Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësojini fëmijët të duan Jehovain

Mësojini fëmijët të duan Jehovain

Mësojini fëmijët të duan Jehovain

«Porsi shigjeta në dorën e një trimi janë fëmijët e rinisë.»​—PSALMI 127:4.

1, 2. Në ç’kuptim fëmijët janë si «shigjeta në dorën e një trimi»?

NJË harkëtar bëhet gati të qëllojë me shigjetë një shenjë. E vendos me kujdes shigjetën te filli i harkut dhe me muskujt e tendosur shtrin harkun. Pavarësisht nga tendosja, ai merr nishan me kujdes dhe me durim. Pastaj e lëshon shigjetën! A do të godasë ajo në shenjë? Kjo varet nga disa faktorë, si: zotësia e harkëtarit, ndikimi i erës dhe gjendja e shigjetës.

2 Mbreti Solomon i krahasoi fëmijët me «shigjeta në dorën e një trimi». (Psalmi 127:4) Të mendojmë se si zbatohet ky ilustrim. Harkëtari e ka në dorë shigjetën vetëm për pak kohë. Për të goditur në shenjë, duhet ta lëshojë shpejt. Po kështu, prindërit kanë vetëm pak kohë për të zhvilluar te fëmijët dashurinë e sinqertë për Jehovain. S’kalojnë veçse pak vite që duken shumë të shkurtra, dhe fëmijët rriten e shkojnë të jetojnë më vete. (Mateu 19:5) A do të godasin në shenjë ata, domethënë, a do të vazhdojnë ta duan Perëndinë e t’i shërbejnë, edhe pasi të jenë larguar nga shtëpia? Kjo varet nga faktorë të shumtë. Tre prej tyre janë: zotësia e prindit, mjedisi në të cilin rriten fëmijët dhe mënyra se si ‘shigjeta’ ose fëmija i përgjigjet stërvitjes që merr. Le ta shqyrtojmë më me hollësi secilin faktor. Së pari, do të shqyrtojmë disa tipare të një prindi të zotë.

Prindërit e zotë lënë shembullin e mirë

3. Pse fjalët e prindërve duhet të mbështeten me veprime?

3 Jezui la shembullin për prindërit sepse e zbatonte edhe vetë atë që predikonte. (Gjoni 13:15) Nga ana tjetër, ai i dënoi farisenjtë që ‘flitnin’, por ‘nuk vepronin’. (Mateu 23:3) Që prindërit t’i motivojnë fëmijët të duan Jehovain, veprimet e tyre duhet të përputhen me fjalët që thonë. Fjalët që nuk mbështeten me veprime, janë po aq të padobishme sa edhe një hark pa fill.​—1 Gjonit 3:18.

4. Ç’pyetje duhet t’i bëjnë vetes prindërit dhe përse?

4 Pse është kaq i rëndësishëm shembulli i prindërve? Ashtu si të rriturit mund të mësojnë të duan Perëndinë duke parë shembullin e Jezuit, edhe fëmijët mund të mësojnë të duan Jehovain duke ndjekur shembullin e mirë të prindërve të tyre. Shokët që ka një fëmijë mund ta forcojnë atë ose ‘t’i prishin zakonet e dobishme’. (1 Korintasve 15:33) Gjatë pjesës më të madhe të jetës së fëmijës, e sidomos në vitet e rëndësishme të formimit, shokët e tij më të ngushtë e që ndikojnë më shumë tek ai janë prindërit. Prandaj, prindërit duhet të pyesin veten: ‘Çfarë shoku jam? A e nxit shembulli im fëmijën që të zhvillojë zakone të dobishme? Çfarë shembulli po lë në fushat jetësore të lutjes dhe të studimit të Biblës?’

Prindërit e zotë luten bashkë me fëmijët

5. Ç’mësojnë fëmijët nga lutjet e prindërve?

5 Fëmijët mund të mësojnë shumë për Jehovain duke dëgjuar lutjet tuaja. Ç’përfundime nxjerrin kur ju dëgjojnë ta falënderoni Perëndinë para se të hani bukë dhe të luteni para studimit të Biblës? Ka të ngjarë të mësojnë se është Jehovai ai që na siguron nevojat fizike, për të cilat duhet ta falënderojmë, e që na tregon të vërtetat e Biblës. Këto janë mësime me shumë vlerë.​—Jakovi 1:17.

6. Si t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të ndiejnë se Jehovai interesohet për ta si individë?

6 Por mund të arrini edhe më tepër kur luteni me familjen edhe herë të tjera, përveçse para vakteve dhe studimit të Biblës, si edhe kur përmendni në ato lutje çështje specifike që ju prekin ju dhe fëmijët. Kështu i ndihmoni të ndiejnë se Jehovai është pjesë e familjes suaj, se ai interesohet thellësisht për secilin prej jush. (Efesianëve 6:18; 1 Pjetrit 5:6, 7) Një baba thotë: «Që kur na lindi vajza, luteshim bashkë me të. Teksa rritej, luteshim për shoqëritë e duhura dhe për çështje të tjera që i interesonin asaj. Derisa u martua dhe u largua nga shtëpia, s’kaluam asnjë ditë pa u lutur së bashku.» A mund të bëni edhe ju kështu, të luteni bashkë me fëmijët tuaj çdo ditë? A mund t’i ndihmoni ta shohin Jehovain si një Mik, i cili jo vetëm u siguron nevojat fizike e frymore, por interesohet edhe për nevojat e tyre emocionale?​—Filipianëve 4:6, 7.

7. Çfarë duhet të dinë prindërit që të jenë specifikë në lutje?

7 Natyrisht, që të jeni specifikë në lutje, duhet të dini se ç’po ndodh në jetën e fëmijës suaj. Shikoni komentet e një babai që ka rritur dy fëmijë: «Në fund të çdo jave, i bëja vetes dy pyetje: ‘Çfarë i ka shqetësuar fëmijët e mi këtë javë? Dhe ç’gjëra të mira kanë ndodhur në jetën e tyre?’» Prindër, a mund t’i bëni vetes këto pyetje e pastaj t’i përfshini disa nga përgjigjet në lutjet që bëni me fëmijët? Nëse veproni kështu, do t’u mësoni jo vetëm t’i luten Jehovait, Dëgjuesit të lutjes, por edhe ta duan.​—Psalmi 65:2.

Prindërit e zotë nxitin shprehi të mira studimi

8. Pse prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët që t’u bëhet shprehi studimi i Fjalës së Perëndisë?

8 Si ndikon qëndrimi i prindërve ndaj studimit të Biblës në marrëdhënien që ka një fëmijë me Perëndinë? Individët që duan të krijojnë e të mbajnë një marrëdhënie të fortë, duhet që jo vetëm të flasin me njëri-tjetrin, por edhe të dëgjojnë. Një nga mënyrat se si e dëgjojmë Jehovain është duke studiuar Biblën me ndihmën e botimeve që siguron «skllavi i besueshëm». (Mateu 24:45-47; Proverbat 4:1, 2) Prandaj, që t’i ndihmojnë fëmijët të krijojnë një marrëdhënie të dashur e të qëndrueshme me Jehovain, prindërit duhet t’i nxitin që t’u bëhet shprehi studimi i Fjalës së Perëndisë.

9. Si të zhvillojnë fëmijët shprehi të mira studimi?

9 Si mund të zhvillojnë fëmijët shprehi të mira studimi? Edhe këtu, prindërit mund të mësojnë më mirë me shembullin e tyre. A ju shohin rregullisht fëmijët tek kënaqeni me leximin personal të Biblës ose me studimin e saj? Vërtet që ndoshta jeni shumë të zënë, sepse duhet të kujdeseni për fëmijët, dhe mbase pyetni se ku ta gjeni kohën për të lexuar e studiuar. Por pyetni veten: ‘A më shohin rregullisht fëmijët para televizorit?’ Nëse po, a mund ta përdorni një pjesë të asaj kohe për të bërë studimin personal, që të lini një shembull të mirë për fëmijët?

10, 11. Pse prindërit duhet ta bëjnë rregullisht studimin biblik familjar?

10 Një mënyrë tjetër praktike se si prindërit mund t’i mësojnë fëmijët që të dëgjojnë Jehovain, është duke bërë rregullisht një studim biblik familjar. (Isaia 30:21) Por disa mund të pyesin: ‘Përse duhet të bëjnë studim familjar fëmijët, nëse prindërit tashmë i marrin gjithnjë me vete në mbledhjet e kongregacionit?’ Ka disa arsye të forta. Jehovai ua ka besuar prindërve përgjegjësinë kryesore për të mësuar fëmijët. (Proverbat 1:8; Efesianëve 6:4) Studimi biblik familjar u mëson fëmijëve se adhurimi nuk është një rit formal që bëhet vetëm në publik, por është pjesë e jetës familjare.​—Ligji i përtërirë 6:6-9.

11 Veç kësaj, nëse drejtohet mirë, studimi familjar u jep mundësi prindërve të kuptojnë se si mendojnë fëmijët për çështjet frymore dhe morale. Për shembull, kur fëmijët janë të vegjël, prindërit mund të përdorin botime si Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. * Pothuajse në çdo paragraf të këtij mjeti ndihmës për studimin e Biblës, fëmijëve u kërkohet të shprehin mendimin e tyre për gjërat që po diskutohen. Duke arsyetuar rreth shkrimeve që përmenden në libër, prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që të zhvillojnë aftësitë perceptuese «për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën».​—Hebrenjve 5:14.

12. Si mund ta përshtatin prindërit studimin familjar me nevojat e fëmijëve dhe çfarë ju është dukur juve e efektshme në këtë drejtim?

12 Ndërsa fëmijët rriten, përshtateni studimin sipas nevojave të tyre. Shikoni se si i ndihmoi një çift vajzat e tyre adoleshente të arsyetonin, kur kërkuan që të shkonin në një festë të shkollës. Babai thotë: «U thamë se, herën tjetër që do të kishim studimin familjar, gjatë një pjese unë dhe gruaja do të luanim rolin e fëmijëve dhe vajzat do të bënin sikur ishin prindërit. Secila mund të bënte rolin e mamit ose të babit, por duhej të punonin bashkë e të bënin kërkime për këtë temë dhe të na jepnin udhëzime lidhur me festat në shkollë.» Cili ishte rezultati? Babai vazhdon: «U mahnitëm kur pamë se sa të përgjegjshme ishin vajzat (në rolin e prindërve) kur na shpjegonin neve (në rolin e fëmijëve) arsyet biblike pse nuk do të ishte e mençur të shkonim në festë. Ajo që na bëri më tepër përshtypje ishin sugjerimet që na dhanë, si mundësi të pranueshme për aktivitetet shoqërore, përveç këtyre festave. Mësuam shumë se si mendonin ato dhe çfarë dëshironin.» Vërtet mund të kërkohet ngulmim dhe fantazi për të bërë një studim familjar të rregullt dhe që u përshtatet nevojave, por shpërblimet që vijnë tregojnë se ia vlen mundimi.​—Proverbat 23:15.

Krijoni një mjedis paqësor

13, 14. (a) Si mund të krijojnë prindërit një mjedis paqësor në shtëpi? (b) Çfarë rezultati pozitiv mund të vijë kur një prind e pranon se ka bërë një gabim?

13 Ka më shumë mundësi që shigjeta të godasë në shenjë kur harkëtari merr nishan dhe e lëshon në mot të qetë. Po kështu, ka më shumë mundësi që fëmijët të mësojnë të duan Jehovain, kur prindërit krijojnë një mjedis paqësor në shtëpi. «Fryti i drejtësisë mbillet kur ka paqe në dobi të atyre që bëjnë paqe»,—shkroi Jakovi. (Jakovi 3:18) Si ta krijojnë prindërit këtë mjedis paqësor në shtëpi? Në radhë të parë, bashkëshortët duhet të mbajnë një lidhje të fortë mes tyre. Kur burri dhe gruaja e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin, janë më të aftë t’i mësojnë fëmijët që të duan e të respektojnë të tjerët, duke përfshirë edhe Jehovain. (Galatasve 6:7; Efesianëve 5:33) Dashuria dhe respekti nxitin paqen. Bashkëshortët që janë në paqe me njëri-tjetrin, kanë më shumë mundësi t’i përballojnë me sukses mosmarrëveshjet që mund të lindin brenda familjes.

14 Natyrisht, ashtu siç nuk ka martesa të përsosura, sot për sot në tokë, nuk ka as familje të përsosura. Nganjëherë prindërit mund të mos shfaqin frytin e frymës kur merren me fëmijët. (Galatasve 5:22, 23) Ç’duhet të bëjnë prindërit kur ndodh kjo? A do t’i respektojë më pak fëmija, po të pranojnë se kanë bërë një gabim? Shqyrtoni shembullin e apostullit Pavël. Ai ishte si një baba frymor për shumë veta. (1 Korintasve 4:15) Megjithatë, e pranonte hapur se bënte gabime. (Romakëve 7:21-25) Gjithsesi, përulësia dhe ndershmëria e tij bëjnë që të na shtohet respekti për të, në vend që të na pakësohet. Pavarësisht nga mangësitë që kishte, Pavli mund t’i shkruante me besim kongregacionit të Korintit: «Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.» (1 Korintasve 11:1) Nëse edhe ju i pranoni gabimet tuaja, fëmijët ka të ngjarë që të mos e mbajnë mendjen tek ato.

15, 16. Pse prindërit duhet t’i stërvitin fëmijët që të duan vëllezërit dhe motrat në besim e si mund ta bëjnë këtë?

15 Ç’mund të bëjnë tjetër prindërit që të krijojnë një mjedis ku fëmijët të rriten me dashurinë për Jehovain? Apostulli Gjon shkroi: «Nëse ndokush thotë: ‘Unë e dua Perëndinë’, mirëpo urren vëllanë e tij, ai është gënjeshtar. Sepse ai që nuk do vëllanë e tij, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.» (1 Gjonit 4:20, 21) Prandaj, kur i stërvitni fëmijët që t’i duan vëllezërit e motrat në besim, po i mësoni të duan Perëndinë. Ju si prindër duhet të pyetni veten: ‘Si është zakonisht toni i bisedave të mia rreth kongregacionit, inkurajues apo kritik?’ Si ta kuptoni këtë? Dëgjoni me vëmendje si flasin fëmijët tuaj për mbledhjet dhe për pjesëtarët e kongregacionit. Ka të ngjarë t’i dëgjoni mendimet tuaja të pasqyruara në fjalët e tyre.

16 Si t’i ndihmojnë prindërit fëmijët që të duan vëllezërit në besim? Piteri, baba i dy djemve adoleshentë, thotë: «Që kur djemtë ishin të vegjël, ftonim herë pas here në shtëpi vëllezër e motra të pjekur frymësisht që të hanim diçka e të rrinim pak bashkë, dhe jemi kënaqur shumë. Djemtë janë rritur në shoqërinë e njerëzve që e duan Jehovain dhe tani e shohin se shërbimi ndaj Perëndisë është një mënyrë jetese e kënaqshme.» Denisi, baba i pesë vajzave, thotë: «I nxitnim vajzat që të lidhnin miqësi me pioniere më të rritura dhe, sa herë mundeshim, ftonim në shtëpi mbikëqyrësin qarkor dhe gruan e tij.» A mund të merrni nismën edhe ju për t’i ndihmuar fëmijët që ta shohin kongregacionin si familjen e tyre të madhe?​—Marku 10:29, 30.

Përgjegjësia e fëmijës

17. Cilin vendim duhet të marrin në fund fëmijët?

17 Mendoni përsëri për ilustrimin me harkëtarin. Edhe pse ai mund të jetë shumë i zoti, nuk do të godasë në shenjë nëse shigjeta është shtrembëruar ose përthyer. Natyrisht, prindërit përpiqen shumë që, si të thuash, ta drejtojnë shigjetën e shtrembëruar, duke u përpjekur të ndreqin mendimet e gabuara të fëmijës. Por, në fund, fëmijët duhet të vendosin vetë, nëse do ta lënë këtë botë t’i modelojë sipas vullnetit të saj apo do të lejojnë Jehovain që ‘t’u drejtojë shtigjet’.​—Proverbat 3:5, 6; Romakëve 12:2.

18. Si mund të ndikojë te të tjerët zgjedhja që bën një fëmijë?

18 Ndonëse prindërit kanë një përgjegjësi të madhe për t’i rritur fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait», i takon vetë fëmijës të marrë vendimin përfundimtar se ç’do të bëhet kur të rritet. (Efesianëve 6:4) Prandaj, ju fëmijë, pyetni veten: ‘A do ta pranoj stërvitjen e dashur që më japin prindërit?’ Nëse e pranoni, po zgjidhni udhën më të mirë të jetës. Do t’i bëni shumë të lumtur prindërit tuaj, por, ç’është më e rëndësishmja, do t’i gëzoni zemrën Jehovait.​—Proverbat 27:11.

[Shënimi]

^ par. 11 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Si mund të lënë një shembull të mirë prindërit për sa i përket lutjes dhe studimit të Biblës?

• Si mund të krijojnë prindërit një mjedis paqësor në shtëpi?

• Cilin vendim duhet të marrin fëmijët dhe si do të ndikojë te të tjerët zgjedhja e tyre?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 28]

A po lë një shembull të mirë për fëmijën, për sa i përket studimit personal?

[Figura në faqen 29]

Një atmosferë paqësore familjare, sjell lumturi