Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Me ndihmën e Jehovait u mbijetuam regjimeve totalitare

Me ndihmën e Jehovait u mbijetuam regjimeve totalitare

Jetëshkrim

Me ndihmën e Jehovait u mbijetuam regjimeve totalitare

Treguar nga Henrik Dorniku

LINDA në vitin 1926. Prindërit e mi ishin katolikë të devotshëm. Jetonin në Ruda-Slaska, një qytet minatorësh afër Katovicës, në jug të Polonisë. Ne fëmijëve—vëllanë tim më të madh, Bernardin, dy motrat e mia më të vogla, Rozën me Editën, dhe mua—na mësuan të luteshim, të shkonim në kishë dhe të bënim ritet e pendesës.

E vërteta biblike vjen në shtëpinë tonë

Një ditë, në janar të vitit 1937, kur unë isha vetëm 10 vjeç, babai u kthye në shtëpi dhe s’mbahej nga gëzimi. Kishte sjellë një libër të madh e të trashë që ua kishte marrë Dëshmitarëve të Jehovait. Ai tha: «Fëmijë, shihni çfarë kam sjellë, Shkrimet e Shenjta!» Ishte hera e parë që e shihja Biblën.

Kisha Katolike ushtronte prej kohësh një ndikim të madh te njerëzit në Ruda-Slaska dhe në zonën përreth. Priftërinjtë tregoheshin shumë të afrueshëm me pronarët e minierës dhe kërkonin bindje absolute nga minatorët dhe familjet e tyre. Nëse një minator nuk shkonte në meshë ose nuk pranonte të rrëfehej, quhej i pafe dhe futej në listën e atyre që pushoheshin nga puna. Shumë shpejt këtë kërcënim e mori edhe babai, pasi po shoqërohej me Dëshmitarët e Jehovait. Por kjo s’e pengoi babanë që të zbulonte para të gjithëve fytyrën e vërtetë të një prifti që na erdhi në shtëpi. Prifti i zënë ngushtë nuk donte më telashe, kështu babanë nuk e hoqën nga puna.

Fakti që e pashë me sytë e mi përballjen me priftin, ma shtoi vendosmërinë që të njihja Biblën. Fillova ta doja Jehovain dhe të ndërtoja një marrëdhënie personale me të. Pak muaj pasi babai shkëmbeu fjalë me priftin, shkuam në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, ku babanë ia prezantuan një grupi prej 30 vetash me fjalët: «Ky është një Jonadab.» Shpejt mësova se «Jonadabët» ishin të krishterët që kishin shpresë të jetonin në tokë dhe se radhët e tyre po shtoheshin. *2 Mbretërve 10:15-17.

«A e di, ti djalë, ç’do të thotë pagëzimi?»

Pasi pranoi të vërtetën, babai la pijen dhe u bë një bashkëshort dhe baba i mirë. Megjithatë, mamaja nuk i pranoi bindjet e tij fetare dhe i thoshte se ishte më mirë të jetonte si më parë e të mbetej katolik. Por, pas shpërthimit të Luftës II Botërore, ajo vërejti se po ata priftërinj që luteshin për fitoren e Polonisë kundër gjermanëve pushtues, tani bënin lutje falënderimi për arritjet e Hitlerit. Më vonë, në vitin 1941, ajo u bashkua me ne për t’i shërbyer Jehovait.

Para kësaj, unë kisha shprehur dëshirën ta simbolizoja kushtimin tim ndaj Perëndisë duke u pagëzuar, por pleqtë e kongregacionit mendonin se isha shumë i vogël. Më thanë të prisja. Megjithatë, më në fund, më 10 dhjetor 1940, Konrad Grabovi (një vëlla që më vonë vdiq besnik në një kamp përqendrimi) foli me mua pa rënë në sy në një apartament të vogël. Më bëri pesë pyetje dhe, si u kënaq nga përgjigjet e mia, më pagëzoi. Njëra nga pyetjet ishte: «A e di, ti djalë, ç’do të thotë pagëzimi?» Një pyetje tjetër ishte: «A e di se tani që jemi në luftë, shpejt do të të duhet të vendosësh nëse do t’i qëndrosh besnik Hitlerit apo Jehovait, dhe vendimi që do të marrësh mund të të kushtojë jetën?» Pa ngurruar u përgjigja: «E di.»

Nisin përndjekjet

Pse Konrad Grabovi m’i bëri këto pyetje kaq copë? Në vitin 1939, ushtria gjermane kishte pushtuar Poloninë dhe pas kësaj besimi e integriteti ynë kaluan sprova të ashpra. Gjendja bëhej çdo ditë e më e nderë, pasi dëgjonim për vëllezër e motra që arrestoheshin, dëboheshin ose futeshin nëpër burgje e kampe përqendrimi. Shpejt do ta kishim radhën ne të përballonim sprova të ngjashme.

Brezin e ri—e këtu përfshiheshim edhe unë me vëllanë dhe dy motrat—nazistët donin ta kthenin në përkrahës të flaktë të Rajhut të Tretë. Përderisa nëna dhe babai nuk pranuan për të disatën herë të firmosnin të ashtuquajturën Folkslist (një listë me emrat e të gjithë atyre që kishin ose donin të merrnin nënshtetësinë gjermane), iu mohua e drejta për të rritur fëmijët e tyre. Babanë e çuan në kampin e përqendrimit në Aushvic. Në shkurt të 1944-s, mua dhe vëllanë na futën në një shkollë riedukimi në Grodkov (Grotkau), afër Nisës, kurse motrat i çuan në një manastir katolik në Sharnovasi (Klosterbruk), afër Opolit. Synimi ishte të na detyronin të hiqnim dorë nga «pikëpamjet mashtruese të prindërve tanë», siç i quanin autoritetet. Nëna kishte mbetur vetëm në shtëpi.

Çdo mëngjes në oborrin e shkollës së riedukimit ngrihej flamuri me kryqin nazist, dhe na jepnin urdhër të ngrinim dorën e djathtë dhe të përshëndetnim duke thënë «Hail Hitler». Ishte një sprovë e vështirë besimi, por unë dhe vëllai nuk u lëkundëm nga besnikëria jonë. Atëherë, na rrihnin keq për sjellje «pa respekt». Edhe përpjekjet e tjera për të thyer moralin tonë dështuan. Atëherë rojet SS në fund na dhanë ultimatum: «Ose firmosni dokumentin e besnikërisë ndaj shtetit gjerman e bashkohuni me Vermaktin [ushtrinë gjermane] ose do të përfundoni në kampin e përqendrimit.»

Në gusht të vitit 1944, autoritetet sugjeruan zyrtarisht dërgimin tonë në një kamp përqendrimi. Ata thanë: «S’ia del dot t’i bindësh të kthejnë rrugë. Martirizimi atyre u sjell gëzim. Qëndrimi i tyre rebel është një kërcënim për gjithë shkollën.» Unë nuk dëshiroja të isha martir, por përballimi i vuajtjeve me guxim dhe dinjitet për t’i qëndruar besnik Jehovait më sillte gëzim. (Veprat 5:41) Vuajtjet që më prisnin as që bëhej fjalë t’i duroja me forcat e mia. Nga ana tjetër, lutjet e zjarrta më afruan më shumë me Jehovain, i cili qe për mua një Ndihmës besnik.—Hebrenjve 13:6.

Në kampin e përqendrimit

S’kaloi shumë dhe më çuan në kampin e përqendrimit të Gros-Rozenit në Silezi. Më dhanë një numër burgu dhe një trekëndësh ngjyrë vjollcë, që më identifikonte si Dëshmitar të Jehovait. Rojet SS më bënë një ofertë. Mund të më lironin nga kampi, e madje të më bënin oficer në ushtrinë naziste, me një kusht: «Duhet të heqësh dorë nga idetë e Studentëve të Biblës, që janë kundër Rajhut të Tretë.» Kjo ofertë nuk u ishte bërë të burgosurve të tjerë. Vetëm Dëshmitarëve të Jehovait u ishte dhënë mundësia të liroheshin nga kampi. Megjithatë, ashtu si mijëra të tjerë, edhe unë e refuzova prerazi këtë «privilegj». Rojat u përgjigjën: «Pa shihe mirë atë oxhakun e krematorit. Mendohu mirë, përndryshe lirinë do ta fitosh vetëm kur të dalësh nga ai oxhak.» Refuzova sërish prerazi dhe atë çast, ndjeva se isha plot me ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’.​—Filipianëve 4:6, 7.

U luta që të takohesha me bashkëbesimtarët në kamp dhe Jehovai e bëri të mundur. Mes të bashkëkrishterëve ishte edhe një vëlla besnik me emrin Gustav Bomert, i cili u kujdes për mua me dashuri e ngrohtësi. Pa pikë dyshimi, Jehovai qe për mua «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi».​—2 Korintasve 1:3.

Pak muaj më vonë, ushtria ruse që po afrohej, i detyroi nazistët të evakuonin kampin me të shpejtë. Teksa përgatiteshim për t’u nisur, ne vëllezërit vumë kokën në rrezik dhe vendosëm të shkonim te barrakat e grave e të shihnim si ishte gjendja e rreth 20 motrave tona frymore, mes tyre edhe Elsa Apti dhe Gertrudë Oti. * Kur na panë, ato vrapuan drejt nesh e pasi inkurajuam njëri-tjetrin shkurtimisht, ato kënduan bashkë këngën e Mbretërisë që thoshte: «Kush ësht’ besnik sot dhe i patundur, frikën se lë ta pushtoj’.» * Të gjithë i kishim sytë me lot.

Në kampin tjetër

Nazistët rrasën nga 100 deri në 150 të burgosur nëpër vagonë qymyri të boshatisur. Udhëtuam pa bukë e pa ujë nëpër shiun e ftohtë e të acartë. Na torturonin etja dhe ethet. Të sëmurët e të rraskapiturit nga udhëtimi që binin përtokë e vdisnin, hapnin vend nëpër vagonë. Këmbët dhe kyçet m’u ënjtën aq shumë sa s’qëndroja dot në këmbë. Pas dhjetë ditësh udhëtim, vetëm një grusht të burgosurish arritën gjallë në kampin e punës të Mitelbau-Dorës në Nordhauzen, afër Vajmarit në Turingji. Ajo që të bën përshtypje është se në atë udhëtim tmerri nuk vdiq asnjë nga vëllezërit.

Sa e mora veten nga udhëtimi, në kamp shpërtheu një epidemi dizenterie dhe unë bashkë me disa vëllezër u sëmurëm. Na thanë që për pak kohë të mos e hanim supën që na jepej në kamp e të hanim vetëm bukë të thekur. Ashtu bëra dhe e mora veten shpejt. Në mars të vitit 1945 dëgjuam se shkrimi i vitit ishte marrë nga Mateu 28:19: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» Me sa duket, së shpejti do të hapeshin portat e kampit dhe do të vazhdonte predikimi i lajmit të mirë. Kjo na dha gëzim e shpresë, pasi mendonim se Lufta II Botërore do të arrinte kulmin në Harmagedon. Vërtet, Jehovai na forcoi mrekullisht gjatë atyre kohëve të vështira!

Lirimi nga kampet

Më 1 prill 1945 forcat aleate bombarduan barakat e SS-ve dhe kampin tonë që ishte aty afër. Pati shumë të vrarë e të plagosur. Të nesërmen u bombardua e gjithë zona dhe, gjatë atij sulmi, një shpërthim i fuqishëm më hodhi në ajër.

Një vëlla me emrin Fric Ulrih më erdhi në ndihmë. Ai gërmoi poshtë rrënojave me shpresë se isha ende gjallë. Më në fund më gjeti dhe më nxori nga gërmadhat. Kur u përmenda, e kuptova se kisha plagë të rënda në fytyrë e në trup dhe s’dëgjoja gjë prej gjëje. Zhurma e shpërthimit më kishte dëmtuar daullet e veshëve. Për shumë vjet pata probleme të rënda me veshët derisa u shëruan.

Nga mijëra të burgosur vetëm pak i mbijetuan atij bombardimi. Disa nga vëllezërit tanë vdiqën e ndër ta edhe Gustav Bomerti, një vëlla shumë i shtrenjtë për mua. Plagët që kisha marrë më shkaktuan një infeksion që shoqërohej me temperaturë të lartë. Megjithatë, shumë shpejt trupat aleate na gjetën e na liruan. Ndërkohë, trupat e dekompozuar të të burgosurve të vdekur ose të vrarë, shkaktuan një epidemi tifoje, të cilën e mora edhe unë. Më çuan në spital bashkë me të sëmurët e tjerë. Me gjithë përpjekjet e mëdha të mjekëve, vetëm tre prej nesh mbijetuan. Sa mirënjohës ndihesha ndaj Jehovait që më dha forcë të qëndroja besnik gjatë atyre kohëve të vështira! Gjithashtu, s’dija si ta falënderoja Jehovain që në rastin tim e pa të udhës të më shpëtonte nga ‘lugina e territ’ të vdekjes.​—Psalmi 23:4.

Më në fund prapë në shtëpi!

Pas kapitullimit të Gjermanisë, shpresoja të kthehesha sa më shpejt në shtëpi, por qe më e vështirë nga ç’mendoja. Kisha rënë në sy të disa ish të burgosurve, anëtarë të Aksionit Katolik. Ata bërtisnin: «Ta vrasim!» dhe më përplasën përtokë e më shkelnin. Një burrë erdhi e më shpëtoi nga duart e tyre që qëllonin pa mëshirë, por m’u desh kohë të merrja veten, pasi kisha plagë dhe isha krejt i pafuqishëm nga tifoja. Më në fund ia dola të kthehesha në shtëpi. Sa i lumtur ndihesha që isha përsëri në gjirin e ngrohtë të familjes! Ata s’u besuan syve kur më panë, se mendonin që kisha vdekur.

S’humbëm kohë të rinisnim veprën e predikimit dhe shumë njerëz të sinqertë që kërkonin të vërtetën i pranonin ato që u mësonim. Mua më kishin besuar përgjegjësinë që t’u sillja literaturën biblike kongregacioneve. Bashkë me vëllezër të tjerë pata privilegjin të takohesha në Vajmar me përfaqësuesit e zyrës së degës të Gjermanisë, dhe që atje sollëm në Poloni numrat e parë të Kullës së Rojës pas luftës. Vëllezërit i përkthyen pa humbur kohë, përgatitën shabllonët dhe bënë kopjet. Më vonë, zyrës sonë në Lodz iu ngarkua mbikëqyrja e plotë e veprës në Poloni dhe kongregacionet filluan të merrnin rregullisht literaturë biblike. Unë fillova shërbimin si pionier special ose ungjillëzues në kohë të plotë, dhe mbuloja territorin e madh të Silezisë, pjesa më e madhe e së cilës në atë kohë u bë pjesë e Polonisë.

Mirëpo s’kaloi shumë dhe Dëshmitarët e Jehovait nisën të përndiqeshin përsëri, kësaj here nga regjimi komunist i sapovendosur në Poloni. Për shkak të asnjanësisë sime si i krishterë, në vitin 1948 më dënuan me dy vjet burgim. Gjatë asaj kohe munda të ndihmoj shumë të burgosur të tjerë të afroheshin me Perëndinë. Njëri prej tyre mori të vërtetën e më vonë ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua.

Në vitin 1952 më futën prapë në burg, kësaj here i akuzuar si spiun i Shteteve të Bashkuara. Gjatë kohës që prisja të dilja në gjyq, më mbajtën në izolim dhe më morën në pyetje ditë e natë. Por Jehovai më çliroi përsëri nga dora e përndjekësve dhe në vitet në vazhdim nuk vuajta më nga një abuzim i ngjashëm.

Çfarë më ndihmoi të qëndroja?

Kur sjell ndër mend tërë ato vite sprovash e vështirësish, mund të veçoj disa burime të rëndësishme inkurajimi. Mbi të gjitha, forca për të qëndruar më erdhi nga Jehovai dhe nga Fjala e tij, Bibla. Përgjërimet e zjarrta e të vazhdueshme ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi’ dhe studimi i përditshëm i Fjalës së tij më ndihmuan si mua, edhe të tjerë që të mbanim gjallë besimin. Kopjet e Kullës së Rojës të shkruara me dorë më siguruan ushqimin frymor aq të nevojshëm. Në kampet e përqendrimit mora shumë forcë nga bashkëbesimtarët e dashur që s’kurseheshin, por ndihmonin me gatishmëri e dëshirë.

Një bekim tjetër nga Jehovai ishte bashkëshortja ime, Maria. Ne u martuam në tetor të vitit 1950, dhe më vonë na lindi një vajzë, Halina, e cila u mbrujt me dëshirën për ta dashur dhe për t’i shërbyer Jehovait. Pas 35 vjetësh martesë, Maria vdiq pas një beteje të gjatë me sëmundjen. Vdekja e saj më mbushi me trishtim e dhembje.Edhe pse për pak u ndjeva sikur isha ‘i hedhur poshtë’, nuk isha ‘i shkatërruar’. (2 Korintasve 4:9) Gjatë atyre kohëve të vështira gjeta mbështetje te vajza ime e shtrenjtë, i shoqi dhe fëmijët e saj, nipërit e mbesat e mia, të cilët i shërbejnë të gjithë Jehovait me besnikëri.

Duke filluar nga viti 1990, jam duke shërbyer në zyrën e degës në Poloni. Shoqërimi i përditshëm me familjen Bethel, një familje vërtet e mrekullueshme, është një bekim i madh. Nganjëherë shëndeti jo i mirë më bën të ndihem si një shqiponjë e ligshtë që s’bën dot gjë tjetër veçse shket në ajër pa i rrahur flatrat. Megjithatë, e shoh të ardhmen me besim dhe i «këndoj Jehovait, se më ka shpërblyer» deri më sot. (Psalmi 13:6) Po pres me padurim kohën kur Jehovai, Ndihmësi im, të zhdëmtojë gjithë dëmin e shkaktuar nga sundimi shtypës i Satanait.

[Shënimet]

^ par. 8 Shih Kullën e Rojës të 1 janarit 1998, në faqen 13, paragrafi 6.

^ par. 20 Shih jetëshkrimin e Elsa Aptit në Kullën e Rojës së 15 prillit 1980, faqet 12-15, anglisht.

^ par. 20 Kënga 101 në librin e këngëve të vitit 1928, që titullohej Këngë lëvdimi për Jehovain, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Në librin e tanishëm të këngëve është kënga me numër 56.

[Figura në faqen 10]

Në kampin e përqendrimit më dhanë këtë numër dhe trekëndëshin ngjyrë vjollcë

[Figura në faqen 12]

Me gruan time, Marinë, në vitin 1980