Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeto me sytë nga e nesërmja

Jeto me sytë nga e nesërmja

Jeto me sytë nga e nesërmja

«MOS jini kurrë në ankth për të nesërmen»,—tha Jezu Krishti në një fjalim të famshëm që mbajti në një shpat mali në Galile. Sipas versionit Diodati i Ri, Jezui tha më tej: «E nesërmja do të kujdeset vetë për vete.»—Mateu 6:34.

Si mendon, ç’kuptim kanë këto fjalë «e nesërmja do të kujdeset vetë për vete»? A nënkuptojnë se duhet të jetosh vetëm sot për sot e të mos mendosh për të ardhmen? A përputhet në të vërtetë kjo me atë që besonte Jezui dhe dishepujt e tij?

«Mos jini më në ankth»

Lexoji fjalët e Jezuit që gjenden te Mateu 6:25-32. Pjesërisht ai tha: «Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, as për trupat tuaj, se ç’do të vishni. . . . Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. . . . Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet? Dhe, pse jeni në ankth për veshjen? Shihni se si rriten zambakët e fushës, dhe mësoni prej tyre. Ata nuk robtohen dhe nuk tjerrin. . . . Prandaj, mos jini kurrë në ankth e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’ Sepse të gjitha këto i kërkojnë me etje kombet, por Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.»

Jezui e përfundon këtë pjesë të fjalimit me dy këshilla. Së pari, thotë: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» Së dyti, thotë: «Prandaj, mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.»—Mateu 6:33, 34.

Ati juaj e di se për çfarë keni nevojë

A mendon se Jezui po u thoshte dishepujve, ku përfshiheshin edhe bujq, që ‘të mos mbillnin, të mos korrnin e të mos mblidhnin në depo’? Apo po u thoshte që ‘të mos robtoheshin e të mos tirrnin’ për të bërë veshjet që u nevojiteshin? (Proverbat 21:5; 24:30-34; Eklisiastiu 11:4) Patjetër që jo. Nëse nuk do të punonin më, me siguri do të përfundonin ‘duke lypur në kohën e korrjes’ dhe s’do të kishin asgjë për të ngrënë ose për të veshur.—Proverbat 20:4.

Po për ankthin? A donte të thoshte Jezui se njerëzit që po e dëgjonin mund edhe që të mos kishin fare ankth? Kjo nuk do të ishte një gjë reale. Vetë Jezui përjetoi dhembje të thellë emocionale dhe ankth natën që e arrestuan dhe e vranë.—Luka 22:44.

Jezui thjesht po thoshte një të vërtetë themelore. Ankthi i tepërt nuk të ndihmon kurrë të zgjidhësh çfarëdo problemi që ke. Për shembull, nuk të ndihmon të jetosh më shumë. Jezui tha se ankthi nuk «do ta zgjatë sadopak jetën [tënde]». (Mateu 6:27) Ankthi i tepërt dhe i zgjatur në të vërtetë ka më shumë mundësi të ta shkurtojë jetën.

Këshilla e Jezuit ishte më se praktike. Shumë prej gjërave për të cilat shqetësohemi nuk ndodhin kurrë. Një burrë shteti britanik, Uinston Çërçilli, e kuptoi këtë në ditët e errëta të Luftës II Botërore. Ai shkroi për disa nga ankthet që pati në atë kohë: «Kur mendoj për tërë shqetësimet që kisha, më vjen ndër mend historia e plakut në shtratin e vdekjes, që tha se kishte pasur shumë telashe në jetë, shumica e të cilave nuk kishin ndodhur kurrë.» Vërtet, është gjë e mençur që ta përballojmë çdo ditë si të vijë, sidomos kur streset dhe problemet që ndeshim mund të na krijojnë lehtë ankth të madh.

‘Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë e Perëndisë’

Në të vërtetë, Jezui nuk kishte në mendje vetëm mirëqenien fizike dhe emocionale të dëgjuesve të tij. Ai e dinte se ankthi për të siguruar jetesën, si edhe dëshira e zjarrtë për të pasur gjëra dhe për kënaqësi mund të të shpërqendrojë nga gjërat më të rëndësishme. (Filipianëve 1:10) Ti mund të mendosh: ‘Por, çfarë mund të jetë më e rëndësishme sesa të sigurosh jetesën?’ Përgjigjja është: janë gjërat që kanë të bëjnë me adhurimin e Perëndisë. Siç theksoi Jezui, kryesore në jetën tonë duhet të jetë që ‘të vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’.—Mateu 6:33.

Në ditët e Jezuit shumë njerëz kërkonin me etje gjëra materiale. Për ta grumbullimi i pasurisë zinte vendin e parë në jetë. Mirëpo, Jezui i nxiti dëgjuesit e vet që të kishin një pikëpamje tjetër. Si populli i kushtuar i Perëndisë, «tërë detyrimi» i tyre ishte ‘t’i frikësoheshin Perëndisë së vërtetë dhe të përmbushnin urdhërimet e tij’.—Eklisiastiu 12:13.

Shqetësimi i tepërt për gjërat materiale—«ankthet e kësaj bote dhe fuqia mashtruese e pasurisë»—mund t’ua kishte shkatërruar marrëdhënien e tyre me Perëndinë. (Mateu 13:22) Apostulli Pavël shkroi: «Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim.» (1 Timoteut 6:9) Që t’i ndihmonte të shmangnin këtë «lak», Jezui u kujtoi dishepujve të tij se Ati i tyre qiellor e dinte se ata kishin nevojë për të gjitha këto gjëra. Perëndia do të kujdesej për ta, ashtu siç kujdeset për «zogjtë e qiellit». (Mateu 6:26, 32) Në vend që ta linin ankthin t’i mbyste, duhej të bënin gjithçka mundnin për t’u kujdesur për nevojat e tyre materiale dhe më pas, me besim, t’i linin gjërat në dorë të Jehovait.—Filipianëve 4:6, 7.

Kur tha se «e nesërmja do të kujdeset vetë për vete», Jezui thjesht donte të thoshte se nuk duhet ta lejojmë ankthin e tepërt për atë që mund të ndodhë nesër t’u shtohet problemeve që kemi sot. Një version tjetër i Biblës i përkthen kështu fjalët e tij: «Mos u shqetësoni për të nesërmen; ajo do të ketë mjaft shqetësime për vete. Nuk ka pse t’ia shtoni më shumë hallet çdo dite.»—Mateu 6:34, Today’s English Version.

«Ardhtë Mbretëria jote»

Gjithsesi, ka një ndryshim të madh mes shqetësimit të tepërt për të nesërmen dhe të mos mendosh fare për të. Jezui nuk i nxiti kurrë dishepujt që të mos mendonin për të nesërmen. Përkundrazi, ai i nxiti të interesoheshin shumë për të ardhmen. Me të drejtë ata duhej të luteshin për nevojat që kishin: bukën e përditshme. Megjithatë, së pari duhej të luteshin për gjëra që i përkitnin ende së ardhmes: të luteshin për ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë dhe që të bëhej vullneti i Perëndisë në tokë.—Mateu 6:9-11.

Nuk duhet të jemi si njerëzit e kohës së Noesë. Ata ishin kaq të zënë, «hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin», saqë ‘nuk i kushtuan vëmendje’ asaj që do të ndodhte. Cila qe pasoja? «Erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë.» (Mateu 24:36-42) Apostulli Pjetër e përmendi atë ngjarje të vërtetë për të na kujtuar se duhet të jetojmë me sytë nga e nesërmja. Ai shkroi: «Meqë të gjitha këto gjëra do të shpërbëhen, tregoni kujdes se ç’lloj personash duhet të jeni në vepra të shenjta sjelljeje dhe në veprime të përkushtimit hyjnor, duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait!»—2 Pjetrit 3:5-7, 11, 12.

Të grumbullojmë thesare në qiell

Po, le ta mbajmë «gjithnjë në mend» ditën e Jehovait! Nëse veprojmë kështu, kjo do të ndikojë shumë në mënyrën se si e përdorim kohën, energjinë, dhuntitë, të ardhurat dhe aftësitë tona. Nuk duhet të jemi aq të shqetësuar për gjërat materiale—ose gjërat e nevojshme a kënaqësitë e jetës—saqë të kemi pak kohë për veprime që pasqyrojnë ‘përkushtimin hyjnor’. Po të përqendrohemi vetëm tek e sotmja, mund të na duket sikur do të arrijmë t’i kemi menjëherë gjërat që duam, por, shumë-shumë, dobitë e tyre do të jenë të përkohshme. Jezui tha se gjëja më e mençur është ‘të grumbullojmë thesare në qiell’, sesa në tokë.—Mateu 6:19, 20.

Jezui e theksoi këtë pikë në ilustrimin që bëri në lidhje me një njeri që kishte plane madhështore për të ardhmen. Në këto plane nuk përfshihej Perëndia. Toka e atij njeriu ishte shumë pjellore. Ai vendosi të shembte depot që kishte dhe të ndërtonte depo më të mëdha, në mënyrë që të bënte një jetë të rehatshme, të hante, të pinte dhe të gëzonte. Ku qëndronte problemi? Ai vdiq para se të gëzonte frytin e mundit të tij. Por më e keqja, nuk kishte krijuar një marrëdhënie me Perëndinë. Jezui përfundoi me fjalët: «Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.»—Luka 12:15-21; Proverbat 19:21.

Çfarë mund të bësh?

Mos bëj të njëjtin gabim si ai njeri që përshkroi Jezui. Zbulo se çfarë qëllimi ka Perëndia për të ardhmen dhe ndërtoje jetën tënde rreth këtij qëllimi. Perëndia nuk i ka lënë në errësirë njerëzit për gjërat që do të bëjë. Profeti i lashtë Amosi shkroi: «Zotëria Sovran Jehova nuk do të bëjë asgjë, pa ua treguar më parë çështjen e tij konfidenciale shërbëtorëve të tij, profetëve.» (Amosi 3:7) Atë që Perëndia ka zbuluar nëpërmjet profetëve mund ta gjesh në faqet e Fjalës së tij të frymëzuar, në Bibël.—2 Timoteut 3:16, 17.

Një gjë që zbulohet në Bibël është ç’do të sjellë e ardhmja, e cila do të ndikojë në të gjithë tokën në një shkallë të paparë. Jezui tha: «Do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani.» (Mateu 24:21) Asnjë njeri nuk mund ta pengojë këtë ngjarje. Faktikisht, adhuruesit e vërtetë s’kanë asnjë arsye pse ta pengojnë atë. Përse? Sepse në këtë mënyrë do ta pastrohet toka nga çdo e keqe dhe do të vijë ‘një qiell i ri dhe një tokë e re’, domethënë një qeveri e re qiellore dhe një shoqëri e re tokësore. Në atë botë të re, Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e [njerëzve]. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më».—Zbulesa 21:1-4.

A nuk është e logjikshme, pra, që të gjesh kohë tani për të shqyrtuar se çfarë thotë Bibla për këtë të ardhme? A të nevojitet ndihmë për ta bërë këtë? Kërkoju Dëshmitarëve të Jehovait të të ndihmojnë. Ose shkruaju botuesve të kësaj reviste. Mos jeto vetëm sot për sot, por edhe për një të nesërme të mrekullueshme!

[Figurat në faqen 7]

«Mos jini më në ankth. . . . E nesërmja do të ketë ankthet e veta»