Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vepra e humbur e Xhon Miltonit

Vepra e humbur e Xhon Miltonit

Vepra e humbur e Xhon Miltonit

RRALLËHERË një shkrimtar ka pasur një ndikim kaq të madh në botë sa Xhon Miltoni, autori i poemës epike angleze Parajsa e humbur. Sipas një jetëshkruesi, Miltonin «e deshën shumë, e urryen disa, por pak veta nuk e vunë re». Edhe sot e kësaj dite, literatura dhe kultura angleze u detyrohen shumë veprave të tij.

Si arriti Xhon Miltoni të kishte këtë ndikim? Pse vepra e tij e fundit Për doktrinën e krishterë ishte kaq e diskutueshme, saqë mbeti e pabotuar për 150 vjet?

Fillimet e tij

Xhon Miltoni lindi në një familje të kamur në Londër në vitin 1608. Miltoni kujtonte: «Babai më nxiste që në fëmijëri të studioja letërsi dhe unë kisha një etje kaq të madhe për të lexuar, saqë në moshën dymbëdhjetëvjeçare rrallë shkoja të flija para mesnatës.» Miltoni ishte student i shkëlqyer dhe në vitin 1632 mori një gradë shkencore në Kembrixh. Më pas, ai vazhdoi të lexonte libra historikë dhe literaturë klasike.

Miltoni donte të bëhej poet, por Anglia e ditëve të tij ishte përfshirë në vorbullën e revolucionit. Parlamenti, që drejtohej kryesisht nga Oliver Kromuelli, caktoi një gjykatë që ekzekutoi mbretin Çarlsi I në vitin 1649. Duke përdorur prozë bindëse, Miltoni e mbrojti këtë veprim dhe u bë zëdhënësi i qeverisë së Kromuellit. Në të vërtetë, para se të bëhej i famshëm si poet, Xhon Miltoni tashmë njihej mirë për fletushkat e tij që flisnin për politikën dhe moralin.

Pasi u rivendos monarkia, me kurorëzimin e Çarlsit II në vitin 1660, jeta e Miltonit ishte në rrezik, ngaqë kishte mbështetur Kromuellin. Miltoni u fsheh dhe i shpëtoi vdekjes vetëm falë ndihmës së disa miqve me influencë. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai vazhdoi të kishte interes të thellë për gjërat fetare.

«Biblën si metër»

Duke përshkruar interesat e tij të para fetare, Miltoni shkroi: «Kur isha djalë nisa t’i kushtohesha një studimi të zellshëm të Dhiatës së Vjetër e të Re në gjuhët e tyre origjinale.» Falë këtij studimi, Miltoni nxori përfundimin se Shkrimet e Shenjta ishin e vetmja udhëheqje e sigurt për çështjet morale dhe fetare. Megjithatë, pasi shqyrtoi librat fetarë tradicionalë të kohës së tij, mbeti tërësisht i zhgënjyer. «Arrita në përfundimin se nuk mund t’i mbështetja plotësisht bindjet ose shpresën time të shpëtimit te këta libra»,—shkroi ai më vonë. I vendosur t’i vlerësonte bindjet e tij vetëm «duke përdorur Biblën si metër», Miltoni filloi të bënte disa lista me shkrime biblike më të rëndësishme, duke i organizuar në nëntituj kryesorë, dhe citonte vargje biblike nga këto lista.

Sot Xhon Miltoni kujtohet më shumë ngaqë shkroi veprën Parajsa e humbur, një version poetik i tregimit biblik që shpjegon se si e humbi njeriu përsosmërinë. (Zanafilla, kapitulli 3) Ishte kryesisht kjo vepër, që u botua për herë të parë në vitin 1667, e cila e bëri Miltonin të famshëm si shkrimtar, sidomos në botën anglishtfolëse. Më vonë ai botoi një vëllim të dytë të saj me titull Parajsa e rifituar. Këto poema përshkruajnë qëllimin që kishte në fillim Perëndia për njeriun—të gëzonte jetë të përsosur në një parajsë tokësore—dhe theksojnë se Perëndia do ta rivendosë Parajsën në tokë nëpërmjet Krishtit. Për shembull, në veprën Parajsa e humbur, kryeengjëlli Mikael parathotë kohën kur Krishti do t’i «shpërblejë besnikët e tij dhe do t’u japë lumturi të papërshkrueshme, në qiell ose në tokë, sepse atëherë e gjitha toka do të jetë parajsë, një vend shumë herë më i bukur se Edeni, dhe do të ketë ditë shumë herë më të bukura».

Vepra Për doktrinën e krishterë

Prej vitesh Miltoni donte të shkruante edhe një libër që të trajtonte gjerësisht jetën dhe doktrinën e krishterë. Megjithëse në vitin 1652 e kishte humbur fare shikimin, ai punoi me këmbëngulje për këtë projekt, për të cilin e ndihmuan sekretarët e vet, derisa vdiq në vitin 1674. Miltoni e titulloi këtë vepër të tij të fundit: Vepër për doktrinën e krishterë e përpiluar vetëm nga Shkrimet e Shenjta. Në parathënie ai shkroi: «Shumica e autorëve që kanë trajtuar këtë temë, . . . i kanë konsideruar si të parëndësishme vargjet biblike mbi të cilat mbështetet krejtësisht mësimi i tyre, duke i përmendur vetëm te shënimet me një referim të shkurtër për kapitullin dhe vargun. Kurse unë jam përpjekur shumë t’i mbush plot e përplot faqet me citime të marra nga të gjitha pjesët e Biblës.» Siç tha Miltoni, në veprën Për doktrinën e krishterë ai i përmend tërthorazi ose i citon Shkrimet më se 9.000 herë.

Megjithëse Miltoni më parë nuk kishte ngurruar të shprehte pikëpamjet e tij, ai nuk e botoi këtë vepër. Pse? Pikësëpari, e dinte se shpjegimet e tij biblike ndryshonin shumë nga mësimet tradicionale të kishës. Për më tepër, me rivendosjen e monarkisë, ai nuk kishte më miratimin e qeverisë. Ndoshta mund të ketë pritur për kohë më të qeta. Sidoqoftë, pas vdekjes së Miltonit, sekretari i tij e çoi dorëshkrimin në latinisht te një shtëpi botuese, e cila nuk pranoi ta shtypte. Më pas, ministri anglez i punëve të jashtme e konfiskoi dorëshkrimin dhe e flaku në arkiv. Do të kalonte një shekull e gjysmë para se vepra e Miltonit të dilte në dritë.

Në vitin 1823, një nëpunës i arkivit rastësisht gjeti të mbështjellë dorëshkrimin e poetit të njohur. Mbreti i Anglisë Xhorxhi IV që mbretëronte në atë kohë, urdhëroi që vepra të përkthehej nga latinishtja dhe të bëhej publike. Kur u botua dy vjet më vonë në anglisht, dorëshkrimi ngjalli polemika të zjarrta në qarqet teologjike dhe letrare. Një peshkop e shpalli menjëherë si një mashtrim dorëshkrimin, duke mos e besuar se Miltoni—i cili konsiderohej nga shumë njerëz si poeti më i madh fetar i Anglisë—mund të hidhte poshtë me kaq vendosmëri doktrinat që kisha i kishte aq shumë për zemër. Meqë e kishte parashikuar një reagim të tillë dhe për të vërtetuar autorësinë e Miltonit, përkthyesi e kishte pajisur botimin me shënime që raportonin në hollësi 500 ngjashmëri midis veprës Për doktrinën e krishterë dhe Parajsës së humbur. *

Bindjet e Miltonit

Në kohën e Miltonit, Anglia kishte përqafuar Reformën Protestante dhe i kishte prerë lidhjet me Kishën Katolike. Protestantët në përgjithësi besonin se autoritetin për çështjet e besimit dhe të moralit e kishin vetëm Shkrimet e Shenjta dhe jo papa. Megjithatë, në veprën Për doktrinën e krishterë Miltoni tregonte se edhe shumë mësime dhe praktika protestante nuk ishin në përputhje me Shkrimet. Duke u bazuar te Bibla, ai hidhte poshtë doktrinën kalviniste të paracaktimit të fatit për të mbështetur doktrinën e vullnetit të lirë. Nxiste përdorimin me respekt të emrit të Perëndisë, Jehova, duke e përdorur shpesh në shkrimet e tij.

Miltoni argumentonte me anë të Biblës se shpirti i njeriut mund të vdesë. Duke komentuar për Zanafillën 2:7 ai shkroi: «Kur njeriu ishte krijuar në këtë mënyrë, në fund thuhet: kështu njeriu u bë një shpirt i gjallë. . . . Njeriu nuk është i dyfishtë ose i ndashëm: ndryshe nga ajo që mendohet zakonisht, nuk është formuar dhe nuk përbëhet nga dy elementë të ndryshëm e të veçuar nga njëri-tjetri, pra shpirti dhe trupi. Përkundrazi, i gjithë njeriu është shpirti dhe shpirti është njeriu.» Pastaj Miltoni bënte pyetjen: «A vdes i gjithë njeriu apo vetëm trupi?» Pasi paraqiste një sërë vargjesh biblike që tregojnë se i gjithë njeriu vdes, ai shtonte: «Por prova më bindëse se shpirti vdes është vetë shpjegimi që jep Perëndia tek Ezek[ieli 18: ]20: ai shpirt që mëkaton do të vdesë.» Gjithashtu, Miltoni citonte vargje të tilla si Luka 20:37 dhe Gjoni 11:25, për të treguar se shpresa e të vdekurve është ringjallja e ardhshme nga gjumi i vdekjes.

Ç’gjë ngjalli reagimin më të fortë ndaj veprës Për doktrinën e krishterë? Ishte prova biblike e thjeshtë, por e fuqishme që dha Miltoni, se Krishti, Biri i Perëndisë, ka një pozitë më të ulët se Perëndia, Ati. Pasi citon Gjonin 17:3 dhe Gjonin 20:17, Miltoni pyet: «Nëse Ati është Perëndia i Krishtit dhe Perëndia ynë, dhe nëse ka vetëm një Perëndi, kush mund të jetë Perëndi përveç Atit?»

Më tej, Miltoni thekson: «Vetë Biri dhe apostujt pranojnë në gjithçka që thonë e shkruajnë se Ati është më i madh se Biri në çdo gjë.» (Gjoni 14:28) Miltoni thotë: «Në të vërtetë është Krishti që thotë te Mat. 26:39: Ati im, nëse është e mundur, të hiqet nga unë kjo kupë. Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti. . . . Pse i lutet ai vetëm Atit, e jo vetes, nëse është në të vërtetë Perëndia? Në qoftë se ai është edhe njeri, edhe Perëndia më i lartë, pse vallë lutet për diçka që e ka në dorë ta bëjë vetë? . . . Ashtu si Biri kudo adhuron dhe përnderon vetëm Atin, po kështu na mëson të bëjmë të njëjtën gjë.»

Të metat e Miltonit

Xhon Miltoni kërkonte të vërtetën. Megjithatë, edhe ai kishte të meta si çdo njeri dhe disa prej pikëpamjeve të tij mund të jenë ndikuar nga përvojat e hidhura. Për shembull, pak kohë pasi u martua, nusja e tij, e bija e një çifligari monarkist, e braktisi dhe për tre vjet qëndroi me familjen e saj. Gjatë kësaj kohe, Miltoni shkroi fletushka në të cilat justifikonte divorcin, jo vetëm mbi bazën e tradhtisë bashkëshortore—që ishte e vetmja bazë sipas Jezuit—por edhe në rast se çifti kishte mospërputhje. (Mateu 19:9) Miltoni mbrojti të njëjtën ide në veprën Për doktrinën e krishterë.

Pavarësisht nga të metat e Miltonit, vepra Për doktrinën e krishterë paraqit fuqimisht pikëpamjen e Biblës për shumë mësime të rëndësishme. Edhe sot e kësaj dite, vepra e tij i bën lexuesit që t’i vlerësojnë bindjet e tyre duke përdorur Shkrimet e Shenjta si një metër të pagabueshëm.

[Shënimi]

^ par. 14 Një përkthim i ri i veprës Për doktrinën e krishterë, botuar nga Universiteti i Jeilit në vitin 1973, i përmbahet edhe më shumë dorëshkrimit origjinal të Miltonit në latinisht.

[Figura në faqen 11]

Miltoni ishte një studiues i zellshëm i Biblës

[Burimi]

Me mirësjelljen e The Early Modern Web at Oxford

[Figura në faqen 12]

Poema «Parajsa e humbur» e bëri Miltonin të famshëm

[Burimi]

Me mirësjelljen e The Early Modern Web at Oxford

[Figura në faqen 12]

Vepra e fundit e Miltonit mbeti e humbur për 150 vjet

[Burimi]

Me mirësjelljen e Rare Books and Special Collections, Thomas Cooper Library, University of South Carolina

[Burimi i figurës në faqen 11]

Sfondi me mirësjelljen e Rare Books and Special Collections, Thomas Cooper Library, University of South Carolina