Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të jetosh vetëm sot për sot?

A duhet të jetosh vetëm sot për sot?

A duhet të jetosh vetëm sot për sot?

«NUK mendoj kurrë për të ardhmen. Ajo ka për të ardhur gjithsesi.» Këto fjalë mendohet t’i ketë thënë shkencëtari i njohur Albert Ajnshtajn. Shumë njerëz shprehin mendime të ngjashme. «Pse të shqetësohesh për të ardhmen?»—mund të thonë. Ose mund të kesh dëgjuar njerëz që shprehen: «Bëj atë që ke për të bërë.» «Jeto për të sotmen.» «Mos e vrit mendjen për të ardhmen.»

Sigurisht një qëndrim i tillë nuk është gjë e re. «Ha, pi e kënaqu. Çdo gjë tjetër është kotësi.» Kjo ishte motoja e epikurianëve të lashtë. Disa bashkëkohës të apostullit Pavël kishin pikëpamje të ngjashme. «Le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim»,—mendonin ata. (1 Korintasve 15:32) Ata besonin se kjo jetë e shkurtër ishte gjithçka, prandaj përhapnin idenë se njeriu duhet të përfitojë në maksimum nga jeta.

Sigurisht, për miliona njerëz në tokë të përfitojnë në maksimum nga jeta nuk do të thotë të jepen vetëm pas kënaqësive. Rrethanat e mjerueshme në të cilat gjenden shumë njerëz bëjnë që jeta e tyre sot të jetë veçse një luftë e ashpër dhe e pareshtur për mbijetesë. Pse duhet të mendojnë ata për të ardhmen, për një ‘të nesërme’ që shpesh duket tepër e zymtë dhe e pashpresë?

A duhet të bëjmë plane për të nesërmen?

Edhe njerëzve që nuk jetojnë në rrethana aq të vështira, u duket e kotë të bëjnë plane për të nesërmen. «Pse ta vrasësh mendjen?»—mund të pyesin. Disa mund të arsyetojnë se planet sjellin gjithnjë zhgënjim. Edhe patriarku Job i lashtësisë përjetoi një dëshpërim të madh kur pa se planet e tij ‘iu prishën’ dhe gjërat që do t’i kishin sjellë një të ardhme të lumtur atij dhe familjes, iu shkatërruan.—Jobi 17:11; Eklisiastiu 9:11.

Poeti skocez Robert Bërns e krahasoi gjendjen e njeriut me atë të një miu të arave, folenë e të cilit Bërnsi e prishi pa dashje me tehun e plugut. Miu u përpoq të shpëtonte kur bota e tij u kthye përmbys. ‘Po,—mendoi poeti.—Shpeshherë gjendemi të pafuqishëm përballë ngjarjeve që janë krejtësisht jashtë kontrollit tonë, kështu që edhe planet më të mira shpesh dështojnë.’

A është e kotë atëherë të bëjmë plane për të ardhmen? E vërteta është se mungesa e një planifikimi të duhur mund të ketë pasoja shkatërrimtare kur ndodhin uragane ose katastrofa të tjera natyrore. Patjetër që askush nuk mund ta kishte ndalur Uraganin Katrina, për shembull. Por, sikur gjërat të ishin parashikuar dhe planifikuar më mirë, a do të kishte ndihmuar kjo për të zvogëluar pasojat në qytetin e Nju-Orleansit dhe ndaj banorëve të tij?

Çfarë mendon? A është e arsyeshme të jetojmë vetëm sot për sot dhe të mos mendojmë për të nesërmen? Shqyrto se çfarë thuhet në artikullin vijues për këtë temë.

[Figurat në faqen 3]

«Ha, pi e kënaqu. Çdo gjë tjetër është kotësi.»

[Figura në faqen 4]

Sikur të ishin parashikuar dhe planifikuar gjërat, a do të kishte ndihmuar kjo për të zvogëluar pasojat e Uraganit Katrina?

[Burimi]

U.S. Coast Guard Digital