«Ruhuni nga çdo lloj lakmie»
«Ruhuni nga çdo lloj lakmie»
«Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»—LUKA 12:15.
1, 2. (a) Çfarë keni vënë re për sa u përket interesave dhe synimeve të njerëzve sot? (b) Si mund të ndikohemi edhe ne nga këto qëndrime?
PARATË, pronat, prestigji, puna me pagë të lartë, familja, janë ndër gjërat që shumica e njerëzve i shohin si tregues të suksesit ose si një garanci për një të ardhme të sigurt. Duket qartë se interesat dhe synimet e shumë njerëzve, si në vende të pasura, ashtu dhe të varfra, janë të përqendruara në fitimet materiale dhe në arritjen e suksesit. Kurse interesi për gjërat frymore, edhe sikur të ekzistojë, po bie me ritme të shpejta.
2 Kjo është pikërisht ç’kishte parathënë Bibla. Ajo thotë: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, . . . kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij.» (2 Timoteut 3:1-5) Duke jetuar ditë për ditë mes njerëzve të tillë, të krishterët e vërtetë i nënshtrohen një presioni të vazhdueshëm për t’u përshtatur me këtë mënyrë të menduari dhe jetese. Çfarë mund të na ndihmojë t’u kundërvihemi përpjekjeve të botës ‘për të na brumosur sipas saj’?—Romakëve 12:2.
3. Cilat këshilla të Jezuit do të shqyrtojmë tani?
3 Si «Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë», Jezu Krishti na ka dhënë mësime të fuqishme lidhur me këtë. (Hebrenjve 12:2) Në një rast, kur Jezui po fliste para një turme duke u dhënë më shumë kuptueshmëri për disa çështje frymore, një burrë e ndërpreu duke i bërë këtë kërkesë: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua.» Si përgjigje, Jezui i dha atij njeriu, por edhe të gjithë atyre që po e dëgjonin, disa këshilla serioze. Ai paralajmëroi hapur kundër lakmisë dhe e përforcoi atë paralajmërim me një ilustrim që të fuste në mendime. Bëjmë mirë t’i kushtojmë vëmendje të madhe asaj që tha Jezui në atë rast e të shohim se si mund të nxjerrim dobi duke e zbatuar në jetën tonë.—Luka 12:13-21.
Një kërkesë e pavend
4. Pse ishte pa vend ndërprerja që i bëri ai burrë fjalimit të Jezuit?
4 Para se ta ndërpriste ai burrë, Jezui po i nxiste dishepujt dhe të tjerët që të ruheshin nga hipokrizia, të kishin guximin të dëshmonin se ishin në unitet me Birin e njeriut dhe po u thoshte se do të kishin ndihmën e frymës së shenjtë. (Luka 12:1-12) Natyrisht, këto ishin tema jetësore që dishepujt duhej t’i dëgjonin me vëmendje. Por, në mes të atij fjalimi që po i nxiste të mendonin thellë, ai njeri e ndërpreu Jezuin dhe i kërkoi të zgjidhte një zënkë familjare që, me sa duket, lidhej me zotërimet materiale. Gjithsesi, nga kjo ngjarje mund të nxjerrim një mësim të rëndësishëm.
5. Çfarë zbuloi kërkesa e atij burri për të si njeri?
5 Është thënë se «rrjedha që marrin mendimet e dikujt, kur po dëgjon një nxitje fetare, shpesh nxjerr në pah karakterin e tij». Isaia 11:3, 4; Mateu 22:16) Sidoqoftë, kërkesa që bëri tregoi se thellë-thellë kishte një problem, një mungesë çmueshmërie për gjërat frymore, dhe kjo ishte mjaft serioze. A nuk përbën kjo një arsye të vlefshme që secili nga ne të shqyrtojë veten? Për shembull, në mbledhjet e krishtere është e lehtë ta lëmë mendjen të livadhisë ose të përqendrohet te gjërat që mund të bëjmë më vonë. Por, në fakt, duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj që po thuhet e të mendojmë se si ta zbatojmë në jetë informacionin, që të përmirësojmë marrëdhënien me Atin tonë qiellor, Perëndinë Jehova, dhe me të krishterët e tjerë.—Psalmi 22:22; Marku 4:24.
Ndërkohë që Jezui po fliste për gjëra frymore e serioze, ai burrë, me sa duket, po mendonte se ç’mund të bënte për të arritur disa përfitime materiale. Nuk na thuhet nëse ankesa e tij lidhur me trashëgiminë ishte e vlefshme. Mbase ai po përpiqej të shfrytëzonte autoritetin dhe reputacionin e Jezuit si një gjykatës i mençur në çështjet njerëzore. (6. Pse Jezui nuk ia plotësoi kërkesën atij burri?
6 Pavarësisht se çfarë e shtyu atë burrë që të bënte kërkesën, Jezui nuk pranoi t’ia plotësonte. Ai i tha: «O njeri, kush më caktoi mua gjykatës ose që të ndaj pasurinë tuaj?» (Luka 12:14) Me këto fjalë, Jezui po përmendte diçka që njerëzit e njihnin mirë. Sipas Ligjit të Moisiut, nëpër qytete vendoseshin gjykatës që duhej të gjykonin pikërisht çështje të tilla. (Ligji i përtërirë 16:18-20; 21:15-17; Rutha 4:1, 2) Kurse Jezui e kishte mendjen te gjëra më të rëndësishme: të jepte dëshmi për të vërtetën e Mbretërisë dhe t’u mësonte njerëzve vullnetin e Perëndisë. (Gjoni 18:37) Edhe ne ndjekim shembullin e Jezuit e nuk shpërqendrohemi nga problemet e zakonshme, por e përdorim kohën dhe energjitë tona për të predikuar lajmin e mirë e ‘për të bërë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’.—Mateu 24:14; 28:19.
Ruhuni nga lakmia
7. Cilin koment të mprehtë bëri Jezui?
7 Jezui kishte aftësinë të dallonte synimet më të thella të zemrës, prandaj e kuptoi se kishte diçka më të rëndë në kërkesën që të ndërhynte në një çështje personale. Kështu që nuk u mjaftua duke refuzuar kërkesën, por shkoi në rrënjë të problemit dhe tha: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»—Luka 12:15.
8. Çfarë është lakmia e ku mund të çojë?
8 Lakmia nuk është thjesht dëshira për të pasur para ose disa gjëra, të cilat mund të përdoren siç duhet dhe për një qëllim të caktuar. Sipas një fjalori, është një «dëshirë e madhe dhe e pangopur për pasuri ose zotërime, a për të pasur atë që e ka dikush tjetër». Mund të përfshijë etjen e pashuar dhe zilinë për të pasur disa gjëra—ndoshta të dikujt tjetër—thjesht sepse duam t’i kemi vetë, pa pasur vërtet nevojë ose pa menduar si do të ndikojë te të tjerët. Një njeri lakmitar lejon që mendimet dhe veprimet e tij të përqendrohen tek ajo që dëshiron, deri në atë pikë sa, në thelb, bëhet perëndi për të. Mendo që apostulli Pavël e barazon një njeri lakmitar me një idhujtar, i cili nuk ka trashëgimi në Mbretërinë e Perëndisë.—Efesianëve 5:5; Kolosianëve 3:5.
9. Në cilat forma mund të shfaqet lakmia? Jepni disa shembuj.
9 Vlen të përmendim se Jezui paralajmëroi për «çdo lloj lakmie». Lakmia shfaqet në shumë forma. I fundit nga Dhjetë Urdhërimet përmendte disa prej tyre: «Mos dëshiro shtëpinë e tjetrit. Mos dëshiro gruan e tjetrit, as skllavin e as skllaven e tij, as demin e as gomarin e tij, as gjithçka që i përket atij.» (Dalja 20:17) Bibla është plot e përplot me shembuj individësh që kanë kryer mëkate të rënda për shkak të ndonjë lloj lakmie. Satanai ishte i pari që lakmoi diçka që i përkiste dikujt tjetër, domethënë lavdinë, nderin dhe autoritetin që i përkasin vetëm Jehovait. (Zbulesa 4:11) Eva lakmoi të drejtën për të vendosur vetë dhe, meqenëse ajo u mashtrua nga kjo gjë, raca njerëzore hyri në rrugën e mëkatit dhe të vdekjes. (Zanafilla 3:4-7) Demonët më parë ishin engjëj, por u mërzitën me ‘vendin e tyre fillestar dhe e braktisën vendbanimin e tyre të duhur’ për të marrë diçka që nuk u takonte. (Juda 6; Zanafilla 6:2) Ose mendoni për Balaamin, Akanin, Gehazin dhe Judë Iskariotin. Të pakënaqur për gjendjen e tyre në jetë, ata lejuan që dëshira e tepruar për gjëra materiale t’i bënte të shpërdoronin besimin e të tjerëve, dhe kjo çoi në rrënimin e në shkatërrimin e tyre.
10. Si duhet ‘të rrimë syhapur’, siç këshilloi Jezui?
10 Është vërtet me vend që, para se të jepte paralajmërimin për lakminë, Jezui tha fjalët «rrini syhapur». Përse? Sepse është shumë e lehtë që njerëzit të dallojnë dikë tjetër që po tregohet lakmitar ose ziliqar, por rrallëherë do ta pranonin se ata vetë janë të tillë. E megjithatë, apostulli Pavël thekson se «dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme». (1 Timoteut 6:9, 10) Dishepulli Jakov shpjegon se dëshira e gabuar, «si bëhet pjellore, lind mëkatin». (Jakovi 1:15) Në përputhje me këshillën e Jezuit, ne duhet ‘të rrimë syhapur’, jo të vërejmë të tjerët a janë lakmitarë, por të hetojmë veten për të parë ku e kemi zemrën, me qëllim që ‘të ruhemi nga çdo lloj lakmie’.
Një jetë në bollëk
11, 12. (a) Ç’paralajmërim dha Jezui për lakminë? (b) Pse duhet t’ia vëmë veshin paralajmërimit të Jezuit?
11 Ka edhe një arsye tjetër pse duhet të ruhemi nga lakmia. Shikoni ç’tha më tej Jezui: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Në epokën tonë materialiste, kur njerëzit e barazojnë pasurinë dhe begatinë me lumturinë e suksesin, kjo natyrisht që na bën të mendojmë. Me ato fjalë, Jezui po theksonte se një jetë vërtet domethënëse dhe e kënaqshme nuk vjen nga gjërat materiale e nuk varet prej tyre, sado me bollëk t’i kesh.
12 Por disa veta s’janë shumë dakord. Ata mund të arsyetojnë se zotërimet materiale e bëjnë jetën më të rehatshme e më të kënaqshme, pra më me vlerë. Prandaj, zhyten kokë e këmbë pas synimeve me anë të cilave mund të arrijnë të kenë gjithë të mirat dhe gjërat më të fundit elektronike që
dëshirojnë. Mendojnë se kjo do t’u sjellë një jetë të mirë. Por, duke menduar kështu, nuk e kapin pikën që po theksonte Jezui.13. Cila është pikëpamja e ekuilibruar për jetën e për gjërat materiale?
13 Në vend që të përqendrohej nëse është e drejtë apo e gabuar të kesh gjëra me bollëk, Jezui po theksonte se jeta e njeriut nuk varet nga «gjërat që zotëron», domethënë nga gjërat që tashmë ka. Në lidhje me këtë, të gjithë ne e dimë se, faktikisht, për të jetuar nuk duhen shumë gjëra. Duhet vetëm një sasi e vogël ushqimi, diçka për të veshur dhe një vend për të fjetur. Të pasurit mund t’i kenë me bollëk këto gjëra, kurse të varfrit ndoshta luftojnë për të marrë ç’u nevojitet. Por, çfarëdo pabarazie të ketë, zhduket kur jeta e tyre mbaron, pasi çdo gjë barazohet me zero. (Eklisiastiu 9:5, 6) Pra, që jeta të ketë kuptim dhe vlerë, nuk mund e nuk duhet të jetë e përbërë thjesht nga gjërat që njeriu mund t’i fitojë ose t’i ketë. Ky mendim del në pah kur shqyrtojmë se për ç’lloj jete po fliste Jezui.
14. Ç’mund të mësojmë nga fjala e përdorur për ‘jetën’, në tregimin biblik?
14 Në shprehjen e Jezuit «jeta nuk varet nga gjërat që zotëron», fjala e përdorur në Ungjillin sipas Lukës për ‘jetën’ (greqisht zoí) nuk ka të bëjë me mënyrën ose stilin e jetesës, por me vetë jetën, me jetën në kuptimin absolut. * Jezui po thoshte se, të pasur a të varfër, në luks a në prag të skamjes, ne nuk kemi kontroll të plotë se sa gjatë mund të jetojmë ose nëse do të jemi gjallë nesër. Në Predikimin në Mal, Jezui tha: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?» (Mateu 6:27) Bibla tregon qartë se vetëm Jehovai është «burimi i jetës» dhe vetëm ai mund t’u japë njerëzve besnikë «jetën e vërtetë» ose «jetën e përhershme», jetën pa fund në qiell ose në tokë.—Psalmi 36:9; 1 Timoteut 6:12, 19.
15. Pse shumë veta e kanë vënë besimin e tyre te zotërimet materiale?
15 Fjalët e Jezuit theksojnë sa e lehtë është që njerëzit të kenë një pikëpamje të shtrembëruar për jetën. Të pasur a të varfër, të gjithë njerëzit janë të papërsosur dhe kanë të njëjtin fund. Në kohët e lashta, Moisiu tha: «Ditët tona arrijnë në shtatëdhjetë vjet; më të fortët arrijnë në tetëdhjetë. Sidoqoftë ato sjellin veç telashe e të këqija, kalojnë shpejt dhe ne fluturojmë tutje.» (Psalmi 90:10; Jobi 14:1, 2; 1 Pjetrit 1:24) Për këtë arsye, njerëzit që nuk kanë krijuar një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, shpesh përqafojnë idenë që përmendi edhe apostulli Pavël, «le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim». (1 Korintasve 15:32) Të tjerë, duke e ndier se jeta është kalimtare dhe e pasigurt, përpiqen të gjejnë siguri e qëndrueshmëri te zotërimet materiale. Ndoshta mendojnë se, duke pasur shumë gjëra që mund t’i prekin e t’i shohin, do ta bëjnë jetën më të sigurt. Kështu, punojnë pa pushim për të grumbulluar pasuri e zotërime, duke i barazuar më kot këto gjëra me sigurinë dhe lumturinë.—Psalmi 49:6, 11, 12.
Një e ardhme e sigurt
16. Në ç’gjë nuk bazohet vlera e vërtetë e jetës?
16 Mund të jetë e vërtetë se një nivel më i lartë jetese—më shumë ushqim, rroba, hapësirë banimi dhe lukse të tjera—e bën jetën më të rehatshme, na siguron një kujdes më të mirë shëndetësor e, si pasojë, ca vite jetë më shumë. Por, a është vërtet më domethënëse e më e sigurt një jetë e tillë? Vlera e vërtetë e jetës nuk matet nga vitet që mund të jetojë një njeri ose nga sasia e gjërave materiale që ka dhe përdor. Apostulli Pavël nxori në pah sa e rrezikshme është të mbështetemi më tepër se ç’duhet te këto gjëra. Ai i shkroi Timoteut: «Ata që janë të pasur në këtë botë, urdhëroji të mos jenë kryelartë e të mos i varin shpresat te pasuria e pasigurt, por te Perëndia që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë.»—1 Timoteut 6:17.
17, 18. (a) Cilët shembuj të shkëlqyer për sa u përket zotërimeve materiale duhet të imitojmë? (b) Cilin ilustrim të Jezuit do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
17 Nuk është e mençur t’i varim shpresat te pasuria, sepse ajo është «e pasigurt». Patriarku Job ishte shumë i pasur, por, kur papritur i ra gjëma, pasuria nuk e ndihmoi dot, pasi u zhduk sa hap e mbyll sytë. Ajo që e mbajti gjallë në të gjitha sprovat e vështirësitë, ishte marrëdhënia e tij e fortë me Perëndinë. (Jobi 1:1, 3, 20-22) Abrahami nuk lejoi që zotërimet e shumta materiale ta pengonin që të pranonte një caktim të vështirë nga Jehovai, dhe për këtë u bekua duke u bërë «atë i shumë kombeve». (Zanafilla 12:1, 4; 17:4-6) Ia vlen t’i imitojmë këta shembuj, si dhe të tjerë. Të rinj e të moshuar, duhet të shqyrtojmë veten për të parë çfarë ka vërtet rëndësi në jetën tonë dhe ku i kemi varur shpresat.—Efesianëve 5:10; Filipianëve 1:10.
18 Ato pak fjalë që tha Jezui për lakminë dhe për pikëpamjen e duhur për jetën, janë plot kuptim dhe mësime për ne. Por Jezui kishte ndër mend edhe diçka tjetër, kështu që vazhdoi me një ilustrim që të fuste në mendime, për një të pasur të paarsyeshëm. Si lidhet ai ilustrim me jetën tonë sot dhe ç’mund të nxjerrim prej tij? Përgjigjet do t’i gjejmë në artikullin vijues.
[Shënimi]
^ par. 14 Një fjalë tjetër greke që përkthehet «jetë» është bios, nga e cila vijnë fjalë të tilla si «biografi» dhe «biologji». Sipas Fjalorit shpjegues të fjalëve të Besëlidhjes së Vjetër e të Re, (anglisht), nga Vajni, bios i referohet «periudhës ose zgjatjes së jetës», «mënyrës së jetës» dhe «mjeteve të jetës».
Si do të përgjigjeni?
• Ç’mund të mësojmë nga fakti që Jezui nuk pranoi ta plotësonte kërkesën që i bëri një burrë nga turma?
• Pse duhet të ruhemi nga lakmia dhe si mund ta bëjmë këtë?
• Pse jeta nuk varet nga zotërimet materiale?
• Çfarë mund ta bëjë jetën vërtet të sigurt e me vlerë?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 23]
Pse Jezui nuk e plotësoi kërkesën që i bëri një burrë?
[Figura në faqen 23]
Lakmia mund të çojë në pasoja shkatërrimtare
[Figurat në faqen 25]
Si tregoi Abrahami se kishte pikëpamjen e duhur për zotërimet materiale?