Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vendimet që na bëjnë të lumtur

Vendimet që na bëjnë të lumtur

Vendimet që na bëjnë të lumtur

«AH SIKUR t’i kisha bërë gjërat ndryshe!» Sa herë ia ke thënë vetes këtë? Të gjithë ne duam të marrim vendime për të cilat të mos na vijë keq më vonë, sidomos kur këto vendime ndikojnë në jetën tonë. Por, si mund të marrim vendime që të na bëjnë të lumtur?

Së pari, duhet të kemi standarde që të jenë vërtet të besueshme. A ekzistojnë standarde të tilla? Shumë mendojnë se nuk ekzistojnë. Sipas një ankete në Shtetet e Bashkuara, 75 për qind e studentëve që janë në vitin e fundit të universitetit besojnë se nuk ka një standard të së drejtës e të së gabuarës dhe se konceptet e së mirës dhe të së keqes ndryshojnë në varësi të «parimeve individuale dhe të dallimeve kulturore».

A është vërtet e arsyeshme të mendojmë se standardet morale janë thjesht çështje mendimesh individuale ose të përgjithshme? Jo, nuk është. Nëse njerëzit do të ishin të lirë të bënin çfarë të donin, pasoja do të ishte një kaos. Kush do të dëshironte të jetonte në një vend ku nuk ka ligje, gjykata dhe policë? Përveç kësaj, mendimet individuale nuk janë gjithnjë një udhëheqje e besueshme. Ne mund të vendosim të bëjmë diçka që besojmë se është e drejtë, por më vonë mund të zbulojmë se e kishim gabim. Faktikisht, e tërë historia njerëzore dëshmon se është i vërtetë ky parim biblik: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Atëherë, ku të drejtohemi për udhëheqje kur duhet të marrim vendime për çështje të rëndësishme të jetës?

Sundimtari që u përmend në artikullin e mëparshëm, me mençuri shkoi të kërkonte këshilla nga Jezui. Siç e pamë, kur iu përgjigj pyetjes së të riut, Jezui përmendi Ligjin e Perëndisë. Jezui ishte i vetëdijshëm se Perëndia Jehova është Burimi më i lartë i njohurisë e i mençurisë dhe se Ai e di se çfarë është më e mirë për krijesat e Tij. Prandaj, Jezui tha: «Ajo që mësoj, nuk është imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Po, Fjala e Perëndisë është burim i besueshëm me udhëzime që do të na ndihmojnë të marrim vendime të mençura në jetë. Le të shqyrtojmë disa parime që gjenden në Fjalën e Perëndisë, të cilat po të zbatohen do të na e shtojnë lumturinë.

Rregulla e Artë

Në Predikimin e tij të famshëm në Mal, Jezui mësoi një parim bazë që mund të na ndihmojë të marrim vendime të mençura në marrëdhëniet me të tjerët. Ja se çfarë tha ai: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Ky parim sjelljeje në disa vende quhet shpesh «Rregulla e Artë».

Disa kanë përdorur një shprehje të ngjashme në formën mohore: «Mos u bëni të tjerëve atë që nuk ju pëlqen t’jua bëjnë juve.» Për të treguar ndryshimin midis Rregullës së Artë dhe formës së saj mohore, të shqyrtojmë shëmbëlltyrën e Jezuit për samaritanin e mirë. Një burrë jude e rrahën dhe e lanë gjysmë të vdekur anash rrugës. Atë e pa një prift e më pas një levit, por që të dy i kaluan pranë e nuk ndaluan. Meqë ata nuk bënë asgjë për t’ia shtuar dhembjet atij njeriu, mund të thuhet se vepruan sipas formës mohore të Rregullës së Artë. Ndryshe nga ata, një samaritan që po kalonte, ndaloi për ta ndihmuar, i mjekoi plagët dhe e çoi në një han. Samaritani i bëri judeut atë që do të kishte dashur t’i bënin atij vetë. Ai zbatoi Rregullën e Artë dhe mori vendimin e duhur.​—Luka 10:30-37.

Ka shumë mënyra se si mund të zbatohet me sukses ky rregull sjelljeje. Ta zëmë se një familje e re vjen me shtëpi në lagjen tënde. Pse të mos marrësh iniciativën t’i takosh dhe t’u urosh mirëseardhjen? Mund t’i ndihmosh që të njihen me lagjen e re, si edhe nëse kanë ndonjë pyetje ose nevojë. Duke marrë iniciativën për t’u treguar miqësor, do të zhvillosh marrëdhënie të mira me fqinjët. Gjithashtu do të kesh kënaqësinë të dish se ke bërë atë që i pëlqen Perëndisë. A nuk është ky një vendim i mençur?

Vendime që bazohen në dashurinë për të tjerët

Përveç Rregullës së Artë, Jezui dha udhëzime të tjera që do të të ndihmojnë të marrësh vendime të mençura. Kur e pyetën se cili ishte urdhërimi më i madh i Ligjit të Moisiut, Jezui u përgjigj: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Nga këto dy urdhërime varet gjithë Ligji dhe Profetët.»​—Mateu 22:36-40.

Natën para se të vdiste, Jezui u dha dishepujve «një urdhërim të ri», ta donin njëri-tjetrin. (Gjoni 13:34) Pse e quajti atë urdhërim të ri? Në fund të fundit, a nuk kishte shpjeguar tashmë ai se dashuria për të afërmin ishte një nga dy urdhërimet nga të cilat varej i gjithë Ligji? Nën Ligjin e Moisiut izraelitët u urdhëruan: «Duaje tjetrin si veten.» (Levitiku 19:18) Megjithatë, tani Jezui i urdhëroi dishepujt të bënin më shumë se kaq. Po atë natë Jezui u tha dishepujve se do të jepte jetën për ta. Pastaj u tha: «Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë. Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.» (Gjoni 15:12, 13) Po, ky urdhërim ishte i ri, sepse kërkonte që një njeri t’i vinte interesat e të tjerëve përpara të tijave.

Ka shumë mënyra se si mund të tregojmë dashuri altruiste, duke mos parë vetëm interesat tona. Mendo sikur jeton në një apartament dhe dëshiron të dëgjosh muzikë me një volum që të bën të ndihesh i dalldisur, por që e shqetëson fqinjin. A do të ishe i gatshëm ta kufizoje kënaqësinë tënde që fqinji të ketë pak qetësi? Me fjalë të tjera, a do të vije mirëqenien e fqinjit përpara mirëqenies sate?

Shqyrto një rrethanë tjetër. Një ditë dimri të ftohtë e me dëborë, një të moshuar në Kanada e vizituan dy Dëshmitarë të Jehovait. Gjatë bisedës i moshuari tha se për shkak të një problemi me zemrën nuk mund të hiqte dëborën që gjendej përpara shtëpisë. Rreth një orë më vonë, ai dëgjoi zhurmë lopatash. Dy Dëshmitarët ishin kthyer që të pastronin rrugën dhe shkallët para derës së hyrjes. «Sot pashë në realitet se si e tregojnë dashurinë të krishterët,—shkroi ai në një letër drejtuar zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait, në Kanada.—Kjo më ndryshoi e më dha optimizëm, pasi në përgjithësi kam një pikëpamje pesimiste për botën e sotme. Ma shtoi edhe më shumë respektin që kisha për veprën tuaj mbarëbotërore.» Po, kur vendosim të ndihmojmë të tjerët, sado e vogël të duket ndihma, kjo mund të ndikojë për mirë tek ata. Sa lumturi provojmë kur marrim vendime të tilla vetësakrifikuese!

Vendime që bazohen në dashurinë për Perëndinë

Një faktor tjetër që duhet të shqyrtojmë kur marrim vendime është ai që Jezui e përshkroi si urdhërimi më i madh: të duam Perëndinë. Fjalët e Jezuit iu drejtuan judenjve, të cilët si komb tashmë i ishin kushtuar Jehovait. Prapëseprapë, izraelitët individualisht duhej të vendosnin nëse do t’i shërbenin Perëndisë me një dashuri që buronte nga shpirti e nga zemra.​—Ligji i përtërirë 30:15, 16.

Po kështu, vendimet që merr ti pasqyrojnë se çfarë mendon për Perëndinë. Për shembull, ndërsa të shtohet çmueshmëria për vlerën praktike të Biblës, edhe ti gjendesh përballë një vendimi. A do të jesh i gatshëm të bësh një studim të rregullt të Biblës me synimin që të bëhesh një ithtar i Jezuit? Po të vendosësh kështu, patjetër që do të jesh i lumtur, sepse Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»​—Mateu 5:3.

Nuk e dimë nëse sundimtari i ri u pendua më vonë për vendimin e tij. Gjithsesi dimë se si u ndie apostulli Pjetër pasi kishte ndjekur Jezu Krishtin për shumë vjet. Rreth vitit 64 të e.s., nga fundi i jetës, Pjetri i nxiti bashkëbesimtarët: «Bëni çmos që në fund, të gjendeni prej [Perëndisë] të panjollë, të patëmetë dhe në paqe.» (2 Pjetrit 1:14; 3:14) Pa dyshim, Pjetrit nuk i vinte keq për vendimin që kishte marrë më shumë se 30 vjet më parë dhe ai i nxiti të tjerët që t’i përmbaheshin fort vendimit që kishin marrë.

Të ndjekim këshillën e Pjetrit do të thotë të vendosim që të pranojmë përgjegjësitë që vijnë kur dikush bëhet dishepull i Jezuit dhe të zbatojmë urdhërimet e Perëndisë. (Luka 9:23; 1 Gjonit 5:3) Kjo mund të duket e vështirë, por Jezui na ka bërë këtë premtim që na jep siguri: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»​—Mateu 11:28-30.

Të mendojmë për përvojën e Arturit. Kur ishte dhjetë vjeç, Arturi nisi të mësonte violinën dhe para tij shtrihej mundësia për të bërë karrierë. Kur ishte 14 vjeç, ishte bërë i njohur si violinist koncertesh. Megjithatë nuk ishte i lumtur. I ati kishte gjithnjë pyetje për qëllimin e jetës dhe ftonte në shtëpi mësues të fesë, por kurrë nuk mori përgjigje të kënaqshme. Si familje, ata diskutonin nëse ekziston vërtet Perëndia dhe pse e lejon të ligën. Më pas, babai i Arturit filloi një bisedë me një Dëshmitar të Jehovait. Ajo bisedë e tërhoqi babanë e Arturit dhe e gjithë familja nisi një studim biblik.

Me kalimin e kohës, me anë të Shkrimeve, Arturi arriti të kuptonte pse i lejon Perëndia vuajtjet dhe kuptoi qartë qëllimin e jetës. Bashkë me tre pjesëtarë të familjes, Arturi mori një vendim për të cilin nuk i ka ardhur keq. Ai ia kushtoi jetën Jehovait. Arturi thotë: «Jam kaq i lumtur që Jehovai më ka dhënë njohuri për të vërtetën dhe më ka çliruar nga rivaliteti që është i zakonshëm midis muzikantëve profesionistë. Njerëzit bëjnë çdo gjë vetëm e vetëm që të kenë sukses.»

Arturit i pëlqen ende t’i bjerë violinës për të kënaqur miqtë, megjithatë nuk i kushtohet tërësisht asaj, por jeta e tij është e përqendruar në shërbim të Perëndisë. Ai shërben në një nga zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndryshe nga sundimtari i ri e i pasur, Arturi dhe miliona të tjerë kanë marrë një vendim të mençur. Edhe ti mund të marrësh vendimin që do të të japë më shumë lumturi—të pranosh ftesën e Jezuit që të jesh ithtar i tij.

[Figura në faqen 6]

Vendimi yt mund të ndikojë në jetën e të tjerëve

[Figura në faqen 7]

A do të studiosh Biblën që të bëhesh ithtar i Jezuit?