T’i shërbej Jehovait—Një nder dhe privilegj i pashoq
Jetëshkrim
T’i shërbej Jehovait—Një nder dhe privilegj i pashoq
Treguar nga Zera Stajgersi
Im shoq, të cilin e kisha pasur shok besnik në shërbimin e plotkohor, vdiq në vitin 1938, duke më lënë me një foshnjë dhe një djalë dhjetë vjeç për të rritur. Më digjej zemra për shërbimin e plotkohor, po si t’ia bëja? Gjithsesi, para se të shpjegoj më tej, t’ju tregoj diçka për jetën time deri në atë pikë.
PAK kohë pasi linda, më 27 korrik 1907, në Alabamë, SHBA, prindërit e mi, unë, motra dhe dy vëllezërit e mi më të vegjël u transferuam në Xhorxhia. Jo shumë kohë më pas, shkuam në Tenesi e pastaj në afërsi të Tampës, në Florida. Kur ishim atje, në vitin 1916, pashë shfaqjen «Foto-Drama e Krijimit» që ishte edhe me zë. Industria e filmit sapo kishte lindur, kështu që të gjithëve u pëlqente shumë «Foto-Drama».
Prindërit e mi ishin lexues të zellshëm të Kullës së Rojës e të botimeve të tjera biblike. Por, edhe pse e pëlqente literaturën, babai nuk shoqërohej aktivisht me Studentët e Biblës, siç quheshin Dëshmitarët e Jehovait. Kurse mamaja na merrte me vete në mbledhje ne fëmijëve. Në fakt, jo shumë kohë pasi u transferuam në Najlz, Miçigan, udhëtonim rregullisht me tren 15 kilometra deri në Sauth-Bend, Indiana, për të ndjekur mbledhjet.
Më 22 korrik 1924, u pagëzova në simbol të kushtimit që i kisha bërë Jehovait. Shumë shpejt, mamaja i rregulloi punët që të bëhej
përhapëse, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait që shërbenin në kohë të plotë. Shembulli i shkëlqyer që la ajo dhe përhapësit e tjerë, më nguliti dëshirën që ta filloja edhe unë atë shërbim.Gjej një shok
Në vitin 1925, në një kongres të madh në Indianapolis, Indiana, takova Xhejms Stajgersin, i cili ishte nga Çikago. Ai më bëri menjëherë përshtypje si një shërbëtor entuziast i Jehovait. Unë jetoja rreth 160 kilometra larg Çikagos, prandaj nuk e kishim të lehtë të takoheshim. Në atë kohë, në Çikago kishte vetëm një kongregacion dhe mbledhjet mbaheshin në katin e dytë të një ndërtese, në një dhomë me qira. Xhejmsi më shkruante shpesh që të më inkurajonte frymësisht. U martuam në dhjetor të vitit 1926 dhe rreth një vit më vonë na lindi djali i parë, Edi.
Pak kohë më pas, unë dhe Xhejmsi nisëm së bashku shërbimin si pionierë. Shërbyem në tetë shtete: Miçigan, Luizianë, Misisipi, Dakota e Jugut, Ajoua, Nebraskë, Kaliforni dhe Ilinois. Ishin vitet më të bukura të jetës sonë. Ato ditë të lumtura së bashku si familje u ndërprenë vetëm kur Xhejmsi u sëmur.
Për shkak të sëmundjes së Xhejmsit, gjendja jonë financiare nuk ishte si më parë, kështu që në vitin 1936 u kthyem në Çikago për të jetuar me mamanë e tij, e cila ishte po ashtu Dëshmitare. Aty nga fundi i sëmundjes së Xhejmsit, punoja për 1 dollar në ditë në një mensë, ndërkohë që isha shtatzënë me fëmijën tonë të dytë. Vjehrra ime e dashur sigurohej që të kishim me bollëk për të ngrënë dhe nuk pranonte asnjë dollar për këtë. U kujdes në mënyrë të shkëlqyer për ne.
Xhejmsi vuajti për dy vjet nga encefaliti, një infeksion i trurit, dhe vdiq në korrik të vitit 1938. Gjatë kohës që ishte sëmurë, nuk e ngiste dot makinën e nuk dilte dot në shërbimin shtëpi më shtëpi, po kurrë s’linte t’i ikte nga dora mundësia për t’u dëshmuar të tjerëve. Që të mbështetja familjen nga ana financiare, e lashë shërbimin e plotkohor. Arrija të gjeja punë të ndryshme, po secila zgjaste vetëm një periudhë të shkurtër.
Djali i dytë, Bobi, lindi më 30 korrik 1938, vetëm tetë ditë pasi i kishte vdekur i ati. Por vjehrra nuk më la të shkoja në spitalin shtetëror. Përkundrazi, më çoi në një spital më të mirë dhe mjeku i saj u kujdes për mua. Për më tepër, pagoi gjithë faturat e spitalit, një shprehje e dashurisë së krishterë që e vlerësova shumë.
Rikthehem në shërbimin e plotkohor
Jetuam bashkë me vjehrrën derisa Bobi mbushi 2 vjeç dhe Edi 12. Ndonëse më duhej të përshtatesha me rrethanat e reja, ende më vlonte në zemër dëshira e zjarrtë për t’i shërbyer Jehovait në kohë të plotë. Në kongresin që u mbajt në vitin 1940 në Detroit, Miçigan, takova një çift pionierësh që më nxitën të shkoja në Karolinën e Jugut si pioniere. Kështu, me 150 dollarë bleva një makinë Pontiak 1935 dhe u përgatita për të shkuar atje. Në vitin 1941, kur Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën II Botërore, unë dhe djemtë e mi u drejtuam për në jug, ku rifillova shërbimin e plotkohor.
Kur shkuam në Karolinën e Jugut, fillimisht ndenjëm në Kamden, pastaj në Litëll-Rivër e më pas në Konuei. Atje bleva një shtëpi-rimorkio të vogël. Pronari dashamirës i një pike karburanti më lejoi të parkoja pranë atij vendi dhe të lidhesha me linjën e tij elektrike e të
gazit natyror, e madje më la të përdorja edhe banjën e pikës së karburantit. Gjatë Luftës II Botërore, karburanti ishte me racion, kështu që s’e blija dot. Prandaj bleva një biçikletë të përdorur. Pastaj, në vitin 1943, kur mendova që nuk mund të vazhdoja më si pioniere pasi na kishin mbaruar të gjitha paratë, më ftuan të shërbeja si pioniere speciale, kështu që merrja një shpërblim mujor për shpenzimet. Sa më ka ndihmuar Jehovai gjatë gjithë këtyre viteve!Në atë kohë, në Konuei nuk kishte Dëshmitarë të tjerë dhe ishte e vështirë për mua dhe fëmijët të dilnim në shërbim vetëm. Prandaj, i shkrova zyrës për t’i kërkuar një shoqe shërbimi si pioniere speciale, dhe në vitin 1944 u bekova me një shoqe të mrekullueshme, Edit Uokërin. Shërbyem bashkë në caktime të ndryshme për 16 vjet. Pastaj, mjerisht, për shkak të një problemi shëndetësor, asaj iu desh të kthehej në Ohajo.
Bekime të paharrueshme
Nga kujtimet e shumta të bukura që kam për ato vite, nuk do ta harroj kurrë Alberthën 13-vjeçare, e cila jetonte në Konuei dhe kujdesej për gjyshen invalide e për dy vëllezër më të vegjël. I pëlqenin shumë të vërtetat biblike që i tregoja dhe donte t’u fliste të tjerëve për to. Edhe ajo krijoi një vlerësim të thellë për shërbimin si pioniere dhe e nisi këtë shërbim pasi mbaroi shkollën e mesme, në vitin 1950. Më shumë se 57 vjet më vonë, ajo është ende në shërbimin e plotkohor!
Në vitin 1951, bashkë dhe Editin na caktuan për pak kohë në Rok-Hill të Karolinës së Jugut, ku jetonin shumë pak Dëshmitarë. Pastaj shkuam në Elberton, Xhorxhia, për tre vjet. Pastaj u kthyem prapë në Karolinën e Jugut, ku qëndrova nga viti 1954 deri në vitin 1962. Në Uolhala takova një grua të moshuar me emrin Neti, e cila kishte probleme dëgjimi dhe jetonte e vetme në një zonë fshatare. Si e bënim studimin e Biblës? Ajo lexonte një paragraf, unë i tregoja me gisht pyetjen në fund të faqes dhe ajo më tregonte me gisht përgjigjen në paragraf.
Kur nuk kuptonte diçka, e shkruante pyetjen në një fletë dhe unë i shkruaja përgjigjen poshtë pyetjes. Me kalimin e kohës, Neti filloi ta çmonte kaq shumë të vërtetën e Biblës, sa nisi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit dhe të predikonte shtëpi më shtëpi. Predikonte vetëm, por unë ama nuk isha asnjëherë tepër larg. Zakonisht rrija në anën tjetër të rrugës, gati në rast se do të kishte nevojë për ndihmë.
Në Uolhala, makina ime e vjetër u prish fare. Më doli një rast për të blerë një makinë me 100 dollarë, po s’kisha para. Fola me një Dëshmitar që kishte një biznes dhe ai më dha hua 100 dollarë. Pak kohë më pas, mora papritur një letër nga motra ime, që thoshte se ata sapo kishin zbuluar që, kur babai ynë kishte vdekur, kishte lënë ca para në bankë. Ajo bashkë me dy vëllezërit kishin diskutuar ç’të bënin me to dhe kishin rënë dakord të m’i dërgonin mua. Ishin 100 dollarë.
Pioniere së bashku me djemtë
Që fëmijë, Edi dhe Bobi më shoqëronin gjatë gjithë kohës në predikim. Asokohe, njerëzit në përgjithësi nuk kishin probleme me drogën dhe ndikimet imorale nuk ishin kaq të forta sa sot. E mbajtëm jetën të thjeshtë dhe u përqendruam në veprën e predikimit, kështu që shmanga shumë probleme që hasin prindërit
sot për t’i rritur fëmijët që t’i shërbejnë Jehovait.Edi shkoi në një shkollë në Kamden deri në klasën e tetë, pastaj donte të shërbente si pionier bashkë me mua. U kënaqëm së bashku si pionierë për disa vjet. Pastaj atij i lindi dëshira të shërbente në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, ku shërbeu nga viti 1947 deri në vitin 1957. Më 1958 u martua me Alberthën, ish-studenten time të Biblës, dhe shërbyen së bashku si pionierë. Ç’kënaqësi ishte kur që të tre së bashku ndoqëm Shkollën e Shërbimit për Pionierë në vitin 2004!
Më kujtohet që, shumë vjet më parë, dëgjova një ditë Bobin e vogël teksa i kërkonte Jehovait në lutje të më ndihmonte të blija benzinë për ta përdorur makinën që të shkoja në studimet e mia biblike. Gjatë gjithë jetës së tij, Bobi ka shfaqur dashuri për shërbimin dhe ka qenë pionier për disa vjet. Mjerisht, edhe Bobi pati një tragjedi familjare. Në vitin 1970, i vdiq gruaja, me të cilën kishte vetëm 22 muaj që ishte martuar, bashkë me binjaket, gjatë lindjes së tyre. Bobi dhe unë kemi jetuar gjithnjë pranë njëri-tjetrit dhe kemi pasur një lidhje shumë të ngushtë nënë e bir.
Jam ende pioniere!
Në vitin 1962, u caktova në kongregacionin e Lumbertonit, në Karolinën e Veriut, ku shërbej ende sot, 45 vjet më vonë. Vazhdova të ngisja makinën edhe pasi i kisha kaluar të 80-at. Tani, një familje Dëshmitarësh që jeton afër meje më çon në mbledhjet e kongregacionit dhe në veprën e predikimit.
Kam një mbështetëse për të ecur dhe një karrige me rrota, por nuk kam nevojë për asnjërën prej tyre, sepse mund të eci vetë. I jam mirënjohëse Jehovait që kam pasur shëndet të shkëlqyer, përveç ca problemeve që kam pasur me sytë kohët e fundit. Nuk humbas asnjë mbledhje, veçse nëse jam shumë sëmurë, dhe vazhdoj të shërbej si pioniere e rregullt me kuotë të zvogëluar orësh.
Pasi kam shërbyer me gëzim si pioniere për më shumë se 70 vjet, mund ta them sinqerisht se Jehovai më ka ndihmuar gjatë gjithë kohës. * E di se kurrë nuk kam qenë shumë inteligjente ose ndonjë punëtore shumë e shkathët, por Jehovai e di se ç’mund të bëj e çfarë jo. Jam shumë mirënjohëse që ai e di se po përpiqem, dhe që më ka përdorur në shërbim të tij.
Mendoj se është e rëndësishme t’i shërbejmë Jehovait sa më shumë të mundemi, pasi gjithçka që kemi ia detyrojmë atij. Nuk do të zgjidhja asgjë tjetër veçse të shërbeja si pioniere, derisa të jem në gjendje. Sa privilegj i mrekullueshëm ka qenë! Lutem që Jehovai të vazhdojë të më përdorë gjatë gjithë përjetësisë.
[Shënimi]
^ par. 30 Motër Stajgersi e mbaroi jetën e saj në tokë më 20 prill 2007, tre muaj para se të mbushte 100 vjeçe. Na jep zemër shërbimi i saj për shumë vite dhe na gëzohet zemra që ka marrë shpërblimin qiellor.
[Figura në faqen 13]
Unë dhe im shoq përdornim këtë makinë në veprën si përhapës
[Figura në faqen 14]
Me djemtë në vitin 1941
[Figura në faqen 15]
Me Edin dhe Bobin, kohët e fundit