Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Joelit dhe i Amosit

Pika kryesore nga libri i Joelit dhe i Amosit

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Joelit dhe i Amosit

PËR veten e tij thotë vetëm se është ‘Joeli, biri i Petuelit’. (Joeli 1:1) Në librin që mban emrin e tij, Joeli flet kaq pak për gjëra të tjera përveç mesazhit të vet, saqë edhe kohën kur u shkrua profecia e tij mund ta llogaritim vetëm me përafërsi—rreth vitit 830 p.e.s, nëntë vjet pasi Uziahu u bë mbret i Judës. Pse nuk flet shumë për veten Joeli? Ka të ngjarë që ai do të nxjerrë në pah mesazhin dhe jo njeriun që e sjell atë.

Po në ditët e Uziahut, caktohet si profet Amosi, i cili banon në Judë dhe është «çoban dhe kultivues i fiqve të Egjiptit». (Amosi 7:14) Ndryshe nga Joeli që profetizon në Judë, Amosi dërgohet në mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit. Libri i Amosit, i cili përfundoi rreth vitit 804 p.e.s., pasi profeti u kthye në Judë, është shkruar në një gjuhë të thjeshtë, por të gjallë.

«MEDET PËR ATË DITË!»​—PËRSE?

(Joeli 1:1–3:21)

Joeli sheh në vegim një vërshim vemjesh, karkalecash dhe furrtaresh të zeza. Për to thuhet se janë si «një popull i shumtë dhe i fuqishëm» dhe si «burra të fuqishëm». (Joeli 1:4; 2:2-7) «Medet për atë ditë,—psherëtin Joeli,—sepse dita e Jehovait është afër dhe do të vijë si një grabitje nga i Plotfuqishmi!» (Joeli 1:15) Jehovai i këshillon banorët e Sionit: «Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj.» Nëse kthehen, Jehovai «do të tregojë dhembshuri për popullin e tij» dhe do ta vërë shumë larg tyre «atë që vjen nga veriu»—sulmin e insekteve. Por, para se të vijë dita e Tij e madhe, Jehovai ‘do të derdhë frymën e tij mbi çdo lloj njeriu’ dhe ‘do të bëjë çudira në qiej dhe mbi tokë’.​—Joeli 2:12, 18-20, 28-31.

Kombeve u bëhet sfida: «Farkëtoni ploret dhe kthejini në shpata, kurse kizat për krasitje në heshta» dhe përgatituni për luftë. Ata urdhërohen të ‘ngjiten në ultësirën e Jehozafatit’ ku do të gjykohen e do të shkatërrohen. «Kurse Juda do të jetë e banuar përgjithmonë.»​—Joeli 3:10, 12, 20.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:15; 2:1, 11, 31; 3:14—Çfarë është «dita e Jehovait»? Dita e Jehovait është koha kur Jehovai ekzekuton gjykimin e tij kundër armiqve, duke sjellë shkatërrimin e tyre, por edhe shpëtimin e adhuruesve të vërtetë. Për shembull, një ditë e tillë erdhi vërtet kundër Babilonisë së lashtë në vitin 539 p.e.s. kur atë e pushtuan medët dhe persët. (Isaia 13:1, 6) Po afron një tjetër ‘ditë e Jehovait’ kur ai do të ekzekutojë gjykimin e tij kundër ‘Babilonisë së Madhe’—perandorisë botërore të fesë së rreme.​—Zbulesa 18:1-4, 21.

2:1-10, 28—Si është përmbushur profecia për vërshimin e insekteve? Në Bibël nuk flitet gjë për ndonjë vërshim insektesh në vendin e Kanaanit në atë masë që përshkruhet në librin e Joelit. Prandaj sulmi që përshkruan Joeli, me sa duket, është profetik dhe bën fjalë për vitin 33 të e.s. kur Jehovai nisi të derdhte frymën e tij mbi ithtarët e hershëm të Krishtit dhe ata filluan të predikonin mesazhin që u solli si pasojë mundime udhëheqësve të rremë fetarë. (Veprat 2:1, 14-21; 5:27-33) Edhe ne kemi privilegjin sot të marrim pjesë në një vepër të ngjashme.

2:32—Ç’do të thotë ‘të thërrasësh emrin e Jehovait’? Do të thotë ta njohësh këtë emër, ta respektosh thellë dhe të mbështetesh e të kesh besim tek Ai që e mban këtë emër.​—Romakëve 10:13, 14.

3:14—Çfarë është ‘ultësira e vendimit’? Është një vend simbolik ku ekzekutohet gjykimi i Perëndisë. Në ditët e mbretit jude Jehozafat, emri i të cilit do të thotë «Jehovai është Gjykatës», Perëndia e çliroi Judën nga kombet përreth duke shkaktuar një rrëmujë midis forcave të tyre ushtarake. Prandaj vendi quhet edhe ‘ultësira e Jehozafatit’. (Joeli 3:2, 12) Në kohën tonë, ai paraqet një vend simbolik ku kombet do të shtypen si rrushi në shtypësen e rrushit.​—Zbulesa 19:15.

Mësime për ne:

1:13, 14. Që të shpëtojmë është thelbësore të tregojmë pendim të sinqertë dhe ta pranojmë Jehovain si Perëndinë e vërtetë.

2:12, 13. Pendimi i sinqertë vjen nga zemra. Ai përfshin diçka që ndodh brenda njeriut, ‘të shqyejë zemrën’, dhe jo një veprim të dukshëm, ‘të shqyejë rrobat’.

2:28-32. Vetëm «kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë» në ‘ditën e madhe dhe të frikshme të Jehovait’. Sa mirënjohës duhet t’i jemi Jehovait që e derdh frymën e tij mbi çdo lloj njeriu dhe bën që të rinj e të moshuar, meshkuj dhe femra, të marrin pjesë në veprën e profetizimit, domethënë të shpallin «gjërat madhështore të Perëndisë»! (Veprat 2:11) Teksa dita e Jehovait afrohet, a nuk duhet të bëjmë me bollëk ‘vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të përkushtimit hyjnor’?​—2 Pjetrit 3:10-12.

3:4-8, 19. Joeli profetizoi se kombeve përreth Judës do t’u kërkohej llogari ngaqë keqtrajtonin popullin e zgjedhur të Perëndisë. Në përputhje me ato fjalë profetike, pjesa kontinentale e qytetit të Tirit u shkatërrua nga mbreti babilonas Nabukodonosori. Më vonë, kur pjesa ishullore e qytetit ra në duart e Aleksandrit të Madh, mijëra ushtarë dhe njerëz me pozitë u vranë dhe 30.000 banorë u shitën si skllevër. Filistinët pësuan një trajtim të ngjashëm nga Aleksandri dhe pasuesit e tij. Në shekullin e katërt p.e.s. Edomi gjendej i shkretë. (Malakia 1:3) Këto profeci të përmbushura na e forcojnë besimin te Jehovai si Ai që i përmbush premtimet. Gjithashtu ato tregojnë se si do të veprojë Jehovai me kombet që përndjekin adhuruesit e tij sot.

3:16-21. «Qielli dhe toka do të lëkunden» dhe kombet do të pësojnë gjykimet e Jehovait. «Por Jehovai do të jetë një strehë për popullin e tij» e do t’i japë jetën në kushte parajsore. A nuk duhet të jemi plotësisht të vendosur që t’i afrohemi atij ndërsa afrohet dita e tij e ekzekutimit të gjykimit mbi botën e ligë?

«BËHU GATI . . . TË PËRBALLESH ME PERËNDINË TËND!»

(Amosi 1:1–9:15)

Amosi ka një mesazh për kombet armike përqark Izraelit, si edhe për Judën e Izraelin. Sirinë, Filistinë, Tirin, Edomin dhe Moabin i pret shkatërrimi, ngaqë kanë trajtuar mizorisht popullin e Perëndisë. Shkatërrimi i pret edhe banorët e Judës, «sepse ata njerëz e hedhin poshtë ligjin e Jehovait». (Amosi 2:4) Ç’do t’i ndodhë mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit? Në mëkatet e saj përfshihen shtypja me lakmi e të varfërve, imoraliteti dhe trajtimi pa respekt i profetëve të Perëndisë. Amosi paralajmëron se Jehovai ‘do t’u kërkojë llogari altarëve të Bethelit’ dhe ‘do të rrafshojë shtëpitë e dimrit dhe ato të verës’.​—Amosi 3:14, 15.

Edhe pse u janë dhënë tashmë shumë ndëshkime, izraelitët idhujtarë mbeten kokëfortë. Amosi u thotë: «Bëhu gati, o Izrael, të përballesh me Perëndinë tënd!» (Amosi 4:12) Për izraelitët, dita e Jehovait do të thotë se ata ‘do të çohen në mërgim matanë Damaskut’, domethënë në Asiri. (Amosi 5:27) Amosi has kundërshtim nga një prift i Bethelit, por nuk frikësohet. Jehovai i thotë Amosit: «I erdhi fundi popullit tim, Izraelit. Unë nuk do ta shfajësoj më.» (Amosi 8:2) As Sheoli, as malet e larta nuk mund t’i mbrojnë nga gjykimet e Perëndisë. (Amosi 9:2, 3) Megjithatë ka një premtim për një rivendosje. Jehovai thotë: «Unë do t’i kthej robërit e popullit tim, Izraelit, të cilët do të ndërtojnë qytetet e kthyera në gërmadha e do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta e do të pinë verën e tyre dhe do të punojnë kopshtet e do të hanë frytet e tyre.»​—Amosi 9:14.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

4:1—Cilët përshkruhen me shprehjen ‘lopët e Bashanit’? Rrafshnalta e Bashanit, një zonë në lindje të detit të Galilesë, njihej për racat e shkëlqyera të kafshëve, përfshirë edhe lopët. Një nga faktorët që ndikonte për këtë ishin kullotat e pasura të asaj zone. Amosi i krahasoi gratë e Samarisë që donin lukset me lopët e Bashanit. Këto gra pa dyshim u bënin presion ‘zotërinjve të tyre’ ose burrave të veta, që të zhvatnin fukarenjtë me qëllim që t’i shijonin më lehtë pasuritë.

4:6—Ç’kuptim ka shprehja «dhëmbët i keni të pastër»? Kjo shprehje që është përdorur paralelisht me frazën «ju lashë pa bukë» mund t’i referohet një kohe me zi buke kur dhëmbët mbeten të pastër për shkak të mungesës së ushqimit.

5:5—Në ç’kuptim Izraeli ‘nuk duhej të kërkonte Bethelin’? Jeroboami kishte ngritur në Bethel kultin e adhurimit të viçit. Që nga ajo kohë qyteti ishte bërë qendër e adhurimit të rremë. Edhe Gilgali dhe Beer-Sheba duhet të kenë qenë vende të adhurimit apostat. Që të shpëtonte nga fatkeqësia e parathënë, Izraeli duhej të mos bënte më pelegrinazhe fetare në këto vende, por të fillonte të kërkonte Jehovain.

7:1—Për çfarë bën fjalë fraza ‘kositja e barit për mbretin’? Ndoshta ajo i referohet taksës së vënë nga mbreti për të mbajtur kuajt dhe kafshët. Kjo taksë duhej paguar «në fillim të mbjelljes së vonë». Më pas populli mund të mblidhte të korrat. Por para se të bënin këtë, u formua një mori karkalecash e cila përpiu të korrat dhe çdo bimësi tjetër.

8:1, 2—Çfarë do të thoshte shprehja «një shportë me fruta vere»? Do të thoshte se dita e Jehovait ishte afër. Frutat e verës mblidhen nga fundi i stinës së korrjes, domethënë, nga fundi i vitit bujqësor. Kur Jehovai e bëri Amosin të shihte «një shportë me fruta vere», kjo do të thoshte se ishte afër fundi i Izraelit. Prandaj, Perëndia i tha Amosit: «I erdhi fundi popullit tim, Izraelit. Unë nuk do ta shfajësoj më.»

Mësime për ne:

1:3, 6, 9, 11, 13; 2:1, 4, 6. Në lidhje me zemërimin e tij kundër Izraelit, Judës dhe gjashtë kombeve përreth tyre, Jehovai thotë: «Nuk do të heq dorë nga ndëshkimi.» Gjykimet e Jehovait janë të pashmangshme.​—Amosi 9:2-5.

2:12. Nuk duhet t’i shkurajojmë pionierët, mbikëqyrësit udhëtues, misionarët ose pjesëtarët e familjes Bethel, që janë duke punuar fort, duke i nxitur të heqin dorë nga shërbimi në kohë të plotë që të bëjnë një të ashtuquajtur jetë normale. Përkundrazi, duhet t’i nxitim që të vazhdojnë në veprën e tyre të mirë.

3:8. Ashtu si një njeri frikësohet kur dëgjon ulërimën e një luani, Amosi u shty të predikonte kur dëgjoi Jehovain të thoshte: «Shko e profetizoji popullit tim.» (Amosi 7:15) Frika nga Perëndia duhet të na nxitë të jemi predikues të zellshëm të mesazhit të Mbretërisë.

3:13-15; 5:11. Me ndihmën e Jehovait, bariu i përulur Amos mundi t’u ‘dëshmonte’ njerëzve që ishin të pasur, e për pasojë të vetëkënaqur. Në të njëjtën mënyrë, Jehovai mund të na pajisë siç duhet që të shpallim mesazhin e Mbretërisë, pavarësisht sesa i vështirë mund të jetë një territor.

4:6-11; 5:4, 6, 14. Ndonëse izraelitët vazhdimisht nuk ‘u kthyen’ te Jehovai, atyre iu bë thirrja: «Kërkoni Jehovain, e do të jetoni.» Derisa Jehovai me durim ta lejojë këtë sistem të lig që të ekzistojë, duhet t’i nxitim njerëzit që bëjnë pjesë në të, që të kthehen te Perëndia.

5:18, 19. Është marrëzi ‘të dëshirosh me zjarr ditën e Jehovait’ pa qenë në të vërtetë gati për të. Kush vepron kështu ngjan me një njeri që i ikën luanit, por i del para një ari dhe ikën me vrap nga ariu, por pastaj e kafshon gjarpri. Jemi të mençur nëse ‘rrimë zgjuar’ frymësisht dhe qëndrojmë në gjendje gatishmërie.​—Luka 21:36.

7:12-17. Duhet të jemi të patrembur e të guximshëm për të shpallur mesazhin e Perëndisë.

9:7-10. Edhe pse izraelitët e pabesë ishin pasardhës të patriarkëve besnikë dhe të atyre që u çliruan nga Egjipti si populli i zgjedhur i Perëndisë, kjo nuk i pengoi ata që të kishin një emër të keq para Perëndisë, ashtu si kushitët. Një emër i mirë para Perëndisë së paanshëm nuk varet nga linja familjare, por nëse i ‘frikësohemi atij dhe praktikojmë drejtësinë’.​—Veprat 10:34, 35.

Çfarë duhet të bëjmë?

Dita kur Perëndia do të ekzekutojë gjykimin kundër botës së Satanait është afër. Perëndia ka derdhur frymën e tij të shenjtë mbi adhuruesit e tij, duke i pajisur ata për të paralajmëruar njerëzimin për ardhjen e ditës së tij. A nuk duhet të marrim pjesë plotësisht për t’i ndihmuar njerëzit që të njohin Jehovain dhe ‘të thërrasin emrin e tij’?​—Joeli 2:31, 32.

«Urreni të keqen, doni të mirën dhe le të mbizotërojë drejtësia te porta»,—ishte nxitja e Amosit. (Amosi 5:15) Ndërsa dita e Jehovait afrohet, tregojmë mençuri nëse i afrohemi Perëndisë dhe mbahemi të ndarë nga bota e ligë e nga shoqëritë e saj të ulëta. Sa do të na ndihmojnë për ta arritur këtë mësimet në kohën e duhur që nxjerrim nga librat biblikë të Joelit e të Amosit!​—Hebrenjve 4:12.

[Figura në faqen 12]

Joeli profetizoi: «Dita e Jehovait është afër!»

[Figurat në faqen 15]

Ashtu si Amosi, edhe ne duhet të jemi lajmëtarë të patrembur e të guximshëm të mesazhit të Perëndisë