Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘O Jehova, më vër në provë!’

‘O Jehova, më vër në provë!’

‘O Jehova, më vër në provë!’

«AI QË shqyrton zemrat është Jehovai.» (Proverbat 17:3) Ky pohim duhet të na ngushëllojë jashtë mase të gjithëve. Përse? Sepse, ndryshe nga njerëzit, që gjykojnë thjesht nga ajo që shohin, Ati ynë qiellor «sheh zemrën».​—1 Samuelit 16:7.

Në të vërtetë, as ne vetë nuk arrijmë t’i vlerësojmë siç duhet motivet dhe prirjet tona të brendshme. Përse jo? Sepse «zemra [jonë] është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?» Por Perëndia e njeh, pasi thotë: «Unë, Jehovai, hetoj zemrën dhe shqyrtoj veshkat.» (Jeremia 17:9, 10) Po, Jehovai e kupton «zemrën»​—që përfshin motivet e brendshme—dhe «veshkat», domethënë mendimet dhe ndjenjat tona më të thella.

Pse vihen në provë të krishterët?

Kështu, e kuptojmë pse mbreti i lashtë David i tha Perëndisë: «Më heto, o Jehova, e më vër në provë! Rafinoji veshkat dhe zemrën time!» (Psalmi 26:2) A ishte i pastër çdo veprim e çdo fjalë e Davidit, aq sa të mos kishte fare frikë nëse Jehovai do ta vinte në provë? Natyrisht që jo! Ashtu si të gjithë ne, Davidi ishte i papërsosur dhe nuk arrinte t’i ndiqte në mënyrë të përsosur normat e Perëndisë. Për shkak të dobësive që kishte, Davidi bëri disa gabime të rënda, por gjithsesi ‘eci me një zemër me integritet’. (1 Mbretërve 9:4) Si e bëri këtë? Duke pranuar qortimin dhe duke ndrequr udhën e tij. Kështu tregoi se e donte vërtet Jehovain. Përkushtimi i tij ndaj Perëndisë ishte i plotë.

Po ne sot? Jehovai e di se jemi të papërsosur dhe se mund të mëkatojmë në fjalë e në veprime. Gjithsesi, nuk na e paracakton rrugën e jetës duke përdorur aftësinë e tij për ta ditur që më përpara të ardhmen tonë. Na ka krijuar me vullnet të lirë dhe e respekton këtë dhuratë që na ka dhënë me shumë dashamirësi.

Por nganjëherë, në njëfarë kuptimi, Jehovai e vë në provë njeriun tonë të brendshëm, ku përfshihen edhe motivet tona. Mund ta bëjë këtë duke na dhënë rast për të treguar në ç’gjendje e kemi zemrën. Mund të lejojë edhe disa rrethana ose sfida që zbulojnë prirjet tona më të brendshme. Kjo na jep mundësinë t’i tregojmë Jehovait sa të përkushtuar e besnikë jemi ndaj tij. Këto prova që lejon Jehovai, mund të sprovojnë cilësinë e besimit tonë, nëse jemi «të plotë e të përkryer në çdo aspekt pa [na] munguar asgjë».​—Jakovi 1:2-4.

Një provë besimi në lashtësi

Sprovat e besimit dhe të motiveve nuk janë diçka e re për shërbëtorët e Jehovait. Të marrim rastin e patriarkut Abraham. «Perëndia i vërtetë e vuri Abrahamin në provë.» (Zanafilla 22:1) Kur u thanë ato fjalë, besimi i Abrahamit tashmë ishte sprovuar. Disa dhjetëvjeçarë më parë, Jehovai i kishte kërkuar Abrahamit të ikte bashkë me familjen nga qyteti i begatë i Urit në një vend të panjohur. (Zanafilla 11:31; Veprat 7:2-4) Abrahami, i cili në Ur mund të ketë pasur shtëpinë e vet, nuk bleu ndonjë banesë të përhershme në Kanaan, ku jetoi për disa dhjetëvjeçarë. (Hebrenjve 11:9) Jeta shtegtare e Abrahamit dhe e familjes së tij i vuri përballë disa rreziqeve, si zia e bukës, bandat e armatosura dhe sundimtarët paganë të asaj zone. Por gjatë gjithë këtyre peripecive, doli në pah se besimi i Abrahamit ishte i një cilësie shumë të lartë.

Pastaj Jehovai e vuri Abrahamin në një provë edhe më të madhe. «Merre birin tënd, të lutem, birin tënd të vetëm që e do kaq shumë, Isakun, dhe . . . flijoje si një blatim të djegur.» (Zanafilla 22:2) Për Abrahamin, Isaku nuk ishte thjesht një bir. Ishte i vetmi bir që kishte me të shoqen, Sarën. Isaku ishte biri i premtimit, shpresa e vetme e Abrahamit që «fara» e tij të trashëgonte vendin e Kanaanit dhe të ishte një bekim për shumë veta, siç kishte premtuar Perëndia. Në fund të fundit, Isaku ishte pikërisht biri që pritej të kishte Abrahami dhe që lindi pas një mrekullie nga Perëndia.​—Zanafilla 15:2-4, 7.

Ndoshta e merrni me mend sa e vështirë duhet të ketë qenë për Abrahamin ta kuptonte këtë urdhër. A po kërkonte Jehovai një flijim njerëzor? Përse Jehovai do të kishte lejuar që Abrahami të provonte gëzimin e madh duke pasur një bir në pleqëri, vetëm për t’i kërkuar që të flijonte po këtë bir? *

Edhe pse s’kishte përgjigje të qarta për këto pyetje, Abrahami u bind menjëherë. Iu deshën tri ditë që të arrinte në malin e caktuar. Atje ndërtoi një altar dhe vuri dru mbi të. Tani ishte çasti kulmor i provës. Abrahami kapi thikën, por tek bëhej gati të vriste të birin, Jehovai me anë të një engjëlli e ndali dhe i tha: «Tani e di vërtet që ti ke frikë nga Perëndia, pasi nuk ma kurseve birin tënd, të vetmin që ke.» (Zanafilla 22:3, 11, 12) Mendoni sa shumë u shpërblye Abrahami duke dëgjuar këtë! Vlerësimi që i kishte bërë më parë Jehovai besimit të Abrahamit, ishte i saktë. (Zanafilla 15:5, 6) Pas kësaj, Abrahami flijoi një dash në vend të Isakut. Më pas Jehovai ripohoi premtimet e besëlidhjes për farën e Abrahamit. E kemi të lehtë ta kuptojmë pse Abrahami u njoh si miku i Jehovait.​—Zanafilla 22:13-18; Jakovi 2:21-23.

Edhe besimi ynë sprovohet

Të gjithë e kuptojmë se edhe sot shërbëtorët e Perëndisë nuk u shpëtojnë dot sprovave. Por në rastin tonë, sprovë mund të jetë më tepër ajo që Jehovai lejon të na ndodhë, jo ajo që na thotë të bëjmë.

Apostulli Pavël shkroi: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.» (2 Timoteut 3:12) Kjo përndjekje mund të vijë nga shokët e shkollës, nga miqtë, të afërmit, fqinjët ose nga qeveritarët e keqinformuar. Mund të përfshijë keqtrajtim me fjalë ose fizikisht, si dhe pengesat që u krijohen të krishterëve për të siguruar jetesën. Gjithashtu, të krishterët e vërtetë hasin edhe problemet që janë të zakonshme për të gjithë njerëzit: sëmundje, zhgënjime dhe padrejtësi. Të gjitha këto ia vënë në provë besimin njeriut.

Apostulli Pjetër e drejtoi vëmendjen te gjërat pozitive që vijnë kur na sprovohet besimi: «Jeni hidhëruar nga sprova të ndryshme, me qëllim që cilësia e sprovuar e besimit tuaj, me një vlerë shumë më të madhe se ari që prishet, megjithëse është i provuar me zjarr, të jetë shkak për lëvdim, lavdi dhe nderim kur të zbulohet Jezu Krishti.» (1 Pjetrit 1:6, 7) Po, efektet e sprovave mund të krahasohen me rafinimin e arit në zjarr. Procesi i rafinimit nxjerr në pah atë që është e pastër dhe heq papastërtitë. Diçka e ngjashme ndodh me besimin tonë, kur hasim sprova.

Për shembull, një aksident ose një katastrofë natyrore mund të sjellë vështirësi. Por, ata që kanë vërtet besim, nuk i dorëzohen ankthit të tepërt. Ata i ngushëllon siguria që jep Jehovai: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebrenjve 13:5) Vazhdojnë t’u japin përparësi gjërave frymore, të sigurt se Perëndia Jehova do t’i bekojë përpjekjet e tyre për të gjetur ç’u nevojitet vërtet. Besimi i mbështet gjatë kohëve të vështira dhe nuk i lë që ta ndërlikojnë më tej situatën e tyre me shqetësime të kota.

Edhe kur sprovat nxjerrin në pah disa pika të dobëta të besimit tonë, kjo mund të jetë e dobishme, nëse kuptojmë se duhet të marrim masa për t’i ndrequr. Duhet të pyesim veten: ‘Si ta forcoj besimin tim? A kam nevojë të kaloj më shumë kohë duke shqyrtuar në lutje Fjalën e Perëndisë e duke medituar rreth saj? A kam përfituar plotësisht nga masat për të ndjekur mbledhjet me bashkëbesimtarët? A mbështetem te forcat e mia, kur duhet t’i lutem Perëndisë Jehova e t’ia lë atij shqetësimet e mia?’ Por ky vetëshqyrtim është vetëm fillimi.

Për të forcuar besimin, mund të na duhet të përmirësojmë oreksin frymor, të tregojmë «një dëshirë të zjarrtë për qumështin e papërzier të fjalës». (1 Pjetrit 2:2; Hebrenjve 5:12-14) Duhet të përpiqemi të jemi si njeriu që përshkroi psalmisti: «[Ai] gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë.»—Psalmi 1:2.

Kjo kërkon që të mos mjaftohemi vetëm me leximin e Biblës. Është e rëndësishme të mendojmë se ç’po na thotë Fjala e Perëndisë dhe të zbatojmë këshillat që na jep ajo. (Jakovi 1:22-25) Si rrjedhim, do të na shtohet dashuria për Perëndinë, lutjet tona do të jenë më specifike e personale, dhe besimi tek ai do të bëhet më i fortë.

Vlera e besimit të sprovuar

Fakti që besimi është absolutisht i domosdoshëm për të marrë miratimin e Perëndisë, është një nxitje e fuqishme për ta forcuar besimin. Bibla na kujton: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh atij, sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» (Hebrenjve 11:6) Pra, duhet të ndihemi si ai njeri që iu lut Jezuit: «Më ndihmo kur të kem nevojë për më shumë besim!»​—Marku 9:24.

Sprovat ndaj besimit tonë mund të ndihmojnë edhe të tjerët. Për shembull, kur një të krishteri i vdes një njeri i afërt, është besimi në premtimin e Perëndisë për ringjalljen që e mban të fortë. Ai vajton, por gjithsesi ‘nuk pikëllohet si të tjerët që nuk kanë asnjë shpresë’. (1 Selanikasve 4:13, 14) Të tjerët që vënë re se si e mbështet besimi atë të krishterë, mund të kuptojnë se ka diçka me shumë vlerë. Kjo mund t’u ngjallë në zemër dëshirën që të kenë edhe ata një besim të ngjashëm, duke i shtyrë të mësojnë për Fjalën e Perëndisë dhe të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit.

Jehovai e di se një besim i sprovuar ka shumë vlerë. Veç kësaj, sprovat e besimit na japin mundësi të kuptojmë nëse besimi ynë ka vërtet fuqi për të na mbështetur. Ato na ndihmojnë të dallojmë pikat e dobëta të besimit, duke na e bërë më të lehtë t’i ndreqim ato. Së fundi, kur i kalojmë me sukses sprovat, mund të ndihmojmë të tjerë që të bëhen dishepuj të Jezuit. Pra, le të bëjmë çmos që të mbajmë një besim të fortë, një besim që, pasi u është nënshtruar sprovave të ndryshme, «të jetë shkak për lëvdim, lavdi dhe nderim kur të zbulohet Jezu Krishti»!​—1 Pjetrit 1:7.

[Shënimi]

^ par. 11 Për domethënien simbolike të «flijimit» të Isakut, shih Kullën e Rojës, 1 korrik 1989, faqja 22, anglisht.

[Figura në faqen 13]

Veprat e besimit e bënë Abrahamin mikun e Jehovait

[Figurat në faqen 15]

Sprovat mund të tregojnë se besimi ynë ka vërtet fuqi për të na mbështetur

[Burimi i figurës në faqen 12]

Nga Illustrated Edition of the Holy Scriptures, by Cassell, Petter, & Galpin