Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jonatani «veproi bashkë me Perëndinë»

Jonatani «veproi bashkë me Perëndinë»

Jonatani «veproi bashkë me Perëndinë»

DJALI i mbretit të parë të Izraelit shkon të takojë një të arratisur që është në kërkim. «Mos ki frikë,—i thotë të arratisurit,—sepse dora e Saulit, atit tim, nuk do të të gjejë dhe ti do të jesh mbret i Izraelit, kurse unë do të jem i dyti pas teje.»​—1 Samuelit 23:17.

Bujtësi është Jonatani, kurse i arratisuri, Davidi. Po të mos kishte vdekur pak kohë më pas, Jonatani mund të ishte bërë krahu i djathtë i Davidit.

Miqësia e Jonatanit me Davidin ishte e rrallë. Në fakt edhe vetë Jonatani ishte njeri i rrallë. Këtë mendim kishin për të edhe bashkëkohësit e tij, sepse thanë: «Ai veproi bashkë me Perëndinë.» (1 Samuelit 14:45) Pse u shprehën kështu? Çfarë cilësish kishte Jonatani? Ç’mësojmë nga historia e jetës së tij?

Izraelitët «e kishin punën pisk»

Jonatani përmendet për herë të parë në Bibël kur Izraelitët «e kishin punën pisk». Filistinët i kishin plaçkitur e kishin bërë kërdinë në gjithë vendin dhe ua kishin bërë të pamundur të mbroheshin.​—1 Samuelit 13:5, 6, 17-19.

Megjithatë, Jehovai shpalli se nuk do ta linte në baltë popullin e tij, dhe Jonatani kishte besim te ky premtim. Për të atin, Saulin, Perëndia kishte thënë: «Ai do ta shpëtojë popullin tim nga dora e filistinëve.» Jonatani u besonte këtyre fjalëve. Edhe ai vetë u printe 1.000 izraelitëve pothuaj të paarmatosur në një sulm mbi filistinët. Mirëpo, ajo që donte ai, ishte të eliminohej një herë e mirë kërcënimi filistin.​—1 Samuelit 9:16; 12:22; 13:2, 3, 22.

Një mësymje e guximshme

Jonatani vuri në shënjestër një pararojë të filistinëve afër grykës së Mikmashit. (1 Samuelit 13:23) Për të shkuar deri atje, atij i duhej të ngjitej «me këmbë e me duar». Por kjo nuk e stepi. Jonatani vendosi të hidhej në sulm vetëm me shqytarin e tij, të cilit i tha: «Ndoshta Jehovai do të bëjë diçka për ne, sepse Jehovain s’e pengon asgjë që të shpëtojë, qoftë shumë, qoftë pak veta.»​—1 Samuelit 14:6, 13.

Dy izraelitët kërkuan një shenjë nga Jehovai. Ata do të dilnin hapur para ushtarëve të pararojës. Nëse filistinët u thoshin «ndaluni dhe na pritni aty», Jonatani dhe shqytari i tij nuk do të shkonin deri tek ata. Por, nëse thoshin «Ejani!», kjo nënkuptonte se Jehovai do t’u falte fitoren. Po të ishte i sigurt për mbështetjen e Perëndisë, Jonatani patjetër do të ngjitej deri te pararoja për të luftuar.​—1 Samuelit 14:8-10.

Ç’mund të bënin dy burra kundër tërë atyre ushtarëve të pararojës? Le të mendojmë pak. A nuk e ndihmoi Jehovai gjykatësin Ehud kur i priu Izraelit në luftë kundër Moabit? A nuk tregoi Perëndia se ishte me Shamgarin, duke i dhënë mundësi të vriste 600 filistinë me një hosten qesh? A nuk i dha fuqi Jehovai Samsonit, që krejt i vetëm të mundte filistinët? Jonatani kishte besim se Perëndia s’do ta linte pa ndihmë.​—Gjykatësit 3:12-31; 15:6-8, 15; 16:29, 30.

Me t’i parë dy izraelitët, filistinët thirrën: «Ngjituni te ne, se do t’ju themi diçka!» Jonatani dhe shqytari i tij u ngjitën. Me guxim ata sulmuan e vranë rreth 20 ushtarë armiq, dhe pararojën e zuri paniku. Ndoshta filistinët kujtonin se pas atyre të dyve vinin duzina me luftëtarë izraelitë. Kështu, sipas tregimit «tërë njerëzve të pararojës u hyri dridhma . . . e toka nisi të tundej. Kjo dridhmë vinte nga Perëndia». Tërmeti që shkaktoi Perëndia i bëri rrëmujë filistinët, dhe «shpata e secilit ishte ngritur kundër tjetrit». Kur e panë këtë trupat e Izraelit, morën zemër. Me ta u bashkuan edhe izraelitët që rrinin fshehur dhe ata që kishin marrë anën e filistinëve, dhe «i goditën filistinët nga Mikmashi deri në Ajalon».​—1 Samuelit 14:11-23, 31.

Populli shpengon Jonatanin

Mbreti Saul, pa pikë mençurie, bëri be se cilido nga ushtarët e tij që hante para se të fitonin betejën, do të ishte i mallkuar. Kush e di pse, por Jonatani nuk e dinte këtë dhe hëngri. Ai e zhyti majën e shkopit në një huall dhe futi në gojë ca mjaltë. Siç duket, kjo i dha fuqi për të përfunduar betejën.​—1 Samuelit 14:24-27.

Kur mësoi se Jonatani kishte ngrënë, Sauli urdhëroi që ai të vritej. Jonatani nuk iu tremb vdekjes. «Ja tek jam! Le të vdes!»—qenë fjalët e tij. «Por populli i tha Saulit: ‘Të vdesë Jonatani që ka sjellë këtë shpëtim të madh në Izrael?! Kjo s’na ka shkuar kurrë ndër mend! Siç është e vërtetë që rron Jehovai, atij s’ka për t’i rënë përtokë as edhe një fije floku, sepse sot ai veproi bashkë me Perëndinë.’ Populli, pra, e shpengoi Jonatanin dhe ai nuk vdiq.»​—1 Samuelit 14:38-45.

Shërbëtorët e Perëndisë në ditët tona nuk shkojnë në luftë, por mund të ndodhë në jetë kur çdokush ka nevojë për besim e guxim. Mund të jetë e vështirë të veprosh drejt, kur të gjithë ata që të rrethojnë veprojnë keq. Megjithatë, Jehovai do të të japë forcë e do ta bekojë dëshirën që ke për të vepruar sipas normave të tij të drejta. Mund të të duhet guxim që të pranosh ndonjë caktim brenda organizatës së Jehovait, si për shembull të zgjerosh shërbimin, të pranosh caktime të reja ose të shpërngulesh për të shërbyer atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Ndoshta je në mëdyshje a mund ta mbash mbi shpatulla apo jo një përgjegjësi të tillë. Megjithatë, të jesh i sigurt se, nëse e lë veten në dorë të Jehovait që të të përdorë atje ku ai mendon se është e përshtatshme, po bën një gjë të lavdërueshme. Mos harro shembullin e Jonatanit! «Ai veproi bashkë me Perëndinë.»

Jonatani dhe Davidi

Rreth 20 vjet më vonë, Goliadi, një filistin gjigant, sfidoi ushtrinë izraelite, por Davidi e vrau. Megjithëse Jonatani mund të ketë qenë 30 vjet më i madh se Davidi, ata të dy kishin shumë gjëra të përbashkëta. * Guximi që shfaqi Jonatani në Mikmash vihej re edhe te Davidi. Por, mbi të gjitha, Davidi kishte po aq besim sa Jonatani te fuqia shpëtuese e Jehovait, dhe kjo i dha forcë të përballej pa iu dridhur qerpiku me Goliadin, ndërkohë që gjithë izraelitët e tjerë ishin zmbrapsur nga frika. Pikërisht kjo bëri që ‘shpirti i Jonatanit të lidhej me shpirtin e Davidit dhe Jonatani filloi ta donte si shpirtin e vet’.​—1 Samuelit 17:1–18:4.

Heroizmi i Davidit bëri që mbreti Saul ta shihte atë si rival, kurse Jonatani nuk rrinte çehreprishur e nuk shfaqte asnjë shenjë xhelozie. Ai dhe Davidi u bënë miq për kokë, dhe ka të ngjarë që gjatë bisedave të tyre në mirëbesim, Jonatani të ketë mësuar se Davidi ishte mirosur si mbreti i ardhshëm i Izraelit. Jonatani e respektonte vendimin e Perëndisë.

Kur mbreti Saul i tha të birit dhe shërbëtorëve se donte të vriste Davidin, Jonatani e paralajmëroi Davidin. Ai e bindi Saulin se s’kishte pse t’i frikësohej Davidit. Në të vërtetë, Davidi s’kishte bërë asnjë mëkat kundër mbretit! A nuk kish vënë kokën në rrezik Davidi në dyluftimin me Goliadin? Kërkesa e ndier e Jonatanit për mikun e tij të paragjykuar e zbuti Saulin. Por shumë shpejt mbreti iu kthye planit të tij vrastar. Ai u përpoq sërish të vriste Davidin, dhe kjo e detyroi atë të ikte.​—1 Samuelit 19:1-18.

Jonatani iu bë krah Davidit. Dy miqtë u takuan për të menduar si t’ia bënin. Duke u treguar besnik ndaj mikut të tij, e njëkohësisht duke u munduar të ishte besnik edhe ndaj të atit, Jonatani i tha Davidit: «Kjo të mos të shkojë kurrë ndër mend! Ti nuk do të vdesësh.» Por Davidi ia ktheu: «Mua s’më ndan veçse një hap nga vdekja!»​—1 Samuelit 20:1-3.

Jonatani dhe Davidi menduan diçka që të kuptonin qëllimet e Saulit. Nëse do të vihej re mungesa e Davidit në tryezën e mbretit, Jonatani do t’i thoshte të atit se Davidi i kishte kërkuar leje që të merrte pjesë në një flijim që bënte familja e tij. Nëse Sauli nxehej, ishte shenjë se ushqente armiqësi kundrejt Davidit. Jonatani e bekoi dhe i tha këto fjalë që nënkuptonin se e pranonte që ai ishte mbreti i ardhshëm i Izraelit: «Jehovai qoftë me ty, ashtu si qe me tim atë!» Të dy u betuan se do t’i qëndronin besnikë njëri-tjetrit dhe u morën vesh për shenjën që do t’i tregonte Davidit rezultatin e provës.​—1 Samuelit 20:5-24.

Kur Sauli pa se Davidi nuk ishte në tryezë, Jonatani i shpjegoi se ai i ishte lutur: «Nëse kam gjetur pëlqim në sytë e tu, lërmë, të lutem, të iki pa rënë në sy, që të shoh vëllezërit e mi.» Jonatani s’kishte frikë të pranonte se Davidi gëzonte pëlqimin e tij. Mbreti u tërbua fare. Ai iu hakërrua Jonatanit dhe bërtiste e çirrej duke thënë se Davidi ishte një kërcënim për pozitën e të birit si mbreti pasardhës. Sauli i kërkoi Jonatanit që t’ia sillte Davidin për ta vrarë, por ai ia ktheu me ton të prerë: «Pse të vdesë? Ç’ka bërë?» I acaruar në kulm Sauli vërviti heshtën drejt të birit. Jonatani shpëtoi paq, por ishte thellësisht i hidhëruar për Davidin.​—1 Samuelit 20:25-34.

Çfarë besnikërie që tregoi Jonatani! Siç do të thoshim ne, ai jo vetëm që s’fitonte gjë, por mund t’i kushtonte shumë miqësia me Davidin. Megjithatë, Jehovai kishte urdhëruar që Davidi të ishte mbreti që do të pasonte Saulin e ajo që kishte vendosur Perëndia ishte në të mirë të Jonatanit dhe të të tjerëve.

Ndahen mes lotësh

Jonatani e takoi fshehtas Davidin për t’i dhënë të rejat. Ishte e qartë se Davidi s’mund të shkelte më në oborrin e Saulit. Të dy u përlotën dhe e rrokën njëri-tjetrin në krahë. Pastaj, Davidi shkoi të fshihej.​—1 Samuelit 20:35-42.

Jonatani e pa edhe një herë të vetme Davidin kur ai po fshihej nga Sauli «në shkretëtirën e Zifit në Horesh». Pikërisht atëherë Jonatani i dha zemër Davidit me fjalët: «Mos ki frikë, sepse dora e Saulit, atit tim, nuk do të të gjejë dhe ti do të jesh mbret i Izraelit, kurse unë do të jem i dyti pas teje. Edhe im atë, Sauli, e di që është kështu.» (1 Samuelit 23:15-18) Pak kohë më pas, Jonatani dhe Sauli vdiqën gjatë një beteje kundër filistinëve.—1 Samuelit 31:1-4.

Të gjithë ata që e duan Perëndinë bëjnë mirë të mendojnë për udhën që ndoqi Jonatani. A jeni në një situatë ku s’dini kujt t’i qëndroni besnik? Atëherë sillni ndër mend se si e nxiti Sauli Jonatanin të shkonte pas interesit të vet. Megjithatë, Jonatani e nderoi Jehovain duke treguar respekt të thellë, nënshtrim me gjithë zemër dhe gëzim që Davidi ishte zgjedhur nga Perëndia si mbreti i ardhshëm i Izraelit. Po, Jonatani iu bë krah Davidit dhe njëkohësisht i qëndroi besnik Jehovait.

Jonatani kishte cilësi të admirueshme. Imitojini cilësitë e tij! Atëherë të tjerët do të thonë për ju siç thanë për Jonatanin: «Ai veproi bashkë me Perëndinë.»​—1 Samuelit 14:45.

[Shënimi]

^ par. 18 Jonatani përmendet për herë të parë si komandant ushtarak në kohën kur Sauli sapo kishte filluar mbretërimin 40-vjeçar në Izrael, dhe asokohe ishte të paktën 20 vjeç. (Numrat 1:3; 1 Samuelit 13:2) Kështu, Jonatani duhet të ketë qenë afër të 60-ave kur vdiq, rreth vitit 1078 p.e.s. Përderisa në atë kohë Davidi ishte 30 vjeç, duket se Jonatani ishte rreth 30 vjet më i madh se ai.—1 Samuelit 31:2; 2 Samuelit 5:4.

[Figura në faqen 19]

Jonatani nuk ishte xheloz për Davidin