Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i plotësoni nevojat e vërteta shpirtërore?

Si t’i plotësoni nevojat e vërteta shpirtërore?

Si t’i plotësoni nevojat e vërteta shpirtërore?

«PO TË mbash mendjen te mishi, kjo do të thotë vdekje, kurse po ta mbash mendjen te fryma, kjo do të thotë jetë dhe paqe»,​—shkroi apostulli Pavël. (Romakëve 8:6) Me këto fjalë, apostulli theksoi se plotësimi i nevojave frymore ose shpirtërore nuk është thjesht çështje preferencash ose prirjeje. Në të vërtetë, është një çështje për jetë a vdekje. Por, si merr «jetë dhe paqe» një njeri që i vlerëson këto nevoja? Sipas Biblës, ai ka paqe tani​—me veten dhe me Perëndinë—dhe do të shpërblehet me jetën e përhershme në të ardhmen. (Romakëve 6:23; Filipianëve 4:7) Ja pse Jezui u shpreh: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore!»​—Mateu 5:3, Shkrimet e Krishtere Greke, Përkthimi Bota e Re..

Fakti që po lexoni këtë revistë, tregon se interesoheni për këto nevoja, dhe kjo është gjë e mençur. Por pikëpamjet për këtë temë janë nga më të ndryshmet, prandaj ndoshta pyetni veten: ‘Cilat janë në të vërtetë nevojat tona shpirtërore ose frymore dhe si plotësohen?’

‘Mendja e Krishtit’

Përveçse theksoi sa rëndësi dhe sa dobi ka ta mbash mendjen te gjërat frymore ose shpirtërore, apostulli Pavël shpjegoi gjerë e gjatë se si është një njeri që i vlerëson këto gjëra. Të krishterëve në qytetin e lashtë të Korintit, Pavli u shpjegoi dallimin mes një njeriu fizik, domethënë që ndjek impulset fizike, dhe një njeriu frymor, domethënë që vlerëson gjërat frymore ose shpirtërore. Pavli shkroi: «Një njeri fizik nuk i pranon gjërat e frymës së Perëndisë, sepse për të ato janë marrëzi.» Në anën tjetër, Pavli shpjegoi se njeriu frymor dallohet sepse ka «mendjen e Krishtit».​—1 Korintasve 2:14-16.

Në thelb, të kesh «mendjen e Krishtit» do të thotë të kesh «të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu». (Romakëve 15:5; Filipianëve 2:5) Me fjalë të tjera, njeriu që vlerëson gjërat frymore është ai që mendon siç mendon Jezui dhe që ecën në gjurmët e Tij. (1 Pjetrit 2:21; 4:1) Sa më shumë të përputhet mendja e dikujt me mendjen e Krishtit, aq më shumë do t’i vlerësojë gjërat frymore e do të mund të gëzojë «jetë dhe paqe».​—Romakëve 13:14.

Si ta njohim «mendjen e Krishtit»?

Megjithatë, që të kemi mendjen e Krishtit, së pari, duhet ta njohim këtë mendje. Prandaj, hapi i parë për të plotësuar nevojat shpirtërore ose frymore, është të njohim mënyrën si mendonte Jezui. Po si ta njohim mendjen e dikujt që ka jetuar në tokë 2.000 vjet më parë? Po mirë, si keni mësuar për figurat historike të vendit tuaj? Me siguri duke lexuar për ta. Po kështu, një mënyrë e rëndësishme për të njohur mendjen e Krishtit është të lexojmë historinë e shkruar për të.​—Gjoni 17:3.

Në rastin e Jezuit, kemi katër tregime historike shumë të gjalla: Ungjijtë e shkruar nga Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Duke i lexuar me kujdes këto tregime, do të dalloni mënyrën si mendonte Jezui, ndjenjat e thella që kishte dhe motivin që e shtynte të vepronte. Kur lini pak kohë për të medituar rreth asaj që lexoni për Jezuin, do të ndërtoni në mendjen tuaj një tablo se ç’lloj njeriu ishte ai. Edhe nëse tashmë e konsideroni veten ithtarë të Krishtit, ky lexim dhe meditim do t’ju ndihmojë ‘të vazhdoni të rriteni në dashamirësinë e pamerituar dhe në njohurinë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht’.​—2 Pjetrit 3:18.

Me këtë në mendje, do të shohim disa pjesë nga Ungjijtë, për të kuptuar pse Jezui ishte një njeri që i vlerësonte gjërat frymore. Pastaj, pyetni veten si mund ta imitoni modelin që la ai.​—Gjoni 13:15.

Vlerësimi për gjërat frymore dhe «fryti i frymës»

Luka, një nga shkrimtarët e Ungjijve, tregon se, kur Jezui u pagëzua, mbi të u derdh fryma e shenjtë e Perëndisë dhe se Jezui ishte «plot me frymë të shenjtë». (Luka 3:21, 22; 4:1) Vetë Jezui u theksoi ithtarëve të tij sa e rëndësishme është të udhëhiqen nga fryma e shenjtë ose «forca vepruese» e Perëndisë. (Zanafilla 1:2; Luka 11:9-13) Pse është kaq e rëndësishme kjo? Sepse fryma e Perëndisë ka fuqinë të shndërrojë mendjen e njeriut, me qëllim që të nisë t’i ngjajë mendjes së Krishtit. (Romakëve 12:1, 2) Fryma e shenjtë prodhon te një njeri cilësi të tilla, si: «Dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli.» Këto cilësi, të cilat në Bibël quhen «fryti i frymës», karakterizojnë një njeri frymor. (Galatasve 5:22, 23) Me pak fjalë, njeriu me mendje frymore është ai që udhëhiqet nga fryma e Perëndisë.

Jezui e shfaqi frytin e frymës gjatë gjithë shërbimit të tij. Cilësi të tilla, si dashuria, mirëdashja dhe mirësia, ishin veçanërisht të dukshme në mënyrën si trajtonte ata që konsideroheshin si shtresa e ulët e shoqërisë. (Mateu 9:36) Për shembull, shiko një rast që përshkruan apostulli Gjon. Lexojmë: «Kur po shkonte më tutje, [Jezui] pa një njeri të verbër që nga lindja.» Edhe dishepujt e Jezuit e vunë re atë njeri, por e panë si mëkatar. «Kush mëkatoi,—pyetën ata,—ai apo prindërit e tij?» Edhe fqinjët e atij njeriu e vunë re, por e shihnin vetëm si një lypës. «A nuk është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?»—pyetën ata. Kurse Jezui e pa atë njeri të verbër si një individ që kishte nevojë për ndihmë. Ai foli me atë njeri dhe e shëroi.​—Gjoni 9:1-8.

Ç’kupton nga kjo ngjarje lidhur me mendjen e Krishtit? Së pari, Jezui nuk i anashkalonte ata që ishin të përvuajtur, por i trajtonte me dhembshuri të butë. Së dyti, ai merrte iniciativën për të ndihmuar të tjerët. A mendoni se po ndiqni modelin që la Jezui? A i shihni njerëzit siç i shihte Jezui, duke u dhënë ndihmën që u nevojitet për të përmirësuar jetën e tyre dhe për ta parë të ardhmen më me optimizëm? Apo keni prirjen të mbani me hatër ata që janë të shquar e të anashkaloni ata që nuk janë të tillë? Nëse i shihni njerëzit siç i shihte Jezui, atëherë jeni në rrugën e duhur dhe po ndiqni shembullin e tij.​—Psalmi 72:12-14.

Vlerësimi për gjërat frymore dhe lutja

Tregimet e Ungjijve e thonë qartë se Jezui i drejtohej shpesh Perëndisë në lutje. (Marku 1:35; Luka 5:16; 22:41) Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui me vetëdije linte kohë për t’u lutur. Mateu shkroi: «Pasi e kishte nisur turmën, [Jezui] u ngjit vetëm në mal që të lutej.» (Mateu 14:23) Jezui merrte forcë nga këto çaste të qeta që kalonte duke komunikuar me Atin e tij qiellor. (Mateu 26:36-44) Edhe sot, njerëzit me mendje frymore kërkojnë mundësi për të komunikuar me Perëndinë, duke e ditur se kjo do t’ua forcojë marrëdhënien me Krijuesin dhe do t’ua bëjë më të lehtë të kenë mendjen e Krishtit.

Shpesh Jezui kalonte një kohë të gjatë duke u lutur. (Gjoni 17:1-26) Për shembull, para se të zgjidhte 12 burrat që do të bëheshin apostujt e tij, «shkoi në mal që të lutej dhe kaloi gjithë natën duke iu lutur Perëndisë». (Luka 6:12) Edhe pse jo medoemos duhet të kalojnë gjithë natën duke u lutur, ata që kanë mendje frymore ndjekin shembullin e Jezuit. Para se të marrin vendime të rëndësishme në jetë, lënë kohë të mjaftueshme për t’iu lutur Perëndisë, duke kërkuar drejtimin e frymës së shenjtë për të marrë vendime që do t’i ndihmojnë të plotësojnë nevojat e tyre shpirtërore ose frymore.

Kur lutej, Jezui tregonte edhe ndjenja shumë të thella që ne duhet t’i imitojmë në lutjet tona. Shikoni se si u shpreh Luka për mënyrën se si u lut Jezui natën para se të vdiste. «I pushtuar nga ankthi, ai vazhdoi të lutej më me ngulm, dhe djersa iu bë si pika gjaku që binin përtokë.» (Luka 22:44) Jezui ishte lutur edhe më parë me ngulm, por kësaj here, përballë sprovës më të rëndë të jetës së tij tokësore, ai u lut «më me ngulm», dhe lutja e tij u dëgjua. (Hebrenjve 5:7) Njerëzit me mendje frymore ndjekin shembullin e Jezuit. Kur hasin sprova veçanërisht të rënda, ata i luten «më me ngulm» Perëndisë, për të pasur frymën e shenjtë, udhëheqje dhe mbështetje.

Meqë duket qartë se Jezui lutej shumë, nuk habitemi që dishepujt e tij donin ta imitonin në këtë drejtim. Prandaj i kërkuan: «Zotëri, na mëso si të lutemi.» (Luka 11:1) Po kështu edhe sot, ata që i vlerësojnë gjërat frymore dhe duan të udhëhiqen nga fryma e shenjtë e Perëndisë, ndjekin shembullin e Jezuit në mënyrën se si i luten Perëndisë. Lutja dhe vlerësimi për gjërat frymore janë të pandashme.

Vlerësimi për gjërat frymore dhe predikimi i lajmit të mirë

Në Ungjillin sipas Markut, gjejmë një tregim ku lexojmë se Jezui shëroi shumë të sëmurë, edhe pse ishte natën vonë. Të nesërmen, herët në mëngjes, kur ai ishte vetëm dhe po lutej, erdhën apostujt dhe i thanë se shumë njerëz po e kërkonin, ndoshta që të shëroheshin. Por Jezui u tha apostujve: «Le të shkojmë diku gjetkë, në qytezat këtej afër, që të predikoj edhe atje.» Pastaj shpjegoi përse: «Për këtë qëllim kam ardhur.» (Marku 1:32-38; Luka 4:43) Edhe pse e konsideronte të rëndësishme të shëronte njerëzit, për Jezuin rëndësi kryesore kishte predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë.​—Marku 1:14, 15.

Edhe sot, një shenjë identifikuese e atyre që kanë mendjen e Krishtit është se u flasin të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Të gjithë atyre që donin të bëheshin ithtarë të tij, Jezui u tha urdhrin: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Veç kësaj, Jezui paratha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Meqë Fjala e Perëndisë tregon se vepra e predikimit po kryhet me fuqinë e frymës së shenjtë, një pjesëmarrje domethënëse në këtë vepër tregon se i vlerësojmë gjërat frymore.​—Veprat 1:8.

Predikimi i mesazhit të Mbretërisë te njerëzit në mbarë botën, kërkon përpjekjet e përbashkëta të miliona njerëzve. (Gjoni 17:20, 21) Ata që marrin pjesë në këtë vepër duhet të jenë jo vetëm me mendje frymore, por edhe shumë të organizuar në shkallë botërore. A mund ta identifikoni popullin që po ndjek gjurmët e Krishtit dhe po predikon në mbarë botën lajmin e mirë për Mbretërinë?

A po i plotëson kërkesat?

Natyrisht, ka edhe tipare të tjera që identifikojnë një njeri që vlerëson gjërat frymore, por, çfarë po bën për ato që sapo shqyrtuam? Për të zbuluar përgjigjen, pyet veten: ‘A e lexoj rregullisht Fjalën e Perëndisë, Biblën, dhe a meditoj rreth asaj që lexoj? A e shfaq në jetën time frytin e frymës? A dallohem si njeri që lutet shpesh? A dua të shoqërohem me popullin që po bën predikimin mbarëbotëror të lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë?’

Një vetëshqyrtim i sinqertë mund të të ndihmojë të përcaktosh deri në ç’pikë po i plotëson nevojat e tua shpirtërore. Të nxitim që të bësh hapat e nevojshëm tani, me qëllim që të gëzosh edhe ti «jetë dhe paqe».​—Romakëve 8:6; Mateu 7:13, 14; 2 Pjetrit 1:5-11.

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

TIPARET E NJERIUT QË VLERËSON GJËRAT FRYMORE

◆ Ka dashuri për Fjalën e Perëndisë

◆ Shfaq frytin e frymës

◆ I lutet Perëndisë rregullisht dhe me çiltërsi

◆ Flet me të tjerët për lajmin e mirë të Mbretërisë

[Figura në faqen 5]

Bibla të ndihmon të njohësh «mendjen e Krishtit»