Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse vazhdon të ketë ligësi?

Pse vazhdon të ketë ligësi?

Pse vazhdon të ketë ligësi?

BIBLA thotë: ‘[Perëndia] Jehova është i drejtë në të gjitha udhët e tij.’ (Psalmi 145:17; Zbulesa 15:3) Për Perëndinë profeti Moisiu shpalli: «E përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai.» (Ligji i përtërirë 32:4) «Jehovai është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm»,—thuhet te Jakovi 5:11. Perëndia as mund ta shkaktojë dhe as e shkakton ligësinë.

Dishepulli Jakov shkroi: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po më sprovon Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13) Perëndia Jehova as i tundon njerëzit me gjëra të liga dhe as i josh të bëjnë vepra të liga. Atëherë, kush është fajtor për ligësinë dhe për vuajtjet që sjell ajo?

Kush është fajtor?

Shkrimtari biblik Jakovi ia vë fajin pjesërisht njerëzve për ligësinë. Ai thotë: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin, dhe mëkati, pasi kryhet, sjell vdekjen.» (Jakovi 1:14, 15) Njerëzit mund të veprojnë sipas dëshirave të tyre të papërshtatshme. Të mos harrojmë edhe mëkatin që ka trashëguar njeriu. Nga ndikimi i mëkatit dëshirat e gabuara mund të bëhen më të forta dhe mund të sjellin pasoja shumë të këqija. (Romakëve 7:21-23) Po, mëkati i trashëguar ka ‘mbretëruar’ mbi njerëzimin, duke i skllavëruar njerëzit me vepra të liga që sjellin vuajtje të mëdha. (Romakëve 5:21) Për më tepër, të ligjtë mund të ndikojnë te të tjerët që të bëhen të paskrupuj.​—Proverbat 1:10-16.

Megjithatë, fajtori kryesor për ligësinë është Satana Djalli. Ai e solli ligësinë në botë. Jezu Krishti e quajti Satanain «i ligu» dhe «sundimtari i kësaj bote» ose shoqërie të padrejtë njerëzore. Njerëzimi në përgjithësi i bindet Satanait duke u vënë veshin nxitjeve të tij për të shpërfillur udhët e drejta të Perëndisë Jehova. (Mateu 6:13; Gjoni 14:30; 1 Gjonit 2:15-17) «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut»,—thuhet te 1 Gjonit 5:19. Në të vërtetë, Satanai dhe engjëjt e tij ‘po e mashtrojnë gjithë tokën e banuar’, duke sjellë vetëm ‘mjerime’. (Zbulesa 12:9, 12) Pra, pjesën më të madhe të fajit për ligësinë e ka veçse Satana Djalli.

Duke zbuluar një shkak tjetër për mundimet ose vuajtjet, Eklisiastiu 9:11 thotë: ‘Të gjithëve na rastis të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara.’ Jezu Krishti foli për një tragjedi gjatë së cilës u vranë 18 veta kur mbi ta ra një kullë. (Luka 13:4) Ata vdiqën ngaqë ndodheshin në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Gjëra të ngjashme ndodhin edhe sot. Për shembull, nga maja e një ndërtese mund të shkëputet një tullë e të godasë një kalimtar. A e ka fajin Perëndia? Jo. Kjo ishte një ngjarje e paplanifikuar dhe e paparashikuar. Shpesh e njëjta gjë mund të thuhet kur një sëmundje godet një familje ose kur një vdekje e papritur lë pas jetimë dhe vejusha.

Pra, është e qartë se Perëndia nuk është përgjegjës për ligësinë dhe as i shkakton ai vuajtjet. Përkundrazi, Jehovai ka si qëllim të zhdukë ligësinë dhe ata që e shkaktojnë atë. (Proverbat 2:22) Në të vërtetë, ai do të bëjë më shumë se kaq. Shkrimet e Shenjta thonë se qëllimi i Perëndisë është që nëpërmjet Krishtit ‘të zhbëjë veprat e Djallit’. (1 Gjonit 3:8) Atëherë sistemi i sotëm—që bazohet te lakmia, urrejtja dhe veprat e liga—do të zhduket. Madje, Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e [të gjithëve]», duke u dhënë kështu fund vuajtjeve. (Zbulesa 21:4) Por ju mund të pyesni: ‘Po pse nuk e ka bërë këtë gjë Perëndia? Pse ka lejuar që ligësia dhe vuajtjet të vazhdojnë deri sot?’ Për të gjetur përgjigjen na ndihmon tregimi biblik për Adamin dhe Evën.

Ngrihet një çështje e rëndësishme

Arsyeja pse Perëndia e ka lejuar ligësinë deri më sot lidhet me ngjarjet që ndodhën në fillim në historinë njerëzore. Një ngjarje që ndodhi në atë kohë ngriti një çështje të rëndësishme për vetë Krijuesin—çështje që nuk mund të zgjidhej shpejt ose lehtë. Le të shohim më mirë se çfarë ndodhi.

Perëndia Jehova i krijoi të përsosur burrin dhe gruan e parë dhe i vuri në Parajsë. Atyre iu dha një dhuratë që i dallonte nga kafshët—dhurata e vullnetit të lirë. (Zanafilla 1:28; 2:15, 19) Si të tillë, Adami dhe Eva mund ta përdornin aftësinë e tyre për të arsyetuar e të zgjidhnin ta donin Krijuesin dhe t’i shërbenin e t’i bindeshin atij. Ose ata mund të zgjidhnin të ishin të pavarur nga Perëndia dhe me dashje të mos i bindeshin atij.

Për t’i dhënë Adamit dhe Evës mundësinë që ta tregonin dashurinë për Të, Perëndia i vërtetë u vuri një kufizim. Ai e urdhëroi Adamin: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:16, 17) Që të vazhdonin të kishin miratimin e Perëndisë, duke i sjellë kështu dobi vetes dhe familjes së tyre të ardhshme, Adami dhe Eva nuk duhej të hanin frytin e asaj peme të veçantë. Por, a vepruan kështu?

Bibla thotë se çfarë ndodhi. Duke përdorur një gjarpër, sikur ky gjoja fliste, Satana Djalli iu afrua Evës dhe i tha: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?» Kur Eva i përsëriti urdhrin e Perëndisë, Satanai i tha: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» Si pasojë, fryti i pemës iu duk kaq i dëshirueshëm Evës, saqë «ajo mori nga fryti i pemës dhe hëngri». Tregimi vazhdon më tej: «Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.» (Zanafilla 3:1-6) Pra, edhe Adami, edhe Eva e keqpërdorën vullnetin e tyre të lirë dhe mëkatuan duke mos iu bindur Perëndisë.

A e kuptoni se sa serioze ishte ajo që ndodhi? Djalli kundërshtoi atë që Perëndia i kishte thënë Adamit. Fjalët e Satanait nënkuptonin se Adami dhe Eva nuk do të kishin nevojë për Jehovain për të vendosur se çfarë ishte mirë dhe e keqe për ta. Prandaj, sfida që bëri Satanai vuri në dyshim nëse ishte e drejtë dhe e ligjshme që Jehovai të sundonte mbi njeriun. Kështu, çështja më e rëndësishme që ngriti Satanai ishte: a është i ligjshëm sovraniteti i Jehovait, domethënë, a ka të drejtë Jehovai të sundojë mbi njerëzimin. Si iu përgjigj Perëndia i vërtetë kësaj sfide?

Nevojitej kohë e mjaftueshme

Jehovai kishte fuqinë t’i shkatërronte të tre rebelët—Satanain, Adamin dhe Evën. Pa diskutim Perëndia ishte më i fortë se ata. Por Satanai nuk vuri në dyshim fuqinë e Perëndisë. Përkundrazi vuri në dyshim të drejtën e Jehovait për të sunduar. Çështja përfshiu të gjitha krijesat me vullnet të lirë. Ata duhej të kuptonin se dhurata e vullnetit të lirë duhej përdorur në mënyrë të përshtatshme—brenda kufijve të përcaktuar nga normat fizike, morale dhe frymore të Perëndisë. Përndryshe do të kishin pasoja të dëmshme, ashtu si do të dëmtohej një njeri po të hidhej nga një ndërtesë e lartë pa përfillur ligjin e rëndesës. (Galatasve 6:7, 8) Të gjithë njerëzit dhe engjëjt mund të nxirrnin dobi duke vërejtur vetë pasojat e këqija që vijnë kur veprojmë në mënyrë të pavarur nga Perëndia. Kjo kërkonte kohë.

Që duhet kohë për të zgjidhur disa çështje mund të ilustrohet me këtë shembull: ta zëmë se babai i një familjeje sfidon në një garë babanë e një familjeje tjetër për të treguar se cili prej tyre është më i forti. Kjo çështje mund të zgjidhej shpejt. Forca mund të matej duke ngritur gurë të mëdhenj. Ai që do të ngrinte gurët më të rëndë do të ishte më i forti. Por ta zëmë se sfida do të ishte se cili baba i do vërtet fëmijët e vet e nëse edhe ata e duan atë. Po sikur kjo sfidë të ngrinte pyetjen se cili baba e drejton më mirë familjen? Nuk do të mjaftonin vetëm fjalët dhe tregimi i forcës. Që të zgjidhej secila sfidë, duhej të kalonte kohë e mjaftueshme, kërkohej që të bëhej një vëzhgim i kujdesshëm dhe më pas do të nxirreshin përfundimet e duhura.

Çfarë ka treguar koha?

Kanë kaluar rreth 6.000 vjet që kur Satanai vuri në dyshim të drejtën e Perëndisë për të sunduar. Çfarë ka treguar historia? Të shqyrtojmë dy aspekte të akuzës që bëri Satanai kundër Perëndisë. Pa iu dridhur qerpiku, Satanai i tha Evës: «Ju s’keni për të vdekur aspak.» (Zanafilla 3:4) Duke thënë se Adami dhe Eva nuk do të vdisnin po të hanin nga fryti i ndaluar, në të vërtetë Satanai po e quante Jehovain gënjeshtar. Vërtet një akuzë e rëndë! Në qoftë se Perëndia nuk kishte thënë të vërtetën për këtë rast, si mund t’i besohej për gjithçka tjetër? Por, çfarë ka treguar koha?

Adami dhe Eva patën si pasojë sëmundjet, dhembjet, plakjen dhe së fundi vdekjen. «Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet, dhe pastaj vdiq»,—thotë Bibla. (Zanafilla 3:19; 5:5) Dhe nga Adami kjo trashëgimi e keqe i ka kaluar të gjithë njerëzimit. (Romakëve 5:12) Koha ka treguar se Satanai është «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës» dhe se Jehovai është «Perëndi i së vërtetës».​—Gjoni 8:44; Psalmi 31:5.

Satanai i tha gjithashtu Evës: «Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani [nga fryti i ndaluar], sytë tuaj do të hapen e ju [edhe Eva, edhe Adami] do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:5) Me këto fjalë dinake, Satanai u paraqiti gjoja njerëzve mundësinë për t’u qeverisur vetë. Në mënyrë mashtruese Satanai la të kuptojë se njerëzit do të ishin më mirë të pavarur nga Perëndia. A ka dalë e vërtetë kjo?

Gjatë gjithë historisë janë ngritur dhe kanë rënë perandori. Është provuar çdo formë e imagjinueshme e qeverisjes njerëzore. Por vazhdimisht njerëzimit i kanë ndodhur gjëra të tmerrshme. «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij»,—nxori me mençuri përfundimin një shkrimtar biblik rreth 3.000 vjet më parë. (Eklisiastiu 8:9) «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet»,—shkroi profeti Jeremia. (Jeremia 10:23) As arritjet shkencore dhe teknologjike të viteve të fundit nuk e kanë mohuar të vërtetën e këtyre fjalëve. Koha vetëm sa ka treguar që këto pohime janë të vërteta.

Çfarë do të bësh?

Koha që ka lejuar Perëndia ka treguar se Satanai e ka gabim në lidhje me të drejtën e Jehovait për të sunduar. Perëndia Jehova është Sovrani absolut i universit. Ai ka të drejtën të sundojë mbi krijimin e tij dhe sundimi i tij është më i miri. Duke e pranuar këtë fakt, krijesat qiellore që kanë shumë vite përvojë nën sundimin e Perëndisë, shpallin: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.»​—Zbulesa 4:11.

Çfarë mendon për çështjen e sundimit të Perëndisë? A je dakord se Perëndia është i denjë të sundojë mbi ty? Nëse po, duhet të pranosh të drejtën e Jehovait si Sovran absolut. Mund ta bësh këtë duke zbatuar në çdo aspekt të jetës sate të vërtetat dhe këshillat e mrekullueshme që gjenden në Fjalën e tij, Biblën. «Perëndia është dashuri» dhe ligjet e urdhërimet e tij burojnë nga dashuria për krijesat e veta. (1 Gjonit 4:8) Jehovai nuk i privon askujt prej nesh asgjë që është në të mirën tonë. Prandaj mund t’i kushtojmë vëmendje me gjithë zemër këshillës së Biblës: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»​—Proverbat 3:5, 6.

[Figura në faqen 7]

Mund të pranosh sundimin e Perëndisë duke studiuar Biblën dhe duke zbatuar në jetën tënde gjërat që thuhen në të

[Burimi i figurës në faqen 4]

© Jeroen Oerlemans/​Panos Pictures