Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është ende me vlerë për ne «Dhiata e Vjetër»?

A është ende me vlerë për ne «Dhiata e Vjetër»?

A është ende me vlerë për ne «Dhiata e Vjetër»?

NË VITIN 1786 një mjek francez botoi librin me titull Diskutim për anatominë dhe fiziologjinë (frëngjisht). Ky libër konsiderohet vepra më e saktë neuroanatomike e kohës së tij dhe një kopje e rrallë e këtij libri kohët e fundit u shit për më shumë se 27 mijë dollarë. Megjithatë, sot pak pacientë do ta linin veten në dorë të një kirurgu që bazohet në libra mjekësorë disa shekuj të vjetër. Një të sëmuri në këtë kohë zor se i hyn në punë vlera historike dhe letrare e këtij libri.

Shumë njerëz kanë të njëjtin mendim për atë që është quajtur Dhiata e Vjetër. Ata i vlerësojnë tregimet e saj për historinë e Izraelit dhe e admirojnë gjuhën e bukur poetike, por mendojnë se nuk është e arsyeshme të ndjekin drejtimin e këtyre librave të shkruar më shumë se 2.400 vjet më parë. Njohuria e sotme në fushën shkencore, tregtare, e madje edhe vetë jeta familjare, ndryshojnë shumë nga koha kur u shkrua Bibla. Filip Jansi, ish-redaktor i revistës Christianity Today, shkruan në një libër të tij: «Ajo nuk ka gjithmonë kuptim; edhe aty ku ka kuptim, fyen njerëzit e kohës sonë. Për këto arsye, e për të tjera akoma, Dhiata e Vjetër, që përbën tri të katërtat e Biblës, shpesh lihet pa lexuar.» (Bibla që lexoi Jezui, anglisht) Kjo mendësi s’është e re.

S’kishin kaluar as 50 vjet nga vdekja e apostullit Gjon (rreth vitit 100 të e.s.), kur një pasanik i ri me emrin Marsion deklaroi publikisht se të krishterët duhej ta nxirrnin jashtë përdorimit Dhiatën e Vjetër. Sipas Robin L. Foksit, historian anglez, Marsioni mbronte me forcë idenë se «‘Perëndia’ i Dhiatës së Vjetër ishte një ‘barbar i betuar’ që favorizonte banditë dhe terroristë, si mbreti David i Izraelit. Kurse Krishti zbuloi një Perëndi më të lartë, që ishte krejtësisht i ri dhe i ndryshëm». Ky autor shkruan se këto bindje «u shndërruan në teorinë që u quajt ‘marsionizmi’ dhe për pjesën më të madhe të shekullit të katërt, vazhduan të bënin për vete ndjekës, sidomos në Lindje ku flitej gjuha siriake». Disa nga këto ide ekzistojnë ende. Për pasojë, më shumë se 1.600 vjet më vonë, «njohuria për Dhiatën e Vjetër po humb shpejt mes të krishterëve dhe në shoqërinë moderne praktikisht është zhdukur»,—shkruan Filip Jansi.

Mos ndoshta Dhiatës së Vjetër ia ka zënë vendin një tjetër? Si mund të pajtohet ‘Jehovai i ushtrive’ në Dhiatën e Vjetër me ‘Perëndinë e dashurisë dhe të paqes’ në Dhiatën e Re? (Isaia 13:13; 2 Korintasve 13:11) Ç’dobi mund të nxjerrim sot nga Dhiata e Vjetër?