A flitni për bindjet tuaja sa herë ju jepet rasti?
A flitni për bindjet tuaja sa herë ju jepet rasti?
«A KA të vërtetë absolute?» Kjo ishte tema e një konkursi kombëtar me ese që u zhvillua në Poloni. Në udhëzimet për esenë thuhej: «Askujt s’i duhet e vërteta absolute. E, në fund të fundit, të vërtetë absolute s’ka.» Agata 15-vjeçare, nxënëse e shkollës së mesme dhe Dëshmitare e Jehovait, vendosi ta përdorte këtë rast për të folur me të tjerët për bindjet e saj fetare.
Para se të përgatitej për esenë, Agata iu lut Jehovait për drejtim dhe pastaj nisi të mblidhte material për temën. Gjeti informacione në Kullën e Rojës, 1 tetor 1995. Në ese ajo përmendi pyetjen që i bëri Ponc Pilati Jezuit: «Ç’është e vërteta?» (Gjoni 18:38) Komentoi se pyetja e tij pasqyronte një qëndrim cinik, sikur donte të thoshte: ‘E vërteta?! E ç’është ajo? E vërteta as që ekziston!’ «Pyetja e Pilatit më bën të mendoj për udhëzimet që na u dhanë për esenë»,—shkroi më tej Agata.
Pastaj ajo tregoi si u zhvillua pikëpamja se gjithçka është relative, domethënë se ajo që është e vërtetë për dikë, mund të mos jetë e tillë për një tjetër, por që të dy mund të kenë «të drejtë». Ajo ngriti pyetje të tilla, si: «Cili prej nesh do të guxonte të hipte në një avion, po të mendonte se ligjet e aerodinamikës nuk janë të vërteta absolute?» Më pas, e drejtoi vëmendjen te Bibla, duke thënë: «Besimi te Fjala e Perëndisë ka themele të forta, pasi bazohet në fakte që mund të vërtetohen.» Agata tha që shpresonte se të gjithë ata që do ta kërkojnë me sinqeritet të vërtetën absolute, të kenë aq durim sa ta gjejnë.
Agata fitoi një çmim të veçantë dhe pati rastin të bënte edhe një prezantim para klasës. Disa nga shokët e klasës pranuan të studionin Biblën me të. Agata është e kënaqur që e përdori këtë mundësi për të folur me shumë të tjerë për besimin e saj. Vërtet, po të flitni për bindjet tuaja sa herë ju jepet rasti, kjo mund të sjellë fryt. Nga cilat raste mund të përfitoni?