Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Admironi projektin, mësoni për Projektuesin

Admironi projektin, mësoni për Projektuesin

Admironi projektin, mësoni për Projektuesin

NDOSHTA keni dëgjuar për piktorin dhe skulptorin e famshëm italian Mikelanxhelo. Edhe sikur të mos keni parë kurrë origjinalin e ndonjë kryevepre të tij, ka të ngjarë që të jeni dakord me një historian arti, i cili e ka quajtur këtë gjeni italian «një artist të mrekullueshëm e të paarritshëm». Talentin e Mikelanxhelos nuk e mohon dot njeri. Çdokush që admiron artin e Mikelanxhelos, e pranon pa diskutim se ai ishte një artist i jashtëzakonshëm.

Tani mendoni për shumëllojshmërinë marramendëse të formave të ndërlikuara të jetës që gëlojnë në tokë. Lidhur me këtë, The New York Times citonte një profesor të shkencave biologjike që thoshte: «Provat fizike të projektimit janë të dukshme në të gjitha fushat e biologjisë.» Pastaj shtonte: «Jeta na shtang me projektin kaq të qartë në natyrë.» A është logjike të admirojmë projektin pa pranuar që ka një projektues?

Apostulli Pavël, një vëzhgues i mprehtë i gjërave që e rrethonin, foli për ata që «adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit». (Romakëve 1:25, Diodati i Ri) Të ndikuar nga idetë evolucioniste të përhapura kudo, disa nuk duan të pranojnë ose të kuptojnë se projekti tregon qartë që duhet të ketë një projektues. Po mirë, a mund të themi që teoria e evolucionit paraqet nivelin më të lartë të shkencës së vërtetë? Shikoni përfundimin që nxori Kristof Shonborni, kryepeshkopi katolik i Vjenës, në The New York Times: «Çdo teori që mohon ose që përpiqet të shpërfillë dëshmitë marramendëse të projektit në biologji, nuk është shkencë, por ideologji.»

Fundi i shkencës?

Gjithsesi, disa mendojnë se duke pranuar që ka prova për një Krijues, «do të pengohej puna kërkimore». Kjo frikë shprehej në një artikull të gazetës New Scientist, ku thuhej se «shkenca si një fushë studimi pa kufi, do të merrte fund, do të ndalej nga një pengesë e pakapërcyeshme me etiketën ‘e ka bërë projektuesi’». A është e bazuar kjo frikë? Aspak. Madje është e vërtetë krejt e kundërta. Përse?

Të pranojmë si shkak të ekzistencës së universit e të jetës në tokë rastësinë e verbër dhe evolucionin që e pasoi, faktikisht nënkupton të braktisim çdo përpjekje për të gjetur ndonjë shpjegim kuptimplotë. Nga ana tjetër, të pranojmë se pas gjërave që shohim përreth qëndron një Krijues inteligjent, na shtyn të hulumtojmë natyrën e inteligjencës së tij dhe si është shfaqur ajo në universin fizik. Mendoni për këtë shembull: dijenia se Leonardo da Vinçi pikturoi «Monalizën», nuk i ka penguar historianët e artit të hulumtojnë teknikën e tij dhe materialet që përdorte. Po kështu, pranimi i ekzistencës së një Projektuesi s’ka pse të na pengojë që të hulumtojmë hollësitë e projekteve dhe të krijimeve të tij të ndërlikuara.

Në vend që të pengojë punën e mëtejshme kërkimore, Bibla na nxit që të kërkojmë përgjigje si për pyetjet shkencore, ashtu edhe për Perëndinë. Mbreti i lashtë David meditoi rreth ndërtimit mjeshtëror të trupit të tij dhe, si rezultat, tha: «Jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.» (Psalmi 139:14) Në fakt, në Bibël paraqitet një pyetje që Krijuesi i bën patriarkut Job: «A i vrojtove përmasat e tokës?» (Jobi 38:18, Simon Filipaj) Sigurisht që këto fjalë nuk nënkuptojnë asnjë pengesë për kërkimet dhe hulumtimet. Përkundrazi, këtu Projektuesi i Madh po e ftonte Jobin që të studionte veprën e Tij krijuese. Shqyrtoni edhe ftesën që shkroi profeti Isaia, në të cilën udhëzohemi të shtojmë kuptueshmërinë për Atë që ka krijuar gjithë gjërat përreth nesh: «Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra?» Më pas, Isaia 40:26 përmend një fakt që është në përputhje me formulën e famshme të Ajnshtajnit E=mc2. E vërteta është që universi u prodhua nga një burim fuqie dhe energjie dinamike.

Kuptohet, nuk është gjithnjë e lehtë të gjejmë përgjigjet për pyetjet rreth krijimit. Pjesërisht kjo ndodh sepse aftësia jonë për të kuptuar është e kufizuar dhe njohuria që kemi për botën në të cilën jetojmë, nuk është e plotë. Jobi e kuptoi këtë. Ai i thuri lavdi Krijuesit, i cili bën të mundur që rruzulli ynë të qëndrojë i varur në asgjë të dukshme në hapësirë dhe që retë e mbushura me ujë të qëndrojnë pezull mbi tokën. (Jobi 26:7-9) Gjithsesi, Jobi e kuptoi se këto mrekulli «s’janë veç thekët e udhëve» të Krijuesit. (Jobi 26:14) Pa dyshim, Jobi donte të mësonte më shumë për botën që e rrethonte. Edhe Davidi i pranoi kufizimet e tij kur u shpreh: «Sa e mrekullueshme është për mua njohuria jote! Është kaq e lartë sa s’e arrij dot.»—Psalmi 139:6.

Pranimi i ekzistencës së një Krijuesi nuk e ndal përparimin shkencor. Kërkimi për një kuptueshmëri më të gjerë, si për gjërat fizike, ashtu dhe për Perëndinë, është vërtet i pafund dhe i përjetshëm. Një mbret i lashtë, i famshëm për njohurinë e tij të gjithanshme, shkroi me përulësi: «Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e [njerëzve], që njerëzit të mos e zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë.»—Eklisiastiu 3:11.

«Perëndi që mbush boshllëqet»?

Disa kundërshtojnë duke thënë se njerëzit e futin vend e pa vend Perëndinë si «një zgjidhje» sa herë që s’ka ndonjë shpjegim të provueshëm nga ana shkencore. Me fjalë të tjera, thonë se ky Projektues i mbinatyrshëm bëhet «Perëndi që mbush boshllëqet», sikur fjala «Perëndi» të jetë një fjalë magjike që mund të përdoret sa herë që njerëzit nuk dinë si ta shpjegojnë një gjë. Po për cilat boshllëqe bëhet fjalë këtu? A janë ato thjesht boshllëqe të vogla e të parëndësishme në njohurinë tonë? Jo. Janë hendeqe të mëdha për sa i përket vërtetësisë së teorisë darviniane të evolucionit. Janë boshllëqe themelore në disa fusha të biologjisë që teoria e evolucionit nuk ka qenë e aftë t’i mbushë. Për të qenë krejt të sinqertë, evolucionistët që mbështeten në supozime të pabazuara, në fakt po e bëjnë teorinë e Darvinit ‘Perëndinë e tyre që mbush boshllëqet’.

Krijuesi që paraqitet në Bibël nuk është thjesht një shpjegim sa për të dalë nga situata. Jo, aktiviteti i tij i përfshin të gjitha fazat, aspektet dhe hollësitë e krijimit. Psalmisti e theksoi veprimtarinë krijuese gjithëpërfshirëse të Jehovait me këto fjalë: «Ti je burimi i çdo jete, dhe për shkak të dritës sate ne shohim dritën.» (Psalmi 36:9, Today’s English Version) Jehovai është përshkruar më së miri si Ai ‘që bëri qiellin, tokën, detin e gjithçka në ta’. (Veprat 4:24; 14:15; 17:24) Me arsye të vlefshme, një mësues i shekullit të parë shkroi se Perëndia «krijoi gjithçka».—Efesianëve 3:9.

Veç kësaj, Perëndia përcaktoi «ligjet e qiejve», domethënë ligjet fizike që drejtojnë materien dhe energjinë, ligje që shkencëtarët ende po i studiojnë. (Jobi 38:33) Projekti i tij është i plotë dhe me një qëllim, duke përmbushur synimin e tij për ta formuar tokën që në të të banojë një larmi mahnitëse gjërash të gjalla.

Projekti dhe logjika

Së fundi, duhet të shqyrtojmë çështjen e logjikës. Duke folur në përgjithësi për vlerën e teorive të ndryshme shkencore, shkrimtari shkencor Xhon Horgan u shpreh: «Kur provat nuk janë të sigurta, s’duhet të na vijë turp të përdorim logjikën tonë për drejtim.»

A është vërtet logjike të themi se jeta ka ardhur thjesht rastësisht ose nga disa forca të verbra? Pavarësisht se sa e përhapur dhe e pranuar është teoria e evolucionit, shumë njerëz inteligjentë, ndër ta edhe shkencëtarë, janë të bindur se ka një Krijues inteligjent. Një profesor i shkencave komenton se publiku i gjerë «përgjithësisht dhe logjikisht mendon se jeta u projektua». Përse e mendojnë këtë? Shumica e njerëzve e pranojnë menjëherë atë që tha apostulli Pavël: «Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush.» (Hebrenjve 3:4) Pastaj Pavli vazhdon me përfundimin logjik: «Ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» Nga pikëpamja biblike, thjesht nuk është logjike të pranojmë se një shtëpi ka nevojë për një projektues e për një ndërtues, e në të njëjtën kohë të themi se një qelizë e ndërlikuar erdhi në ekzistencë rastësisht.

Bibla bën një koment për ata që nuk e pranojnë ekzistencën e një Projektuesi dhe Krijuesi: «I pamendi thotë me vete: ‘S’ka Jehova.’» (Psalmi 14:1) Këtu, psalmisti qorton ata që ende nuk janë bindur. Një njeri mund të udhëhiqet nga idetë personale, jo nga paanësia në vlerësimin e gjërave. Nga ana tjetër, kush është i mençur dhe me aftësi dalluese, e pranon ekzistencën e Krijuesit.—Isaia 45:18.

Për shumë njerëz që arsyetojnë, provat që mbështetin ekzistencën e një Projektuesi Suprem janë më se të qarta.

Mund ta njihni Projektuesin

Nëse mendojmë se ne jemi projektuar, atëherë për çfarë u projektuam? Cili është qëllimi i jetës sonë? Vetëm shkenca nuk është në gjendje t’u japë përgjigje të kënaqshme këtyre pyetjeve. Por këto çështje themelore kërkojnë përgjigje bindëse dhe të kënaqshme. Në këtë drejtim, Bibla mund të na ndihmojë shumë. Ajo e identifikon Jehovain jo vetëm si Krijues, por edhe si një Perëndi me qëllime, i cili ka arsye të forta për atë që bën. Shkrimet na zbulojnë qëllimin e Perëndisë për njerëzit, duke na dhënë një shpresë dhe një të ardhme.

Por, kush është Jehovai? Ç’lloj Perëndie është? Dëshmitarët e Jehovait ju ftojnë ta njihni Projektuesin Madhështor si një person real. Mund të mësoni për emrin e për cilësitë e tij dhe për mënyrën si vepron me njerëzimin. Nëpër faqet e Fjalës së tij, Biblës, do të shikoni përse s’duhet të mjaftohemi duke admiruar projektin e tij të mrekullueshëm, por duhet që edhe ta lartësojmë atë si Projektues.​—Psalmi 86:12; Zbulesa 4:11.

[Figura në faqen 4]

Mikelanxhelo

[Figurat në faqen 5]

Besimi te një Projektues është në përputhje me shkencën e vërtetë

[Figura në faqen 6]

Shumëllojshmëria dhe përshtatja janë prova të larmisë që përmban një projekt vërtet mjeshtëror

[Figurat në faqen 7]

Projekti kërkon një projektues