dhe ka një temë të re: rivendosjen e lavdishme të adhurimit të vërtetë.

Ezekieli 25:1–48:35 përmban profeci për kombet përreth Izraelit dhe për çlirimin e popullit të Perëndisë. * Gjithë tregimi shtjellohet sipas kronologjisë dhe sipas temave, përveç Ezekielit 29:17-20, katër vargje që janë vendosur vetëm sipas temës. Duke qenë pjesë e Shkrimeve të frymëzuara, libri i Ezekielit ka një mesazh që është ‘i gjallë dhe ushtron fuqi’.​—Hebrenjve 4:12.

‘AJO TOKË DO TË BËHET SI KOPSHTI I EDENIT’

(Ezekieli 25:1–39:29)

Duke parashikuar se si do të reagonte Amoni, Moabi, Edomi, Filistia, Tiri dhe Sidoni për rënien e Jerusalemit, Jehovai e cakton Ezekielin që të profetizojë kundër këtyre kombeve. Egjipti do të plaçkitet. ‘Faraoni, mbreti i Egjiptit, dhe turma e tij’ krahasohen me një cedër që do të pritet nga «shpata e mbretit të Babilonisë».​—Ezekieli 31:2, 3, 12; 32:11, 12.

Rreth gjashtë muaj pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., një nga ata që kishin shpëtuar vjen dhe i raporton Ezekielit: «Qyteti ra.» Kështu profeti ‘nuk është më i pagojë’ para të mërguarve. (Ezekieli 33:21, 22) Ai duhet të shpallë profecitë e rivendosjes. Jehovai ‘do të vërë mbi ta një bari që t’i kullotë, po, shërbëtorin e tij David’. (Ezekieli 34:23) Edomi do të shkretohet, por toka që ndodhet përtej tij, Juda, do të bëhet «si kopshti i Edenit». (Ezekieli 36:35) Jehovai premton se do ta mbrojë popullin e rivendosur nga sulmi i ‘Gogut’.​—Ezekieli 38:2.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

29:8-12—Në cilën periudhë Egjipti mbeti i shkretë për 40 vjet? Pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., ata që kishin mbetur në Judë ikën në Egjipt, pavarësisht nga paralajmërimi i profetit Jeremia për të mos e bërë këtë. (Jeremia 24:1, 8-10; 42:7-22) Por as kjo nuk i shpëtoi, sepse Nabukodonosori doli kundër Egjiptit dhe e pushtoi. Shkretimi 40-vjeçar i Egjiptit mund të ketë ndodhur pas kësaj disfate. Edhe pse historia botërore nuk jep dëshmi për këtë shkretim, mund të jemi të sigurt që ka ndodhur, sepse Jehovai i përmbush gjithnjë profecitë.​—Isaia 55:11.

29:18—Në ç’kuptim «të gjitha kokat u bënë tullace, kurse supet u bënë mish»? Rrethimi i qytetit kontinental të Tirit ishte kaq i vështirë dhe i lodhshëm, saqë kokat e ushtarëve të Nabukodonosorit u bënë tullace ngaqë mbanin gjithnjë helmetat dhe supet iu bënë mish ngaqë mbanin materiale ndërtimi për kullat dhe fortifikatat.​—Ezekieli 26:7-12.

Mësime për ne:

29:19, 20. Tirasit u strehuan në qytetin e tyre ishullor duke marrë me vete pjesën më të madhe të pasurisë, kështu që mbreti Nabukodonosor nuk mori shumë plaçkë nga Tiri. Edhe pse Nabukodonosori ishte një sundimtar pagan krenar dhe egoist, Jehovai e shpërbleu për shërbimin që i bëri, duke i dhënë Egjiptin si ‘shpërblim për forcat e tij ushtarake’. A nuk duhet ta imitojmë Perëndinë e vërtetë, duke u paguar qeverive taksat për shërbimet që na bëjnë? Ky detyrim nuk shfuqizohet as nga sjellja e autoriteteve qeveritare, as nga mënyra se si përdoren taksat.​—Romakëve 13:4-7.

33:7-9. Klasa e sotme e rojës, domethënë mbetja e të mirosurve, si dhe shokët e saj nuk duhet ta ndalin kurrë predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë dhe paralajmërimin e njerëzve për ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen.​—Mateu 24:21.

33:10-20. Do të shpëtojmë vetëm nëse largohemi nga udhët e këqija dhe zbatojmë atë që kërkon Perëndia. Vërtet, udha e Jehovait është «e drejtë».

36:20, 21. Duke mos jetuar në lartësinë e emrit me të cilin njiheshin, pra «populli i Jehovait», izraelitët e përdhosën emrin e Perëndisë mes kombeve. Ne s’duhet të bëhemi kurrë adhurues të Jehovait vetëm me emër.

36:25, 37, 38. Parajsa frymore që kemi sot është e mbushur me «një turmë me njerëz të shenjtëruar». Prandaj, duhet të përpiqemi ta mbajmë të pastër.

38:1-23. Sa qetësohemi kur mësojmë se Jehovai do ta çlirojë popullin e tij nga sulmi i Gogut të vendit të Magogut! Gog është emri që iu dha ‘sundimtarit të kësaj bote’, Satana Djallit, pasi u hodh poshtë nga qielli. Vendi i Magogut i referohet afërsisë së tokës, ku janë kufizuar Satanai dhe demonët e tij.​—Gjoni 12:31; Zbulesa 12:7-12.

«KUSHTOJU VËMENDJE TË GJITHA ATYRE QË PO TË TREGOJ»

(Ezekieli 40:1–48:35)

Është viti i 14-të pas shkretimit të qytetit të Jerusalemit. (Ezekieli 40:1) Mërgimi do të zgjatë edhe 56 vjet të tjerë. (Jeremia 29:10) Ezekieli tani po i afrohet të 50-ave. Në një vegim, Perëndia e çon në vendin e Izraelit. Aty i thonë: «Bir njeriu, shih me sy e dëgjo me veshë. Kushtoju vëmendje të gjitha atyre që po të tregoj.» (Ezekieli 40:2-4) Sa duhet të jetë emocionuar Ezekieli kur ka marrë vegimin për një tempull të ri!

Tempulli i lavdishëm që sheh Ezekieli ka 6 porta, 30 dhoma ngrënieje, Të Shenjtën, Më të Shenjtën, një altar prej druri dhe një altar për blatimet e djegura. Nga tempulli ‘del’ një rrjedhë uji që bëhet përrua. (Ezekieli 47:1) Ezekieli merr edhe një vegim për ndarjen e vendit sipas fiseve: secila ndarje shtrihet nga lindja në perëndim dhe mes ndarjeve të Judës e të Beniaminit ndodhet një rrip toke që shërben si qendër administrative. Në këtë rrip toke ndodhet «shenjtërorja e Jehovait» dhe «qyteti» i quajtur Jehova-Shamah, domethënë «Vetë Jehovai është atje».​—Ezekieli 48:9, 10, 15, 35, shënimi, BR me referime, anglisht.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

40:3–47:12—Çfarë paraqet tempulli i vegimit? Tempulli me përmasa gjigante që pa Ezekieli në vegim, nuk u ndërtua kurrë. Ai paraqiste tempullin frymor të Perëndisë, domethënë rregullin e tij për adhurimin e pastër në ditët tona. (Ezekieli 40:2; Mikea 4:1; Hebrenjve 8:2; 9:23, 24) Vegimi i tempullit përmbushet gjatë ‘ditëve të fundit’, kur rafinohet priftëria. (2 Timoteut 3:1; Ezekieli 44:10-16; Malakia 3:1-3) Megjithatë, ka edhe një përmbushje përfundimtare në Parajsë. Për të mërguarit judenj, tempulli i vegimit ishte një premtim se adhurimi i pastër do të rivendosej dhe se çdo familje judeje do të kishte një trashëgimi në atë tokë.

40:3–43:17—Çfarë është domethënëse lidhur me matjen e tempullit? Matja e tempullit është një shenjë se qëllimi i Jehovait për adhurimin e pastër do të përmbushet patjetër.

43:2-4, 7, 9—Çfarë ishin «kufomat e mbretërve të tyre» që duheshin hequr nga tempulli? Me sa duket kufomat u referoheshin idhujve. Sundimtarët e Jerusalemit dhe populli e kishin ndotur tempullin e Perëndisë me idhuj, duke i bërë faktikisht mbretër të tyre.

43:13-20—Çfarë simbolizon altari që pa Ezekieli në vegim? Altari simbolik paraqet vullnetin e Perëndisë në lidhje me flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit. Falë këtij flijimi, të mirosurit shpallen të drejtë dhe ‘shumica e madhe’ bëhet e pastër dhe e kulluar në sytë e Perëndisë. (Zbulesa 7:9-14; Romakëve 5:1, 2) Ndoshta kjo është arsyeja përse në tempullin e vegimit mungon «deti prej metali të derdhur» i tempullit të Solomonit​—një legen shumë i madh ku laheshin priftërinjtë.​—1 Mbretërve 7:23-26.

44:10-16—Kë paraqet klasa priftërore? Klasa priftërore paraqet grupin e të krishterëve të mirosur në ditët tona. Rafinimi i tyre ndodhi në vitin 1918, kur Jehovai u ul «si rafinues dhe si pastrues i argjendit» në tempullin e tij frymor. (Malakia 3:1-5) Ata që ishin të pastër ose që u penduan, mund të vazhdonin në privilegjin e tyre të shërbimit. Më pas, duhej të punonin fort për t’u ruajtur «të panjollë nga bota», duke u bërë kështu shembuj për ‘shumicën e madhe’ të paraqitur nga fiset jopriftërore.​—Jakovi 1:27; Zbulesa 7:9, 10.

45:1; 47:13–48:29—Çfarë paraqet ‘vendi’ dhe ndarja e tij? Vendi paraqet fushën e veprimtarisë së popullit të Perëndisë. Pavarësisht se ku ndodhet një adhurues i Jehovait, është në vendin e rivendosur për sa kohë që përkrah adhurimin e vërtetë. Ndarja e vendit në trashëgimi do ta ketë përmbushjen përfundimtare në botën e re, kur çdo njeri besnik do të trashëgojë pjesën e tij.​—Isaia 65:17, 21.

45:7, 16—Çfarë paraqet kontributi i popullit për priftërinë dhe për prijësin? Në tempullin frymor, kjo i referohet kryesisht mbështetjes frymore, domethënë ndihmës që jepet dhe frymës së bashkëpunimit.

47:1-5—Çfarë paraqet uji i lumit që pa Ezekieli në vegim? Uji paraqet masat frymore që ka siguruar Jehovai për jetën, ku përfshihet flijimi shpërblyes i Krishtit Jezu dhe njohuria e Perëndisë që gjendet në Bibël. (Jeremia 2:13; Gjoni 4:7-26; Efesianëve 5:25-27) Lumi thellohet gradualisht për t’u bërë vend atyre që sapo pranojnë adhurimin e vërtetë. (Isaia 60:22) Lumi do të rrjedhë me ujin më të fuqishëm të jetës gjatë Mijëvjeçarit, dhe ujërat e tij do të përfshijnë kuptueshmërinë e mëtejshme që do të vijë nga «rrotullat» që do të hapen atëherë.​—Zbulesa 20:12; 22:1, 2.

47:12—Çfarë paraqitin pemët me fryte? Pemët simbolike paraqitin masat frymore që ka marrë Perëndia për ta rivendosur njerëzimin në gjendjen e përsosmërisë.

48:15-19, 30-35, shënimi, BR me referime, anglisht​—Çfarë paraqet qyteti në vegimin e Ezekielit? Qyteti «Jehova-Shamah» ndodhet në një vend që ‘nuk është i shenjtëruar’ dhe kjo tregon se duhet të paraqesë diçka tokësore. Duket se qyteti paraqet administrimin tokësor në dobi të atyre që do të përbëjnë ‘tokën e re’ e të drejtë. (2 Pjetrit 3:13) Fakti që ka porta në çdo anë, tregon se në këtë qytet mund të hyhet kollaj. Mbikëqyrësit në popullin e Perëndisë duhet të jenë të afrueshëm.

Mësime për ne:

40:14, 16, 22, 26. Palmat e gdhendura në mure, në hyrjet e tempullit, tregojnë se aty lejohet të hyjnë vetëm ata që janë të pastër moralisht. (Psalmi 92:12) Kjo na mëson se Jehovai e pranon adhurimin tonë vetëm nëse jemi të drejtë moralisht.

44:23. Sa mirënjohës jemi për shërbimet që siguron klasa e sotme priftërore! «Skllavi i besueshëm dhe i matur» merr drejtimin për të siguruar ushqim frymor në kohën e duhur që na ndihmon të dallojmë ndryshimin mes asaj që është e papastër dhe e pastër në sytë e Jehovait.​—Mateu 24:45.

47:9, 11. Në kohën tonë, njohuria, që është një aspekt jetësor i ujit simbolik, ka kryer një shërim të mrekullueshëm. Kudo që merret kjo njohuri, sjell njerëz në jetë në kuptimin frymor. (Gjoni 17:3) Në anën tjetër, ata që nuk e pranojnë ujin jetëdhënës «do të lihen për kripë», domethënë do të shkatërrohen përgjithnjë. Sa e rëndësishme është që ‘të bëjmë çmos ta përdorim drejt fjalën e së vërtetës’!​—2 Timoteut 2:15.

«Unë kam për ta shenjtëruar emrin tim të madh»

Pasi hoqi mbretin e fundit të linjës së Davidit, Perëndia i vërtetë la që të kalonte një periudhë e gjatë kohe para se të vinte Ai «që ka të drejtën ligjore» për të qenë mbret. Por, nuk e prishi besëlidhjen që kishte bërë me Davidin. (Ezekieli 21:27; 2 Samuelit 7:11-16) Profecia e Ezekielit flet për «shërbëtorin tim David», që do të bëhej «bari» dhe «mbret». (Ezekieli 34:23, 24; 37:22, 24, 25) Ky s’është askush tjetër veç Jezu Krishtit në pushtetin mbretëror. (Zbulesa 11:15) Jehovai ‘do ta shenjtërojë emrin e tij të madh’ me anë të Mbretërisë mesianike.​—Ezekieli 36:23.

Së shpejti, të gjithë ata që e përdhosin emrin e shenjtë të Perëndisë, do të shkatërrohen. Por ata që e shenjtërojnë emrin e Jehovait në jetën e tyre, duke e adhuruar në mënyrë të pranueshme, do të marrin jetën e përhershme. Pra, le të përfitojmë plotësisht nga ujërat e jetës që po rrjedhin me bollëk në ditët tona dhe ta bëjmë adhurimin e vërtetë qendrën e jetës sonë.

[Shënimi]

^ par. 2 Për trajtimin e Ezekielit 1:1–24:27, shih «Pika kryesore nga libri i Ezekielit​—I», në Kullën e Rojës, 1 korrik 2007.

[Figura në faqen 9]

Tempulli i lavdishëm që pa Ezekieli në vegim

[Figura në faqen 10]

Ç’paraqet lumi i jetës që pa Ezekieli në vegim?

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.