Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përgjigjjuni zërit të ndërgjegjes

Përgjigjjuni zërit të ndërgjegjes

Përgjigjjuni zërit të ndërgjegjes

«Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër. Kurse për ata që janë të ndotur dhe pa besim, asgjë nuk është e pastër.» —TITIT 1:15.

1. Si u përfshi Pavli me çështjet që lidheshin me kongregacionet e Kretës?

PASI apostulli Pavël kishte përfunduar tri udhëtimet misionare, atë e arrestuan dhe së fundi e dërguan në Romë ku e mbajtën të burgosur për dy vjet. Çfarë bëri ai kur u lirua? Pas ca kohësh vizitoi ishullin e Kretës me Titin, të cilit Pavli i shkroi: «Të lashë në Kretë që të ndreqje gjërat me të meta dhe të emëroje pleq.» (Titit 1:5) Në këtë caktim Titi kishte të bënte me ndërgjegjen e njerëzve.

2. Cilin problem duhej të trajtonte Titi në ishullin e Kretës?

2 Pavli i dha këshilla Titit për kualifikimet që duhej të kishin pleqtë e kongregacioneve dhe më pas tregoi se kishte «shumë njerëz të pashtruar, llafazanë të padobishëm dhe mashtrues të mendjes së të tjerëve». Këta ‘po minonin shtëpi të tëra, duke u mësuar ato që nuk duhej’. Titi duhej ‘të vazhdonte t’i qortonte’. (Titit 1:10-14; 1 Timoteut 4:7) Pavli tha se mendja dhe ndërgjegjja e tyre ishin «të ndotura» dhe ai përdori një fjalë që kishte kuptimin se ishin të njollosura, ashtu si një veshje e bukur mund të njolloset me bojë. (Titit 1:15) Disa prej atyre burrave mund të kenë qenë me prejardhje judaike, sepse ‘i rrinin besnikë rrethprerjes’. Kongregacionet e sotme nuk po minohen nga njerëz që kanë këtë pikëpamje, megjithatë, nga këshillat që Pavli i dha Titit, ne mund të mësojmë shumë për ndërgjegjen.

Njerëz me ndërgjegje të ndotur

3. Çfarë i shkroi Pavli Titit për ndërgjegjen?

3 Shqyrtoni se në ç’rrethanë e përmendi Pavli ndërgjegjen. «Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër. Kurse për ata që janë të ndotur dhe pa besim, asgjë nuk është e pastër, por si mendja, ashtu edhe ndërgjegjja e tyre janë të ndotura. Ata shpallin publikisht se e njohin Perëndinë, por e mohojnë atë me veprat e tyre.» Shihet qartë se në atë kohë disa duhej të bënin ndryshime, që ‘të ishin të shëndoshë në besim’. (Titit 1:13, 15, 16) Ata e kishin problem të bënin dallimin mes gjërave të pastra dhe të papastra, dhe kjo lidhej me ndërgjegjen e tyre.

4, 5. Ç’të metë kishin disa individë në kongregacionet e shekullit të parë dhe si ndikonte kjo gjë tek ata?

4 Më shumë se dhjetë vjet më parë, trupi udhëheqës i krishterë kishte nxjerrë përfundimin se nuk kërkohej më rrethprerja për t’u bërë adhurues i vërtetë dhe ata ua kishin njoftuar përfundimin kongregacioneve. (Veprat 15:1, 2, 19-29) Prapëseprapë, disa në Kretë ende ‘po i rrinin besnikë rrethprerjes’. Ata haptazi nuk e pranonin vendimin e trupit udhëheqës, ‘duke mësuar gjëra që nuk duhej’. (Titit 1:10, 11) Me mendime të shtrembëruara ndoshta ata mbronin rregulla të Ligjit në lidhje me ushqimet dhe pastërtinë rituale. Madje ndoshta u shtonin gjëra të tjera asaj që thuhej në Ligj, siç kishin bërë paraardhësit e tyre në ditët e Jezuit, si edhe përhapnin përralla judaike dhe urdhërime njerëzish.—Marku 7:2, 3, 5, 15; 1 Timoteut 4:3.

5 Këto mendime kishin një ndikim negativ në gjykimin dhe në ndjenjën e tyre morale, pra në ndërgjegjen e tyre. Pavli shkroi: «Për ata që janë të ndotur dhe pa besim, asgjë nuk është e pastër.» Ndërgjegjja e tyre u shtrembërua kaq shumë, saqë nuk ishte më një udhërrëfyese e besueshme për veprimet dhe gjykimet e tyre. Për më tepër, ata i gjykonin të bashkëkrishterët për gjëra personale, për çështje rreth të cilave një i krishterë mund të vendoste në një mënyrë, kurse një tjetër mund të vendoste ndryshe. Në këtë drejtim, këta kretas po i konsideronin si të papastra gjërat që nuk ishin të tilla. (Romakëve 14:17; Kolosianëve 2:16) Edhe pse shpallnin se e njihnin Perëndinë, me veprat e tyre tregonin të kundërtën.—Titit 1:16.

«E pastër për ata që janë të pastër»

6. Cilat janë dy llojet e njerëzve që përmendi Pavli?

6 Si mund të nxjerrim dobi nga fjalët që i shkroi Pavli Titit? Po ja, shihni kontrastin që gjendet në këtë pohim: «Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër. Kurse për ata që janë të ndotur dhe pa besim, asgjë nuk është e pastër, por si mendja, ashtu edhe ndërgjegjja e tyre janë të ndotura.» (Titit 1:15) Natyrisht Pavli nuk po thoshte se për një të krishterë të pastër nga ana morale, gjithçka është e pastër dhe e lejueshme. Jemi të sigurt për këtë, sepse Pavli e kishte bërë të qartë në një letër tjetër se kushdo që praktikon kurvërinë, idhujtarinë, spiritizmin e gjëra si këto, ‘nuk do ta trashëgojë mbretërinë e Perëndisë’. (Galatasve 5:19-21) Kështu duhet të nxjerrim përfundimin se Pavli po thoshte një të vërtetë të përgjithshme për dy lloje njerëzish, për ata që janë moralisht dhe frymësisht të pastër dhe për ata që nuk janë të tillë.

7. Çfarë ndalon Hebrenjve 13:4, por cila pyetje mund të ngrihet?

7 Gjërat që një i krishterë i sinqertë duhet të shmangë nuk janë vetëm ato që Bibla i ndalon shprehimisht. Për shembull le të shqyrtojmë këtë pohim të drejtpërdrejtë: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (Hebrenjve 13:4) Edhe ata që nuk janë të krishterë ose të tjerë që nuk dinë asgjë për Biblën me të drejtë do të nxirrnin përfundimin se ky varg ndalon kurorëshkeljen. Nga ky varg dhe nga vargje të tjera të Biblës është e qartë se Perëndia i dënon marrëdhëniet seksuale midis një personi të martuar dhe dikujt tjetër që nuk është bashkëshorti i vet i ligjshëm. Por, ç’të themi për dy njerëz të pamartuar që kryejnë seks oral? Shumë adoleshentë thonë se kjo praktikë është e padëmshme, sepse nuk përbën marrëdhënie seksuale. A mund ta konsiderojë një i krishterë seksin oral si diçka të pastër?

8. Si ndryshojnë të krishterët nga shumë njerëz në botë për sa i përket pikëpamjes që kanë për seksin oral?

8 Te Hebrenjve 13:4 dhe 1 Korintasve 6:9 tregohet se Perëndia nuk e miraton as kurorëshkeljen, as kurvërinë (në greqisht pornéia). Çfarë përfshin kurvëria? Termi grek nënkupton përdorimin e organeve gjenitale në mënyrë të natyrshme ose të zvetënuar për qëllime të fëlliqura. Kurvëria përfshin të gjitha format e marrëdhënieve seksuale të paligjshme të kryera jashtë martesës që është e ligjshme sipas Biblës. Pra, aty përfshihet edhe seksi oral, megjithëse shumë adoleshentëve anembanë botës u është thënë ose kanë arritur në përfundimin se seksi oral është i pranueshëm. Mendimet dhe veprimet e të krishterëve të vërtetë nuk drejtohen nga opinionet e ‘llafazanëve të padobishëm dhe të mashtruesve të mendjes së të tjerëve’. (Titit 1:10) Ata i përmbahen standardit më të lartë, Shkrimeve të Shenjta. Në vend që të përpiqen të gjejnë justifikime për seksin oral, e kuptojnë se, sipas Biblës, kjo praktikë përbën kurvëri, pornéia, dhe e stërvitin ndërgjegjen që të mos e pranojë këtë praktikë. *Veprat 21:25; 1 Korintasve 6:18; Efesianëve 5:3.

Zëra të ndryshëm, vendime të ndryshme

9. Ç’rol luan ndërgjegjja nëse «gjithçka është e pastër»?

9 Por, çfarë donte të thoshte Pavli me fjalët «gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër»? Pavli po fliste për të krishterët që i kishin përputhur mendimet dhe ndjenjën e tyre morale me normat e Perëndisë që gjejmë në Fjalën e Tij të frymëzuar. Këta të krishterë e pranojnë se në shumë çështje që nuk dënohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka vend për larmi vendimesh nga ana e besimtarëve. Ata nuk i gjykojnë të tjerët, por i konsiderojnë ‘të pastra’ gjërat që Perëndia nuk i dënon. Nuk presin që gjithë të tjerët të mendojnë tamam si ata në lidhje me aspekte të jetës për të cilat Bibla nuk jep një drejtim specifik. Le të shqyrtojmë disa shembuj.

10. Si mund të krijojë vështirësi një dasmë (ose funeral)?

10 Ka shumë familje në të cilat njëri bashkëshort është bërë i krishterë, kurse tjetri jo. (1 Pjetrit 3:1; 4:3) Kjo mund të krijojë vështirësi të ndryshme, si për shembull, kur i duhet të shkojë në dasmën ose funeralin e një të afërmi. Përfytyroni rastin e një gruaje të krishterë, burri i së cilës ende nuk ka të njëjtat bindje me gruan. Një nga të afërmit e tij do të martohet dhe ceremonia do të bëhet në një kishë. (Ose një i afërm, ndoshta një prind, ka vdekur dhe funerali do të bëhet sipas zakoneve fetare vendëse.) Çifti është ftuar të marrë pjesë dhe burri do që gruaja të shkojë me të. Çfarë i thotë ndërgjegjja asaj? Ç’do të bëjë? Përfytyroni këto dy mundësi.

11. Përshkruani se si mund të arsyetojë një grua e krishterë nëse duhet të marrë pjesë apo jo në një dasmë në një kishë dhe në ç’përfundim mund të arrijë ajo?

11 Luiza mendon për urdhrin serioz të Biblës ‘Dilni nga Babilonia e Madhe’, pra, nga perandoria botërore e fesë së rreme. (Zbulesa 18:2, 4) Dikur ajo bënte pjesë në kishën ku do të bëhet dasma dhe e di se gjatë ceremonisë, të gjithë të pranishmëve do t’u kërkohet të marrin pjesë në rite fetare si lutja, këngët ose gjeste fetare. Ajo është e vendosur të mos ketë të bëjë fare me këto gjëra, e madje as nuk dëshiron të jetë e pranishme, që të mos gjendet nën presionin për të thyer integritetin. Luiza e respekton të shoqin dhe do që të bashkëpunojë me të, meqë siç thotë Bibla është kreu i saj. Megjithatë nuk do që të bëjë kompromis me parimet biblike. (Veprat 5:29) Prandaj me takt i shpjegon bashkëshortit se, ndonëse ai dëshiron të shkojë, ajo nuk mund të vijë. Mund t’i shpjegojë atij që, nëse ajo do të ishte atje dhe nuk do të pranonte të përfshihej në ndonjë rit fetar, do ta vinte burrin në siklet. Për këtë arsye për burrin do të ishte më mirë që ajo të mos shkonte. Ky vendim e lë Luizën me ndërgjegje të pastër.

12. Si mund të arsyetojë dhe të reagojë dikush nëse është ftuar të marrë pjesë në një dasmë në një kishë?

12 Rajmonda gjendet pothuajse përpara së njëjtës dilemë. Ajo e respekton burrin, është e vendosur të qëndrojë besnike ndaj Perëndisë dhe e dëgjon ndërgjegjen e saj të stërvitur sipas Biblës. Pasi mendon për gjëra të tilla si ato që shqyrtoi Luiza, Rajmonda lutet dhe shqyrton artikullin «Pyetje nga lexuesit», që gjendet në revistën Kulla e Rojës e 15 majit 2002. Ajo kujton se tre hebrenjtë iu bindën urdhrit për të shkuar në vendin ku do të kryhej idhujtaria, megjithatë, e ruajtën integritetin duke mos marrë pjesë në një akt idhujtar. (Danieli 3:15-18) Rajmonda vendos ta shoqërojë të shoqin, por të mos marrë pjesë në ndonjë rit fetar, dhe në këtë mënyrë ajo po vepron në përputhje me ndërgjegjen e vet. Me takt, por në mënyrë të qartë, ajo i shpjegon burrit se çfarë mund të bëjë dhe çfarë nuk mund të bëjë sipas ndërgjegjes saj. Rajmonda shpreson se ai do ta kuptojë ndryshimin midis adhurimit të vërtetë dhe atij të rremë.—Veprat 24:16.

13. Pse nuk duhet të alarmohemi nëse dy të krishterë mund të arrijnë në përfundime të ndryshme për një çështje të caktuar?

13 Mos vallë fakti që dy të krishteret mund të arrijnë në përfundime të ndryshme do të thotë se s’ka rëndësi si vepron dikush apo se ndonjëra prej tyre ka një ndërgjegje të dobët? Jo. Për shkak të përvojës së saj në të kaluarën me muzikën dhe me orenditë pompoze që kishin lidhje me ceremonitë kishtare, Luiza mund të mendojë se për të do të ishte e rrezikshme të ishte e pranishme. Po kështu raportet që ka pasur ajo në të kaluarën me burrin për çështjet fetare mund të ndikojnë te ndërgjegjja e saj. Prandaj Luiza mendon se vendimi i saj është më i miri për të.

14. Çfarë duhet të sjellin ndër mend të krishterët në lidhje me çështjet ku kërkohet të merret një vendim personal?

14 Por, a do të ishte i gabuar vendimi i Rajmondës? Nuk u takon të tjerëve të ndërhyjnë në këtë rast. Ata nuk duhet ta gjykojnë ose ta kritikojnë ngaqë vendosi të shkonte për atë rast, por të mos kryente ndonjë akt fetar. Sillni ndër mend këshillën e Pavlit në lidhje me vendimet personale për të ngrënë ose për të mos ngrënë disa ushqime: «Kush ha, të mos e përçmojë atë që nuk ha. . . . Nëse qëndron në këmbë apo bie, kjo i takon zotërisë së vet. Në të vërtetë, ai do të qëndrojë në këmbë, sepse Jehovai mund ta bëjë të qëndrojë në këmbë.» (Romakëve 14:3, 4) Sigurisht që asnjë i krishterë i vërtetë nuk do të donte të nxiste dikë të shpërfillte drejtimin e ndërgjegjes së stërvitur, sepse kjo do të ishte si të mbyllte veshin ndaj një zëri që mund të përcillte një mesazh jetëshpëtues.

15. Pse duhen marrë parasysh seriozisht ndërgjegjja dhe ndjenjat e të tjerëve?

15 Po të vazhdonim me situatat imagjinare të përmendura më sipër, të dy të krishteret duhet të shqyrtojnë faktorë të tjerë. Njëri nga këta faktorë është ndikimi që do të kenë te të tjerët. Pavli këshilloi: «Jini të vendosur të mos vini përpara vëllait ndonjë gur pengese dhe të mos bëheni shkak që të rrëzohet.» (Romakëve 14:13) Luiza ndoshta e di se situata të ngjashme kanë shkaktuar shumë shqetësime në kongregacion ose në familje, dhe veprimet e saj mund të ndikojnë shumë te fëmijët. Ndryshe nga ajo, Rajmonda ndoshta e di se vendime të ngjashme nuk kanë krijuar shqetësime në kongregacion ose në zonën ku banon. Të dyja këto gra—e të gjithë ne—duhet ta pranojmë se një ndërgjegje e stërvitur siç duhet merr parasysh ndikimin që do të ketë te të tjerët. Jezui tha: «Për këdo që pengon një nga këta të vegjël që tregojnë besim tek unë, është më mirë të varë rreth qafës një gur mulliri, si ai që rrotullohet nga një gomar, e të fundoset në detin e paanë.» (Mateu 18:6) Në qoftë se dikush shpërfill faktin se me veprimet e tij mund të pengojë të tjerët, ndërgjegjja e tij mund të ndotet, siç ndodhi me disa të krishterë në Kretë.

16. Çfarë ndryshimesh mund të presim te një i krishterë me kalimin e kohës?

16 Përparimi frymor i një të krishteri duhet të jetë i vazhdueshëm dhe po kështu ai duhet të përparojë për sa i përket mënyrës si e dëgjon dhe si i përgjigjet ndërgjegjes. Le të përfytyrojmë rastin e Markut që është pagëzuar kohët e fundit. Ndërgjegjja i thotë të shmangë disa praktika jobiblike në të cilat përfshihej më parë dhe që ndoshta kishin lidhje me idhujt ose gjakun. (Veprat 21:25) Në të vërtetë, ai tani i shmang me shumë kujdes gjërat që edhe vetëm sa duket sikur ngjajnë me atë çfarë Perëndia ndalon. Nga ana tjetër, ai nuk kupton qartë pse disa i hedhin poshtë ca gjëra që për të janë të pranueshme, si për shembull, shikimi i disa programeve televizive.

17. Ilustroni se si koha dhe përparimi frymor mund të ndikojnë te ndërgjegjja dhe te vendimet e një të krishteri.

17 Ndërsa koha kalon, Marku fiton më shumë njohuri dhe afrohet më shumë me Perëndinë. (Kolosianëve 1:9, 10) Dhe cili është rezultati? Zëri i tij i brendshëm është stërvitur më shumë. Tani është më i prirur ta dëgjojë ndërgjegjen e tij dhe t’i peshojë parimet biblike. Në fakt Marku e kupton se disa nga gjërat që shmangte, të cilat ‘vetëm sa dukeshin sikur ngjanin’ me ato që Perëndia ndalon, në të vërtetë nuk ishin në kundërshtim me mendimet e Perëndisë. Për më tepër, duke i dëgjuar më shumë parimet biblike dhe duke qenë më i gatshëm t’i përgjigjet ndërgjegjes së tij të stërvitur mirë, ndërgjegjja e shtyn Markun të shmangë programe që më parë mendonte se ishin të pranueshme. Po, ndërgjegjja e tij është përmirësuar.—Psalmi 37:31.

18. Çfarë shkaku për gëzim kemi?

18 Në shumicën e kongregacioneve ka individë që ndodhen në faza të ndryshme të rritjes si të krishterë. Disa prej tyre janë të rinj në besim. Ndoshta ndërgjegjja e tyre qëndron pothuajse në heshtje për disa gjëra, por zëri i tyre i brendshëm ndihet fort për gjëra të tjera. Këta mund të kenë nevojë për kohë e për ndihmë që të përputhen me drejtimin e Jehovait dhe të dëgjojnë ndërgjegjen e tyre të stërvitur. (Efesianëve 4:14, 15) Jemi të lumtur që në këto kongregacione ka mjaft individë me njohuri të thellë, me përvojë në zbatimin e parimeve biblike dhe me një ndërgjegje që është shumë në përputhje me mendimet e Perëndisë. Ç’gëzim është të jesh me këta «të pastër» që i konsiderojnë ‘të pastra’ nga ana morale e frymore gjërat që janë të pranueshme për Zotërinë! (Efesianëve 5:10) Paçim të gjithë si synim që të përparojmë deri në këtë pikë dhe të mbajmë një ndërgjegje që është në harmoni me njohurinë e saktë të së vërtetës dhe me përkushtimin hyjnor!—Titit 1:1.

[Shënimi]

^ par. 8Kullën e Rojës të 15 marsit 1983, faqet 30, 31, anglisht, tregohen disa gjëra në lidhje me çiftet e martuara. Ndër të tjera aty thuhet: «[Të krishterët e martuar] duhet të zhvillojnë urrejtje për gjithçka që është e papastër para Jehovait, përfshirë edhe ato praktika seksuale që duken qartë që janë të zvetënuara. Çiftet e martuara duhet të sillen në atë mënyrë që i lë me ndërgjegje të pastër . . . duke sjellë në mendje veçanërisht se marrëdhëniet seksuale duhet të jenë të nderuara e të moralshme dhe të jenë një shprehje e përzemërsisë. Pa dyshim që nuk ka vend për asgjë që mund të shqetësojë ose të dëmtojë bashkëshortin.—Efesianëve 5:28-30; 1 Pjetrit 3:1, 7

Si do të përgjigjeshit?

• Pse disa të krishterë në Kretë i kishin ndërgjegjet të ndotura?

• Në ç’mënyrë dy të krishterë me ndërgjegje të stërvitur mirë mund të marrin vendime të ndryshme?

• Çfarë duhet të ndodhë me ndërgjegjen tonë me kalimin e kohës?

[Pyetjet]

[Harta në faqen 26]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Sicili

GREQI

Kretë

AZIA E VOGËL

Qipro

DETI MESDHE

[Figura në faqen 28]

Dy të krishterë që ndodhen në një situatë të njëjtë mund të marrin vendime të ndryshme