Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ndjekim qëllimin e Perëndisë sot

Të ndjekim qëllimin e Perëndisë sot

Të ndjekim qëllimin e Perëndisë sot

«[Krishti] vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete.»​—2 KORINTASVE 5:15.

1. Ç’përvojë pati një misionar në caktimin e tij?

«MAKINA jonë ishte i pari mjet joushtarak që shkelte në atë fshat të thellë afrikan pas mbarimit të luftës civile,—kujton një misionar që quhej Aaron. *—Lidhjet me kongregacionin e vogël që ishte atje, ishin ndërprerë, dhe ne duhej të kujdeseshim për nevojat e vëllezërve. Përveç ca ushqimeve, veshjeve dhe botimeve biblike, morëm me vete edhe një kopje të videos Dëshmitarët e Jehovait—Organizata pas emrit. * Aq njerëz u dyndën për ta parë videon në ‘kinemanë’ e fshatit—një kasolle e madhe kashte me një videoregjistrator dhe një televizor—sa na u desh ta shfaqnim për së dyti. Dolën shumë studime biblike të dyja herët që e shfaqëm. Ishte e qartë se gjithë ajo përpjekje ia kishte vlejtur.»

2. (a) Pse vendosin të krishterët ta vënë jetën në shërbim të Perëndisë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë tani?

2 Pse Aaroni dhe shokët e tij morën përsipër një mision kaq të vështirë? Nga mirënjohja për flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit, ata ia kanë kushtuar jetën Perëndisë dhe duan ta përdorin atë në përputhje me qëllimin e Tij. Njësoj si ata, të gjithë të krishterët e kushtuar kanë vendosur «të mos jetojnë më për vete», por të bëjnë sa munden «për hir të lajmit të mirë». (2 Korintasve 5:15; 1 Korintasve 9:23) E dinë se kur t’i vijë fundi këtij sistemi, tërë paratë dhe pozita në botë s’do të kenë pikë vlere. Duan që jetën dhe atë shëndet që gëzojnë ta përdorin në përputhje me qëllimin e Perëndisë. (Eklisiastiu 12:1) Si mund ta bëjmë këtë? Ku mund ta gjejmë kurajën dhe forcën e nevojshme për ta bërë? Cilat mundësi shërbimi kemi përpara?

Hapa praktikë që çojnë përpara

3. Cilët hapa thelbësorë përfshihen në kryerjen e vullnetit të Perëndisë?

3 Sa janë gjallë, të krishterët e vërtetë përpiqen të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Zakonisht hapat e parë thelbësorë janë regjistrimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, leximi i përditshëm i Biblës, predikimi dhe përparimi deri në pagëzim. Gjatë përparimit, mbajmë në mendje fjalët e apostullit Pavël: «Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.» (1 Timoteut 4:15) Këta hapa përpara nuk i bëjmë për të rënë në sy, por për të pasqyruar vendosmërinë tonë që të kryejmë vullnetin e Perëndisë me vetëmohim. Kështu tregojmë se e lejojmë Perëndinë të drejtojë hapat tanë në të gjitha fushat e jetës, gjë që ai e bën shumë më mirë se ne.​—Psalmi 32:8.

4. Si mund ta kapërcejmë frikën e panevojshme?

4 Veçse ngurrimi ose meraku i tepërt për veten mund të na pengojë të bëjmë përparim në shërbimin tonë ndaj Perëndisë. (Eklisiastiu 11:4) Prandaj, që të gjejmë gëzim të vërtetë duke i shërbyer Perëndisë dhe të tjerëve, ndoshta së pari duhet të mposhtim frikën tonë. Për shembull, Eriku po mendonte të shërbente në një kongregacion të gjuhës së huaj. Por shqetësimi nuk e linte të qetë: ‘A do të përshtatem dot? A do të lidhem me vëllezërit? Si do t’u dukem?’ Ai tregon: «Në fund e kuptova se duhej të mendoja më shumë për vëllezërit, sesa për veten time. Vendosa të mos i bluaja më këto gjëra, por të bëja ç’të mundja për të tjerët. U luta për ndihmë dhe vazhdova me planet që kisha. Tani kënaqem pa masë me shërbimin që bëj.» (Romakëve 4:20) Sa më shumë t’i shërbejmë Perëndisë dhe të tjerëve pa u kursyer, aq më të lumtur e të kënaqur do të jemi.

5. Pse nevojitet planifikim i kujdesshëm për të ndjekur qëllimin e Perëndisë? Ilustrojeni.

5 T’ia dalësh mbanë në ndjekjen e qëllimit të Perëndisë kërkon edhe t’i planifikosh me kujdes hapat që do të hedhësh. Me mençuri ne nuk mbledhim borxhe që mund të na bëjnë rob të tyre në këtë sistem dhe të na e kufizojnë lirinë për t’iu kushtuar veprës së Perëndisë. Bibla na kujton: «Huamarrësi është shërbëtor i huadhënësit.» (Proverbat 22:7) Mbështetja te Jehovai dhe shërbimi ndaj tij si gjëja më kryesore na ndihmojnë të mos shpërqendrohemi. Për shembull, Guomingu dhe dy motrat e tij jetojnë bashkë me të ëmën në një zonë ku strehimi kushton dhe është e vështirë të gjesh punë të sigurt. Por, edhe kur nuk punojnë të gjithë, ata ia dalin duke i përdorur me kujdes të ardhurat dhe duke ndarë shpenzimet. «Nganjëherë nuk jemi të gjithë me rrogë,—thotë Guomingu.—Megjithatë, ia dalim të vazhdojmë si pionierë dhe të kujdesemi mirë për nënën. E vlerësojmë shumë që mamaja nuk do që ne të heqim dorë nga veprimtaritë tona frymore për t’i siguruar asaj një jetë luksi.»​—2 Korintasve 12:14; Hebrenjve 13:5.

6. Cili shembull tregon se mund ta përputhim jetën me qëllimin e Perëndisë?

6 Nëse robtohemi që të shkojmë përpara në këtë botë, duke u dhënë pas interesave financiare ose të ndonjë lloji tjetër, vënia e qëllimit të Perëndisë në radhë të parë mund të kërkojë rregullime më të mëdha. Ndryshime të tilla zakonisht s’mund të bëhen brenda një nate dhe gabimet gjatë përpjekjeve të para nuk duhen marrë si dështim. Le të marrim rastin e Koikit, që më parë harxhonte tepër kohë duke u zbavitur. Ai e kishte studiuar Biblën kur kishte qenë adoleshent, por për vite me radhë lojërat në video ishin bërë zot të jetës së tij. Një ditë Koiki tha me vete: ‘Çfarë po bën? I kalove të 30-at dhe s’po bën asgjë domethënëse në jetë!’ Koiki nisi të studionte sërish Biblën dhe pranoi ndihmë nga kongregacioni. Megjithëse ndryshimi erdhi ngadalë, ai nuk u dorëzua. Me shumë lutje dhe me mbështetjen e dashur të vëllezërve dhe motrave, ai hoqi dorë nga ky fiksim. (Luka 11:9) Tani Koiki është i lumtur dhe shërben si shërbëtor ndihmës.

Mësoni të jeni të ekuilibruar

7. Pse duhet të jemi të ekuilibruar kur kryejmë veprën e Perëndisë?

7 Ndjekja e qëllimit të Perëndisë meriton përpjekjet tona me gjithë shpirt. Për këtë kurrë s’duhet të kursehemi ose ta marrim me përtesë. (Hebrenjve 6:11, 12) Por kjo s’do të thotë se Jehovai kërkon nga ne që të rraskapitemi fizikisht, mendërisht ose emocionalisht. Kur e pranojmë me modesti se s’mund ta kryejmë veprën e Perëndisë me forcat tona, i japim lavdi atij dhe tregojmë ekuilibër. (1 Pjetrit 4:11) Jehovai premton se do të na japë forcën e nevojshme për të bërë vullnetin e tij, por s’duhet ta kalojmë cakun e mundësive tona, duke bërë edhe gjëra që ai s’i pret nga ne. (2 Korintasve 4:7) Që të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë pa u rraskapitur, duhet t’i përpjesëtojmë me mençuri energjitë tona.

8. Çfarë i ndodhi një të reje të krishterë ngaqë mundohej të bënte më të mirën edhe për Jehovain, edhe për botën, dhe çfarë ndryshimesh bëri?

8 Për shembull, Ji He që jeton në Azinë Lindore, bëri për dy vjet një punë shumë stresuese dhe në të njëjtën kohë shërbente si pioniere. «Përpiqesha të bëja më të mirën edhe për Jehovain, edhe për botën,—tregon ajo.—Por bëja vetëm pesë orë gjumë çdo natë. Në fund, s’më kishte mbetur asnjë fuqi mendore për të vërtetën dhe gjeja shumë pak gëzim në shërbimin që i bëja Jehovait.» Ji He kërkoi një punë më pak stresuese që t’i shërbente Jehovait me ‘gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën’ e saj. (Marku 12:30) Megjithëse s’mungonin presionet nga familja për të mbushur xhepat me para, bëra ç’munda që të vija qëllimin e Perëndisë në vend të parë,—thotë ajo.—Fitoj aq sa për të përmbushur nevojat bazë dhe për të pasur veshje të paraqitshme. Dhe sa mirë ndihem tani që fle më shumë! Më kënaq shërbimi dhe tani jam shumë më e fortë frymësisht. Kjo vjen ngaqë nuk jam aq e ekspozuar ndaj tërheqjeve dhe shpërqendrimeve të botës.»​—Eklisiastiu 4:6; Mateu 6:24, 28-30.

9. Si mund të ndikojnë përpjekjet tona te njerëzit në territor?

9 Jo të gjithë mund t’i shërbejnë Perëndisë në kohë të plotë. Ndoshta po luftoni me moshën, shëndetin jo të mirë ose kufizime të tjera. Por dijeni se Jehovai e vlerëson shumë besnikërinë që tregoni dhe çfarëdolloj shërbimi me gjithë shpirt që mund t’i bëni. (Luka 21:2, 3) Prandaj, asnjë nga ne s’duhet ta nënvlerësojë ndikimin që kanë te të tjerët përpjekjet tona, edhe pse të kufizuara. Për shembull, ta zëmë se trokitëm në disa shtëpi dhe nuk gjetëm asnjë të interesuar për mesazhin tonë. Pas ikjes sonë, njerëzit mund të flasin për vizitën tonë për orë ose ditë të tëra, madje edhe atje ku nuk na e hapi njeri derën. Ne nuk presim që të gjithë ata që e dëgjojnë lajmin e mirë ta pranojnë, por disa do ta bëjnë. (Mateu 13:19-23) Të tjerë mund ta pranojnë më vonë, pas një ndryshimi rrethanash në botë ose në jetën e tyre. Sidoqoftë, kur bëjmë sa mundemi në shërbim, po bëjmë veprën e Perëndisë. Ne jemi «bashkëpunëtorë të Perëndisë».​—1 Korintasve 3:9.

10. Çfarë mundësish kanë përpara të gjithë në kongregacion?

10 Veç kësaj, të gjithë mund t’i ndihmojmë pjesëtarët e familjes sonë dhe vëllezërit e motrat në kongregacion. (Galatasve 6:10) Ndikimi ynë i mirë tek të tjerët mund të jetë i thellë dhe jetëgjatë. (Eklisiastiu 11:1, 6) Kur pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës i kryejnë detyrat me zell, i kontribuojnë shëndetit frymor dhe stabilitetit të kongregacionit e, për pasojë, zelli për aktivitete të krishtere rritet. Jemi të sigurt se kur ‘kemi gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’, mundi ynë «s’është i kotë».​—1 Korintasve 15:58.

Ta bëjmë qëllimin e Perëndisë karrierën tonë

11. Çfarë mundësish kemi përpara përveç shërbimit në kongregacionin lokal?

11 Si të krishterë ne e duam jetën dhe duam t’i japim lavdi Perëndisë në gjithçka që bëjmë. (1 Korintasve 10:31) Kur me besnikëri dhe përkushtim predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë dhe i mësojmë të tjerët të zbatojnë gjithçka që urdhëroi Jezui, gjejmë shumë mënyra për t’i shërbyer të lumtur Perëndisë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Përveç asaj që bëjmë në kongregacionin lokal, kemi mundësi të shërbejmë në një territor, gjuhë ose vend tjetër ku ka më shumë nevojë. Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës të kualifikuar që janë ende beqarë, mund të marrin ftesën për të ndjekur Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, që më pas të shërbejnë në kongregacione ku ka nevojë për ndihmën e të krishterëve të pjekur, në vendin e tyre ose jashtë tij. Çiftet e martuara që shërbejnë në kohë të plotë mund të kualifikohen të stërviten si misionarë në Shkollën e Galaadit dhe të shërbejnë në një vend të huaj. Gjithashtu nevojiten vazhdimisht vullnetarë për të përmbushur një sërë caktimesh në Bethel dhe në ndërtimin e mirëmbajtjen e vendeve të mbledhjeve e të zyrave të degëve.

12, 13. (a) Si mund të vendosësh se cilat fusha shërbimi të ndjekësh? (b) Ilustro si mund të jetë e dobishme për caktime të tjera përvoja e fituar në një caktim.

12 Cilat forma shërbimi duhet të ndjekësh? Si shërbëtor i kushtuar i Jehovait, gjithmonë mbaji sytë tek ai dhe tek organizata e tij për drejtim. ‘Fryma e mirë’ e tij do të të ndihmojë të marrësh vendimin e duhur. (Nehemia 9:20) Shpeshherë një caktim i hap rrugën një tjetri dhe përvoja e aftësia e fituar në një formë shërbimi, mund të jetë e dobishme në një caktim tjetër më vonë.

13 Për shembull, Denisi dhe gruaja e tij, Xheni, marrin pjesë rregullisht në projektet për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Pasi uragani Katrina goditi pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara ata punuan si vullnetarë për të ndihmuar vëllezërit që ishin në nevojë. Denisi thotë: «I përdorëm aftësitë që kishim fituar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë për të ndihmuar vëllezërit, dhe kjo na fali shumë gëzim. Mirënjohja që treguan vëllezërit që ndihmuam, na mallëngjeu. Shumica e grupeve të tjera të ndihmës pati një sukses të kufizuar në lidhje me rindërtimin. Dëshmitarët e Jehovait kanë riparuar ose rindërtuar tashmë më shumë se 5.300 shtëpi dhe shumë e shumë Salla Mbretërie. Njerëzit e vënë re këtë dhe tani tregojnë më shumë interes për mesazhin tonë.»

14. Çfarë mund të bësh, nëse dëshiron të ndjekësh shërbimin e plotkohor?

14 A mund të ndjekësh qëllimin e Perëndisë duke zgjedhur shërbimin e plotkohor si synimin kryesor në jetë? Nëse po, të jesh i sigurt se do të marrësh shumë bekime. Në qoftë se tani për tani rrethanat nuk ta lejojnë, ndoshta mund të gjesh vend për të bërë ca rregullime. Lutu si Nehemia kur donte me gjithë shpirt të niste një caktim të rëndësishëm: «O Jehova, të lutem, . . . bëj që të ketë sukses shërbëtori yt.» (Nehemia 1:11) Pastaj, duke u mbështetur te ‘Dëgjuesi i lutjes’, vepro në përputhje me lutjen. (Psalmi 65:2) Që Jehovai t’i bekojë përpjekjet e tua për t’i shërbyer atij sa më plotësisht, së pari, duhet t’i bësh ti vetë ato përpjekje. Kur e ke vendosur që të shërbesh në kohë të plotë, përmbaju vendimit që ke marrë. Me kalimin e kohës, do të kesh më shumë përvojë dhe gëzimi do të të shtohet.

Një jetë vërtet me vlerë

15. (a) Si nxjerrim dobi duke folur me ata që i kanë shërbyer për një kohë të gjatë Perëndisë dhe duke lexuar për jetën e tyre? (b) Përmend një jetëshkrim që të ka inkurajuar në mënyrë të veçantë.

15 Çfarë rezultatesh mund të presësh kur ndjek qëllimin e Perëndisë? Fol me vëllezër e motra që i kanë shërbyer Jehovait për shumë kohë, sidomos me ata që kanë kaluar vite në shërbimin e plotkohor. Ç’jetë të pasur e domethënëse bëjnë! (Proverbat 10:22) Ata do të të tregojnë se Jehovai i ka ndihmuar gjithmonë që të mos u mungonin gjërat e nevojshme edhe në rrethana të vështira, madje të kishin edhe më tepër. (Filipianëve 4:11-13) Duke filluar nga viti 1955 deri në vitin 1961, Kulla e Rojës botoi një seri jetëshkrimesh të këtyre vëllezërve besnikë në rubrikën «Ndjek një qëllim në jetë». Që nga ajo kohë janë botuar qindra jetëshkrime të tjera. Secili prej tyre përcjell një frymë zelli e gëzimi që na kujton atë që gjejmë në librin biblik të Veprave. Leximi i këtyre tregimeve prekëse do të të nxitë të thuash: ‘Kjo është jeta që dua.’

16. Ç’gjë e bën jetën e një të krishteri të lumtur e domethënëse?

16 Aaroni që përmendëm në fillim kujton: «Në Afrikë takoja shpesh të rinj që i binin kryq e tërthor vendit në kërkim të një qëllimi në jetë. Shumica kërkuan gjatë, por s’e gjetën. Kurse ne që ndiqnim qëllimin e Perëndisë duke përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë, bënim një jetë domethënëse e plot sfida. E kemi parë me sytë tanë se je më i lumtur kur jep, sesa kur merr.»​—Veprat 20:35.

17. Pse duhet të ndjekim qëllimin e Perëndisë që tani?

17 Po ti? Ç’qëllim po ndjek? Nëse nuk i ke vënë vetes një synim të qartë frymor, boshllëkun do ta mbushin me të shpejtë synimet e tjera. Pse ta çosh dëm jetën tënde të çmuar me fantazitë e botës së Satanait? S’është larg dita kur do të godasë ‘shtrëngimi i madh’. Atëherë, pasuria dhe pozita s’do të kenë pikë vlere. Ajo që do të ketë vërtet rëndësi është marrëdhënia jonë me Jehovain. S’do të na vijë keq që i kemi shërbyer Perëndisë dhe të tjerëve dhe e kemi ndjekur plotësisht qëllimin e Perëndisë në jetën tonë!​—Mateu 24:21; Zbulesa 7:14, 15.

[Shënimet]

^ par. 1 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 1 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A mund të shpjegoni?

• Si e konsideron Jehovai shërbimin që i bëjmë?

• Si na ndihmon ekuilibri dhe të qenët praktik t’i shërbejmë Perëndisë dhe të tjerëve?

• Cilat mundësi shërbimi kemi përpara nesh?

• Si mund të bëjmë një jetë domethënëse që tani?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Nevojitet ekuilibër që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gjithë shpirt

[Figurat në faqen 24]

Ka shumë forma në të cilat mund t’i shërbejmë Perëndisë