Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ati juaj është i mëshirshëm»

«Ati juaj është i mëshirshëm»

«Ati juaj është i mëshirshëm»

«Vazhdoni të jeni të mëshirshëm, ashtu si Ati juaj është i mëshirshëm.»​—LUKA 6:36.

1, 2. Si tregojnë fjalët që u tha Jezui skribëve, farisenjve dhe dishepujve të tij se mëshira është një cilësi e vyer?

LIGJI që dha Perëndia nëpërmjet Moisiut kishte rreth 600 kërkesa dhe rregulla. Përmbushja e këtij Ligji ishte një detyrim i rëndësishëm për izraelitët, dhe po aq e rëndësishme ishte të tregonin mëshirë. Le të ndalemi pak te fjalët që u tha Jezui farisenjve, të cilët nuk tregonin mëshirë për të tjerët. Në dy raste ai i qortoi duke vënë në dukje se Perëndia kishte urdhëruar: «Unë dua mëshirë, dhe jo flijim.» (Mateu 9:10-13; 12:1-7; Hozea 6:6) Aty nga fundi i shërbimit të tij në tokë, Jezui tha: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë! Ju jepni të dhjetën e mendrës, të koprës e të barit të gjumit, por shpërfillni çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë.»​—Mateu 23:23.

2 S’ka dyshim se Jezui i dha shumë rëndësi mëshirës. Ai u tha dishepujve të tij: «Vazhdoni të jeni të mëshirshëm, ashtu si Ati juaj është i mëshirshëm.» (Luka 6:36) Mirëpo, që ‘të bëhemi imitues të Perëndisë’ në këtë drejtim, në fillim duhet të dimë çfarë është mëshira e vërtetë. (Efesianëve 5:1) Veç kësaj, kur kuptojmë dobitë që sjell shfaqja e mëshirës, nxitemi të tregojmë më shumë mëshirë në jetën tonë.

Mëshirë për nevojtarët

3. Pse duhet t’i drejtohemi Jehovait për të mësuar çfarë është mëshira e vërtetë?

3 Psalmisti këndoi: «Jehovai është hirmadh dhe i mëshirshëm, nuk zemërohet shpejt dhe ka shumë dashamirësi. Jehovai është i mirë ndaj të gjithëve, dhe u tregon mëshirë tërë veprave të tij.» (Psalmi 145:8, 9) Jehovai është «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Korintasve 1:3) Kush është i mëshirshëm, tregon dhembshuri për të tjerët. Ky është një aspekt i rëndësishëm i personalitetit të Perëndisë. Shembulli dhe udhëzimet e tij mund të na mësojnë çfarë është mëshira e vërtetë.

4. Çfarë na mëson Isaia 49:15 për mëshirën?

4 Te Isaia 49:15 Jehovai thotë: «A mund ta harrojë një grua foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut?» Disa fjalë hebraike që lidhen ngushtë me termin që në këtë varg përkthehet ‘i vjen keq’, janë përdorur në lidhje me mëshirën te Psalmi 145:8, 9 që cituam më lart. Ajo që e shtyn Jehovain të jetë i mëshirshëm krahasohet me ndjenjën e ngrohtësisë që i tregon zakonisht nëna foshnjës së gjirit. Kur foshnja është i uritur ose ka ndonjë nevojë tjetër, nëna, nga dhembshuria ose keqardhja për të, e mënd ose i plotëson çfarëdo nevoje që të ketë. Jehovai tregohet po aq zemërdhembshur me ata të cilëve u tregon mëshirë.

5. Si ka treguar Jehovai se ishte «i pasur në mëshirë» ndaj Izraelit?

5 Të ndiesh dhembshuri për të tjerët është gjë e mirë, por ta tregosh me vepra dhembshurinë ndaj nevojtarëve është edhe më mirë. Të shohim si reagoi Jehovai kur adhuruesit e tij ranë në vargonjtë e skllavërisë në Egjipt, rreth 3.500 vjet më parë. Ai i tha Moisiut: «Pa dyshim e kam parë mundimin e popullit tim në Egjipt, dhe kam dëgjuar si klithin për shkak të atyre që i shtrëngojnë të punojnë, sepse i di dhembjet që heqin. Prandaj, po gatitem të zbres që t’i çliroj nga dora e egjiptianëve, t’i nxjerr nga ai vend e t’i çoj në një vend të mirë e të gjerë, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.» (Dalja 3:7, 8) Rreth 500 vjet pasi izraelitët ishin liruar nga zgjedha e Egjiptit, Jehovai u kujtoi: «Unë e nxora Izraelin nga Egjipti. Unë ju çlirova nga dora e Egjiptit dhe nga dora e të gjitha mbretërive që ju shtypnin.» (1 Samuelit 10:18) Shpesh izraelitët gjendeshin në vështirësi ngaqë ishin larguar nga normat e drejta të Perëndisë. Megjithatë, Jehovai ndiente dhembshuri për ta dhe i shpëtoi disa herë me radhë. (Gjykatësit 2:11-16; 2 Kronikave 36:15) Kjo tregon se Perëndia ynë i dashur nuk kursehet t’u shkojë në ndihmë njerëzve në nevojë, në rrezik ose në vështirësi. Jehovai është «i pasur në mëshirë».​—Efesianëve 2:4.

6. Si e imitoi Jezu Krishti Atin e tij në shfaqjen e mëshirës?

6 Kur ishte në tokë, Jezu Krishti e imitoi në mënyrë të përsosur Atin e tij në shfaqjen e mëshirës. A ju kujtohet si iu përgjigj dy të verbërve që i përgjëroheshin: «Zotëri, ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!» Ata po i kërkonin të bënte një mrekulli që t’u kthente shikimin. Jezui e bëri, por jo ashtu thatë, sa për të bërë një mrekulli. «I shtyrë nga keqardhja,—thotë Bibla,—Jezui u preku sytë dhe menjëherë atyre u erdhën sytë.» (Mateu 20:30-34) Keqardhja për të tjerët e nxiti Jezuin të bënte shumë mrekulli që u sollën lehtësim të verbërve, të demonizuarve, të lebrosurve dhe prindërve që kishin fëmijët të sëmurë.​—Mateu 9:27; 15:22; 17:15; Marku 5:18, 19; Luka 17:12, 13.

7. Çfarë mësojmë për mëshirën nga shembulli i Perëndisë Jehova dhe i Birit të tij?

7 Shembulli i Perëndisë Jehova dhe i Jezu Krishtit tregon se mëshira ka dy elemente: ndjenjën e dhembshurisë a të keqardhjes për njerëzit në nevojë dhe veprimin që i sjell lehtësim nevojtarit. Që të jesh i mëshirshëm duhen shfaqur të dyja elementet. Në Shkrime mëshira i referohet më shpesh një veprimi dashamirës kundrejt atyre që janë në nevojë. Por, si tregohet mëshira në rastet gjyqësore? A mund të përfshijë edhe ndonjë gjë që mund të shihet si mosveprim, domethënë të mos japësh ndëshkimin e merituar?

Mëshirë për mëkatarët

8, 9. Çfarë përfshinte mëshira që iu tregua Davidit pasi mëkatoi me Betshebën?

8 Të shohim çfarë ndodhi pasi profeti Natan i foli Davidit, mbretit të Izraelit të lashtë, lidhur me kurorëshkeljen e tij me Betshebën. Davidi u pendua dhe u lut: «Jepmë hir, o Perëndi, sipas dashamirësisë sate! Fshiji shkeljet e mia, sipas mëshirës sate të madhe! Lamë tërësisht nga faji im dhe pastromë nga mëkati im! Sepse i di shkeljet e mia, dhe mëkatin tim e kam përpara vazhdimisht. Kundër teje, vetëm kundër teje kam mëkatuar. Kam bërë atë që është e keqe në sytë e tu.»​—Psalmi 51:1-4.

9 Davidit i therte në zemër për atë që kishte bërë. Jehovai ia fali mëkatin dhe u tregua i përmbajtur në gjykimin që dha për të dhe për Betshebën. Sipas Ligjit të Moisiut, edhe Davidi, edhe Betsheba duhej të vdisnin. (Ligji i përtërirë 22:22) Ata nuk u shpëtuan të gjitha pasojave të mëkatit që bënë, por, gjithsesi, iu kursye jeta. (2 Samuelit 12:13) Po, mëshira e Perëndisë përfshin faljen e fajit. Megjithatë, ai nuk lë pa dhënë ndëshkimin e nevojshëm.

10. Pse s’duhet ta shpërdorojmë mëshirën e Jehovait, sado që ai tregon mëshirë kur gjykon?

10 «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu [Adamit]» dhe përderisa «paga që paguan mëkati është vdekja», të gjithë njerëzit e kanë hak vdekjen. (Romakëve 5:12; 6:23) Sa mirënjohës jemi që Jehovai tregon mëshirë kur gjykon! Nga ana tjetër, duhet të matemi mirë që të mos e shpërdorojmë mëshirën e Perëndisë. «Të gjitha udhët [e Jehovait] janë drejtësi»,—thuhet në Ligjin e përtërirë 32:4. Pra, Perëndia nuk i lë mënjanë normat e tij të përsosura të drejtësisë kur tregon mëshirë.

11. Si tregoi Jehovai respektin e duhur për drejtësinë kur trajtoi rastin e Davidit që mëkatoi me Betshebën?

11 Para se të zbutej dënimi me vdekje në rastin e Davidit dhe të Betshebës, duhej falur mëkati i tyre. Gjykatësit e Izraelit nuk ishin të autorizuar të falnin mëkatet. Po të ishin lejuar ta trajtonin ata këtë rast, s’kishin mundësi tjetër veçse t’i dënonin me vdekje. Këtë kërkonte Ligji. Megjithatë, për hir të besëlidhjes që kishte bërë me Davidin, Jehovai donte të shihte nëse kishte ndonjë arsye për t’ia falur mëkatin. (2 Samuelit 7:12-16) Kështu, Perëndia Jehova, «Gjykatësi i gjithë tokës», i cili «shqyrton zemrën», vendosi ta trajtonte vetë këtë rast. (Zanafilla 18:25; 1 Kronikave 29:17) Perëndia mund të lexonte me saktësi zemrën e Davidit, të vlerësonte sa i sinqertë ishte pendimi i tij dhe ta falte.

12. Si mund të nxjerrin dobi njerëzit mëkatarë nga mëshira e Perëndisë?

12 Mëshira që na tregon Jehovai, duke na bërë të mundur të çlirohemi nga dënimi i vdekjes për shkak të mëkatit të trashëguar, pajtohet me drejtësinë e tij. Për të mundësuar faljen e mëkateve pa shkelur drejtësinë, Jehovai ka siguruar flijimin shpërblyes të Birit të tij, Jezu Krishtit, që është shprehja më e madhe e mëshirës që është treguar deri më sot. (Mateu 20:28; Romakëve 6:22, 23) Që të nxjerrim dobi nga mëshira e Perëndisë, e cila mund të na shpëtojë nga dënimi me vdekje për shkak të mëkatit të trashëguar, duhet ‘të tregojmë besim te Biri’.​—Gjoni 3:16, 36.

Perëndi i mëshirshëm dhe i drejtë

13, 14. A e zbut mëshira drejtësinë e Perëndisë? Shpjego.

13 Nga sa pamë, mëshira e Jehovait nuk shkel normën e tij të drejtësisë. Por, a ndikon ajo në ndonjë mënyrë te drejtësia e tij? A e zbut mëshira forcën e drejtësisë së Perëndisë? Jo, aspak.

14 Jehovai u tha izraelitëve nëpërmjet profetit Hozea: «Unë do të fejohem me ty për një kohë të pacaktuar, do të fejohem me ty dhe do të jem i drejtë e do të tregoj drejtësi, dashamirësi dhe mëshirë.» (Hozea 2:19) Këto fjalë tregojnë qartë se mëshira e Jehovait është gjithnjë në harmoni me cilësitë e tjera të tij, ku përfshihet edhe drejtësia. Jehovai është «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, . . . që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin, por që në asnjë mënyrë nuk e lë pa ndëshkuar fajtorin». (Dalja 34:6, 7) Jehovai është një Perëndi që tregon edhe mëshirë, edhe drejtësi. Bibla thotë për të: «Ai është Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4) Drejtësia e Perëndisë është e përsosur po aq sa edhe mëshira. Asnjëra nuk del mbi tjetrën dhe asnjëra nuk ka nevojë të ekuilibrohet nga tjetra. Përkundrazi, të dyja këto cilësi bashkëveprojnë në mënyrë të përsosur me njëra-tjetrën.

15, 16. (a) Ku duket se drejtësia e Perëndisë nuk është e vrazhdë? (b) Për çfarë mund të jenë të sigurt adhuruesit e Jehovait, kur ai të ekzekutojë gjykimin e tij mbi sistemin e lig të kohës sonë?

15 Drejtësia e Jehovait nuk është e vrazhdë. Pothuaj gjithmonë drejtësia ka ngjyrime ligjore, dhe gjykimi në bazë të ligjit zakonisht bën të nevojshëm ndëshkimin e merituar të keqbërësve. Megjithatë, drejtësia e Perëndisë mund të çojë edhe në shpëtimin e atyre që e meritojnë. Për shembull, kur u shkatërruan Sodoma dhe Gomorra, qytete ku mbizotëronte ligësia, patriarku Lot dhe dy vajzat e tij shpëtuan.​—Zanafilla 19:12-26.

16 Mund të jemi të sigurt se kur Jehovai të ekzekutojë gjykimin e tij mbi sistemin e lig të kohës sonë, ‘shumica e madhe’ e adhuruesve të vërtetë, që «i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit», do të kursehet. Po, ata do të «dalin nga shtrëngimi i madh».​—Zbulesa 7:9-14.

Pse të tregojmë mëshirë?

17. Cila është arsyeja kryesore pse duhet të tregojmë mëshirë?

17 Nga shembulli i Jehovait dhe i Jezu Krishtit mësojmë ç’është mëshira e vërtetë. Arsyen kryesore pse duhet të tregojmë mëshirë, e gjejmë te Proverbat 19:17 që thotë: «Kush i jep hir të varfrit, i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë.» Jehovai kënaqet kur imitojmë atë dhe Birin e tij, duke treguar mëshirë për të tjerët. (1 Korintasve 11:1) Kjo i nxit edhe ata të jenë të mëshirshëm, sepse mëshira i lë vend mëshirës.​—Luka 6:38.

18. Pse duhet të përpiqemi të tregojmë mëshirë?

18 Mëshira është një gërshetim i shumë cilësive të mira. Ajo përfshin hirin, dashurinë, dashamirësinë dhe mirësinë. Shtysa për të vepruar me mëshirë janë dhembshuria dhe keqardhja. Megjithëse mëshira që tregon Jehovai nuk e çekuilibron drejtësinë, ai nuk zemërohet shpejt dhe me durim u lë kohë të mjaftueshme keqbërësve që të pendohen. (2 Pjetrit 3:9, 10) Pra, mëshira lidhet edhe me durimin dhe zemërgjerësinë. Si një gërshetim i shumë cilësive të admirueshme, ku përfshihen edhe aspekte të ndryshme të frytit të frymës së Perëndisë, mëshira është boshti rreth të cilit ndërthuren të gjitha këto cilësi. (Galatasve 5:22, 23) Vërtet, është shumë e rëndësishme të përpiqemi të tregojmë mëshirë ndaj të tjerëve!

«Lum të mëshirshmit!»

19, 20. Në ç’kuptim mëshira ngadhënjen mbi gjykimin?

19 Dishepulli Jakov na jep arsyen pse duhet t’i trajtojmë gjithnjë me mëshirë të tjerët. Ai shkroi: «Mëshira lartësohet ngadhënjimtare mbi gjykimin.» (Jakovi 2:13b) Jakovi e kishte fjalën për mëshirën që tregon një adhurues i Jehovait ndaj të tjerëve. Ajo lartësohet ngadhënjimtare mbi gjykimin në kuptimin që kur të vijë koha që dikush «t’i japë llogari Perëndisë për veten», Jehovai mban parasysh mëshirën që ka treguar ndaj të tjerëve dhe e fal në bazë të flijimit shpërblyes të Birit të Tij. (Romakëve 14:12) Natyrisht, një nga arsyet pse Davidit iu tregua mëshirë për mëkatin që bëri me Betshebën, ishte se edhe ai vetë kishte treguar mëshirë. (1 Samuelit 24:4-7) Nga ana tjetër, «ai që nuk tregon mëshirë, pa mëshirë do të gjykohet». (Jakovi 2:13a) Ja pse «të pamëshirshmit» renditen mes atyre që për Perëndinë «meritojnë vdekjen»!​—Romakëve 1:31, 32.

20 Në Predikimin në Mal Jezui tha: «Lum të mëshirshmit, sepse do t’u tregohet mëshirë!» (Mateu 5:7) Këto fjalë tregojnë shumë qartë se kush do që Perëndia t’i tregojë mëshirë, duhet të jetë i mëshirshëm. Në artikullin vijues do të shohim si të tregojmë mëshirë në jetën e përditshme.

Çfarë keni mësuar?

• Çfarë është mëshira?

• Në cilat mënyra tregohet mëshira?

• Në ç’kuptim është Jehovai Perëndi i mëshirshëm dhe i drejtë?

• Pse duhet të tregojmë mëshirë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Jehovai është po aq zemërdhembshur me njerëzit në nevojë, sa një nënë me foshnjën e saj

[Figura në faqen 23]

Çfarë mësojmë për mëshirën nga mrekullitë e Jezuit?

[Figura në faqen 24]

A e shkeli Jehovai drejtësinë e tij duke i treguar mëshirë Davidit?

[Figura në faqen 25]

Mëshira që tregon Perëndia për njerëzit mëkatarë pajtohet me drejtësinë e tij