A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Cilat janë katër kuptimet se si përdoret në Shkrimet e Krishtere Greke fjala «kongregacion»?
Kuptimi i parë ka të bëjë me grupin e përbërë nga të krishterët e mirosur (në disa shkrime përfshihet edhe Krishti). Në raste të tjera, «kongregacioni i Perëndisë» u referohet të gjithë të krishterëve që jetojnë në një kohë të caktuar. Një kuptim i tretë ka të bëjë me të gjithë të krishterët që banojnë në një zonë gjeografike. Së fundi, termi mund të përdoret për ata që përbëjnë një kongregacion vendës.—15/4, faqet 21-23.
• Kur mbaron thirrja e të krishterëve për shpresën qiellore?
Bibla nuk jep një përgjigje specifike. Thirrja filloi në vitin 33 të e.s. dhe ka vazhduar deri në kohët moderne. Pas vitit 1935 pikësynimi i veprës së bërjes së dishepujve ishte mbledhja e shumicës së madhe. Disa që u pagëzuan pas vitit 1935, kanë marrë dëshminë e frymës së shenjtë se kanë shpresën qiellore, prandaj s’mund të vendosim një datë specifike se kur mbaron ajo thirrje. Ata që janë vërtet të mirosur nuk kanë më shumë frymë të shenjtë se të tjerët dhe as presin ndonjë trajtim të veçantë. Cilado qoftë shpresa e tyre, të krishterët duhet të jenë besnikë e të vazhdojnë të bëjnë vullnetin e Perëndisë.—1/5, faqet 30, 31.
• Kur Jefteu bëri zotimin, a nënkuptonte se do ta paraqiste vajzën e tij si flijim të djegur për Perëndinë?
Jo. Jefteu donte të thoshte se atë që do të takonte të parin, do t’ia paraqiste Perëndisë që t’i kushtohej plotësisht shërbimit të Tij, një masë që ekzistonte në Ligjin e Moisiut. (1 Samuelit 2:22) Vajza e Jefteut e përmbushi atë zotim dhe shërbeu gjithnjë në tabernakull, e kjo ishte një sakrificë e madhe, sepse nënkuptonte që nuk do të martohej kurrë.—15/5, faqet 9, 10.
• Ç’rol luajti kodiku në krishterimin e hershëm?
Duket se të krishterët përdornin kryesisht rrotullat, të paktën deri aty nga fundi i shekullit të parë të e.s. Në shekullin e dytë, pati një betejë mes atyre që propozonin kodikun dhe atyre që donin rrotullat. Specialistët besojnë se përdorimi i kodikut nga të krishterët luajti një rol domethënës që ai të pranohej gjerësisht.—1/6, faqet 14, 15.
• Çfarë është kalendari i Gezerit?
Është një pllakë e vogël prej guri gëlqeror, e zbuluar në vitin 1908, në zonën arkeologjike të qytetit të Gezerit. Shumë studiues mendojnë se këtë pllakë e ka shkruar një djalosh në moshën shkollore, si detyrë shtëpie. Pllaka përmban një version të thjeshtuar të një viti ose cikli bujqësor, duke filluar me mbledhjen, në muajin që përkon me muajt shtator-tetor, dhe përmend korrje të ndryshme dhe veprimtari bujqësore.—15/6, faqja 8.
• Çfarë do të thotë të mëkatosh kundër frymës së shenjtë?
Mund të mëkatohet kundër frymës së shenjtë të Jehovait dhe ky është një mëkat që nuk do të falet. (Mateu 12:31) Perëndia është ai që përcakton nëse kemi kryer një mëkat të pafalshëm, dhe ai mund ta heqë frymën e tij prej nesh. (Psalmi 51:11) Nëse jemi thellësisht të trishtuar për një mëkat që kemi kryer, ka shumë të ngjarë që të jemi penduar vërtet, e prandaj të mos kemi mëkatuar kundër frymës.—15/7, faqet 16, 17.
• Pse mbreti Saul e pyeti Davidin bir i kujt ishte, meqë kishte qenë edhe më parë në shoqërinë e Davidit? (1 Samuelit 16:22; 17:58)
Sauli nuk donte të dinte thjesht emrin e babait të Davidit. Pasi e kishte parë Davidin si një njeri me besim e guxim, që sapo kishte mundur Goliadin, Sauli donte të dinte çfarë lloj njeriu ishte ai që kishte rritur një djalë të tillë. Sauli mund të ketë pasur ndër mend ta fuste në ushtri Jeseun ose pjesëtarët e tjerë të familjes së tij.—1/8, faqja 31.