Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë nënkuptonte Jezui kur tha se skllavi i tij i besueshëm do të ishte «i matur»?

Njëherë Jezui ngriti pyetjen: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur?» (Mateu 24:45) «Skllavi» që siguron ‘ushqimin’ frymor është kongregacioni i të krishterëve të mirosur. Por, pse Jezui i quajti të matur? *

Nga vetë mësimet e Jezuit mund të kuptojmë më mirë se çfarë mund të ketë nënkuptuar ai me fjalën «i matur». Për shembull, kur foli për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, Jezui bëri ilustrimin e dhjetë virgjëreshave që po prisnin dhëndrin. Virgjëreshat na kujtojnë të krishterët e mirosur para vitit 1914, të cilët po prisnin me padurim ardhjen e Dhëndrit të madh, Jezu Krishtit. Ndër këto dhjetë virgjëresha, pesë nuk kishin mjaft vaj për llambat kur mbërriti dhëndri, e kështu nuk shkuan dot në dasmë. Pesë të tjerat ishin treguar të matura. Ato kishin marrë mjaft vaj dhe ishin duke bërë dritë kur erdhi dhëndri, kështu u lejuan të shkonin në dasmë.​—Mateu 25:10-12.

Kur Jezui erdhi në vitin 1914 dhe mori autoritet si Mbret, shumë nga të krishterët e mirosur po prisnin të bashkoheshin menjëherë me të në qiell. Mirëpo, kishte ende punë për ta në tokë, dhe kjo gjë i gjeti të papërgatitur disa. Njësoj si virgjëreshat që nuk u treguan të matura, ata nuk ishin forcuar frymësisht më përpara, prandaj ishin të papërgatitur të vazhdonin të bënin dritë. Por pjesa më e madhe kishin vepruar me maturi—ishin treguar të mençur e largpamës—dhe ishin forcuar frymësisht. Kur kuptuan se kishin ende shumë për të bërë, me gëzim iu futën punës për ta përfunduar. Kështu treguan se ishin «skllavi i besueshëm dhe i matur».

Gjithashtu, të shohim si e përdori Jezui fjalën «i matur» te Mateu 7:24. Jezui tha: «Kushdo që i dëgjon fjalët e mia dhe i zbaton, është si një njeri i matur, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb.» Kush është i matur ndërton një shtëpi të fortë, duke llogaritur mundësinë e një stuhie. Kurse ai që është mendjelehtë, e ndërton shtëpinë në rërë dhe ajo shembet. Pra, dishepull i matur i Jezuit është ai që me largpamësi i dallon pasojat e hidhura që vijnë kur ndjek mençurinë njerëzore. Aftësia dalluese dhe gjykimi i shëndoshë e shtyjnë që ta mbështetë fort besimin, veprimet dhe mësimet e tij në ato që mëson Jezui. «Skllavi besueshëm dhe i matur» vepron në të njëjtën mënyrë.

Veç kësaj, të ndalemi te përdorimi i fjalës që përkthehet «i matur» në shumë versione të Shkrimeve Hebraike. Për shembull, faraoni caktoi Jozefin në krye të rezervave ushqimore të Egjiptit. E gjithë kjo bënte pjesë në masat që kishte marrë Jehovai për t’i siguruar ushqim popullit të tij. Pse u zgjodh pikërisht Jozefi? Faraoni i tha: «S’ka asnjë tjetër kaq të matur e të mençur sa ti.» (Zanafilla 41:33-39; 45:5) Po ashtu, Bibla thotë se Abigaila ishte «mjaft e matur». Ajo i çoi ushqime të mirosurit të Jehovait, Davidit, dhe burrave që ishin me të. (1 Samuelit 25:3, 11, 18) Jozefi dhe Abigaila mund të quhen të matur, sepse dalluan vullnetin e Perëndisë dhe vepruan me largpamësi e gjykim të shëndoshë.

Pra, kur Jezui e përshkroi skllavin e besueshëm si të matur, tregoi se ata që përfaqësonin këtë skllav do të tregonin aftësi dalluese, largpamësi dhe gjykim të shëndoshë, sepse e mbështetin besimin, veprimet dhe mësimet e tyre në Fjalën e Perëndisë, që është e vërteta.

[Shënimi]

^ par. 3 Fjala «i matur» është ekuivalenti i fjalës frónimos në greqisht. Në një vepër studimore, (Word Studies in the New Testament, nga M. R. Vinsenti), thuhet se kjo fjalë i referohet më shpesh mençurisë në kuptimin praktik dhe maturisë.