Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Hozesë

Pika kryesore nga libri i Hozesë

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Hozesë

ADHURIMI i vërtetë pothuajse është zhdukur në mbretërinë veriore dhjetëfisëshe të Izraelit. Nën sundimin e Jeroboamit II në Izrael ka begati materiale, por ajo venitet shpejt pas vdekjes së tij. Më pas vijon një periudhë me turbullira dhe paqëndrueshmëri politike. Katër prej gjashtë mbretërve që vijnë më vonë, vriten. (2 Mbretërve 14:29; 15:8-30; 17:1-6) Hozea shërben si profet gjatë kësaj periudhe me trazira. Shërbimi i tij nisi në vitin 804 dhe zgjat për 59 vjet.

Ndjenjat e Jehovait për kombin e pashtruar të Izraelit portretizohen në mënyrë të gjallë nga ngjarjet që ndodhin në martesën e Hozesë. Demaskimi i fajit të Izraelit dhe gjykimet profetike kundër tij dhe kundër mbretërisë së Judës përbëjnë thelbin e mesazhit të Hozesë. Me një të folur të butë e me takt dhe me një gjuhë të fuqishme e shprehëse, Hozea i ka shkruar tërë këto gjëra në një libër që mban emrin e tij. Si pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, mesazhi i këtij libri është i gjallë dhe ushtron fuqi.​—Hebrenjve 4:12.

«MERR PËR VETE NJË GRUA QË DO TË KRYEJË KURVËRI»

(Hozea 1:1–3:5)

Jehovai i thotë Hozesë: «Shko, merr për vete një grua që do të kryejë kurvëri.» (Hozea 1:2) Hozea bindet dhe martohet me një grua me emrin Gomera që i lind një djalë. Dy fëmijët e tjerë që lind ajo me sa duket janë të paligjshëm. Emrat e tyre, Lo-Ruhama dhe Lo-Ami, kanë domethënien se Jehovai nuk do t’i tregojë mëshirë Izraelit dhe e ka hedhur poshtë popullin e tij të pabesë.

Si ndihet në të vërtetë Jehovai për këtë popull rebel? Ai i thotë Hozesë: «Shko përsëri, dashuro një grua të dashuruar nga një shok dhe që kryen kurorëshkelje, ashtu si ka dashuri Jehovai për bijtë e Izraelit, ndërkohë që ata u drejtohen perëndive të tjera.»​—Hozea 3:1.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:1—Pse Hozea përmend të katër mbretërit që sunduan në Judë gjatë shërbimit të tij, por përmend vetëm një sundimtar të Izraelit? Arsyeja është se vetëm mbretërit e linjës familjare të Davidit njiheshin si sundimtarët e ligjshëm të popullit të zgjedhur të Perëndisë. Mbretërit e mbretërisë veriore nuk e kishin prejardhjen nga linja davidike, kurse ata të Judës po.

1:2-9—A mori vërtet Hozea një grua që kreu kurvëri? Po. Hozea u martua vërtet me një grua që më vonë u bë një kurorëshkelëse. Profeti nuk thotë asgjë që të tregojë se gjërat që tha për jetën e vet familjare ishin një ëndërr ose vegim.

1:7—Kur iu tregua mëshirë dhe kur u shpëtua shtëpia e Judës? Kjo u përmbush në vitin 732 p.e.s, në ditët e mbretit Hezekia. Në atë kohë, Jehovai i dha fund kërcënimit asirian ndaj Jerusalemit kur një engjëll vrau në një natë të vetme 185.000 ushtarë të forcave armike. (2 Mbretërve 19:34, 35) Në këtë mënyrë, Jehovai nuk e çliroi Judën «as me hark e as me shpatë, as me luftë dhe as me kuaj a kalorës», por me anë të një engjëlli.

1:10, 11—Meqë mbretëria veriore e Izraelit ra në vitin 740 p.e.s., në ç’mënyrë bijtë e Izraelit ‘u mblodhën dhe u bashkuan’ me bijtë e Judës? Shumë veta nga mbretëria veriore kishin shkuar në Judë para se banorët e vendit të Judës të merreshin rob në Babiloni në vitin 607 p.e.s. (2 Kronikave 11:13-17; 30:6-12, 18-20, 25) Kur të mërguarit judenj u kthyen në vendin e tyre në vitin 537 p.e.s, midis të kthyerve ishin pasardhës të individëve nga mbretëria veriore e Izraelit.​—Ezdra 2:70.

2:21-23—Çfarë u paratha nëpërmjet fjalëve të Jehovait: «Do ta mbjell [Jezreelin] në tokë si farë për veten time dhe do t’i tregoj mëshirë.» Emri i birit të parëlindur të Hozesë nga Gomera ishte Jezreel. (Hozea 1:2-4) Kuptimi i këtij emri, «Perëndia do të mbjellë farë», tregon në mënyrë profetike se si Jehovai do të mblidhte një mbetje besnike në vitin 537 p.e.s dhe do ti mbillte ata në Judë si një farë. Vendi që kishte mbetur i shkretë prej 70 vjetësh do të duhej të prodhonte drithë, verë të ëmbël dhe vaj. Në mënyrë poetike profecia thotë se këto gjëra të mira do t’i kërkonin tokës që t’u lëshonte lëndët e saj ushqyese, ndërsa toka do t’u kërkonte qiejve shi. Qiejt do t’i kërkonin Perëndisë t’u jepte re shiu. E gjithë kjo do të bëhej për t’u kujdesur me bollëk për nevojat e mbetjes që do të kthehej. Apostujt Pavël dhe Pjetër e zbatojnë Hozenë 2:23 për mbledhjen e një mbetjeje të Izraelit frymor.​—Romakëve 9:25, 26; 1 Pjetrit 2:10.

Mësime për ne:

1:2-9; 3:1, 2. Mendoni se çfarë sakrifice bëri Hozea duke qëndruar në një martesë të tillë për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë! Deri në ç’masë jemi të gatshëm të heqim dorë nga parapëlqimet personale kur bëhet fjalë për të kryer vullnetin e Perëndisë?

1:6-9. Jehovai e urren kurorëshkeljen frymore, ashtu siç urren kurorëshkeljen e mirëfilltë.

1:7, 10, 11; 2:14-23. Gjërat që paratha Jehovai për Izraelin dhe Judën u përmbushën. Fjala e Jehovait gjithnjë del e vërtetë.

2:16, 19, 21-23; 3:1-4. Jehovai është i gatshëm t’i falë ata që tregojnë se janë penduar me gjithë zemër. (Nehemia 9:17) Ashtu si Jehovai, edhe ne duhet të jemi të dhembshur e të mëshirshëm me të tjerët.

«JEHOVAI KA NJË ÇËSHTJE LIGJORE»

(Hozea 4:1–13:16)

«Jehovai ka një çështje ligjore me banorët e vendit.» Pse? Sepse «në vend s’ka as të vërtetë, as dashamirësi, as njohuri për Perëndinë». (Hozea 4:1) Populli renegat i Izraelit është përfshirë në mashtrime e në gjakderdhje dhe ka kryer kurvëri fizike e frymore. Në vend që t’i drejtohen Perëndisë për ndihmë, «Egjiptin kanë thirrur; tek Asiria kanë shkuar».​—Hozea 7:11.

Jehovai e shpall gjykimin e tij me fjalët: «Izraeli duhet gëlltitur.» (Hozea 8:8) Mbretëria e Judës nuk është e pafaj. «Jehovai ka një çështje ligjore me Judën,—thuhet te Hozea 12:2,—po, që t’i kërkojë llogari Jakobit për udhët e tij; sipas veprimeve të tij do ta shpërblejë.» Por rivendosja është e sigurt, sepse Perëndia premton: «Nga dora e Sheolit do t’i shpengoj, nga vdekja do t’i rimëkëmb.»​—Hozea 13:14.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

6:1-3—Kush po thoshte: «Ejani, le të kthehemi te Jehovai.» Ndoshta izraelitët e pabesë po nxitnin njëri-tjetrin të ktheheshin te Jehovai. Nëse është kështu, ata vetëm sa po hiqeshin sikur po pendoheshin. Dashamirësia e tyre ishte po aq e shkurtër dhe kalimtare sa edhe «retë e mëngjesit dhe . . . vesa që ikën shpejt». (Hozea 6:4) Nga ana tjetër ai që i tha këto fjalë mund të ketë qenë Hozea i cili po i lutej popullit të kthehej te Jehovai. Sido që të ishte, banorët e pabindur të mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit duhej të shfaqnin pendim të sinqertë dhe të ktheheshin vërtet te Jehovai.

7:4—Në ç’kuptim izraelitët kurorëshkelës ishin si «një furrë e ndezur»? Ky krahasim ilustron se sa të fuqishme ishin dëshirat e liga në zemrën e tyre.

Mësime për ne:

4:1, 6. Nëse duam të vazhdojmë të kemi miratimin e Jehovait, duhet të vazhdojmë të marrim njohuri për të dhe të jetojmë sipas asaj që mësojmë.

4:9-13. Jehovai do t’u kërkojë llogari atyre që praktikojnë imoralitetin dhe marrin pjesë në adhurimin e papastër.​—Hozea 1:4.

5:1. Ata që marrin drejtimin në popullin e Perëndisë duhet ta hedhin poshtë krejtësisht apostazinë. Përndryshe disa mund të joshen që të përfshihen në adhurimin e rremë, i cili do të bëhej ‘një grackë dhe një rrjetë’ për ta.

6:1-4; 7:14, 16. Të pendohemi vetëm me fjalë është një gjë hipokrite dhe e kotë. Që Perëndia të tregojë mëshirë, një keqbërës duhet të shfaqë pendim të përzemërt, ta bëjë të dukshëm kthimin e tij te diçka «më e lartë», domethënë, te një formë e lartë adhurimi. Veprimet e tij duhet të jenë në përputhje me normat e larta të Perëndisë.​—Hozea 7:16, shënimi, Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht.

6:6. Praktikimi i mëkatit tregon mungesë dashurie besnike për Perëndinë. Nuk ka sakrifica frymore që mund ta plotësojnë këtë mangësi.

8:7, 13; 10:13. Parimi se «çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë», doli i vërtetë në rastin e izraelitëve idhujtarë.​—Galatasve 6:7.

8:8; 9:17; 13:16. Profecitë për mbretërinë veriore dolën të vërteta kur kryeqytetin e saj, Samarinë, e pushtoi Asiria. (2 Mbretërve 17:3-6) Mund të jemi të sigurt se Perëndia do të bëjë gjithçka që ka thënë dhe do të çojë në vend gjithçka që ka folur.​—Numrat 23:19.

8:14. Jehovai dërgoi «zjarr në qytetet e [Judës]» në vitin 607 p.e.s. nëpërmjet babilonasve, duke sjellë në Jerusalem dhe në vendin e Judës shkretimin e parathënë. (2 Kronikave 36:19) Fjala e Perëndisë nuk mund të dështojë kurrë.​—Josiu 23:14.

9:10. Edhe pse i ishin kushtuar Perëndisë së vërtetë, izraelitët ‘shkuan te Baali i Peorit dhe iu kushtuan gjësë së turpshme’. Tregohemi të mençur nëse ia vëmë veshin paralajmërimit që marrim nga shembulli i tyre i keq dhe tregojmë kujdes që t’i përmbahemi kushtimit që i kemi bërë Jehovait.​—1 Korintasve 10:11.

10:1, 2, 12. Duhet ta adhurojmë Perëndinë pa hipokrizi në zemër. Kur ‘mbjellim farë me drejtësi, korrim sipas dashamirësisë së Perëndisë’.

10:5. Fjala Beth-Aven (që do të thotë «Shtëpia e dëmit») është një emër përçmues për Bethelin (që do të thotë «Shtëpia e Perëndisë»). Kur viçin-idhull të Beth-Avenit e morën në mërgim, banorët e Samarisë vajtuan për humbjen e objektit të tyre të adhurimit. Sa e pamend është të kemi besim te një idhull i pajetë që nuk mund të mbrojë as veten!​—Psalmi 135:15-18; Jeremia 10:3-5.

11:1-4. Gjithnjë Jehovai e trajton me dashuri popullin e tij. Nënshtrimi ndaj Perëndisë nuk është kurrë shtypës.

11:8-11; 13:14. Fjala e Jehovait në lidhje me rikthimin e popullit të tij në adhurimin e vërtetë ‘nuk u kthye prapë tek Ai pa dhënë fryt’. (Isaia 55:11) Në vitin 537 p.e.s., përfundoi mërgimi babilonas dhe një mbetje u kthye në Jerusalem. (Ezdra 2:1; 3:1-3) Çfarëdo gjëje që Jehovai të ketë thënë nëpërmjet profetëve të tij do të realizohet patjetër.

12:6. Duhet të jemi plotësisht të vendosur që të tregojmë dashamirësi, të praktikojmë drejtësi dhe të shpresojmë te Jehovai vazhdimisht.

13:6. Izraelitët ‘u ngopën dhe zemra nisi t’u lartësohej. Ja pse e harruan Jehovain’. Duhet të ruhemi kundër çdo prirjeje për ta lartësuar veten.

«UDHËT E JEHOVAIT JANË TË DREJTA»

(Hozea 14:1-9)

Hozea përgjërohet: «Kthehu, o Izrael, te Jehovai, Perëndia yt, sepse ti je penguar te faji yt.» Ai e nxit popullin që t’i lutet Jehovait: «Fale fajin. Prano atë që është e mirë dhe ne do të të japim demat e rinj të buzëve tona.»​—Hozea 14:1, 2.

Një keqbërës i penduar duhet të kthehet te Jehovai, të pranojë urdhërimet e tij dhe t’i japë flijime lëvdimi. Pse? Sepse «udhët e Jehovait janë të drejta dhe në to do të ecin të drejtët». (Hozea 14:9) Sa gëzojmë që «në ditët e fundit» ende shumë njerëz «do të vijnë duke u dridhur para Jehovait dhe mirësisë së tij»!​—Hozea 3:5.

[Figura në faqen 15]

Jeta familjare e Hozesë ilustroi marrëdhëniet e Jehovait me Izraelin

[Figura në faqen 17]

Me rënien e Samarisë në vitin 740 p.e.s., mbretëria dhjetëfisëshe e Izraelit pushoi së ekzistuari