«Anijet e Kitimit» rrahin detet
«Anijet e Kitimit» rrahin detet
LINDJA e Mesdheut ka parë shumë beteja në det. Përpiquni të përfytyroni një përleshje të tillë pesë shekuj para Krishtit. Trirema, një anije mjaft e manovrueshme, çan detin me shpejtësi maksimale. Rreth 170 rremtarë të vendosur në tri rreshta u japin rremave duke tendosur muskujt e fuqishëm e duke rrëshqitur sa para-prapa mbi jastëkët prej lëkure të lidhur në të ndenjura.
Me shpejtësi shtatë deri në nëntë nyje detare, anija çan dallgët drejt një anijeje armike. Anija e vënë në shënjestër çapitet të largohet. Në përpëlitje e sipër, krahu i saj del zbuluar dhe ky është çasti kritik. Sqepi me veshje bronzi i triremës çan skeletin e hollë të anijes tjetër. Krisma e dërrasave që thyhen dhe zhurma e ujit që futet me vrull nëpër të çarën e hapur i tmerron rremtarët e palës kundërshtare. Një grup i vogël luftëtarësh të armatosur mirë hidhet me të shpejtë në sulm duke kaluar nëpër urën që lidh triremën me anijen armike. Është e vërtetë se disa anijeve të lashta ishte më mirë t’u rrije larg!
Studentëve të Biblës u kanë ngjallur kureshtje rastet, disa herë në kuptimin profetik, ku është përmendur ‘Kitimi’ dhe «anijet e Kitimit». (Numrat 24:24; Danieli 11:30; Isaia 23:1) Ku ndodhej Kitimi? Çfarë dimë për anijet e tij? Pse janë me interes për ju përgjigjet e këtyre pyetjeve?
Jozefi, një historian jude, e quajti Kitimin «Kethimos» dhe e lidhi me ishullin e Qipros.
Qyteti i Kitionit (ose Sitiumit) në juglindje të ishullit është një hallkë tjetër që e lidh Kitimin me Qipron. E ndodhur në kryqëzimin e rrugëve tregtare, Qiproja kishte një pozitë gjeografike ideale prej ku mund të përfitonte nga afërsia me portet në lindje të Mesdheut. E detyruar të mbante anë mes kombeve ndërluftuese falë statusit të saj gjeopolitik, Qiproja ishte ose një aleate e fuqishme, ose një pengesë e bezdisshme.Qipriotët dhe deti
Dëshmitë arkeologjike që kanë dalë në dritë nga gërmimet nënujore, varret si dhe shkrimet e lashta dhe figurat nëpër poçe balte, na ndihmojnë të përfytyrojmë anijet e Qipros. Qipriotët e lashtë ishin mjeshtra në ndërtimin e anijeve. Ishulli i tyre kishte pyje të dendura dhe gjire të mbrojtura që siguronin limane natyrore. Pemët priteshin jo vetëm për të ndërtuar anije, por edhe për të shkrirë bakër, një burim natyror që e bëri të famshme Qipron në botën e lashtë.
Tregu i fuqishëm i eksportit në Qipro nuk i shpëtoi syrit të fenikasve, të cilët vendosën koloni përgjatë rrugëve tregtare të tij. Një nga këto ngulime ishte Kitioni në Qipro.—Isaia 23:10-12.
Pas rënies së Tirit, portit dhe qytetit kryesor të Fenikisë, disa nga banorët e tij me sa duket shkuan në Kitim. Ka të ngjarë që me përvojën e tyre detare kolonizatorët fenikas t’i kenë ndihmuar shumë qipriotët në teknologjinë e ndërtimit të anijeve. Gjithashtu, vendndodhja strategjike e Kitionit siguronte një mbrojtje të shkëlqyer për anijet fenikase.
Pjesë e tregtisë së gjallëruar ndërkombëtare
Aktiviteti tregtar në lindje të Mesdheut gjatë kësaj periudhe të hershme ishte mjaft i zhvilluar. Qiproja transportonte me anije mallra me vlerë në Kretë, Sardenjë dhe Sicili, si dhe në ishujt e Egjeut. Në këto vende janë zbuluar enë dhe vazo nga Qiproja, kurse në Qipro janë gjetur sasi të mëdha poçesh të shkëlqyera nga
Mikena (Greqi). Disa studiues që kanë analizuar shufrat prej bakri të zbuluara në Sardenjë kanë dalë në përfundimin se ato kanë ardhur nga Qiproja.Në vitin 1982, afër bregut jugor të Turqisë u gjet një anije e fundosur që datonte nga fundi i shekullit të 14 p.e.s. Gërmimet nënujore nxorën në dritë një thesar me xhevahire të shumëllojshme, si shufra bakri që besohet se janë nga Qiproja, qelibar, enë nga Kanaani, abanoz, fildish, një koleksion me bizhuteri ari e argjendi nga Kanaani, stoli në formë brumbulli dhe objekte të tjera nga Egjipti. Nga studimi i argjilës së poçeve që u gjetën në anije, disa burime kanë thënë se ka të ngjarë që anija të ketë qenë nga Qiproja.
Një fakt interesant është se rreth kohës së fundosjes së kësaj anijeje, Balaami përmendi në «shprehjen e tij proverbiale» anijet e Kitimit. (Numrat 24:15, 24) Me sa duket, anijet qipriote ishin bërë të famshme në Lindjen e Mesme. Si ishin ato?
Anije tregtare
Në dhomat e varrimit të qytetit të lashtë të Amatit në Qipro janë gjetur shumë modele anijesh prej argjile. Ato japin të dhëna me vlerë për llojet e anijeve qipriote, disa prej të cilave janë ekspozuar nëpër muze.
Modelet tregojnë qartë se anijet e hershme përdoreshin për qëllime thjesht tregtare. Anijet më të vogla zakonisht viheshin në lëvizje nga 20 rremtarë. Skeleti i gjerë dhe i thellë shërbente për të transportuar mallra dhe pasagjerë në lundrime të shkurtra përgjatë bregut të Qipros. Plini Plaku thotë se qipriotët ndërtuan një anije të vogël e të lehtë që lëvizte me rrema dhe mund të mbante më shumë se 90 tonë ngarkesë.
Pastaj vinin anijet më të mëdha tregtare, si ajo që u gjet afër brigjeve të Turqisë. Disa prej tyre mund të mbanin më shumë se 450 tonë ngarkesë në det të hapur. Anijet e mëdha mund të kishin deri në 50 rremtarë, 25 në secilin krah, dhe ishin 30 metra të gjata me një direk mbi 10 metra të lartë.
Anijet luftarake të «Kitimit» në profecinë biblike
Fryma e Jehovait shpalli këto fjalë: «Do të ketë anije nga brigjet e Kitimit që me siguri do t’i sjellin vuajtje Asirisë.» (Numrat 24:2, 24) A u plotësua ky parashikim? Si përfshiheshin në plotësimin e tij anijet e Qipros? ‘Anijet nga brigjet e Kitimit’ nuk ishin anije thjesht tregtare që rrihnin detin e Mesdheut. Ishin anije lufte që sillnin gjëmë.
Ndryshimi i nevojave në fushën luftarake solli përshtatjen e modeleve bazë për të ndërtuar anije më të shpejta e më të fuqishme. Në një nga vizatimet e gjetura në Amat, ka mundësi të jenë paraqitur anijet më të hershme luftarake të Qipros. Në të shihet një anije e gjatë dhe e hollë me kiçin të lakuar nga lart dhe nga brenda, si një anije lufte fenikase. Ka një sqep dhe në secilin krah afër kiçit ka mburoja rrumbullake që arrijnë deri te bashi i anijes.
Në shekullin e tetë p.e.s. Greqia pa për herë të parë biremat, anije me dy radhë rremash. Ato ishin rreth 24 metra të gjata dhe 3 metra të gjera. Fillimisht këto anije u përdorën për të transportuar luftëtarë, kur beteja zhvillohej në tokë. S’kaloi shumë dhe u kuptua se ishte më mirë të shtohej një rresht i tretë rremash, dhe bashit të anijes iu shtua një sqep i veshur me bronz për të shpuar anijen armike. Kjo anije e re u quajt triremë, siç përmendet edhe në fillim të këtij artikulli. Ajo u bë e famshme në betejën e Salaminës (480 p.e.s.), kur grekët shpartalluan flotën perse.
Më vonë, gjatë planeve të tij për të pushtuar botën, Aleksandri i Madh mobilizoi flotën e triremave në drejtim të lindjes. Këto anije ishin bërë për luftë, jo për rrugë të gjata në det të hapur, sepse s’kishin shumë vend për të mbajtur rezerva. Kjo e bëri të ndalonte në ishujt e Egjeut për furnizime dhe riparime. Aleksandri kishte si synim të shkatërronte flotën perse. Por për ta arritur këtë, më parë i duhej të mposhtte Tirin, një ishull-fortesë i tmerrshëm. Qiproja qe një pikë ndalese gjatë rrugës për në Tir.
Qipriotët i dolën krah Aleksandrit të Madh gjatë rrethimit të Tirit (332 p.e.s.), duke vënë në dispozicion të tij një flotë me 120 anije. Deri tek Aleksandri, flotës i prinë tre mbretërit e Qipros. Ata morën pjesë në rrethimin e Tirit që zgjati shtatë muaj. Rënia e Tirit shënoi plotësimin e profecisë biblike. (Ezekieli 26:3, 4; Zakaria 9:3, 4) Në shenjë mirënjohjeje, Aleksandri i shpërbleu mbretërit e Qipros duke u dhënë autoritet të veçantë në trojet që pushtoi.
Një plotësim i jashtëzakonshëm
Strabo, një historian i shekullit të parë, tregon se Aleksandri kërkoi ndihmën e anijeve nga Qiproja dhe Fenikia në fushatën e tij kundër Arabisë. Me këto anije të lehta dhe kollaj të çmontueshme, arritën në Thapsakë (Tifsah) në veri të Sirisë, vetëm brenda shtatë ditëve. (1 Mbretërve 4:24) Që atje shkuan deri në Babiloni.
Ja pra, një shpallje në Bibël, në pamje të parë e paqartë, u plotësua në mënyrë të jashtëzakonshme rreth dhjetë shekuj më vonë. Në përputhje me Numrat 24:24, makina luftarake e Aleksandrit të Madh u nis nga Maqedonia, përparoi pa u ndalur drejt lindjes dhe pushtoi Asirinë, duke rrëzuar përfundimisht perandorinë e fuqishme Medo-Perse.
Edhe këto pak të dhëna për «anijet e Kitimit» tregojnë përtej çdo dyshimi se profecia biblike u plotësua në mënyrë të mahnitshme. Kjo dëshmi historike na e forcon bindjen se parashikimet që gjejmë në Bibël janë të besueshme. Shumë prej tyre kanë të bëjnë me të ardhmen tonë, ndaj bëjmë mirë t’i marrim seriozisht.
[Harta në faqet 16, 17]
[Për tekstin e kompozuar, shiko botimin]
ITALI
Sardenjë
Sicili
Deti Egje
GREQI
Kretë
LIBI
TURQI
QIPRO
Kition
Tir
EGJIPT
[Figura në faqen 16]
Model i një trireme, anije luftarake greke
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figura në faqen 17]
Model i një bireme, anije luftarake e lashtë fenikase
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est
[Figura në faqen 17]
Një vazo që paraqet një anije qipriote
[Burimi]
Botuar me lejen e drejtorit të Antiquities and the Cyprus Museum
[Figura në faqen 18]
Anije të lashta tregtare si ato që përmenden tek Isaia 60:9