Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Përderisa judenjtë ishin urdhëruar të mos mbanin gjatë Pashkës «asgjë të mbrujtur», pse Jezui përdori verë​—një produkt të tharmëtuar​—kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij?​—Dalja 12:20; Luka 22:7, 8, 14-20.

Pashka, gjatë së cilës kremtohej Dalja e bijve të Izraelit nga Egjipti, u themelua në vitin 1513 p.e.s. Kur dha udhëzimet për kremtimin e saj, Jehovai tha: «S’keni për të ngrënë asgjë të mbrujtur. Në të gjitha vendet ku banoni, keni për të ngrënë kuleç të ndormë.» (Dalja 12:11, 20) Ky ndalim i vënë nga Perëndia kishte të bënte vetëm me bukën që do të hanin gjatë Pashkës. Vera nuk përmendej fare.

Arsyeja kryesore për mosngrënien e gjërave të mbrujtura lidhej me nxitimin e izraelitëve kur u nisën nga Egjipti. Në Daljen 12:34 shpjegohet: «Populli e mori brumin e ndormë, me magjet në krah, të mbështjella me mantele.» Mospërdorimi i majasë ose i tharmit në Pashkët që do të vijonin, do të shërbente për t’u kujtuar brezave të ardhshëm këtë fakt kaq të rëndësishëm.

Më vonë, shpesh njerëzit nisën ta shikonin majanë si simbol të mëkatit ose të prishjes. Për shembull, apostulli Pavël një herë foli për një njeri imoral që ishte brenda kongregacionit të krishterë dhe pyeti: «A nuk e dini që pak maja e bën të vijë gjithë brumin?» Pastaj vazhdoi: «Hiqni majanë e vjetër, që të jeni brumë i ri, meqë ju s’duhet të keni fare tharm. Sepse në të vërtetë, Krishti, pashka jonë, është flijuar. Prandaj, të mos e kremtojmë festën me maja të vjetër, as me majanë e së keqes e të ligësisë, por me kuleç të ndormë të çiltërsisë dhe të së vërtetës.» (1 Korintasve 5:6-8) Vetëm buka pa maja mund të shërbente si simbol i trupit njerëzor pa mëkat të Jezuit.​—Hebrenjve 7:26.

Më vonë judenjtë shtuan edhe verën gjatë kremtimit të Pashkës. Ka të ngjarë që ta kenë shtuar kur u kthyen nga mërgimi në Babiloni. Në Bibël nuk është regjistruar asnjë kundërshtim në lidhje me këtë risi, ndaj s’ishte e pavend që Jezui ta përdorte verën gjatë darkës së Pashkës. Natyrisht në kohët e lashta, tharmëtimi natyror që ndodhte te vera nuk ishte njësoj si mbrujtja ose tharmëtimi i bukës. Tharmëtimi i brumit kërkonte shtimin e majasë. Kurse verës që bëhej nga rrushi nuk i shtohej asgjë. Rrushi i kishte vetë elementet e tharmëtimit. Në periudhën e Pashkës s’gjendej dot lëng rrushi safi, pasi ishte e pamundur që ai të qëndronte i patharmëtuar nga koha e vjeljes në vjeshtë deri në kohën e Pashkës në pranverë.

Pra, përdorimi i verës nga Jezui si simbol Përkujtimi nuk bie aspak ndesh me udhëzimet që u dhanë në lidhje me majanë për rastin e Pashkës. Çfarëdolloj vere e kuqe që nuk është ëmbëlsuar, nuk i është shtuar ndonjë pije tjetër alkoolike ose erëza, është e përshtatshme të përdoret si simbol për ‘gjakun e çmuar’ të Krishtit.​—1 Pjetrit 1:19.