Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse mbreti Saul e pyeti Davidin se ‘biri i kujt ishte’, pasi vrau Goliadin, ndërkohë që Sauli vetë e kishte thirrur më parë Davidin të bëhej shërbëtor i tij?​—1 Samuelit 16:22; 17:58.

Një sugjerim i thjeshtë mund të jetë që Sauli e kishte harruar kush ishte Davidi, sepse takimi i tyre i parë kishte qenë i shkurtër. Por s’ka mundësi të ketë qenë kjo, pasi nga tregimi te 1 Samuelit 16:18-23 del që mbreti Saul kishte dërguar njerëz posaçërisht për të thirrur Davidin dhe e deshi aq shumë sa e bëri shqytarin e vet. Pra, Sauli duhet ta ketë njohur mirë Davidin.

Disa dijetarë biblikë mendojnë se vargjet te 1 Samuelit 17:12-31 dhe 17:55–18:5 janë shtuar më vonë, sepse nuk gjenden në disa kopje të Septuagintës greke, një përkthim i Shkrimeve Hebraike që përfundoi në shekullin e dytë p.e.s. Por nuk është e mençur të nxjerrim një përfundim të tillë vetëm duke u bazuar tek ato kopje të Septuagintës, pasi këto fragmente gjenden në dorëshkrime të tjera autentike të Shkrimeve Hebraike. *

Me sa duket, kur pyeti në fillim Abnerin e pastaj vetë Davidin, Sauli nuk donte të dinte thjesht emrin e babait të Davidit. Pasi e kishte parë Davidin në një dritë krejt të re, si një njeri me besim e guxim të madh që sapo kishte mundur Goliadin, Sauli donte të dinte çfarë lloj njeriu ishte ai që kishte rritur një djalë të tillë. Ndoshta kishte ndër mend të fuste në ushtrinë e vet babanë e Davidit, Jeseun, ose pjesëtarët e tjerë të familjes, pasi edhe ata mund të kishin guximin dhe trimërinë e Davidit.

Edhe pse te 1 Samuelit 17:58 kemi vetëm përgjigjen e shkurtër të Davidit «biri i shërbëtorit tënd Jese betlehemitit», pjesa më poshtë tregon se biseda nuk duhet të ketë mbaruar me kaq. Ja si shprehen për këtë pikë K. F. Kajli dhe F. Deliçi: «Nga pjesa te [1 Samuelit 18:1], ku thuhet: ‘Sapo mbaroi të fliste me Saulin’, duket shumë qartë se Sauli ka biseduar me të edhe më tej për punët e familjes së tij, pasi vetë fjalët nënkuptojnë një bisedë të gjatë.»

Nga e gjithë kjo, mund të nxjerrim përfundimin se me pyetjen: «Bir i kujt je, ti o djalosh?», Sauli donte të dinte për formimin e Davidit, jo identitetin e tij, që tashmë e dinte.

[Shënimi]

^ par. 4 Për autenticitetin e pjesëve që janë hequr në Septuagintë, shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqja 855, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 31]

Pse Sauli e pyeti Davidin bir i kujt ishte?