Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prindër, stërvitini me dashuri fëmijët

Prindër, stërvitini me dashuri fëmijët

Prindër, stërvitini me dashuri fëmijët

«Bëjini të gjitha punët tuaja me dashuri.»​—1 KORINTASVE 16:14.

1. Çfarë ndjenjash përjetojnë prindërit kur u lind një fëmijë?

TË GJITHË prindërit e pranojnë se lindja e një fëmije është një nga ngjarjet më të gëzueshme të jetës. «Kur e pashë për herë të parë foshnjën time,—thotë një nënë me emrin Alia,—pata një ndjesi të mrekullueshme. M’u duk më e bukura në botë.» Por, kjo ngjarje e gëzuar mund t’u sjellë edhe ankth prindërve. «Meraku im,—thotë i shoqi i Alias,—ishte nëse do të arrija ta përgatitja siç duhej vajzën për vështirësitë e jetës.» Shumë prindër i kanë këto shqetësime dhe e kuptojnë se duhet t’i stërvitin me dashuri fëmijët e tyre. Por, prindërit e krishterë që duan t’i stërvitin me dashuri fëmijët e tyre, përballen me sfida. Cilat janë disa nga këto sfida?

2. Çfarë sfidash hasin prindërit?

2 Tani jemi shumë afër përfundimit të ditëve të fundit të këtij sistemi. Siç ishte parathënë, bota ku jetojmë është mbushur me njerëz që nuk tregojnë dashuri. Edhe brenda familjes, njerëzit janë «pa përzemërsi të natyrshme» dhe janë bërë «mosmirënjohës, të pabesë, . . . pa vetëkontroll, të egër». (2 Timoteut 3:1-5) Duke qenë përditë të rrethuar me njerëz që shfaqin tipare të tilla, kjo mund të ndikojë edhe te pjesëtarët e familjeve të krishtere, në mënyrën se si e trajtojnë njëri-tjetrin. Veç kësaj, vetë prindërit luftojnë me prirjen e trashëguar për të humbur vetëkontrollin, për të thënë gjëra që s’i kanë me tërë mend e për të gjykuar gabim në çështje të tjera.​—Romakëve 3:23; Jakovi 3:2, 8, 9.

3. Si mund të rritin prindërit fëmijë të lumtur?

3 Pavarësisht nga këto sfida, prindërit mund të rritin fëmijë të lumtur që e duan Perëndinë. Si mund ta bëjnë këtë? Duke ndjekur këshillën e Biblës: «Bëjini të gjitha punët tuaja me dashuri.» (1 Korintasve 16:14) Në fakt, dashuria «është një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14) Le të shqyrtojmë tri aspekte të dashurisë, që i përshkroi apostulli Pavël në letrën e tij të parë drejtuar korintasve, dhe të shohim disa mënyra specifike se si mund ta shfaqin prindërit këtë cilësi ndërsa stërvitin fëmijët.​—1 Korintasve 13:4-8.

Prindërit duhet të jenë shpirtgjerë

4. Pse duhet të jenë shpirtgjerë prindërit?

4 Pavli shkroi: «Dashuria është shpirtgjerë.» (1 Korintasve 13:4) Shprehja greke e përkthyer «shpirtgjerë» nënkupton të jesh i duruar e të mos zemërohesh shpejt. Pse duhet të jenë shpirtgjerë prindërit? Patjetër që shumica prej tyre do të mendonin shumë arsye, por le të shqyrtojmë vetëm disa. Për shembull, rrallë fëmijët kërkojnë vetëm një herë për diçka që duan. Edhe sikur prindi të përgjigjet me një jo të prerë, fëmija s’pushon së kërkuari, duke shpresuar për një përgjigje tjetër. Adoleshentët mund të debatojnë e të nxjerrin arsye se përse prindi duhet t’i lejojë të bëjnë diçka që e di se është marrëzi. (Proverbat 22:15) E, ashtu si të gjithë ne, fëmijët kanë prirjen t’i përsëritin gabimet.​—Psalmi 130:3.

5. Ç’mund t’i ndihmojë prindërit që të jenë shpirtgjerë?

5 Ç’mund t’i ndihmojë prindërit që të jenë shpirtgjerë e të duruar me fëmijët? Mbreti Solomon shkroi: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut.» (Proverbat 19:11) Prindërit fitojnë gjykim të thellë për sjelljen e fëmijëve duke kujtuar se, dikur, edhe ata ‘flitnin si fëmijë, mendonin si fëmijë dhe arsyetonin si fëmijë’. (1 Korintasve 13:11) Prindër, a ju kujtohet kur ju vetë ishit fëmijë dhe e bezdisnit nënën ose babanë që t’ju plotësonte një dëshirë? Kur ishit adoleshentë, a ju ndodhte të mendonit se prindërit nuk jua kuptonin ndjenjat ose problemet? Nëse po, atëherë e kuptoni pse sillen në njëfarë mënyre fëmijët tuaj dhe përse kanë nevojë t’ua kujtoni vazhdimisht e me durim vendimet që merrni. (Kolosianëve 4:6) Vlen të përmendim se Jehovai u tha prindërve izraelitë ‘t’ua ngulitnin’ fëmijëve ligjet e tij. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Fjala hebraike e përkthyer «ngulit» do të thotë «të përsëritësh», «të thuash vazhdimisht» dhe «të ngulësh fort». Kjo nënkupton që prindërve mund t’u duhet ta përsëritin shumë herë diçka, që një fëmijë të mësojë të zbatojë ligjet e Perëndisë. Kjo përsëritje nevojitet shpesh edhe për t’u dhënë mësime të tjera në jetë.

6. Pse një prind shpirtgjerë nuk është tepër tolerues?

6 Gjithsesi, një prind shpirtgjerë nuk është tepër tolerues. Fjala e Perëndisë paralajmëron: «Djali i lënë pa fre, e turpëron nënën e tij.» Që të mos ndodhë kjo, i njëjti proverb tregon se ç’duhet bërë: «Shufra dhe qortimi japin mençuri.» (Proverbat 29:15) Nganjëherë, fëmijët mund të ngrenë krye ndaj së drejtës së prindërve për t’i ndrequr. Por familja e krishterë nuk duhet të funksionojë si në demokraci, sikur e drejta e prindërve për të vendosur rregulla të varej disi nga miratimi i fëmijëve. Jo, Jehovai, si Kreu i familjes, u ka dhënë prindërve autoritetin për të stërvitur e për të disiplinuar me dashuri fëmijët. (1 Korintasve 11:3; Efesianëve 3:15; 6:1-4) Madje, disiplina lidhet ngushtë me aspektin tjetër të dashurisë që përmendi Pavli.

Si disiplinohen me dashuri fëmijët?

7. Pse prindërit mirëdashës i disiplinojnë fëmijët dhe çfarë përfshin kjo disiplinë?

7 Pavli shkroi se «dashuria është . . . mirëdashëse». (1 Korintasve 13:4) Prindërit që janë vërtet mirëdashës, nuk ndryshojnë mendje vazhdimisht, ndërsa disiplinojnë fëmijët. Në këtë mënyrë, imitojnë Jehovain i cili «disiplinon atë që e do», siç shkroi Pavli. Por, vini re se disiplina për të cilën flitet në Bibël nuk nënkupton thjesht ndëshkimin. Nënkupton stërvitjen dhe edukimin. Me ç’qëllim jepet kjo disiplinë? Pavli thotë: «U jep fryt paqeje, domethënë drejtësi, atyre që janë stërvitur nga ajo.» (Hebrenjve 12:6, 11) Kur prindërit i edukojnë me dashamirësi fëmijët sipas vullnetit të Perëndisë, u japin mundësinë që, kur të rriten, të bëhen paqësorë dhe të drejtë. Nëse e pranojnë «disiplinën e Jehovait», fëmijët fitojnë mençuri, njohuri dhe aftësi dalluese—gjëra më të vlefshme se ari e argjendi.​—Proverbat 3:11-18.

8. Çfarë vjen zakonisht si pasojë kur prindërit nuk i disiplinojnë fëmijët?

8 Nga ana tjetër, prindërit nuk tregojnë se u duan të mirën fëmijëve duke mos i disiplinuar. Jehovai e frymëzoi Solomonin që të shkruante: «Kush e kursen shkopin, e urren birin e tij, por kush e do, i rri mbi kokë duke e disiplinuar.» (Proverbat 13:24) Fëmijët që nuk disiplinohen me vendosmëri e qëndrueshmëri, ka të ngjarë të bëhen egoistë dhe të palumtur. Nga ana tjetër, është parë se fëmijët me prindër mirëdashës, por që vënë kufij të qartë, janë më mirë me mësime, shkojnë më mirë me të tjerët dhe në përgjithësi janë të lumtur. Pra, duket qartë se prindërit që i disiplinojnë fëmijët, po tregohen mirëdashës me ta.

9. Çfarë u mësojnë fëmijëve prindërit e krishterë dhe si duhen parë këto kërkesa?

9 Çfarë përfshin disiplinimi me dashuri e mirëdashje? Prindërit duhet t’ua shpjegojnë qartë fëmijëve se çfarë kërkohet prej tyre. Për shembull, prindërit e krishterë ua mësojnë fëmijëve që në foshnjëri parimet themelore të Biblës, si dhe nevojën për të marrë pjesë në aspekte të ndryshme të adhurimit të vërtetë. (Dalja 20:12-17; Mateu 22:37-40; 28:19; Hebrenjve 10:24, 25) Fëmijët duhet ta kuptojnë qartë se këto kërkesa nuk vihen në diskutim.

10, 11. Pse prindërit mund të marrin parasysh kërkesat e fëmijëve kur vendosin rregullat e familjes?

10 Por, nganjëherë, prindërit mund t’i përfshijnë edhe fëmijët kur vendosin disa rregulla në familje. Nëse përfshihen në diskutimet për këto rregulla, fëmijët mund të jenë më të prirur t’i zbatojnë. Për shembull, në rast se prindërit vendosin t’u përcaktojnë fëmijëve një orar për t’u kthyer në shtëpi, mund ta zgjedhin ata një orar specifik. Ose, si një mundësi tjetër, mund t’i lënë fëmijët që të sugjerojnë një orar dhe të japin arsyet pse pëlqejnë atë orar. Pastaj prindërit mund të thonë orarin që mendojnë ata dhe të shpjegojnë pse mendojnë se është i përshtatshëm. Por, ç’duhet bërë nëse ka mendime të ndryshme, dhe kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë? Në disa raste, prindërit mund të vendosin t’ua plotësojnë dëshirat fëmijëve, nëse nuk shkelen parimet biblike. A do të thotë kjo se prindërit po heqin dorë nga autoriteti?

11 Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, mendoni se si e ushtroi me dashuri autoritetin Jehovai, në rastin e Lotit dhe të familjes së tij. Pasi engjëjt e nxorën nga Sodoma Lotin me gruan dhe vajzat, i thanë: «Ik në rajonin malor, që të mos shkatërrohesh!» Por Loti u përgjigj: «Jo atje, o Jehova, të lutem!» Pastaj sugjeroi një mundësi tjetër: «Unë mund të iki në këtë qytet, sepse është afër, dhe për ty është vetëm një vogëlsirë. Lërmë të iki atje.» Si u përgjigj Jehovai? «Mirë, po ta marr parasysh edhe këtë»,—i tha. (Zanafilla 19:17-22) A hoqi dorë Jehovai nga autoriteti? Patjetër që jo! Gjithsesi, mori parasysh kërkesën e Lotit dhe vendosi t’i tregonte më shumë mirëdashje në këtë rast. Nëse je prind, a ka raste kur mund të marrësh parasysh kërkesat e fëmijëve të tu ndërsa vendos rregullat e familjes?

12. Çfarë do t’i ndihmojë fëmijët që të ndihen të sigurt?

12 Natyrisht, fëmijët duhet të dinë jo vetëm rregullat, por edhe dënimin që i pret kur i shkelin ato. Pasi të jenë diskutuar dhe kuptuar këto dënime, atëherë rregullat duhet të zbatohen. Prindërit nuk tregojnë se u duan të mirën fëmijëve nëse i paralajmërojnë vazhdimisht për një ndëshkim që meritojnë, por pastaj nuk i ndëshkojnë. «Ngaqë dënimi kundër një vepre të keqe nuk është ekzekutuar me shpejtësi, zemra e bijve të njerëzve është plotësisht e vendosur për të bërë keq»,—thotë Bibla. (Eklisiastiu 8:11) Vërtet, një prind mund të mos e ndëshkojë në publik fëmijën ose para shokëve të tij, që të mos e vërë në siklet. Gjithsesi fëmijët ndihen më të sigurt dhe kanë më shumë respekt e dashuri për prindërit, kur e dinë se po-ja e prindërve është po, dhe jo-ja është jo, edhe kur përfshihet ndëshkimi.​—Mateu 5:37.

13, 14. Si mund të imitojnë Jehovain prindërit kur stërvitin fëmijët?

13 Që të pasqyrojë dashuri, ndëshkimi dhe mënyra se si jepet ai, duhen përshtatur sipas fëmijës. Një grua, Pami, kujton: «Dy vajzat tona kishin nevoja të ndryshme, për sa i përket disiplinës. Ajo çka funksiononte me njërën, nuk bënte punë me tjetrën.» Burri i saj, Leri, shpjegon: «Vajza e madhe ishte me karakter të fortë dhe reagonte vetëm kur disiplinohej rreptë. Kurse vajza e vogël reagonte edhe me disa fjalë të forta ose me një shikim qortues.» Po, prindërit mirëdashës përpiqen të dallojnë ç’lloj disipline funksionon më mirë për secilin fëmijë.

14 Modeli për prindërit është Jehovai, i cili i njeh pikat e forta dhe të dobëta të çdo shërbëtori të tij. (Hebrenjve 4:13) Gjithashtu, kur ndëshkon, Jehovai nuk është as tepër i ashpër dhe as tepër tolerant. Ai gjithnjë e disiplinon popullin e tij «në masën e duhur». (Jeremia 30:11) Prindër, a i njihni ju pikat e forta dhe të dobëta të fëmijëve tuaj? A jeni në gjendje ta përdorni me efektshmëri e dashuri këtë njohuri, për t’i stërvitur ata? Nëse po, jeni duke treguar se i doni fëmijët.

Nxitni komunikimin e çiltër

15, 16. Si mund t’i nxitin prindërit fëmijët që t’u flasin me sinqeritet dhe çfarë metode u është dukur e efektshme disa prindërve të krishterë në këtë drejtim?

15 Një aspekt tjetër i dashurisë është se «nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën». (1 Korintasve 13:6) Si t’i stërvitin prindërit fëmijët që të duan të drejtën dhe të vërtetën? Një hap themelor është t’i nxitin që t’i shprehin me sinqeritet ndjenjat e tyre, edhe sikur vetë ta kenë të vështirë ta pranojnë atë që thonë fëmijët. Kuptohet, prindërit gëzojnë kur fëmijët shprehin mendime dhe ndjenja që janë në harmoni me normat e drejta. Por, në disa raste, komentet e çiltra të fëmijës mund të zbulojnë një prirje për të mos bërë atë që është e drejtë. (Zanafilla 8:21) Si duhet të reagojnë prindërit? Ndoshta aty për aty u vjen t’i ndëshkojnë menjëherë sepse kanë shprehur mendime të tilla. Ama, nëse reagojnë kështu, shpejt fëmijët mund të mësojnë të thonë vetëm mendimet që duan të dëgjojnë prindërit. S’diskutohet që të folurit pa respekt duhet ndrequr menjëherë, por një gjë është t’u mësosh fëmijëve si të komunikojnë me edukatë dhe një gjë tjetër t’u diktosh çfarë të thonë.

16 Si mund të nxitin prindërit një komunikim të çiltër? Alia, e përmendur më parë, thotë: «Kemi krijuar një atmosferë ku komunikojmë hapur, duke u përpjekur të mos e dramatizojmë situatën kur fëmijët na thonë gjëra që na trazojnë.» Një baba me emrin Tom thotë: «E nxitnim vajzën të na shprehej, edhe kur nuk ishte dakord me mënyrën si mendonim ne. Na dukej se, po ta ndërpritnim gjithnjë dhe t’i diktonim në mënyrë të paarsyeshme dëshirat tona, do ta lëshonte zemra dhe do të mësonte që të mos na thoshte si ndihej vërtet. Nga ana tjetër, ngaqë ne e dëgjonim, edhe ajo u nxit që të na dëgjonte.» Natyrisht, fëmijët duhet t’u binden prindërve. (Proverbat 6:20) Por, me anë të komunikimit të çiltër, prindërit i ndihmojnë fëmijët që të zhvillojnë aftësinë për të arsyetuar. Vinsenti, baba i katër vajzave, thotë: «Shpesh diskutonim për anët e mira dhe të këqija të një situate, që fëmijët ta kuptonin vetë cili ishte rezultati më i mirë. Kjo i ndihmoi të zhvillonin aftësinë për të menduar.»​—Proverbat 1:1-4.

17. Për çfarë mund të jenë të sigurt prindërit?

17 Sigurisht, asnjë prind nuk do të mund t’i zbatojë me përsosmëri këshillat biblike për rritjen e fëmijëve. Gjithsesi, të jeni të sigurt se fëmijët do t’i çmojnë shumë përpjekjet tuaja për t’i stërvitur me dashuri, shpirtgjerësi dhe mirëdashje. Jehovai do t’i bekojë patjetër përpjekjet tuaja në këtë drejtim. (Proverbat 3:33) Në fund të fundit, të gjithë prindërit e krishterë dëshirojnë që fëmijët e tyre të mësojnë të duan Jehovain po aq sa ç’e duan ata vetë. Si ta arrijnë prindërit këtë synim fisnik? Në artikullin vijues do të trajtohen disa metoda specifike.

A ju kujtohet?

• Si mund ta ndihmojë gjykimi i thellë një prind që të jetë shpirtgjerë?

• Si lidhet mirëdashja me disiplinën?

• Pse është jetësor komunikimi i çiltër prind-fëmijë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Prindër, a ju kujtohet kur keni qenë vetë fëmijë?

[Figura në faqen 24]

A i nxitni fëmijët të komunikojnë çiltër dhe hapur me ju?